E premte, 02.05.2025, 04:28 AM (GMT+1)

Mendime

Dritan Hila: Plaku Gaxojanis dhe konsulli me xhup

E enjte, 10.02.2011, 07:49 PM


Plaku Gaxojanis dhe konsulli me xhup

 

Nga Dritan Hila

 

Me afrimin e regjistrimit të popullsisë, janë rigjallëruar edhe njëherë lobet greke, të cilat kanë ngjyrime të forta antishqiptare, ose për të qenë më të saktë, antishqiptarizmin e kanë perin qepës të doktrinave të tyre.

Korpusi kryesor i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, tashmë duket një makineri e kolauduar për të dhënë ndihmesën e saj në terren për helenizimin e Shqipërisë së Jugut dhe paraqitjen e strukturës së popullsisë së saj si popullsi greke. Pavarësisht pretendimeve të saj për paanshmëri, shumë nga priftërinjtë e saj, fatkeqësisht të indoktrinuar me ideologji jofetare, do veprojnë si misionarë për të parë se si do i mbushin formularët e tyre shqiptarët që marrin pensione nga Greqia. Gjithashtu, po këta priftërinj kanë për të qenë verifikuesit në terren, se sa do t’i lajnë borxhet morale e financiare, të krijuara ndër vite nga shqiptarët hallexhinj për një vizë a pension, duke u regjistruar si grekë. Ajo që në fillim nisi si lojë nga shqiptarët, duke ndryshuar kombësinë a fenë për hatër të një vize, ka ardhur koha e kërkesës së llogarisë dhe larjes së borxhit.

Tashmë kisha e Fan Nolit; kisha e mëvetësishme e shqiptarëve; kisha që në historinë e saj ka emrat e martirëve të shqiptarizmës, si Papa Kristo Negovanit dhe të shqiptarëve ortodoksë që dhanë pasuri, mund e gjak për mëvetësinë e saj dhe të Shqipërisë, duket se është kthyer në një agjenci të sillogjeve të Megali Idhesë, me pretendimet e tyre për Vorio-Epirin. Këmbëngulja e krerëve të saj për regjistrimin e fesë dhe të kombësisë, si dhe prania në terren dhe në mënyrë kapilare të prelatëve të saj, tregojnë se kjo nuk është më shtëpia e Zotit mbi tokë, por është zë në korin e revanshizmit grek.

Nuk mungoi të prishte rehatin e tij kohët e fundit edhe pensionisti Nikolas Gaxojani, ish-gazetari investigativ i “Nju Jork Tajmsit”, që për të siguruar bukën e gojës, gjëmonte poçet etruske që zhdukeshin nga muzetë italiane e përfundonin në duar kontrabandistësh, dhe në kohën e lirë organizonte lobet greke me muratorët dhe sufllaxhinjtë e Manhatanit, me shpresë se këta emigrantë nesër do ishin në ndihmë të mëmëdheut të tyre duke përdorur fuqinë e Shteteve të Bashkuara.

E vërteta është se lobi grek ndikon në kupolën amerikane, ashtu si çdo lob tjetër, për aq sa vota ju jep politikanëve amerikanë, por pa mundur të modifikojë politikën e jashtme të superfuqisë. Por, suksesin më të madh me sa duket, e ka arritur që t’u kallë datën disa politikanëve shqiptarë, që kur takojnë Gaxojanin, ju bëhet ferra Brahim, dhe ju duket se ai mund t’i lërë apo heqë nga froni. Me siguri ka ardhur edhe të kolaudojë mekanizmin kontrollues të regjistrimit dhe të disiplinojë përfaqësuesit politikë të minoritetit grek, që për hatër të llokmës së ndihmave nga diaspora greke e Amerikës po i nxjerrin sytë njeri-tjetrit. Për këta është për të thënë: “turp t’ju vijë”, pasi po minojnë bashkekzistencën gati vëllazërore midis shqiptarëve dhe grekëve në zonat e Gjirokastrës e Sarandës, dhe me shpikjen e njollave etnike të paqena në Korçë, rrezikojnë në planin afatgjatë, troshitjen e një statusquo-je të mundimshme të arritur me shtetin grek, por edhe mbjelljen e farës për armiqësi të ardhshme midis shqiptarëve dhe grekëve këtej e andej kufirit.

Në fakt, elementit ekstremist i pëlqejnë situatat e ndezura për të mbijetuar, dhe Gaxojanis është mjeshtër për të sajuar të tilla, siç qe provokimi i fundit për popullsinë shqiptare të dëbuar nga Çamëria. Duke u përpjekur të bëjë një paralelizëm midis gjermanëve të dëbuar nga Polonia, Sudetet e Çekosllovakisë, Vojvodina e ish-Jugosllavisë, Transilvania e Rumanisë apo popullsitë gjermanike të Vollgës, ky farë historiani i sajuar harron se këto popullsi ishin bashkëpunëtore me Gjermaninë hitleriane, dhe kishin dhënë kontribut në pushtimin e vendeve mikpritëse si me provokacione, ashtu edhe me luftime, ku trupat Wafen SS, të mobilizuara nga këto zona, ishin ndër më të egrat. Do mjaftonte të kishte lexuar nobelistin Gynter Grass, i cili duke qenë ish-ushtar në këto trupa dhe një banor gjerman i larguar nga Danzigu (Gdansku i sotëm), bën “Mea culpa”-n në korpusin e tij letrar. Do mjaftonte kaq pak lexim, dhe jo të thellohej në histori, për të kuptuar se rastet janë të pangjashëm. Çamët nuk ishin italianë, por shqiptarë; çamët nuk i shpallën luftë Greqisë; çamët kishin po aq bashkëpunëtorë me fashizmin si dhe viktima nga fashizmi sa çdo popullsi tjetër e Europës; çamët asnjëherë nuk kërkuan ndryshimin e kufijve dhe bashkimin me Shqipërinë, dhe Shqipëria si trung amë i çamëve është rreshtuar në koalicionin e fituesve mbi fashizmin po aq, me në mos më shumë merita se sa Greqia. Ndaj, ky rob i perëndisë bën mirë që këto provokime t’i bëjë ku të dojë, por jo në Shqipëri.

Po ashtu, konsulli i shtetit grek në Korçë duhet të rikujtojë se është mirëpritur në tokën shqiptare në bazë të Konventës së Vjenës, që të shërbejë si urë bashkimi dhe miqësie, por jo si pishtar i çfarëdolloj ideologjie. Tashmë është e disata herë që provokon shqiptarët në tokën e tyre, në ndjenjat njerëzore dhe kombëtare. Nëse shteti i tij nuk është kujtuar t’ia lidhë shkurt zinxhirin apo t’i tërheqë veshin dhe ta kthejë andej nga ka ardhur, shteti shqiptar, si administrator i tokës, historisë e të shkuarës së këtij vendi, duhet ta detyrojë që nëse do të vazhdojë të thithë ajrin e Korçës, të rrijë si i ka hije mikut, përndryshe profkat e tij t’i lëshojë matanë piramidave të Kapshticës.

Nëse për dikë Jugu i Shqipërisë është një shprehje gjeografike, për miliona shqiptarë është toka ku kanë varret e të parëve të tyre; është toka për të cilën janë vrarë e therur në shekuj. Toleranca është një koncept, që shqiptarët e Jugut e kuptojnë më mirë se fqinjët e tyre; në emër të bashkëjetesës e përtypën edhe vendimin e pajustifikueshëm për t’ju dhënë grekëve tre varreza, ndërkohë që në kujtesën e tyre apo të prindërve të tyre rishfaqeshin pamjet kur ushtria greke ju binte me top refugjatëve gra e fëmijë që merrnin arratinë Grykës së Këlcyrës, të ndjekur këmba-këmbës nga ata ushtarë që i thërrisnin vetes çlirimtarë të Vorio-Epirit dje, e sot i shesin si luftëtar antifashistë (ironi e fatit, që ushtarët e simpatizantit më të madh të Hitlerit quhen antifashistë).

“Për miun, vetëm macja është kafshë e tmerrshme”, – shkruan në një poezi-fabul të vetën Dritëro Agolli. Ka ardhur koha që të rivihet ndërgjegjja  e përkatësisë shqiptare në kishën e ortodoksëve tanë dhe ta kenë në administrim prelatët shqiptarë që shfaqin besnikërinë ndaj shtetit shqiptar; t’ju kujtojë diplomatëve të huaj se me gjithë globalizmin dhe heqjen e kufijve e vizave, ky vend do mbetet toka e shqiptarëve dhe duhet të zbatojnë konventat në përputhje me të cilat janë akredituar; si dhe t’i bëjë të ditur një pensionisti, se si turist është i mirëpritur, por në ardhtë të fusë spicat rishtas, mund të kthehet pako postale në Kakavijë. Ndoshta ky është edhe momenti kur duhet parë seriozisht procedura e regjistrimit të popullsisë, dhe të rinegociohet ky kusht, pasi me standardet aktuale ka rrezik që të hyjmë në Europë si shtet multietnik.

Shqipëria po punon rëndshëm të hyjë në familjen europiane. Shpresojmë se edhe shteti dhe opinioni grek kanë filluar të përdorin syze europiane për të parë fqinjët e tyre. Por, kalbësira të tilla të së kaluarës nuk duhet të kenë zë në kapitullin e së ardhmes së të dy popujve.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx