E enjte, 24.07.2025, 09:00 PM (GMT+1)

Mendime

Mirela Kumbaro: Intelektualë, të varfër, të vegjël dhe hipokritë

E enjte, 10.02.2011, 07:46 PM


Intelektualë, të varfër, të vegjël dhe hipokritë

 

Nga MIRELA KUMBARO

 

E shtuna e fundit m’u trondit thellë nga dy ngjarje. E para ishte vdekja e viktimës së katërt të 21 janarit. Baba i ri i dy foshnjave që më therën në zemër.  S’e quaj dot tamam as protestues të ndjerin, sepse po t’i besoj shtypit, ai ishte më shumë një kureshtar që si shumica e shqiptarëve bënte sehir vendin e krimit pa kurrfarë vetëdije se mund ta pësonte. Të tjerë e kanë këtë ndërgjegje që të mos i afrohen rrezikut. Jemi ne, që në mënyrë gati meskine konsumuam gjithçka nga larg me gjithë cinizmin e paqëllimshëm të kësaj soditjeje. Morti vazhdon të jetë i pranishëm mes nesh si për të na kujtuar se era e qetësisë që ka fryrë këto dy javët e fundit, ndonëse protestat nuk munguan, nuk e kanë zhbërë të keqen dhe se për ta pastruar plagën i duhet  shkuar deri në fund.

Ngjarja e dytë ishte manifestimi i madh që u zhvillua në pallatin e sportit në Milano po në atë të shtunë pasdite, ku u mblodhën më shumë se 12 mijë vetë e mijëra të tjerë që mbetën jashtë, për të marrë pjesë në tubimin me titullin “Dimettiti” (jep dorëheqjen) organizuar nga shoqata italiane “Liberta e Giustizia”, themeluar nga një grup intelektualësh të shquar e mendjesh të ndritura të elitës italiane si Umberto Eco, Enzo Biaggi, Claudio Magris, Giovanni Sartori, Umberto Veronesi. Manifestimi denonconte korrupsionin që gjallon sot në shoqërinë italiane dhe sharlatanizmin e kryeministrit të saj. Në tribunë u ngjitën zëra të shquar jo thjesht të elitës italiane, por autoritete të gjalla të kulturës europiane si Umberto Eco, tribunë të guximit intelektual e gazetarë si Roberto Saviano, mesazhe të fuqishëm politike si ai i ish-Presidentit italian, Scalfaro. Ishte nga ato ngjarje që padyshim të tronditin jo vetëm shpirtin, por sidomos ndërgjegjen. Ishte një reagim i fortë i shoqërisë italiane, i asaj shoqërie që e kemi përballë e që s’i kemi lënë gjë pa kopjuar që nga spektaklet kitch në televizion e deri te aktivitetet mafioze, që nga emrat bombastikë të dyqaneve e deri te kuzhina e te kafja e shkëlqyer. Por vetëdijen sociale, guximin intelektual, shpirtin opozitar të shoqërisë civile nuk ia arrijmë dot. Sepse këto nuk kopjohen. Ato fitohen, dhe që të fitohen, duan kohë, kulturim, edukim dhe zhvillim demokratik. Njëzet vjet janë me sa duket pak, shumë pak për ta kryer. Ne që na ra fati të jetojmë e të jemi aktivë në këtë epokë, na takon të paktën barra të vëmë një gur, në mos guriçkë, duke pranuar paaftësinë tonë për t’i dhënë jetë ndërgjegjes sociale, për t’u dhënë pushtet të besueshëm ideve.

 

Kthim te 21 janari

 

Në 21 janar, shoqëria shqiptare u trondit thellë. Në 21 janar shoqëria civile bëri më së shumti sehir nga ballkonet televizive se si u ndeshën deshtë, a thua se të gjithë e dinim që ringu nuk do të na zhgënjente e do të na garantonte spektaklin e dhunshëm të premtuar.

Asnjë nga ne, që na rren mendja se u japim mend dynjasë, nuk bëmë asgjë për t’u mbrojtur jetën, nuk zbritëm as nga lozha jonë, a thua se e dinim që aty do të thereshin, dhe në mënyrë perverse bëmë sehir derisa pamë tragjedinë të konsumohej para syve tanë.

E më pas një palë ftoi për kortezh të përzishëm e tjetri për festë. A thua skizofrenia të jetë ulur këmbëkryq mbi ne sa dy gjysma të një populli të prodhojnë të tilla kundërvënie brenda ditës e në mes të katrahurës sociale?

 

Ku jemi?

 

Po ne ku jemi? Ku jam? Te shoqëria civile? Ajo si zakonisht u nda në dy kampe. Madje në tri: ata që e kanë ndarë mendjen të flasin pro qeverisë sido që të ketë ndodhur, pa asnjë vullnet për analizë të thellë, çka u heq dhe tullën e fundit të etiketës së intelektualit, ndërkohë që janë, apo mund të jenë edhe profesionistë të zotë. Kjo, sepse e kanë individualisht inat Edi Ramën, qoftë për itinerarin në ngjitje të tij, qoftë për gabimet e tij dhe pastaj, shkojnë me mullixhiun; sepse u prishen ca plane të vogla; se duhet t’u bëjnë hyzmetin benefiteve të marra nga pushteti i Berishës, ose, në rastin më të mirë, se nuk janë dakord me dhunën e stimuluar rëndshëm dhe, të lodhur nga përsëritja e mundimshme e ciklit të gjakut, i bien shkurt dhe dënojnë opozitën që prish rehatin!

Ca të tjerë janë tejet të mbushur kundër bëmave të kryeministrit: që nga mosditja se ekzistonte Gërdeci e deri te filmat vizatimorë me thika me helm e çadra-pistoletë; që nga degët e ullirit e vlerat antioksiduese të shegës që shqetësuan mbledhjen e qeverisë të nesërmen e skandalit të videos akuzuese për korrupsion nga  një ish-ministër i po asaj qeverie, e deri te përgjimi i dëshpëruar i gazetarëve (avaz i vjetër ky); që nga fotografia e lodhur e lakuriqësisë së kryetarit të opozitës e deri te insinuatat prej telenovelash mbi moralin e kryeprokurores (kësaj të fundit jo vetëm që ia shkuli togën e Silvia Kontit, me të cilën i bëri kinoprovat, por me mosekzekutimin e urdhër-ndalimeve, as ndonjë rol te filmi “Kapedani” nuk i dha që të ruante pulat të paktën); që nga kryqëzimi i Presidentit që veç çelësat e kashtës i ka lënë e deri te dërrma e rrezikshme që u dha organeve ta sigurisë së shtetit, prokurorisë, SHISH–it, por edhe Policisë e Gardës duke i kthyer në vegla të veta e jo të ligjit. E pra, kjo kategori intelektualësh, kësisoj të ngarkuar, udhëhiqen vetëm nga parimi “të heqim të keqen më të madhe” dhe i rezistojnë, ndoshta dhe me dhimbje, kritikës së paanshme të situatës, kritikë e cila do të përfshinte, pa dyshim, të gjithë palët. Por jo vetëm kaq, një pjesë e këtyre që, në një moment ose në një tjetër, e ka lidhur qerren me opozitën e sotme, e di që s’ka për t’u pranuar ndonjëherë nga kampi në pushtet edhe kur është i/e shumë e aftë, se klanet tashmë janë ndarë, dhe druhet t’i bjerë kokës problemit nga frika se mos humb edhe atë lidhje që ka me ata që nesër do të vijnë në pushtet... Uhhh, çfarë dileme!

 

Ç’të bën varfëria...!

 

Më falni, harrova ata të tretët që i përmenda në fillim. S’janë as mish as peshk, më së shumti teknicienë, edhe të zotë, që përpiqen të rrinë mbi ujë pa asnjë mbështetje politike dhe  falë përpjekjeve të tyre profesionale në këtë treg të mundimshëm kaotik. Nuk dinë si të shprehen, nuk e marrin guximin të thonë se mbreti është lakuriq. Mbi kokë u rri si çekan frika se mos etiketohen për atë që s’janë, çka në rastin më të mirë është e padrejtë dhe në rastin më të keq i bën objekt të ndonjë hakmarrjeje nga pushteti i sotëm ose nga ai që do të vijë. Sepse, mbi të gjitha, përtej ekuilibrit të brishtë që kanë ndërtuar me ndershmëri, as nuk janë të kamur për të ruajtur standardin e jetës që meritojnë dhe as shoqëria foshnjarake dhe primitive shqiptare nuk e ka kuptuar se sa e rëndësishme është krijimi dhe ruajtja e kësaj shtrese të mesme për stabilitetin e një vendi. Fatkeqësisht politikës së sotme shqiptare ky status i shkon fort pas midesë. Nga ana tjetër, shumë e lehtë është të anatemosh dhe të hakmerresh në këtë fshat të madh që është Tirana, ku s’ka as namuz e as kanun, se te ligji s’ka njeri shpresë më të gjejë mbrojtje.

 

Pak shpresë...

 

Mirëpo shpresa vdes e fundit! Ka gjithmonë një zgjidhje. Ka gjithmonë një Ambasadë Amerikane që u jep drejtim punëve: kap për veshi politikanët tanë; tërheq nga votimi projektligje për të cilat deputetët kacafyten duke na thyer ekranet; jep mësime tolerance për prirjet e ndryshme seksuale pavarësisht se kryeministri stigmatizon për të njëjtin motiv edhe ditën kur aprovon ligjin për mosdiskriminim; anulon manifestime; konstaton vdekjet aksidentale; heq gazetarët nga lista e të përgjuarve; dërgon një ekspert çudibërës për të analizuar një video në vendin e zuluve që s’marrin vesh nga elektronika, ndonëse kanë sofistikuar çadrat; pastaj dërgon edhe një prokuror që vlen më shumë se gjithë prokurorët zulu, më falni, shqiptarë, më shumë se sa komisioni hetimor i kryeministrit që kërkon “indicie”, më shumë se sa ligji... madje, më shumë edhe se sa të gjithë ambasadorët europianë bashkë... oh si s’kam një grusht të randë malit që s’bzan në zemër me ia ngjesh!



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx