Mendime
Ilir Kulla: Qirje konsull, jemi në shekullin XXI
E merkure, 09.02.2011, 08:40 PM
Qirje konsull, jemi në shekullin XXI
Nga ILIR KULLA
Qirje konsull Ikonomus, më lejo të të drejtohem kështu në gjuhën greke, fjalë e cila në gjuhën shqipe ka një kuptim të ndryshëm dhe kuptimplotë, për shkak të faktit se dy ditë më parë, nga Ty, në 20-vjetorin e OMONIA-s mora vesh se ne korçarët qenkemi të tërë grekë. Madje se të tëra varret e paraardhësve tanë na qenkan shkruar në greqisht. I rrethuar nga dy deputetë grekë dhe nga të tërë dallkaukët vendorë që kanë nga një flamur të ndryshëm të Bashkimit Europian në xhep, të pashë të mallëngjyer, teksa i rrëfenje botës të vërtetën tënde. Qirje konsull, të pashë që me shumë ngazëllim dhe kërshëri prapa syzeve po i tregoje botës sesi të tërë korçarët janë grekë dhe me thënë të drejtën m’u dhimbse. Tani duhet të të shpjegoj edhe pse m’u dhimbse, i dashur qirje Ikonomus.
* * *
M’u dhimbse se ke ardhur në kohë të vështira për Greqinë. Kam qenë disa herë gjatë vitit të fundit në Athinë dhe e kam vërejtur me sytë e mi rënien drastike të gjithçkaje në zemër të Eladhës. Festa mbaroi dhe ekonomia ka vajtur në esfel (pyet ata korçarët grekë të ta përkthejnë këtë fjalë). Rrogat janë ulur dhe ky amerikani që po bën kryeministrin e Greqisë, Georgi apo Jorgua, e ka ndarë mendjen, do t’i vejë gjer në fund, t’i presë me radhë një nga një të tëra shpenzimet e tepërta dhe të kota që bëjnë dhe kanë bërë burokratët si ty, duke i rrëfyer përralla taksapaguesit grek. Përralla si kjo që tregove në Korçë para dy netësh zotrote, përralla me të cilët ata bashibozukët që kishe në krah kanë bërë para e pasuri tërë këto 20 vjet. Përralla si ato që i kanë kushtuar taksapaguesit grek dhe europian për 20 vjet miliarda euro, duke u shërbyer si pensione dhe rroga të kota për mercenarët dhe dallkaukët që ju kanë marrë paratë dhe ju kanë nënqeshur dhe gënjyer pas shpatullave gjatë tërë këtyre viteve.
* * *
Qirje konsull, m’u dhimbse se nuk e ke kuptuar filozofinë e atyre që kishe në krah. Të mirë janë të gjorët, të mirë, nuk duhet t’Jua marrësh as për ters, për pak evro më shumë ju kanë gënjyer, në fund të fundit shumë fukarenj kanë qenë. Se që ta dish, çobanët e Korçës janë shumë punëtorë e të zotë. Disa janë me Ilir Metën, e kanë mik për shembull ata ku kishe bujtur zotrote teksa i flisje kombit. Madje hiç më pak e hiç më shumë në fushatën zgjedhore të 2005-s, kur kandidoja në fushën e Korçës për deputet, një nga ata që kishe në krah më tha “shiko se votat e mokrarëve do t’i marrim duke i thënë se dhe Ilir Meta ishte arumun nga Skrapari, se fshati i babait të tij nga Skrapari, Cepani, ishte më afër Korçës se Beratit”. Të të them të vërtetën qirje Ikonomus, po të njëjtët miq të Ilir Metës, kur rrinin me Blushin zinin be për kokë të Fatos Nanos, madje tani që Blushi ka bërë paqe me Ramën, ata zënë be edhe për kokën e Ramës, të Blushit e të Peleshit bashkë. Ndaj mos ua zër për të madhe kur të marrësh vesh se zgjedhjet e ardhshme do të votojnë për Ridvanin dhe Doktorin, biznes është, edhe halle kanë njerëzia, “miqësia miqësi, paraja të vejë e të vijë”, thonë në Korçë, Qirje konsull.
* * *
Paraja, eh nuk përmendet litari në shtëpi të të varurit. Na ishte një herë e një kohë dhrahmia dhe evroja, tani është zhdukur. Po dhe ju i morët vetë në qafë i morët, i hoqët vizat, armën e tyre më të vyer. Ata të gjorë me atë punë rronin, merrnin fshatarë nga të gjitha rrethet e veriut dhe të Shqipërisë mesme e i deklaronin si grekë, ju i lëshonit vizat e ata merrnin paratë, ç’të keqe kishte!!! Sa grekë prej Hasi, Puke, Tropoje, Lure e Mirdite i kanë parë sytë tërë këto vite Konsullatës së Korçës, ç’të të them qirje konsull… Po gjene mirë Qirje Ikonomus, ja kosovarët edhe ata pa viza janë, ata që nuk marrin pasaporta nga Serbia do t’i bëjmë të tërë vorio-epirotë. Po, po vorio-epirotë nga Gjakova, nga Drenica, nga Podujeva, Gjilani e Prizreni, se duhen, duhen. U duhen atyre që kishit në krah. Helbete u duhen paratë, tani që Eladha ka falimentuar, me ç’do do t’i blejnë agallarët e Devollit, që të deklarohen grekë kur të bëhet numërimi i popullsisë ? Po ata të Fushës së Korçës e ata Malësisë, me ç’ti blejnë? Kohë të vështira Qirje konsull, Qerimi kur ishte në Eladha e thërrisnin Anastasios, e tani që ka vajtur në Boston, Xhon i thonë, hajde merre vesh Qerimin. Ç’ti bësh, kohë e globalizmit Qirje konsull…
* * *
Kjo koha e globalizmit tërë dynjanë e ka marrë në qafë. Krizë ngado të shkosh, në tërë botën. Na mbyti Kina, të mbajmë fort njëri-tjetrin Qirje Konsull se po t’i teket Kinës e të na hedhë nja 30 a 40 milionë vëllezër kinezë këtej nga ne, vate edhe Eladha edhe Shqipëria apo Alvania siç e quani Ju. Minoritet do na bëjnë edhe në Athinë, edhe në Korçë, në Selanik e Tiranë bashkë. Jo për gjë, po kush mëson dhe mandarinçen tani, se ata që të bëjnë fresk Ty në Korçë edhe greqishten s’e dinë mirë. I dashur Qirje konsull, tani në mbyllje duhet të të jap një këshillë prej miku. Mos fol më budallallëqe, se s’ti merr kush seriozisht, as ata që kishe në krah. Jo për gjë, por jemi në shekullin XXI, ndaj si interneti dhe Kina na morën në qafë, na e bënë tërë botën e madhe një katund të vogël, si Vorio-Epiri yt i dashur. Mos u merr me karagjozë e mashtrues, që gdhihen shqiptarë, drekojnë grekë e ngrysen rumunë. Rri si mik dhe përfaqësues i një vendi mik, në një vend mikpritës, se jo për gjë më duhet të të rikujtoj se jemi në shekullin XXI dhe bota po shkon drejt qeverisjes globale, ku do ketë një vend për të jetuar edhe për Ty i dashur Qirje konsull.