E diele, 28.04.2024, 11:56 PM (GMT+1)

Mendime

Emin Azemi: Lotaria e anketave

E diele, 06.02.2011, 08:58 PM


Lotaria e anketave

 

Lotaria e anketave do të vazhdojë edhe mëtej  të na sillet rreth nesh, pa ofruar kurrfarë premie. Ruleti i kësaj politikëbërje mos qoftë i barabartë me moralin e kazinos, sepse të gjithë pastaj do të bëhemi peng të një bixhozi politik

 

Nga Emin AZEMI

 

Monotonia e të bërit anketa ka filluar ta bëjë gati të parëndësishme efektin që kanë hulumtimet e opinionit publik. Këto hulumtime ka rrezik të prodhojnë mirëqenie false politike, kurse prej plitikanëve të bëjnë parazitë që ushqehen me sensin e vetëkënaqësisë. Ajo që po e relativizon rolin e anketave, është dinamika e shpesht e organizimit të tyre dhe paraqitja e institucioneve me relevance të pamjaftueshme etike e kredibile. Doping-anketat që po organizohen në Maqedoni do të munden të mbajnë një farë kondicioni garues, por finalja e këtij garimi ka rrezik të mos jepë kurrfarë dobie publike.

 

Çfarë favoresh përfitojnë qytetarët e Maqedonisë, nëse këto anketa nuk e shprehin gjithmonë disponimin social, ekonomik, politik në terren.

 

Kuotat e besueshmërisë që i shkojnë elitës politike udhëheqëse të vendit, do të duhej të përdoren politikisht si motivim për të punuar më shumë.  Nëse nuk ndodhë ky motivim, atëherë rezultatet e anketave a mund të kuptohen si një lotari mashtruese ku fituesi fiktiv mbetet të presë për një kohë të pacaktuar se kur do ta fitojë preminë. Në Maqedoni askush nuk po e fiton preminë, ndërkohë që arka e lotarisë politike po mbushet përmes këtyre anketave.

 

Sido që të jenë rezultatet e anketave, për politikën serioze është e pamjaftueshme që konkurrimin me ide dhe punë ta bazojnë vetëm në grafikonin e hulumtimeve publike.

 

Disponimi publik është një rrëfim tjetër që nuk mundet të kapërthehet brenda kalkulimeve statistikore të një ankete, me parametra të reduktuar kohor, hapësinor e njerëzor. Në pamundësi për të deshifruar semantikën e këtij rëfimi, politikanët kanë shpikur anketat si instrumenta relativizues me primesa të sedativave social. Praktika mjekësore ka treguar se efektet e  jodëshirueshme të sedativave joadekuat mund të shfaqen në  formë të depresionit dhe ndjenjës së shpresës së humbur. A ka të ngjarë që në Maqedoni politika të  bëhet burimi kryesor i depresioneve kolektive, duke zbatuar terapi joadekuate për situata të ndryshme?

 

 Nëse shumica e popullit është kënaqur me këtë mënyrë të udhëheqjes politike, ky nuk do të ishte plusi që i përshkruhet qeverisë, por minusi i alternativave të njëmendëta politike.

 

Me dalje nga parlamenti për kauza që nuk çojnë shumë peshë në garën për ide e mendime, si dhe me platforma që hartohen aty për aty, vetëm sa për t’u dukur interesant në konferencën për shtyp të radhës, zor se do të mundemi në një të ardhme të afërt të presim ndonjë përmbysje spektakulare të rezulateve të anketave.

 

 Lotaria e anketave do të vazhdojë edhe mëtej  të na sillet rreth nesh, pa ofruar kurrfarë premie. Ruleti i kësaj politikëbërje mos qoftë i barabartë me moralin e kazinos, sepse të gjithë pastaj do të bëhemi peng të një bixhozi politik.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora