Mendime
Tereza Paluca: Fjalës që ja prenë krahët!
E shtune, 05.02.2011, 08:58 PM
FJALËS QË JA PRENË KRAHËT!
“Fjalët janë thërrime që bijnë nga tryeza e shtuar e mëndjes.”
Nga Tereza Paluca
Por, sot fjalës ja prenë krahët e në tryezën e mendjes tani më duhet shtruar sa më pak. Pafajsisht,gabimisht, mjerisht! Heshtja ka veshur me petkun e saj të mistershëm, gjithësinë! Tashmë kemi harruar të flasim! Fjala është ura që lidh një qënje, me qenien tjetër, fjala është ura e komunikimit që lidh dhe krijon funksionin e shoqërisë.
Por, tani nuk flasim më! Ngjajmë me një komb të shthurur, të shpërbërë, ku secili prej nesh ecën udhëve të jetës, kurdisur dhe drejtuar prej dorës së Tij. Nuk kemi më shumë se atë. Atë e kemi, se nuk kemi më shumë.
Nuk e përqafuam me dëshirë heshtjen, e as nuk zgjodhem me dëshirë fatin tonë prej memecësh, por, folëm dikur, folëm shumë, dhe… fjalët ndoshta na u kthyen kundër. Nuk thamë të duhurën, se e duhura nuk ekziston, por gjithnjë kështu do jëtë, derisa mbi kokë të kemi shqiponjën-korb!
Thua gabuan ata që për në flamur zgjodhën një shpend të zi? A mos ndoshta ky është mallkimi ynë? A mos ndoshta shpirti I shqipes ballsamosur mbi të, nuk prehet I qetë, e na torturon edhe ne për moslënjen e saj të lirë?!
Çuditërisht, ka pak ngjasi! Edhe ne po kërkojmë një liri të munguar prej vitesh a shekujsh, që në kohën e Gjergj Kastiotit e deri sot. Por, kur liria valvitet para syve, krenarisht, e teksa ne,nën pranga që ngulen gjer në shpirt, dhimbja shumëfishohet! E kemi aty, aty pranë e nuk mund ta prekim, e duam,e nuk mund t’a kemi! Oh, çmerim!
Por, nuk e besoj, nuk e besoj jo, se shqipja jonë do ishte hakmarrëse! Në mos na dashtë ne, do doje Shqipërinë, atë për të cilën sakrifikoi edhe veten. Njeh vite të largëta mbi fron, dhe ende qëndron kryelartë.
Nga se është pushtuar Shqipëria? Kush kërkon t’a prekë atë? Thonani, të paktën, që, nëse një thikë pas shpine do ngulet mbi të, ta dimë kujt t’i hakmerremi! E në mos mundemi ne, do shkojmë gjer në botën tjetër, e Zotit do i marrim leje për Skënderbeun, të vij edhe një herë mes nesh, e të na çlirojë nga pazotësia e vetes sonë.
Kemi harruar shekujt, a vitet në të cilat jetojmë. Perandori, mbetëri, monarki, apo çfarë…? Kështu e dëshiron Zoti Shqipërinë?! E, në fakt, ‘Zoti ka thënë’: “Ndihmoje veten pak, të të ndihmoj unë shumë”. Cinikët e “afërpamësit”do pyesin në mënyrë naive : “Po kur e tha Zoti këtë?”
Jemi në kohën ku fjala jonë mbetet ende e pafuqishme, pa shpirt, pa forcë, pa peshë! E di? Fiziku i tashëm I fjalës, në imagjinatën time, vjen si krimb, që sado duam t’a lëmë në këmbë, ai rrëzohet, sepse i mungon shtylla kurrizore. Në një tjetër çast,fjala më vjen në imagjinatë si një flutur, pa ngyrë e pa krahë!
E shtrydhim vetën për të mos folur, kur gjithnjë kritikohemi apo zhvillojmë një monolog të pakuptimtë me veten, sepse vetja nuk mund të di gjithçka, nuk mund të na ofrojë gjithçka. Nëse do të ishte kështu, secili nga ne do jetonte I veçuar, duke I përmbushur vetes çdo padije, dëshirë, boshësi!
Ndal! Ti mos fol! Mos fol do të thotë: mos mendo! Mos mendo, do të thotë: mos jeto! E, mos jeto do të thotë: vdis! Dita- ditës po tretemi, duke e zvogëluar mendjen, fjalën, idenë, shpirtin! Po na vrasin! Arma e krimit:heshtja jonë!
Mbyllim sytë çdo muzg, duke shpresuar që dita do sjellë dritë, dritën e munguar, dritën e Parajsës. Përqafojmë fort fjalën e paralizuar, fjalën e cunguar, fjalën e pathënë, që ja prenë krahët e nuk fluturon,nuk gjallëron, nuk jeton! E shtrëngojmë fort në gji për t’i dhënë pak nga fryma jonë, teksa edhe ajo, vjedhurazi, na godet, na helmon, na tret!