E premte, 02.05.2025, 11:36 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Helena e “Vorio-Epirit”

E premte, 04.02.2011, 08:58 PM


Helena e “Vorio-Epirit”

              

Nga Kastriot Myftaraj

 

Në kohën kur prej disa ditësh të gjithë qytetarët amerikanë të çilët gjenden në Shqipëri janë njoftuar një për një nga ambasada amerikane në Tiranë që të largohen nga Shqipëria për shkak të situatës në vend, një qytetar amerikan vjen në Shqipëri, madje ai nuk mungon kurrë në Shqipëri kur situata politike tensionohet. Ky është Nikolaos Gatzoyiannis, i njohur në Amerikë si Nicholas Gage (Gejxh). Sa herë ka ardhur Gage në Shqipëri, këtu ka ardhur lufta.

Greko-amerikani Gage, në këto ditë të trazuara për Shqipërinë, u shfaq përsëri në Jug të vendit tonë për të folur për “Vorio-Epirin”, siç quhet një pjesë e Jugut të Shqipërisë në gjuhën e rivendikimeve territoriale greke. Gage e ka bërë praktikë që sa herë që në  Shqipëri ka trazira, të shfaqet në Jug të Shqipërisë, ashtu siç ka bërë edhe në vitin 1997. Kjo natyrisht se nuk është e rastësishme. Nicholas Gage është një nga arkitektët e luftës së vitit 1997 në Shqipëri. Nicholas Gage, pavarësisht nga reputacioni që ka në Amerikë, për punën e tij si gazetar, shkrimtar dhe prodhues filmash, në cilësinë e tij si activist i së ashtuquajturës çështje vorio-epirote, është një nga ata njerëz në Ballkan, të cilët diplomacia amerikane në çdo vend të Ballkanit i quan ekstremistë dhe nuk bashkëpunon me ta.

Gage bën përjashtim. Kur Nicholas Gage vizitoi Shqipërinë në vitin 2002, ai u shoqërua nga ambasadori amerikan i kohës në Shqipëri James Geffrey, i cili e çoi atë në zyrën e kryeministrit të kohës, Nano dhe të kryetarit të opozitës, Berisha. Me këtë gjë qeveria amerikane mori përgjegjësinë për sjelljen e ardhshme të Gage në Shqipëri. Tashmë që Gage erdhi në Shqipëri në këtë situatë të mbarsur me shumë tension dhe foli ashtu si foli, ambasada amerikane në Tiranë kishte së paku detyrimin që t’ i tërheqë vërejtjen atij dhe t’ u kërkojë ndjesë shqiptarëve që këtë njeri e dërgoi në zyrat e njerëzve kryesorë të shtetit dhe politikës shqiptare. Natyrisht se kjo nuk ndodhi. Shfaqja e Nicholas Gage në Shqipëri, në kohën që ambasadori amerikan në Shqipëri, Arvizu, na paraqitet si arbitri i palëve politike në konflikt, e kompromenton keq pozitën e diplomacisë amerikane në këtë ndërmarrje.

Kauza “vorio-epirote” e Gage është një kauzë e rreme dhe nuk mund të krahasohet me Kosovën, siç bën ai rëndom. Duke filluar që nga shifrat. Në Ballkan, rreth njëmbëdhjetë milion grekë kanë një shtet me sipërfaqe 131 990 km², ndërsa shtatë milion shqiptarë në Ballkan jetojnë të ndarë në pesë shtete në një sipërfaqe prej 47 000 km², pas spastrimeve të fundit etnike në Kosovën Veriore dhe në Maqedoninë Jugore. Shqiptarët, jo vetëm se nuk kanë tokë për t’ u dhënë të tjerëve, por kanë të drejtë të bashkojnë territoret e tyre të ndara për të krijuar një shtet funksionues, në të gjitha pikëpamjet.

Gage, autor i romanit “Eleni” nuk ka në Shqipëri as kauzën e Helenës me të cilën grekët e vjetër gjetën shkas për të msyrë Trojën. Ndonëse nuk ka asnjë lidhje mes grekëve të vjetër dhe këtyre të sotëm, çka kuptohet jo vetëm nga titulli i romanit të Gage ku emri “Helena”, deformohet në Eleni. Kjo u duk dhe në Olimpiadën e vitit 2004, që u zhvillua në Athinë, kur të gjitha vajzat greke të cilat  mbanin në tabaka medaljet që u jepeshin fituesve, ishin veshur nga organizatorët grekë vetëm me kostume të periudhës bizantine e tutje, me shami që u mbulonin kokën dhe një pjesë të fytyrës, me funde të gjatë, si fshataret dropullite, dhe asnjëra nuk u paraqit e veshur si femrat greke antike të kohës kur bëheshin Olimpiadat në Antikitet, me tunikë të shkurtër. Romani “Eleni” tregon për vrasjen e nënës së Gage, Eleni, nga ana e komunistëve grekë gjatë Luftës Civile në këtë vend, në gusht 1948, në një fshat pranë kufirit me Shqipërinë, kur Nicholas ishte dhjetë vjeç. Nënën e Gage nuk e vranë shqiptarët (në kohën e Luftës Civile në Greqi (1946-1949) shqiptarët çamë tashmë qenë dëbuar nga Greqia), por nga vetë grekët komunistë, kur ajo po kërkonte që të shpëtonte fëmijët e saj nga terroristët e kuq të cilët rrëmbenin fëmijë për t’ i stërvitur më pas në kampe guerriljesh. Nuk ka pra as “Vorio-Epir”, as një “Helenë të Vorio-Epirit”!

Gage vitin e kaluar në një mbledhje vorio-epirotësh, ku ka qenë i pranishëm edhe ish drejtori i CIA-s, himarioti i vetëshpallur grek, George Tenet u pyet se çfarë do të donte të kishte ndryshuar në librin e tij më të suksesshëm, “Eleni”, i cili është përkthyer në 32 gjuhë dhe që e bëri Gage botërisht të famshëm se në vitin 1987 Presidenti amerikan Reagan, iu referua filmit të bërë mbi bazën e këtij libri, si frymëzim për të. Gage u përgjegj pa hezitim se do të donte të ndryshonte identitetin e vrasësve të nënës së vet, nga grekë në çamë shqiptarë. Kështu u shpreh Nicholas Gage për nënën e tij, këtë grua trimëreshë e cila u vra për të mbrojtur pesë fëmijët e saj, atë dhe katër motrat e tij, nga komunistët grekë të cilët donin që t’ i kidnaponin fëmijët për t’ i çuar në kampet ku i stërvisnin si terroristë. Qartësisht, Gage do të donte që nëna e tij të ishte “Helena e Vorio-Epirit”, një figurë paradigmatike frymëzuese e luftës antishqiptare të tij sot.

Gage do të donte që vrasja e nënës, eksperienca formative e jetës së tij, të kishte qenë ndryshe nga ç’ ishte, në shërbim të kauzës së tij politike. Kjo ka sjellë tek ai refuzimin ndaj nënës, pas refuzimit ndaj babait. Në libër Gage nuk flet me dashuri për babain e tij, Christos, i cili ishte emigrant në Amerikë. Në libër ndjehet zemërimi i djalit të vogël dhjetëvjeçar ndaj babait, i cili në fantazinë fëminore nuk ishte atje për të kryer detyrën atërore të mbrojtësit të familjes. Aq më tepër Nicholas e fajëson babain se ai refuzoi kërkesën që i bëri Eleni burrit të saj me anë të një letre se për shkak të rrezikut që ekzistonte nga komunistët në zonën e tyre, do të ishte më mirë që ajo me fëmijët të shkonin në një qytet ku ishte më qetë. Christos dërgoi një përgjigje refuzuese dhe u bë shkak për vdekjen e Elenit. Djali nëntëvjeçar me sa duket nuk ia fali këtë babait, edhe pse më pas Nicholas shkoi në Amerikë tek babai i cili e rriti dhe e shkolloi. Tashmë duket qartë se refuzimi i Nicholas ndaj babait është zgjeruar duke përfshirë edhe nënën. Nicholas 71 vjeçar nuk ia fal nënës e cila u vra për t’ i shpëtuar jetën atij, që ajo nuk bëri që të vritet nga një shqiptar!!! Si activist vorio-epirot, ai e refuzon nënën e vrarë nga grekët.

Gjithsesi, problemi nuk është vetëm tek Gage por edhe tek qeveria amerikane, e cila e mbështet atë. Tashmë Shqipëria është anëtare e NATO, çka do të thotë se niveli i detyrimeve të ndërsjellta në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane është në një nivel dukshëm më të lartë se më parë. Ambasadori amerikan në Shqipëri dhe zyrtarët e Departamentit të Shtetit nuk janë të besueshëm kur vetëparaqiten sikur angazhohen sinqerisht për stabilitetin e Shqipërisë, në një kohë që Gage vjen në Shqipëri dhe sillet si ekstremist, duke keqpërdorur kreditin që ka fituar nga ambasada amerikane në Tiranë.

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë rekorde të këqija në të shkuarën e afërt kur Greqia e bëri praktikë të rëndomtë që të krijonte konflikte në marrëdhëniet greko-shqiptare, të cilat pastaj me mbështetjen e lobit greko-amerikan i shndërronte në konflikte amerikano-shqiptare, ashtu që qeveria amerikane ndërhynte në Tiranë në favor të Greqisë. Kështu ndodhi pas vrasjes së ushtarëve shqiptarë në kufi nga një komando greke në 1994 dhe arrestimit të pesë aktivistëve minoritarë grekë që e pasoi atë. Fakti se çdo konflikt shqiptaro-grek shndërrohej automatikisht në konflikt amerikano-shqiptar bëri që Greqia të siguronte koncesione në Shqipëri, të cilat në çdo rast tjetër nuk do t’ i arrinte, siç qe marrëveshja për kufirin detar.

Gage vjen në Shqipëri me kreditin që ka siguruar lobi greko-amerikan në Shtëpinë e Bardhë, duke qenë se këtë herë lobi greko-amerikan mbështeti totalisht Obamën në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008. Nëse Obama e shlyen debitin që ka ndaj lobit greko-amerikan në dobi të kauzës së supozuar vorio-epirote, kjo do të thotë që të minohen marrëdhëniet amerikano-shqiptare. Prandaj ambasada amerikane në Tiranë duhet t’ i tërheqë publikisht vërejtjen qytetarit amerikan Nicholas Gage, për veprimtarinë e tij në Jug të Shqipërisë. Kur një qytetar amerikan vjen në Shqipëri pikërisht në kohën që ambasada amerikane u bën thirrje qytetarëve amerikanë që gjenden këtu, madje dhe atyre që kanë shtetësi shqiptare, që të largohen nga vendi, kjo do të thotë se ky zoti Gage është një njeri shumë i ndërlikuar.

Lobi greko-amerikan është shndërruar në virusin vdekjeprurës të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, duke krijuar një dinamikë destruktive, situatat më të këqija të përftuara prej së cilës duket se nuk i takojnë së shkuarës por së ardhmes. Në një kohë që Shqipëria, e cila ka tre herë më pak banorë se Greqia kontribuon me tre herë më shumë ushtarë se Greqia, në forcën e NATO në Afganistan, që është fushëbeteja kryesore për aleancën dhe SHBA-të sot, është e papranueshme që një qytetar amerikan, me të cilin është implikuar zyrtarisht diplomacia amerikane në Tiranë, të kryejë veprimtari ekstremiste destabilizuese në Shqipëri.

Aq më tepër kur veprimet e Gage janë padyshim të kordinuara me ato të zyrave shtetërore greke dhe posaçërisht të shërbimeve inteligjente greke, siç ka treguar e shkuara. Kur Greqia i refuzon kërkesat e përsëritura amerikane për të kontribuar me më shumë trupa në Afganistan (në Irak as që çoi fare), duke sjellë si shkak krizën që ka përfshirë Greqinë, gjendjen e trazuar në vend dhe animozitetin që krijon në opinionin publik grek marrja pjesë e forcave ushtarake greke në operacione jashtë vendit në krah të amerikanëve, atëherë të gjitha këto janë premisa të favorshme për SHBA-të që të ushtrojnë trysni ndaj Greqisë që të tërhiqet nga operacionet e kamufluara për destabilizimin e Shqipërisë, të kryera sipas agjendës vorio-epirote.

Unë që shkruaj kështu nuk jam antigrek, siç kërkon Gage t’ i paraqesë të gjithë shqiptarët që mendojnë si unë. Unë e kam për nënën martire greke, Eleni, më tepër nderim se djali i saj të cilit ajo i shpëtoi jetën. Nderim për Elenin e Greqisë së qytetëruar, që i rezistonte barbarisë komuniste. Por turp për Elenin (Helenën) e “Vorio-Epirit”, për të cilën ka pezm që nuk ekziston. Por ndoshta Gage do ta rishkruajë librin e vet duke i paraqitur ngjarjet sikur nënën ia vrau një çam shqiptar, ndoshta gjyshi i Shpëtim Idrizit!                          

 



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx