E shtune, 27.04.2024, 06:35 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Agjenda politike personale, “thembra e Akilit” e Presidentit Topi...

E enjte, 03.02.2011, 08:42 PM


Agjenda politike personale, “thembra e Akilit” e Presidentit Topi, që e dallon nga paraardhësi Moisiu

 

Nga Kastriot Myftaraj

 

Presidenti Topi ka një ndryshim të madh në krahasim me  paraardhësin e tij Moisiu, i cili në fillim të vitit 2007 zgjidhi me marrëveshje një krizë politike mes qeverisë dhe opozitës. Moisiu, për shkak të moshës së madhe, nuk kishte një agjendë personale politike në kohën që ishte President, domethënë nuk punonte për karrierën e tij të ardhshme në politikë, pasi të linte zyrën e Presidentit. Kjo e bënte shumë më fleksibël Moisiun dhe me kredibilitet në angazhimin e tij për zgjidhjen e krizave politike. 

Presidenti Topi, qëkurse ka ardhur në detyrë, ka bërë veprime të cilat janë qartësisht në funksion të karrierës së tij të ardhshme në PD, pas largimit nga zyra presidenciale. Presidenti Topi, pa marrë parasysh se Kushtetuta e tashme e Shqipërisë, e vitit 1998, ndryshe nga Dispozitat Kryesore Kushtetuese të vitit 1991, kërkon që Presidenti të jetë i depolitizuar në periudhën e ushtrimit të mandatit presidencial, ka bërë veprime të njëanshme politike. Presidenti Topi ka krijuar institucionin informal të drekave dhe darkave me një grup politikanësh të PD, deputetë dhe jodeputetë të PD, të cilët media i ka quajtur “mbështetësit e Topit”, “grupi i Topit”, pa u shqetësuar për antikushtetuetshmërinë e këtij veprimi të Presidentit. Shkurt, Presidenti Topi, në kohën që është në kolltukun presidencial, vazhdon të veprojë si rival politik i kryetarit të PD.

Aspekti më i keq në këtë histori është se Topi ka treguar se ai i përdor hapur instrumentat institucionale që zotëron si kryetar i shtetit, në këtë veprimtari politike antikushtetuese. Kjo gjë nuk është e vështirë të vërtetohet. Presidenti Topi i ka kthyer mbrapsht Kuvendit disa ligje me argumentin se janë në kundërshtim me Kushtetutën, çka në vetvete përbën një veprim antikushtetues të Presidentit, se shqyrtimi i pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën është atribut ekskluziv i Gjykatës Kushtetuese dhe jo i Presidentit. Presidenti i atribuon vetes rolin e garantit të Kushtetutës, çka nuk thuhet në kompetencat e tij kushtetuese. Ky term ka ekzistuar në ligjin kushtetues shqiptar në kohën që nuk kishte Gjykatë Kushtetuese. Presidenti Topi ka kthyer si të papajtueshme me Kushtetutën kryesisht ligje të cilët kanë një ndjeshmëri të lartë për ato shtresa të popullsisë të cilat shihen si të djathta, dhe për të cilave Topi kërkon t’ u kumtojë se është përfaqësuesi i tyre politik. 

Pikërisht tek fakti që Presidenti Topi ndjek agjendën e kandidatit për kryetar të PD Topi qëndron dhe “Thembra e Akilit” e Presidentit Topi në konfliktin e tashëm me Berishën, me rastin e ngjarjeve të 21 janarit. Kur Berisha e akuzon Topin si bashkëpunëtor në grushtin e shtetit, në fakt po e akuzon për atë që në literaturën e sotme quhet grusht shteti postmodern, ndryshe coup d’ etat in disguise. Ky nuk është një grusht shteti klasik i kryer me forca ushtarake, si ai që përshkruan Lutwak, të cilit i referohen Piro Misha dhe Adri Nurellari, për të kundërshtuar nga pikëpamja e së majtës akuzën për grusht shteti, as një grusht shteti teknokratik, që konsiston në paralizimin e një shoqërie moderne urbane, sipas tezës së Malaparte, të cilit i referohet Plasari, nga pikëpamja e qeverisë, duke e mbrojtur tezën e grushtit të shteti. Grushti postmodern i shtetit konsiston në përdorimin e institucioneve për të zbatuar një agjendë për përmbysje politike, duke e kamufluar këtë me një maskë ligjshmërie.

“Thembra e Akilit” e Topit në atë që ndodhi në 21 janar dhe pas tij është se të gjitha institucionet e linjës presidenciale kanë vepruar në pajtim me agjendën politike të kandidatit për kryetar të PD, Bamir Topi. SHISH vërtet që mund të mos ketë pasur asnjë të dhënë për atë që ambasadori amerikan e quajti një grup demonstruesish me një agjendë krejt të ndryshme nga ajo e demonstruesve paqësorë. Por kur kryetari i SHISH ka mbi krye një President si Topi, për të cilin dhuna ndaj selisë së qeverisë në 21 janar ishte një zhvillim shumë i favorshëm për agjendën e tij politike personale, atëherë Bahri Shaqiri nuk është i besueshëm në këtë që thotë dhe më e besueshme duket se ai është vënë në shërbim të agjendës personale politike të Presidentit Topi.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. Kur Prokuroria me ngut urdhëron ndalimin e gjashtë drejtuesve të Gardës së Republikës, pa bërë veprimet teknike që vërtetojnë fajësinë e tyre, kjo mund të quhet një gabim i rëndë, nëse ekspertiza vërteton pafajësinë e tyre. Por kur ky veprim i Prokurores së Përgjithshme shkon qartësisht në favor të agjendës politike personale të Presidentit, në varësi të të cilit ajo është, atëherë këtu është fjala për një atentat ndaj Kushtetutës, për një akt të grushtit të shtetit postmodern.

Në çdo vend normal akuzat e kryeministrit ndaj Presidentit, drejtuesve të institucionit të akuzës dhe të shërbimit inteligjent, për bashkëpunim në grusht shteti, duken si paranojë e rrezikshme. Por në një vend ku Presidenti i Republikës ndjek publikisht një agjendë personale politike, në kundërshtim me Kushtetutën, ai bëhet shkaktar për këto akuza dhe e ka bërë atë faktorin më destruktiv institucional në krizën e sotme politike. Asnjë politikan shqiptar që nga koha e Esat Pashë Toptanit nuk i ka vënë institucionet e shtetit shqiptar në një situatë më kaotike dhe destruktive se Bamir Topi. As që mund të besohet se në një vend mund të ketë drejtësi të pavarur, kur Presidenti që duhet të veprojë si i depolitizuar, ndjek një agjendë personale politike. Një aspekt tjetër i problematikës që krijon Topi është se ai në kohën që nuk e ka për gjë të ndjekë publikisht një agjendë personale politike, ka në fjalorin e vet fjalën “politika”, në konotacion pezhorativ, në adresë të mazhorancës, të cilën fjalë e kanë përvetësuar edhe zyrtarët e linjës së tij, që nga Prokurorja e Përgjithshme, kryetari i SHISH, dhe drejtues shoqatash gjyqtarësh të kyçur në agjendën politike presidenciale. 

Fakti që Presidenti Topi ka një agjendë personale politike e ka nxjerrë atë krejt jashtë loje si faktor potencial konstruktiv në krizën e tashme politike. Bamir Topi është dështimi i madh i ambasadës amerikane në Tiranë, se ai është një investim politik amerikan. Në fillim të vitit 2007, ishte NDI, Instituti Demokrat Amerikan, i cili shpalli të dhënat e një sondazhi të falsifikuar, sipas të cilit Bamir Topi dilte si politikani më popullor në Shqipëri, me absurditete të tilla, si qenia e tij politikani më popullor edhe në bastione të së majtës në Jug të Shqipërisë, ndonëse në sondazh Topi paraqitej si përfaqësues i shtresës së djathtë?! Punë sharlatanësh!

Nëse ka një person që duhet të japë dorëheqjen për përgjegjësinë që ka në shkallëzimin e krizës së sotme politike ky është pikërisht Presidenti Topi, i cili ka krijuar modelin më të keq presidencial në Shqipërinë paskomuniste. Berisha, kur ishte President, promovoi një model të keq presidencial, por ai përfitoi nga ligji kushtetues i kohës, i bërë nga socialistët para ardhjes së tij në pushtet, që i lejonte Presidentit të ruante praninë në politikën partiake, duke i ndaluar vetëm që të ishte kryetar partie. Bamir Topi vepron në dhunim të Kushtetutës për të ndjekur agjendën e tij politike personale.

Mungesën e qartë të legjitimitetit që i ka sjellë vetes me ambicjet e tij politike, Presidenti Topi kërkon që ta kompensojë duke krijuar institucionin informal të një lloj triumvirate presidencial, duke thirrur kinse për konsultime dy ish-presidentët Meidani dhe Moisiu, për të përfituar sadopak nga krediti i tyre. Por Topi, siç e ka zakon nuk i mbron as ata që i fut në vallen politike se kur në 21 janar, në kohën e protestës dy ish-presidentët po ecnin në trotuarin para selisë të presidentit, duke ardhur nga Sheshi “Nënë Tereza”, për të hyrë në presidencë, një nga makinat e ujit të policisë lëshoi si gabimisht në drejtim të tyre një curril të trashë uji, duke u bërë një dush të ftohtë. Kjo gjë sigurisht që duhet që t’ i ketë indinjuar shumë dy ish-presidentët, por ata nuk folën me sa duket nga frika se mos akuzoheshin si pjesëmarrës në protestë. Në vend të tyre i takonte Topit që të fliste, se ai i kishte ftuar, por ai heshti me sa duket se kishte frikë se mund ta pyesnin mbi atë se përderisa atë ditë ai dhe dy të ftuarit e tij nuk dhanë asnjë prononcim të përbashkët, çfarë zhvillimi priste që kishte thirrur dy ish-presidentët me ngut në zyrë, në mes të protestës?

Bamir Topi kërkon që me një retorikë “institucionale” të mbulojë veprimtarinë e vet antiinstitucionale, por duke e bërë këtë ai vepron si struci që fut kokën në rërë dhe zbulon të pasmet e veta politike antiinstitucionale. Shqipëria sot ka nevojë për një negociator të huaj për të zgjidhur krizën politike pikërisht për faktin se kryetari i shtetit, i cili sipas Kushtetutës duhet ta bënte rolin e negociatorit, e ka kompromentuar rëndë pozitën e vet institucionale.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora