E diele, 28.04.2024, 06:02 AM (GMT+1)

Mendime

Selim Hasanaj: Ukë Ferizi nga Gurrakoci, trimi që tmerroi vipaven sllovene

E marte, 01.02.2011, 08:59 PM


UKË FERIZI NGA GURRAKOCI, TRIMI QË TMERROI VIPAVEN SLLOVENE

 

Nga Selim Mustafë Hasanaj

 

Ishte fillim pranëvera e vitit 1983. Në Istog erdhi lajmi se familjes Ferizi nga Gurrakoci do t’u vinte në arkivol nga shërbimi ushtarak biri i tyne, Uka. Dhimbje e lot derdhën familja, por edhe mbaheshin burrnisht, sepse biri i tyne i shtrejtë e kishte pague veten.

 

Çka kishte ndodhë?

 

Ishin vite të vështira për qytetarët shqiptarë të Dardanisë, që ishte njësi konstituive e Federates Socialiste Jugosllave. Në të gjithë Dardaninë ishte një atmosferë e zymtë, që nga fillimi i protestave dhe demostratave të marsit e prillit 1981. Ora policore sa hiqej, vendosej përsëri.

Forca të shumta të policisë speciale federative ishin nëpër të gjitha stacionet policore të qyteteve e qytetzave të Dardanisë. Edhe ushtria ishte në gjendje gadishmënie, thue se këtë biçim shteti komunist do ta sulmonte e gjithë bota.

Nga kazermat e shumta të ushtrisë pothuej për çdo ditë familjeve shqiptare u vinin bijtë në arkivole. Ata kishin shkue në shërbim ushtarak mbasi ma parë kishin kalue një mori kontrollash mjeksore dhe vetëm mbasi shpalleshin të shëndoshë si molla e të aftë, ata dërgoheshin në sherbim në armaten jugoslave. Kur i këthenin në arkivol, i shpallnin të dobët, të smuet psiqikë, që kishin ba "vetvrasje" në mënyra të ndryshme. I vrisnin vetë katilat dhe mandej i shpallnin vetvrasës.

Edhe Istogu, kjo qytetzë e vogël e piktoreske e Dukagjinit, u godit nga kjo tragjedi. Familjes Shatri nga Tomoci i erdhi në arkivol biri i tyne Haki Shatri, tekniku i mirënjohun i dhambëve pranë Shtepisë së Shendetit të Istogut, i cili, vetëm pak ditë mbasi kishte qenë në familje për të ble rrobat civile, këthehet në arkivol të blinduem.

Ende pa u harrue ky tmerr, ende pa përfundue bisedat vesh më vesh të qytetarëve për Hakiun e shkretë, vjen tash edhe një arkivol tjetër. Nga kazerma e qytetit Vipava të Sllovenisë vjen trupi i trimit Ukë Ferizi.

 

Kush ishte Ukë Ferizi

 

Mbaj mend se Uka kishte miqësi me mikun tim të fëminisë, z. Ismail Rugova nga Cerrca, dhe nëpërmjet Ismailit kam pasë fatin të njoh edhe trimin Ukë Ferizi. Ishte një burrë shtagjatë, mbante mustakë të hollë, të regulluem bukur, dhe kishte pamje kreshniku.

Për shumë kohë,  derisa e takova në shoqni me Ismailin, nuk e dija se ishte një burrë me karakter të fortë, ky trim i paepun. Djaloshi i pashëm e bukurosh ishte pjestar i pakicës ashkali. Në fillim nuk më vinte ta besoja këte, sepse Uka kishte urrejtje të tmerrshme për pushtuesit serbosllavë, çka nuk ishte karakteristikë e pjestarëve të tjerë të pakicave të Dardanisë.

Uka, kur hynte në kaferestorantin "KORENIK", që ishte në qender të Istogut, vagabondët e shumtë serbë të lagjes Lugu i Shkive, nga friga se do t’i rrihte, dilni jashtë nga lokali.

Që të hartoja këtë shkrim u frymëzova nga miku dhe komshiu im këtu në Sarpsborg, z. Ismet Rifat Berisha nga fshati Dyz i Llapit, që para disa ditëve më tregoi këte histori të këtij trimi, sepse Ismeti nuk e dinte që edhe unë e kisha njohë trimin Ukë Ferizi.

Më mungojnë data e lindjes si dhe ajo e vrasjes së Ukë Ferizit, sikurse më mungojnë edhe shumë data të tjera për këtë burrë, megjuithate vendosa ta hartoj këtë shkrim që të përkujtojmë bashkë jetën dhe vepren atdhetare të këtij burri të Podgurit.

Ismet R. Bersiha ka ba 5 vjet burg ushtarak. Arsyen e burgimit të tij nuk e kam dijtë deri para pak ditëve. 

Ish ministri i Informatave në Qeverinë e Dardanisë të Dr. Ibrahim Rugoves, z. Xhafer Shatri, kishte dëgjue se unë kisha njohë disa ushtarë të ish APJ-së në Norvegji, të cilët kanë ba burg ushtarak dhe m’u lut ta ndihmoja, sepse z. Shatri po bante një libër për viktimat ushtarë shqiptarë në APJ. Në këtë rast mësova edhe historinë e burgut të z. Ismet Berisha, histori që më tërhoq e më bani të ndjehem krenar që jam nga Podguri i Dukagjinit. Të gjithë njerëzit e kësaj treve janë trima e bujarë, i thash me mburrje mikut tim Ismet Berishes, mbasi ai ma tregoi ngjarjen, historinë dhe trimninë e Ukë Ferizit nga Gurrakoci.

 

TREGIMI I ISMET RIFAT BERISHES NGA DYZI I LLAPIT

 

Uka ishte trim dhe i ndershëm. Kishte tipare të humanistit dhe njeriut të urtë, por kur ishte nevoja ishte i papërmbajshëm dhe nuk frigohej nga asgja.

Ishte viti 1983. Na mërizteshim në ushtri, mërziteshim sepse na trajtonin sir rob lufte. Haptas banin dallime dhe na ofendonin tue na sha pandërpre nanën shqiptare. Na ndalonin të rrinim bashkë me njeni tjetrin. Shumë prej nesh kishin nevojë të rrinim bashkë, sepse edhe nuk dinim gjuhën serbe, që ishte gjuhë zyrtare në armatë.

Uka një ditë vendosë me ikë nga sherbimi ushtarak. Ai, së bashku me Naser Qerimin, një ushtar tjetër shqiptar, ishin në roje. Naseri ishte në vendrojen e zakonshme, ndërsa Uka ishte roje në autoparkun e kamionëve ushtarakë. Merren vesh mes tyne dhe ndërsa Naser Qerimi bante roje, Uka then një derë të një depoje me armë dhe aty, mbasi armatoset mirë dhe merr edhe disa armë e municion per vete dhe për Naserin, provon të ndezë një kamion ushtarak, por nuk mundet. Nuk kishin pasë çelsin për kontakt ndezje dhe me mënyrat tjera që Uka provon nuk mundi me e ndezë.

Kohë kishin pak, prandaj, të dy të armatosun mirë, kapërcejnë rrethojen e oborrit të kazermes dhe ikun e futen në një mal aty afër. Qellimi i Ukës kishte qenë të kalonte kufinin për në Itali. Ai dinte se, ashtu i armatosun, do pranohej nga shteti dhe oragnet italiane. Prej atje ai kishte pasë planin të ikte në Gjermani, sepse atje kishte dike të afërm të familjes. Një ditë para kësaj nate, tregon Ismeti, unë kisha lejen me dalë në qytet, dhe Uka, kur më pa, më dha një pliko dhe më luti ta fusja në postë në qytet, sepse ia dergonte dikujt të familjes. Më duket motres, më pat thanë, kujton Ismet Berisha.

Pra Uka qellimisht nuk e kishte dërgue nga sanduku postar mbrenda kazermes, sepse nga aty letrat dhe dërgesat kontrolloheshin. E pata dërgue atë leter dhe edhe sot jam kurreshtar të dij, a mos vallë në atë letër pat njoftue të dashtunit e vet ,familjen, për hapin që do të ndërmirrte mbas pak ditëve, thotë prap z. Ismet Berisha, i cili flet për Ukë Ferizin dhe sytë i mbushen me lotë. E kujtoj me dhimbje, sepse ka qenë burrë. thotë Ismeti.

Të këthehemi te ngjarja. Uka dhe Naser Qerimi fshihen në mal. Ditën shohin një vneshtë me rrush. Shkojnë aty dhe fshihen në një kasollë të vogël, që pronari i vneshtës porsa e kishte mmarue.

Dikur, në mbramje, një grue e moshueme shkon në vneshtë për të marrë diçka dhe heton se aty dikush ishte fshehë në kasollë. Edhe ata e kishin hetue gruen që po vinte dhe kishin dalë e ishin strukë në mes rreshtave të harrdhive të rrushit. Ndërkohë ishte alarmue krejt kazerma dhe e gjithë ushtria ishte vu në gjendje gadishmenie për t’i zanë dezertorët.

Plaka shkon dhe lajmron se, si duket ,dikush kishte fjetë në kasollën e vneshtës së saj. Mobilizohet edhe mbrojtja territoriale dhe civile e qytetit të Vipaves. Së bashku, ushtria dhe njësitet civile, shkojnë e rrethojnë vendin.

Kishin mjete ata, ishin maskue aq mirë sa, sado që e rrethuen vendin, ishin të padukshëm për dy ushtarët e armatosun me pushkë dhe me disa granata dore, të cilët nuk e njihnin terenin. Ky edhe kishte qenë shkaku që ata, qysh një natë ma parë, nuk kishin kalue kufinin e të dilnin në Itali.

U soset uji dhe ata shohin një krue aty afer. Vendosin me shkue me pi uji dhe me mbushë mataret.

I pari shkon Uka. Komandanti i rrethimit, një major, jep urdhen mos me reague askush, sepse ai donte me i zanë të dy  gjallë.

Uka këthehet. Mandej i vjen radha  Naser Qerimit. Ndërsa Naseri po mbushte mataren me uji, Uka sheh rrethimin. Edhe majori jugosllav kupton se Uka i kishte hetue, prandaj urdhnon ushtrinë të kapnin Naserin e të hapnin zjarr kundër Ukes. Naseri nuk pat kohë as të reagonte. E kapin dhe e plandosin për tokë. Kur e rrëzuen, ishte me matare të ujit në gojë. As të shuej etjen nuk e lanë mizorët. Ukë Ferizi ndjen dhimbje për mikun dhe, pa një pa dy, merr në shej majorin serb. Kërcet mauzerri i Ukë Ferizit dhe majori serb bie përtokë. Ndizet flakë nga të gjitha anët. Për tri orë rresht nuk prani pushka e Ukë Ferizit. Luftonte e këndonte kangën e Bec Sinanit, kishte tregue Naser Qerimi, të cilin, tanë kohën e mbajtën të shtrimë përtokë e të prangosun.

Ma në fund pushon kanga e Ukë Ferizit. Pushon kanga së bashku me pushkën e këtij trimi të Podgurit.

 Padyshim se ka pasë shumë të vramë e të plagosun nga pala anmike, tregon Ismet Berisha, por ne nuk na treguen kurrë. Asht folë nëpër qytet dhe asht tregue nga deshmitarët se një njeri ka luftue me një brigadë ushtarësh dhe ka ba kerrdi mbi ta. 

            Janë trima shqiptarët, thonin qytetarët e Vipaves, tregon Ismet Berisha.

Ra burrnisht ashtu si bien burrat dhe trimnia e tij pat tmerrue qytetin e Vipaves sllovene. 

Serbët e Lugut të Shkive të Istogut dhe ata të Gurrakocit e rrethinës patën ba festë gezimi kur nga Vipava erdhi trupi kreshnik i Ukë Ferizit në arkivol të blinduem.

E varrosën në heshtje familjarët e tij, ndërsa na, miqtë e tij, e kujtojmë me dhimbje sot e kësaj dite.

Lavdi ty, Ukë Ferizi! Dheu i Dardanisë të qoftë i lehtë. Ke pague veten dhe pusho i qetë në parajsë. 

 

Sarpsborg - Norvegji:

31.01.2011.



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora