E merkure, 01.05.2024, 12:24 AM (GMT+1)

Mendime

Shinasi Rama: Shteti i gangsterëve, dështimi i tranzicionit dhe nevoja e një fillimit të ri

E diele, 30.01.2011, 08:58 PM


NGA SERIA: 1001 PËRRALLAT E TRANZICIONIT - PERRALLA 33

 

SHTETI I GANGSTERËVE, DESHTIMI I TRANZICIONIT, DHE NEVOJA E NJË FILLIMIT TË RI

 

Nga SHINASI RAMA

 

Përplasja që ndodhi me 21 Janar 2011 është thjesht një hap tjetër në rrugën logjike të politikës së bandave politike e të rrugës së dhunës që ndiqet sistematikisht nga paria e Tiranës. Përtej diskutimeve të analistëve ‘zhurmues’ lidhur me qëllimet immediate të palëve të parisë, përtej reagimit të forcave qeveritare, përtej sjelljes skandaloze të zyrtarëve të të gjithë niveleve, ky ishte një fenomen shumë shqetësues e tregues i qartë i sëmundjes së shoqërisë shqiptare. Kur nuk shihet si një fenomen i vecuar, por si simptomë e një sëmundje, përfundimet që mund të nxirren nga ngjarjet e këtyre ditëve janë lehtësisht të përmbledhura në disa fjali. Së pari, tranzicioni shqiptar ka dëshuar dhe ne jemi futur në një rrugë pa krye. Së dyti, shkaktare e pakontestueshme për dështimin është paria e Tiranës e cila mban parasysh vetëm interesat e veta. Së treti, ka ardhur koha për një fillim të rid he cdo ditë që kalon ai bëhet më i domosdoshëm. Së katërti, ky fillim i ri duhet të realizohet nga një forcë e re politike, me një sistem të qartë vlerash që është në dobi të të gjithë shqiptarëve me metoda të sprovuara e forma demokratike. Pra, ka ardhur e ka kaluar koha që shqiptarët të mbyllin këtë kapitull me pasoja tragjike e që nuk do të shuhen lehtë në historinë e shqiptarëve. Ka ardhur koha që ti japim fund tragjedisë 20-vjecare të sundimit nën parinë e Tiranës. Arsyeja është e qartë. Po vazhduam në këtë rrugë, e ardhmja do të duket e do të jetë edhe shumë më e keqe e me pasoja shumë më të rënda se sa e shkuara. Këta që na sundojnë nuk kanë se cfarë të na ofrojnë më përvec kriminalizimit, vjedhjes, trafikimit, degjenerimit, zvetenimit, droges, kontrabandës e cnjerezimit, të humbjes së dinjitetit e të nderit. Këta duhet të ikin. Një grusht familjesh të parisë, jenicerët e Enver Hoxhës, bllokmenët e shërbyesit e tyre, po na mbajnë peng të gjithëve. Ka ardhur koha që si individë e si popull as të mos biem më në lojën e tyre, as të mos përdoremi më prej tyre. Mënjanimi nga politika i këtyre pak përfaqësuesve të interesave të krimit, menjanimi nga politika i një grushti gjarpërinjsh, është domosdoshmëri historike. Sa më shpejt që të ndodhë aq më mirë do të jetë edhe për shqiptarët edhe për ata vetë. Nuk është më cështje nevoje apo kohe, por vetëm cështje metodash. Pika kryesore në rend të ditës nuk është se cila palë e parisë ka të drejtë, por se si duhen hequr qafe jenicerët e bashibozukët kriminalë të duopolisë oligarkike të Tiranës, e si duhet vepruar për ti hequr qafe me sa më pak dëm për shoqërinë shqiptare e për të ardhmen e saj.

 

DILEMA E PARISË SË TIRANËS

 

Si fillim duhet të kuptojmë mirë dilemën e tanishme të parisë sunduese. Paria e Tiranës ka hyrë në rrugën pa krye me kohë, dhe 1997-ta është një dëshmi e qartë në mendjen e gjithkujt. Në këtë pikë, përplasja që po vjen nuk është më lehtësisht e shmangshme dhe do të ketë pasoja të rënda, jo si ajo periudhë por gjithsesi të rënda. Tashti në përplasjen që do të ndodhë, zgjedhjet e zgjidhjet e palëve të parisë janë të pakta. Të gjitha zgjidhjet iu bien ndesh të paktën interesave të njërës pale e janë të papranueshme për palën tjetër. Secila palë e sheh veten si humbëse nëse arrihet një kompromis që i jep dicka palës tjetër. Niveli i sjelljes dëshmon se sado që të mundohen që të merren vesh, asnjëherë nuk do ti besojnë njeri-tjetrit deri në fund. Në se Edi Rama nuk bashkëpunon me të, e nuk arrin një kompromis që i jep kohë, Sali Berisha s’ka rrugë tjetër pos që ta mbajë pushtetin me dhunë. E në se vendos që të mbajë pushtetin me dhunë (tashmë ai s’ka më rrugë tjetër) përplasja me palën tjetër të parisë është e pashmangshme, dhe mandej është cështje javësh para se ai të ikë nga pushteti. Megjithëse Berisha do ti drejtohet rrugës e anti-mitingjeve, ai nuk ka më parti solide që ta mbështesë në opozitë, por thjesht klane e banda që tashmë nuk ja kanë aq shumë nevojën. Ai që i bleu të gjithë, ka për të parë se si do ta shesin të gjithë. Kështu që atij i duhet pushteti me cdo kusht e do të luftojë që të bëjë kompromis, cilido që të jetë cmimi. Nga ana tjetër, Edi Rama, edhe për shkak të konjukturave brenda PS-së, është i detyruar që të vazhdojë më konseguencë në rrugën që ka nisur sepse përndryshe, rrezikon shumë në të ardhmen e tij politike si person e si parti. Nëse ai tërhiqet e pranon një kompromis cfarëdo që e len Sali Berishën në pushtet deri mbas vjeshtës së këtij viti, atëherë ai do ti japë vetes ndoshta nja tre vjet jetë politike si kryetar bashkie por do të tregojë edhe se është në lojën politike për interesat e veta të ngushta e të klaneve mbrapa tij. E ardhmja e tij do të jetë tërësisht e kompromentuar në sytë e mbështetësve të PS-së e të klaneve të regjura të saj që shohin një mundësi për të marrë pushtetin e që gjithashtu shkojnë mbas interesave të veta të ngushta. Edhe atij i duhet t’i shkojë deri në fund kësaj rruge të ndeshjes sepse cfarëdo kompromisi përbën rrezik jetik për të. Pra, zgjidhja logjike për të dy palët është kompromisi, por kompromisi është i mundshëm vetëm nëse të palët pajtohen që cmimin e poshtërsisë së tyre ta paguajnë shqiptarët e jo vetëm kaq. Shqiptarët duhet të pajtohen që të viktimizohen edhe një herë tjetër. Sunduesve të Tiranës iu intereson që ata të jenë në qëndër të vëmendjes, që ti ndajnë njerëzit në pasues të njërit e të tjetrit, por kur vjen puna të dallaveret e tyre, ata e gjejnë gjuhën. Qentë grinden për të thithur gjakun e shtetit e të shqiptarëve, por grindja e tyre është vetëm e vetëm për thelën e pushtetit të secilit. Mafia që njeh vetëm rregullin e forces, nuk do të ndalet para përdorimit të saj as në ditët që vijnë. Prandaj, përplasjet midis forcave politike dhe bandave kriminale që iu shkojnë mbrapa, në Tiranë e më gjerë, do të vazhdojnë të bëhen edhe më intensive në ditët që vijojnë. Asnjëra palë nuk mund të ndalet sepse nëse tregojnë një shenjë dobësie edhe ata që sot ju shkojnë mbrapa për bukën e gojës janë të gatshëm t’i lënë në baltë. Kështu, qeveria i mban mbështetësit e vet bashkë duke vrarë demonstrues e duke u betuar se nuk do të ndalet në rrugën e krimit. Opozita e ka nxjerrë masën e njerëzve të pakënaqur në rrugë për të arritur qëllimet arriviste të mbrritjes në pushtet. Asnjëra palë nuk punon për shqiptarët. Ata do tu hedhin një kockë mbështetësve të tyre por vetem një kockë ama! Në mendësinë e tyre, as qentë nuk duhen ushqyer mirë sepse iu duhen sa më të uritur për përplasjen e nesërme e jo më mbështetësit e militantët. Cilado rrugë që do të ndiqet në javët e ardhshme do tu tregojë të gjithë atyre që duan të shohin e të kuptojnë se cfarë po ndodh njërën nga dy mundësitë. Nga një anë, do të shihet se këta janë në tavë të gjithë bashkë. Nga ana tjetër, do të shihet nga shqiptarët se asnjëri nuk punon për ta. Kahdo që të shkojnë në përplasjen e tyre, paria e Tiranës dhe segmentet e saj kësaj here do ta tregojë fytyrën e vet të vërtetë në përlasjen apo në kompromisin që do të bëhet. E njerëzit me mend e që duan të jetojnë me nder e dinjitet, duhet të bëjnë zgjidhjen e drejtë, d.m.th. që të mos bëhen pjesë e krimit, pjesë e lojës së parisë, dhe të përdoren si mish për top për klanet mafioze të parisë së Tiranës.

 

OBJEKTIVAT DHE REALIZMI I PLANEVE TË PARISË

 

Plani i shtresës sunduese të dalë nga PPSH e të organizuar në partitë e ndryshme ka qënë dhe mbetet krijimi i një shteti oligarkik, të maskuar si demokraci por të sunduar prej tyre, në shërbim të tyre, e që të mund të përdoret kundër të gjithë shqiptarëve të tjerë që duhet të kthehen në proletarët e skllevërit e përjetshëm të tyre. Sundimtarët e klaneve të parisë nuk janë ndalur para asgjëje në realizimin e këtij plani të përbindshëm që e kanë ndjekur me konseguencë, pa pyetur për dhimbjen që iu kanë shkaktuar njerëzve, pa dhënë llogari për vrasjet e krimet makabre, e u kujdesur për cmimin që është paguar. Ata kanë bërë atë që iu ka interesuar atyre. Prandaj sjellja e tyre gjatë këtyre 20 viteve është e pamohueshme, kriminale, jonjerëzore, e përbindshme. Gjaku e djersa e miliona shqiptarëve në emigrim e në shtetin shqiptar ka shkuar për të mbushur xhepat e sunduesve të rradhës. Vendi nuk ka ekonomi të institucionalizuar apo me aftësi konkurruese, të huajt nxjerrin miliarda dollarë fitime që shkojnë jashtë vendit, administrata shtetërore është fund e krye e korruptuar, udhëheqësitë politike janë eksponentë të klaneve mafioze e në shërbim të interesave joshqiptare, partitë politike janë lukuni lamashësh e hajnash, sistemet e edukimit, të shëndetësisë, të mbrojtjes shoqërore, e me rradhë janë për faqe të zezë. jeta e nderi i njerëzve janë më të pasigurta sot se kurrë, materializmi i skajshëm i njerezve nuk njeh skrupuj, shoqëria po kalon trauma të jashtëzakonshme morale, psikike e në vlera. Tranzicioni ka dështuar dhe planet e sjellja e parisë e kanë lënë shtetin shqiptar në një qorrsokak pa shumë zgjidhje. Kështu si janë gjërat nuk mund të vazhdohet. Shteti nuk ka as një minimum sovraniteti. Objektivi i përbashkët i ndërtimit të vendit si një shtet europian e me standarte europiane ka dështuar. Në vend që të ndërtohej një shtet i lulëzuar, me ekonomi të përparuar, me siguri për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve, në vend që të përdoroheshin me mencuri burimet e pacmueshme njerezore e materiale, gjithcka është shpërdoruar. Shteti është në një krizë të thellë të gjithanshme, politike, ekonomike e shoqërore. Shoqëria është tejet e polarizuar, me një shtresë sundimtarësh e zhganet e pasuesve të tyre që bëjnë një jetë përrallore prej sulltanësh e jeniceresh por edhe me masat e mëdha të njerëzve që fiken përditë nënë nji peshë injorance që shtohet përditë. Lufta e sundimtarëve të Tiranës ka qënë me ua heqë dëshirën me kenë njerëz me nder shqiptarëve, me i kthye në qënie që jetojnë për një kafshatë buke. Nesër kanë me ua heke edhe atë kafshatë buke. Kur të mos kenë më me vjedhë as nga krimi as nga shteti, sundimtarët do t’ua heqin kafshatën nga goja fëmijëve e të gjithë shqiptarëve. Përtej disa rrugëve të shtruara e ndërtesave të lyera me bojë, si dhe të vilave e pallateve të parisë, shoqëria shqiptare ka një fytyrë me u pasë frikë. Në vend të njerëzve që punojnë sheh kumarxhinj që e kalojnë kohën në bingo e në loto. Në vend të punës me nder, sheh njerëz që shesin drogë e trafikojnë gjithcka. Në vend të njerëzve me familje, nder e dinjitet sheh pushta e fundërrina, kodoshë e trafikantë të gjithckaje. Në vend të shërbyesve publikeë sheh hajna që rregullojnë veten në shtatë breza me nji allishverish e dallavere. Në vend të njerëzve që kërkojnë respekt prej popullit të vet, sheh mafiozë që vrasin dëshmitarët e krimeve të tyre. Jeta në shtetin shqiptar nuk vlen kurrgja. Shteti është në shërbim të klaneve mafioze e punon kundër popullit të vet. Cdo dite që kalon e shton zullumin e sundimtarëve e cdo ditë që kalon e bën edhe më urgjente nevojën e ndrrimit të rrugës ku jemi. Paria nuk duhet lejuar që të vazhdojë në rrugën e krimit të vet. Ka ardhur koha me ndrrue rrugë. Ata që shesin sot veten, nesër nuk do ta kenë për gjë me shitë edhe fëmijët e tyre. Ata që nuk duan nder për famijen e vet, nuk kanë si të duan nder për të tjerët.

 

DILEMA E QYTETARËVE

 

Dilema e qytetarëve është e qartë. A do të bëhemi nji katund kriminelësh e banditësh në brinjë të Europës, që s’ka pse me na pranue as si vend kandidat, apo do të ndrrojmë rrugë e të bëhemi një shtet normal? A do të bëhemi përfundimisht Haiti mafioz i Europës, shteti i drogës, kontrabandës dhe i prostitucionit apo do të ndërrojmë rrugë duke e kthyer faqen e historisë për një fillim të ri, e për një të ardhme të re me siguri, begati e mirëqënie për të gjithë shqiptarët? A do të mbesin shqiptarët skllevër të një grushti klanesh që kontrollojnë shoqërinë, ekonominë, vlerat, shtypin, dhe që e kanë kthyer shoqërinë, në një strukturë kriminale, të zvetënuar, pa vlera e pa moral, pa siguri e pa të ardhme apo do të jenë qytetarë të nderuar, njerëz me dinjitet, me siguri e me vlera që jetojnë në tokën e në vendin e tyre me një shtet që i mbron dhe iu shërben e me një shoqëri që i nderon si duhet? Sistemi politik nuk është demokratik por oligarkik e në shërbim të parisë. Paria e Tiranës është e zvetënuar, e korruptuar dhe e degjeneruar deri në palcë. Ajo mund të jetë krenare për këtë gjë, e i falet sepse edhe sorra mendon se është e bukur. Shteti nuk ka sovranitet. Shoqëria është e kriminalizuar. Shteti shqiptar është një qendër e trafikimit njerëzor, qëndër e kontrabandës, e hajnisë e mashtrimit dhe e një sjellje të përbindshme amorale e imorale në të gjitha nivelet. Ministrat pasurohen me shtatë minuta, për shtatë breza, e vjedhin pare sa me ndertue shtatë shkolla. Vendi është pa zot, shteti dhe administrata janë tejet të korruptuar. Sistemet e shkollimit, te shendetetsise, te mbrojtjes shoqerore e me rradhe jane nje mashtrim i paskrupullt. Kete gjendje ne te cilen eshte vendi, eshte mos me ja desherue as armiqve e jo me shqiptareve. Ndarja e polarizimi i shqiptarëve është bërë e bëhet përditë. Ata që duan një copë bukë e kanë shitur shpirtin te sunduesi i rradhës. Ata që duna të jetojnë me nder ikin përditë nga shteti shqiptar. Pajtimi me gjendjen është norma e sjelljes dhe kjo është vdekjeprurëse për shoqërinë e interesat e saj të vërteta e të shendosha. Por kjo nuk është gjendje normale. Nuk ka vend në botë ku kjo gjendje është normale. Ky shtet është shteti i gangstereve dhe i bandave te parisë që sillen sikur ky popull ju ka ra për hise. Edhe pse unë e disa të tjerë e kemi thënë tash 20 vjet dhe e kemi ditur mirë se do të përfundojmë në gjendje fatkeqe, askujt nuk ja kishte marrë mendja se do të rreshqisnim kaq poshtë e kaq pa dinjitet. Bukë hanë të gjithë, bukë han edhe qeni, por njeriu eshte njeri se jeton me nder e dinjitet. E ne shtetin shqiptar, njerezit jane ba dru e trajtohen si kafshë sepse shoqëria eshte kaq e kriminalizuar sa nuk te len me kene njeri i ndershem e me jetue me nder e dinjitet. Shkaktari kryesor e i pa diskutueshëm i kësaj gjendjeje është paria e Tiranës. Kjo është shoqëria që ajo ka kërkuar e kërkon, por nëse dikush don që unë të jem i vdekur, unë nuk jam i gatshëm për me vdekë për të, aq më pak për sunduesit e rradhës.

 

CILA ËSHTË RRUGA NDRYSHE?

 

Rruga në të cilën duhet të ecim duhet të jetë ajo e normalizimit të shoqërisë. Ajo është rruga e ndërtimit të një shoqërie me vlera humane, me marrëdhënie normale, një shoqëri demokratike me ekonomi tregu, por te institucionalizuar, ku mbrohet, pasuria, jeta, dinjiteti e nderi i qytetarëve. Ne na duhet një shtet e administratë e pastër e në shërbim të të gjithëve, na duhen kapitene të industrisë e të ekonomisë që e ngrejnë standartin e jetesës për të gjithë, që ndjehen pjesë e të gjithëve dhe që punojnë për të mirën e përbashkët. Na duhet një shoqëri e mundësive të barabarta e shanseve të pastra, ku fëmija i vegjëlisë të ketë mundësitë të bëhet një kontribues i vyeshëm për shoqërinë. Ne na duhet një shoqëri, shtet dhe struktura të tilla që t’iu japin nder e siguri, prosperitet e begati, shpresë e të ardhme të gjithë qytetarëve shqiptarë. Paria e Tiranës, dhe ai dhjetë përqindësh i popullsisë që e kanë vënë pasurinë gjatë këtyre 20 viteve do t’i kundërvihen egërsisht e me të gjithë mënyrat e metodat cdo përpjekje për ndërtimin e një shoqërie të tillë. Edhe pse një shoqëri me ekuilibre të tilla është edhe në të mirë të tyre, ata nuk do ta pranojnë. Synimi i tyre është që të polarizojnë masat e popullit e në mjegullën që krijohet, të mund të vjedhin sa më shunmë nga thesari i shtetit e nga pasuria kombëtare. Aty ku duhet të jetë Zvicër, është Haiti. Aty ku duhet të ketë turizem e sherbime, ka barreza plehrash e makinash. Aty ku duhet të ketë punë, ka bingo e kumar. Aty ku duhet të ketë edukim, qytetari e normalitet, ka drogë, trafiqe e poshtërsi të të gjitha llojeve. Kjo është rruga ndryshe. Kjo është rruga e pastrimit të administratës prej korrupsionit, në të cilën si qytetari ashtu edhe zyrtari janë të mbrojtur e në shërbim të interesave të të gjithëve. Kjo është rruga e ndërtimit të strukturave politike që iu shërbejnë interesave të popullit e angazhohen në luftën politike me përparësinë e shërbimit më mirë të interesave të popullit. Kjo është rruga e ndërtimit të një ekonomie treghu të institucionalizuar në të cilën prodhuesit, tregtarët e reshperët mbrohen nga shteti i tyre, dhe që e ruajnë standartin e jetesës së tyre duke i shërbyer shoqërisë e jo vetëm duke i marrë asaj e duke i derdhur paratë e tyre në xhepat e politikanëve. Kjo është rruga e ndërtimit të një të ardhmeje në të cilën ka shpresë, siguri jete, e mbrojtje të barabartë para ligjit për të gjithë. Kjo është rruga e atyre që duan të jetojnë me punë, me nder, e me dinjitet. Askush nuk mund të hyjë midis njeriut e dinjitetit të tij, askush nuk duhet të guxojë që të shkelë me këmbë tjetrin, të spekullojë me të ardhmen e tjetrit, të vjedhë, të grabisë, të korruptojë, të vrasë e të trafikojë pa pritur dënimin me vdekje nga shoqëria.

 

KUSH DO TA BËJË NDRYSHIMIN?

 

Ndryshimin mund ta bëjnë vetëm shqiptarët. Ndryshimin do ta bëjnë qindra e mijra djem e vajza, të rinj e të reja që kanë jetuar jashtë, që janë shkolluar e që nuk duan të jetojnë në një kamp përqëndrimi modern. Ndryshimin do ta bëjnë qindra e mijra shqiptarë që edhe në këto kohë të vështira janë munduar me të gjitha metodat për të rtuajtur nderin e dinjitetin e për të mos u përzier në ndyrësitë e parisë. Ndryshimin do ta bëjnë të gjithë ata nëna e motra, vëllezër e prindër që nuk duan që vajza e nipi, mbesa e djali të trafikohet, të vritet, të përdhunohet rrugave të botës por që të jetojnë me nder në familjet e tyre. Ndryshimin do ta bëjnë të gjithë ata që nuk e duan më retorikën e poshtërsisë që i ndan shqiptarët në komunistë-antikomunistë, po që kërkojnë një shoqëri të re e moderne, që buron prej të gjithëve e në shërbim të të gjithëve. Ndryshimin do ta bëjnë të gjithë ata afaristë, reshperë e tregëtarë që janë të lodhur nga zhvatja e pafytyrësia e politikës që i mban peng dhe që vendosin se është më mirë që të lidhin kontratë me popullin se sa me banditët e klaneve të parisë së Tiranës. Ndryshimin do ta bëjnë të gjithë ata që janë të ngopur me poshtërsinë e parisë dhe e kuptojnë se kjo është rruga pa krye. Ndryshimin do ta bëjnë qytetarët e katundarët shqiptarë, të cilët duan që të jetojnë me nder, në shtëpitë e tyre, me punën e tyre, në një shoqëri që respekton të mirën e dënon krimin. Kjo është ajo masa gjigande e heshtur, e pazëshme e shoqërisë shqiptare e cila jeton e mënjanuar nga përplasjet midis palëve të parisë, nuk sheh zgjidhje e nuk bëhet pjesë e zgjidhjes. Por ajo masë është aty. Ajo nuk ka shkuar askund e nuk ka ku të shkojë. Bile, ajo që po ndodh është se qindra e mijra emigrantë që po kthehen përditë, shohin se ai vend është duke iu marrë frymën e duke iu vjedhur shpresën.

 

CFARË DUHET TË BËHET?

 

Hapi më i madh dhe më i rëndësishëm është distancimi i njerëzve nga loja e parisë. Njerëzit nuk duhet të bien më pre e propagandës partiake e të shfrenuar mediatike. Kjo pari sundon sepse ja ka arritur të polarizojë shoqërinë deri në atë pikë, sa kundërshtarët e njërës palë, mbështesin të keqen më të vogël, simbas mendimt të tyre. Hapi më i rëndësishëm është që njerëzit të shohin të dy palët si të keqen e vërtetë të pandashme, dy fytyrat e zeza të parisë. Njerëzit duhet të bojkotojnë aktivitetet politike të parisë, mitingjet, mbledhjet e me rradhë. Njerëzit duhet të fillojnë e të flasin me njeri tjetrin, atyre që iu beson, në familje, në rreth shoqëror e kudo që është e mundur. Njerëzit duhet me ndërgjegje të refuzojnë të bëhen pjesë e së keqes. Nevoja për ndryshim është e prekshme. Por ajo do të bëhet një imperativ politik, vetëm kur njerëzit të fillojnë e të reagojnë. Ndryshe, duhet ta dinë se rruga e skllavërimit të ban vec skllav e kurrë njëri të lirë. Njeri i lirë bahesh vetë, e bëhesh kur nuk e pranon të keqen, kur ndahesh prej, kur vendos ta luftosh të keqen. Ashtu si dikush të ka dhanë ty jetë, ashtu edhe ti duhet ti japësh jetë dikujt. E ka ardhë koha që mos me e shitë të ardhmen e fëmijëve, të ardhmen e secilit e të familjeve të tyre kaq lirë.

 

PËMBLEDHJE E ARGUMENTIT

 

Zgjidhja që kanë shqiptarët është e qartë si drita e diellit. Ajo është bardh e zi. Ata ose duhet të pranojnë që në shkëmbim të bukës së gojës të shesin nderin e dinjitetin e të bëhen skllevërit modernë të parisë e të mendësisë së saj kriminale ose të punojnë për të mirën e tyre si shtetas e qytetarë normalë. Si skllevër do të hanë një copë bukë që ua hedhin si lëmoshë, si njerëz të lirë, do të hanë një copë bukë me nder e me dinjitetin e duhur. Shqiptarët e meritojnë një të ardhme në të cilën gjithkush e gjen vetveten, jeton me nder, i mbrojtur prej shtetit të vet, në vendin e vet, pa ja pasë lakmi kujt. E njerëzit meritojnë atë për të cilën edhe kanë punuar. Pengesat në rrugën drej kësaj të ardhmeje janë të shumta por jo të pakapërcyeshme. Kurrë ma shumë se sot, zgjidhja nuk ka kenë në dorën e shqiptarëve, dhe kurrë ma shumë se sot shqiptarët nuk kanë qënë kaq të corodotur e pa zgjidhje. Shqiptarët nuk përfitojnë gjë nga këto përplasje. Shqiptarët duhet të tregojnë se të dy forcat politike janë thjesht dy grupe mafioze, kriminale, banditësh që e kanë rrjepur e shkatërruar vendin, që e kanë shitur tek interesa jo shqiptare dhe që luajnë me jetën e të ardhmen e tyre e të fëmijëve të tyre. Ka ardhur e ka kaluar koha që me ja thanë parisë të vërtetën në sy: ti je shkaktare për këtë krim të përbindshëm të dështimit të tranzicionit, të humbjes së dy brezave, të shkatërrimit të ekonomisë kombëtare, të kriminalizimit të shoqërisë, të humbjes së vlerave dhe të kthimit të shtetit shqiptar në folëne e krimit të organizuar, të vjedhjes së pronës e të nderit e të dinjitetit të familjes sime. Parisë së Tiranës e shërbyesve të saj iu duhet thënë: unë dua një të ardhme tjetër e ti nuk je pjesë e saj.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora