E diele, 28.04.2024, 11:02 AM (GMT+1)

Mendime

Lindita Sejdiu: Dioptria e shtrembëruar e Shkupit

E marte, 01.02.2011, 08:57 PM


Ngjarjet e Shqipërisë, si shkas

 

Dioptria e shtrembëruar e Shkupit

 

Qasja e gabuar, që bazohet në shikim të njëanshëm të gjendejes në terren, madje edhe duke marrë si shkas ngjarjet e fundit në Shqipëri, nuk mund t’i ndihmojë aspak qeverisë në Shkup për ta amnistuar nga përgjegjësia për problemet e brendshme, të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje me ngjarjet në Shqipëri. Linjat e zhvillimit politik në Shqipëri kanë specifikat e veta, por ky nuk është kurrfarë argumenti për të frikësuar lexuesit e këtushëm me lloj lloj parashikimesh ogurzeza mbi të ardhmen e zhvillimeve në Maqedoni

 

Nga Lindita SEJDIU

 

„Në bulevardet e bukura të Tiranës, partitë luftojnë kundër njëra-tjetrës”, kështu e fillonte tekstin e tij reporteri i gazetës gjermane SÜDDEUTSCHE ZEITUNG tek e komentonte situatën e fundit në Shqipëri, pas demonstratave të dhunshme të 21 janarit. Njoftimi për tre demonstrantë të vrarë në përleshjet e Tiranës, nuk u raportua vetëm nga kjo gazetë. Shqipëria pas këtyre ngjarjeve ia rikujtoi edhe njëherë medias botërore një kohë jo shumë të largët, kur politika kishte dështuar nëpër institucione dhe kishte dalë në rrugë për të kërkuar zgjidhje. Pamundësia për një zgjidhje institucionale degjeneroi situatën deri në shkallën e përleshjeve të përgjakshme në rrugë.

 

Gazeta e famshme amerikane "New York Times", duke iu referuar situatës së fundit në Shqipëri botoi editorialin e Daniel Korskit, anëtar i lartë i Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë.

 

"Në një moment, Shqipëria është destinacioni që duhet vizituar, i rekomanduar nga Lonely Planet për vitin 2011, një vend anëtar i NATO-s, qytetarët e të cilit shijojnë udhëtimin pa viza në Bashkimin Europian, në momentin tjetër forcat e qeverisë qëllojnë dhe vrasin protestues në rrugë dhe Ministria e Jashtme Britanike po paralajmëron vizitorët që të qëndrojnë larg turmave të njerëzve në Tiranë, - kështu nis artikulli i Daniel Korskit, kushtuar situatës aktuale në Shqipëri.

 

Një tjetër medie prestigjioze botërore, siç është “The Economist”, gjithashtu e përshkruante me tone të zymta javën që lamë pas, duke u fokusuar në ngjarjet në Shqipëri dhe Kosovë. ”Çfarë ditësh të këqija për shqiptarët! Në Kosovë, liderët akuzohen për kriminalitet të shkallës së lartë. Në Shqipëri shpërtheu dhuna në protestën e 21 janarit dhe tre protestues u qëlluan për vdekje nga forcat e sigurisë”.

 

Të gjitha këto analiza e reportazhe të shtypit botëror u lexuan edhe në Maqedoni, por fatkeqësisht në një dioptri të shtrëmbëruar.

 

Në Maqedoni nuk munguan komentet, që ndërlidheshin me situatën në Shqipëri. Emërues i përbashkët i këtyre komenteve ishte mundësia e bartjes së këtyre ngjarjeve edhe në Maqedoni. Autorë e komentues të ndryshëm, këtij problemi iu qasën shumë njëanshëm, madje edhe pa dërguar ndonjë ekip gazetarësh në Tiranë për të “prekur” nga afër vorbullën e ngjarjeve.

 

Në pjesën dërrmuese të këtyre komenteve dominonte bindja se Shqipëria indirekt do të dëmtojë gjoja rrugëtimin e Maqedonisë në proceset eurointegruese. Si argument të parë, ata përmendin hezitimin e NATO-s për ta pranuar në radhët e veta edhe Maqedoninë, duke aluduar në Shqipërinë si model i keq i një anëtari, që duhet të rishikohet procedura për vendet tjera para se të anëtarësohen në këtë aleancë të fuqishme politike-ushtarake.

 

Autorët maqedonas të analizave të dobëta gjeostrategjike paskan harruar se edhe Greqia, Turqia, Spanja, Franca janë anëtarë të NATO-s, por askujt s’i ka shkuar ndërmend të flet për ndonjë model të keq të anëtarësimit. NATO, me siguri nuk udhëhiqet nga standardet e njëjta që udhëheqin komentatorët maqedonas. Shqipëria nuk u pranua rastësisht në NATO dhe drejtuesit e kësaj aleance në Bruksel i kanë ditur të gjitha kontestet rajonale, gjeopolitike, etnokulturore të Shqipërisë para se ta pranojnë në radhët e NATO-s.

 

Një tjetër dilemë dhe hezitim që përmendet duke marrë si shkas ngjarjet e fundit në Shqipëri, përmendet liberalizimi i vizave dhe procesi i përafrimit të Maqedonisë kah BE. Po del se këtu gjithçka është në rregull, vetëm paskan mjaftuar ngjarjet e Shqipërisë ta shtyejnë datën e anëtarësimit të Maqedonisë në BE.

 

Duke lavdëruar Serbinë dhe Malin e Zi, se gjoja paskan bërë shumë hapa serioz drejt integrimit në BE, komentuesit e ndryshëm në Maqedoni nuk munguan ta vizatojnë edhe një hartë të gjelbër të përbërë nga Shqipëria, Kosova, BeH dhe Maqedonia, e cila, sipas tyre qenka zona më problematike e Europës Juglindore, për arsye të dominimit të popullsisë myslimane.

 

Qasja e gabuar që bazohet në shikim të njëanshëm të gjendejes në terren, madje edhe duke marrë si shkas ngjarjet e fundit në Shqipëri, nuk mund t’i ndihmojë aspak qeverisë në Shkup për ta amnistuar nga përgjegjësia për problemet e brendshme, të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje me ngjarjet në Shqipëri. Linjat e zhvillimit politik në Shqipëri kanë specifikat e veta, por ky nuk është kurrfarë argumenti për të frikësuar lexuesit e këtushëm me lloj lloj parashikimesh ogurzeza mbi të ardhmen e zhvillimeve në Maqedoni.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora