E diele, 28.04.2024, 02:55 PM (GMT+1)

Mendime

Andi Domi: Njëmendësia e një “patrioti”

E enjte, 03.02.2011, 08:07 PM


Njëmendësia e një “patrioti”

 

Kush po thërret për “bunt” në institucionet e zgjedhura me votën e lirë...?!

4 gusht 2005 / TN /

 

Nga Andi DOMI

 

“Ju vjen keq për të verbërin që nuk ka parë kurrë dritë me sy, për të shurdhërin që nuk ka dëgjuar kurrë zërat e ëmbël të natyrës, për memecin që nuk ka mundur kurrë të shprehë hovet e shpirtit të tij dhe, për shkak të një turpësie false dhe hipokrite, nuk pranoni të mallëngjeheni për këtë verbërim të zemrës, këtë shurdhim të shpirtit, këtë shtrembërim të ndërgjegjes ...”!

Po t’mos i kishte syzet e zeza (kupto: të kuqe) dhe po t’mos e njihnim për veprimtarinë e tij më shumë se “patriotike” jo vetëm më 1968, 1981 dhe në vitet e ’90-ta, veçantë pas viteve 2000 të lulëzimit të tij, Selatin Novosella do të gjasonte në vet Sanqo Panqën e Kosovës!

Megjithate, më e mira e këtij sistemi demokratik është që ai, SN, publikisht del e bën thirrje për “bunt” të tipit 1968, 1981 e 1997 kundër institucioneve të zgjedhura me votën e lirë. Ai, pa fije frike e pa kurrfarë ndërgjegje, bën thirrje për kryengritje më 2005 në emër të mos shkatërrimit të Universitetit të Prishtinës!

Mirëpo SN nuk është në gjendje të rrëfejë ose të rrëfehet para “popullit” që ai aq shumë e do e “përkujdeset” për te, të tregojë: sa hapësirë toke universitare dhe kujt i është uzurpuar e dhuruar vetëm për këto vitet e pasluftës. Novo(staro)sella e di se kush ka përfituar nga banesat e Universitetit, ai e di vet si ka ndodhur që në emër të të qenit në një nga partitë opozitare, pra PDK-së, njerëz të shumtë kanë magjistruar, doktoruar e diplomuar në UP, të cilin ai bën thirrje për ta shpëtuar.

  Sish i kanë dhënë provimet edhe gjatë vitit 1999 a 1998 duke qenë se “profesorët butakë” i kanë pyetur njerëzit edhe në Malet e Drenicës a të Llapit dhe Zonat tjera të luftës... Kështu që më 2005 na dalin aq shumë gjeneralë, tepër më shumë magjistra e doktorë dhe më shumë se tepër të diplomuar dhe “eskpertë” fushash të ndryshme të dijes së mosdijes së tipit të Selatin Novosellës. A thua tash nga kush e mbronë dhe duhet të mbrohet UP, meqë Lazarat e Selartinit dhe Kolishevskat kanë vdekur edhe si fizikume edhe si qenie?!

Selatin Novosella nuk e di sa kanë humbur studentët gjatë këtyre viteve, sidomos gjatë muajve kur profesor Bajrami u vetshpall “Rektor”!

Sa bursa humbën, sa projekte ndaluan dhe sa donatorë u irituan me “Rektorin”, pikërisht për shkak të udhëheqjes së paligjshme të UP.  A thua ka rezonuar ky tip patrioti pse gjithë Zyrat diplomatike në Kosovë kanë dashur që të zgjidhet problemi i UP-së? Si e komenton ky soj i njerëzve me kësi lloji syzash, pse UNMIK-u (zëvendës shefi i tij, amerikani Lari Rosin) dhe OSBE-ja e përkrahën vendimin e Qeverisë për shkarkimin e profesor Bajramit?!

A ka menduar z. Novosella ndonjëherë se çka do të mund të ndodhte me “popullin” e tij, por edhe me UP-në, po të mos ishin SHBA-të dhe vendet e BE-së më 1999? A thua janë aq të krisur i gjithë kori diplomatik në Kosovë që kërkuan me ngulm vendosjen e ligjshmërisë në Universitetin e vetëm publik të Kosovës?

Si e komenton ky far Novo(staro)sella përkrahjen që publikisht ia ka bërë Qeverisë së Kosovës Agjensioni Kanadez për Zhvillim Ndërkombëtar për vendosjen e qeverisjes ligjore dhe vazhdimin e kësaj agjencie për vazhdimin e mbështetjes së reformave arsimore në Kosovë? Apo mos krejt kjo përkrahje ia verbon sytë dhe syzet e zeza Selatinit të mjerë?! Ai e di se vetëm lugatët i frikohen dritës, prandaj nuk mbrohet dot as me thirrje për kryengritje e as me të fshehje të vjedhjeve e uzurpimeve që ka bërë para, gjatë dhe pas luftës!

A nuk i bëhet vonë për ta kuptuar SN se dioptria e tij është e tejkaluar tashmë dhe se ai nuk ka asgjë të përbashkët me shekullin XXI dhe trendet evro-perëndimore të krijimit të një bote tjetër, më të mirë dhe më ndryshe ngaqë ai e sheh me gjyslykët e zinj sterrë?!

Por ai, Novoslella i vjetër dhe i njëjtë, duke pasur nostalgji për miqt e dikurshëm “proletarë”, bën adresim të gabueshëm të apelit për “kryengritje” sepse me kthimin e ligjshmërisë në UP, vdes edhe bastioni i fundit i të së ashtuquajtur “Qeveri e përkohshme” që i mundësoi atij e shokëve të tij uzurpimin e pronave në kryeqytetin e Kosovës. Logjikisht, pas rrëzimit të shtëpive të ndërtuar buzë rrugës në lagjet më të mira të Prishtinës, zëri i tij i mekur vjen i “arsyeshëm” sepse u atakua interesi personal i Selatin Novosellës i cili mbeti po ai që ishte; anti institucionalist i përbetuar dhe shumë më i devotshëm se vet Koshtunica. Aspak e habitshme që akuzon në formë bizare edhe njëfarë ish i Ministri i “pasaportave Malishevase” sepse kjo Qeveri e koalicionit ia mori “bukën” me anulimin e tenderëve për “Çlirimi”-n dhe çlirimat e “çlirimtarët” tjerë...!

Novosella dhe Novo(staro)sellët tjerë mund ta interpretojnë vendimin e gjykatës si të duan, por ajo vetëm ka treguar se nuk mund të jetë mbi votën e lirë dhe nuk mund të vendosë për një kontest në mes të institucionit që kreon politikën dhe institucionit që zbaton politika dhe strategji institucionale. Fundja, edhe opinioni publik e di se “qeni qenin nuk e han”, prandaj edhe juristët “shumë të pakorruptuar”  të Gjykatës Supreme të Kosovës e kanë ditur cili ishte konflikti ligjor, por që nuk mundën të dalin nga lëkura për ti dhënë përkrahje ligjshmërisë dhe vendosjes së rendit në shtetin e Kosovës.

SN dhe “proletariatit” të tij PDK-ist nuk i konvenon Kosova dhe institucionet. Atij nuk i duhet liria as pavarësia e Kosovës. Nuk iu deshtën as më 1968, hiq më 1981 dhe jo fare më 1997 kur nuk dihej se a po bëhej luftë kundër Serbisë apo kundër Presidentit Rugova dhe institucioneve të pavarura të dala nga Referundimi për pavarësi dhe zgjedhjet e lira.

Selatin Novo(staro)sellës nuk i duhet pavarësia e Kosovës as sot sepse institucionet e dala nga vota e lirë po vëjnë rend e ligj për të gjithë pa dallim, pra edhe për të dhe sojin vampiroz të cilëve u pengon drita dhe dielli i Kosovës.

Dhe drita e dielli i Kosovës janë studentët, të rinjtë, ata që mendojnë pa stalinizëm, pa ideologji marksiste-leniniste dhe më kot një student i përjetshëm si Sejdi Hoxha e “hoxha”-llarë tjerë përpiqen t’i helmojnë akademikët e rinj me orientim perëndimor dhe të cilët i respektojnë institucionet dhe votën e lirë!

Vendosja e ligjshmërisë në UP i ka gëzuar më së shumti studentët, sepse ata ishin viktima të një personi i thirrur aq shumë në ligj të cilin e shkeli vet me të tria këmbët! Ky gëzim i përfshiu edhe prishtinasit, ata që vërtetë janë qytetarë që respektojnë institucionin e votës së lirë, Qeverinë dhe të gjitha institucinet e Kosovës.

Pesë vjet pas luftës prishtinasit janë lodhur e stërmërzitur nga protestat e sojit të Hashim Thaqit, Jakup Krasniqit, Veton Surroit, Baton Haxhiut dhe Arsim Bajramit i cili arriti që nga 30 mijë studentë ti mbledhë rreth 150, bashkë me gazetarët dhe qytetarë të rastit, për të protestuar verbërisht para Ministrisë së Arsimit dhe para Qeverisë e UNMIK-ut.

Kryeqytetasit duhet të mendojnë seriozisht për formimin e një lidhjeje anti protestë sepse u ka ardhë në fyt nga ata që nuk i fitojnë dot zgjedhjet dhe pastaj dalin rrugëve e përpiqen të bëjnë “revolucione e kryengritje të vonuara demokratike” për të realizuar interesat personale tepër të dala boje më 2005

Krejt në fund, a thua kush po thërret për “bunt” studentor dhe kundër kujt?! Selatin Novo (staro)sella po thërret kryengritje kundër institucioneve të Kosovës, kundër votës së lirë dhe vlerave demokratike bashkëkohore, kundër SHBA-ve dhe vendeve të UE që aq shumë po investojnë jo vetëm në arsimin e Kosovës, por edhe në lirinë e saj, ndërtimin dhe rindërtimin moral e shpirtëror dhe fizik dhe kjo vjen në prag të nisjes së bisedave me miqt socio-proletarë të Novosellës.

Mbase kjo po vjen si një thirrje nga varri ideologjik i kuq i Novosellës i cili kurr nuk mund të mësohet me lirinë e Kosovës, me paqen dhe pavarësinë e prekshme tashmë!

Deshti apo jo Novosella dhe novosellët tjerë, Kosova po ecë dhe pavarësia e saj garanton liri të fjalës e të mendimit edhe kur ky soj sorrash të zeza me gjyslykë të zi si futa thërrasin për kryengritje!

Honekeri pat deklaruar se muri i Berlinit nuk do të bie edh e100 vjet, por ai ra për tre ditë dhe gjykatësja gjermane e dënoi Honekerin që të shëtitet i lirë Berlinit të bashkuar dhe të lirë, sepse nuk pati dënim më të madh për te asaj kohe.

Ndërkaq për Selatinin me “syze dielli të zeza”, vlenë e njëjta rrugë, i njëjti “dënim”: Le të shëtis dyerve të UP-së ku u vendos ligjshmëria dhe le ta shohi Prishtinën edhe pa shtëpitë buzë rruge e edhe Universitetin me vlera të mirëfillta të projektuara nga procesi i Bolonjës...

Megjithate, të lutemi të gjithë për Selatin Novosellën, sepse kështu gëzojmë qiellin dhe diellin! Apo nuk e vlenë që ...” Ju vjen keq për të verbërin që nuk ka parë kurrë dritë me sy, për të shurdhërin që nuk ka dëgjuar kurrë zërat e ëmbël të natyrës, për memecin që nuk ka mundur kurrë të shprehë hovet e shpirtit të tij dhe, për shkak të një turpësie false dhe hipokrite, nuk pranoni të mallëngjeheni për këtë verbërim të zemrës, këtë shurdhim të shpirtit, këtë shtrembërim të ndërgjegjes ...”!

 

Andi Domi, student i Fakultetit Filologji në UP

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora