E diele, 28.04.2024, 03:47 PM (GMT+1)

Mendime

?Deklaratë nga Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve në New York

E enjte, 03.02.2011, 08:05 PM


DEKLARATË E AKADEMISË SHQIPTARO-AMERIKANE TE SHKENCAVE DHE ARTEVE, NEW YORK - SH. B. A

 

Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve në New York analizoi me

shqetësim gjendjen në Shqipëri.

 

Ne konstatojmë se pas zgjedhjeve të 28 Qershorit te 2009 situata politike në

vend ka ardhur duke u keqësuar. Njerëzit duan drejtësi dhe kur shohin se ajo

mungon ata revoltohen. Mungesa e transparencës së procesit zgjedhor, është

mungesë e drejtësisë për atë që është me e shtrenjta për çdo njeri në demokraci,

për votën e lirë.

 

Korrupsioni galopant, karakteristikë e të gjitha qeverive të e tranzicionit

shqiptar, vjedhja hapur e pasurive kombëtare, dhunimi i të drejtave dhe lirive

elementare të njerëzve, varfëria e tejskajshme, ishin,vetëm, disa nga arsyet që

i çuan njerëzit të protestojnë masivisht kundër qeverisë, e cila ka marrë

përsipër t’i qeverisë.

 

Të gjitha Qeveritë e tranzicionit shqiptar, e kanë tregua açik, se nuk kanë qenë

Qeveri për të gjithë popullin. Ato u kanë shërbyer kryesisht vetes dhe më pak

atyre që i kanë votuar, në rastin më të mirë, gjysmës së popullit.

 

Ndërkohë, që të gjithë politikanët shqiptarë flasin me superlativa për

bashkëjetesën fetare në Shqipëri, ata kanë bërë një ndarje edhe më të keqe. Ata

e kanë ndarë popullin më dysh politikisht. Tani shqiptarët janë të ndarë në të

djathtë e në të majtë dhe akoma më keq në jugorë dhe veriorë. Ky është faji më i

madh i politikës dhe qeverisjeve të tranzicionit dhe një humbje e madhe për

popullin e vendin. I ndarë sipas përkatësive politike, populli, do ta ketë të vështirë të realizojë aspiratat e tij për një jetë më të mirë e më dinjitoze.

Kjo ndarje u shërben finokëve politikë, sepse kështu, dukë vënë përballë gjysmën

e popullit kundër gjysmës tjetër, e kanë më të lehtë ta mbajnë të nënshtruar, të

nëpërkëmbur e të përvetësojnë e vjedhin pasuritë e tij. Në qoftë se për 20 vjet

gjysma e popullit, më së paku, nuk e do qeverinë e tij, kjo qeveri nuk është

demokratike. Qeveritë demokratike duhet të punojnë për të gjithë dhe jo vetëm

për vete dhe përkrahësit e tyre. Kjo krijon pabarazinë në të gjitha aspektet e

jetës shoqërore dhe kjo i revolton njerëzit.

 

Në këto kushte të varfërisë, papunësisë ku njerëzit kanë humbur, veç të tjerave

edhe shpresën, revolta popullore është e justifikuar, madje, do të ketë edhe eksese që tejkalojnë kufitë e një lëvizjeje paqësore, siç ndodhi në 21 Janar 2011. Masat e mëdha të njerëzve që protestonin, pa pasur në krye drejtues, ishte arsyeja që demonstrata doli, në një farë mase, jashtë kontrollit. Kopeja pa drejtues dezintegrohet.

 

Ne konstatojmë se reagimi i forcave të Rendit dhe të Gardës së Republikës i kapërceu kufitë e vetëmbrojtjes. Përdorimi i armëve të zjarrit kundër protestuesve ishte i pajustifikuar. Si rezultat i tejkalimit të forcës së ushtruar ndaj demonstruesve, u vranë tre qytetarë që demonstronin paqësisht kundër varfërisë, nëpërkëmbjes së dinjitetit qytetar, vjedhjes së vendit, korrupsionit dhe shitjes së trojeve kombëtare të huajve. Çka është më keq, populli nuk dëgjoi askënd të kërkojë falje për këtë masakër të pushtetit, që

ndodhi nga që u tejkalua e drejta e atyre që duhet të ruanin rendin kushtetues. Kjo sjellje e qeverisë, ka bërë që masa shumë të mëdha njerëzish, të humbasin edhe më shumë besimin tek Qeveria e tyre.

 

Ne e kuptojmë interesimin e ndërkombëtarëve për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, i cili në mënyrë të dëshpëruar përpiqet të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Por me këtë aspiratë të shqiptarëve nuk duhet të abuzojë Qeveria e tyre. Përgjegjësinë për gjendjen politike në Shqipëri e kanë Qeveritë dhe politikanët shqiptarë. Janë ata që duhet të zgjidhin problemet e vendit sipas një radhe të studiuar e planifikuar mirë. Ne konstatojmë se Qeveria shqiptare sillet në mënyrë servile ndaj ndërkombëtareve, të cilët, në shumicën e rasteve, janë evazivë në deklarimet e tyre. Përparimi dhe prosperimin i Shqipërisë nuk

është përgjegjësi e ndërkombëtarëve, ajo është përgjegjësi direkte e Qeverisë që populli ka zgjedhur ta drejtojë.

 

Shqiptarët dëshirojnë të bëhen pjesë e Europës me dinjitet dhe të barabartë me kombet e tjera. Ata nuk duan që aderimin në Europë dhe institucionet e saj, ta marrin si dhuratë e zemërmadhësi e Europës dhe e institucioneve të saj. Ata nuk duan, gjithashtu, që Qeveritarët e tyre, të rrahin gjoksin pa pushim dhe me eufori të deklarojnë se përparimi i popullit drejt Europës është meritë ekskluzive e tyre. Kjo revolton ata, njerëzit e thjeshtë që janë vërtet faktori kryesor i përparimit të vendit te tyre.

 

Ne konstatojmë se trajtimi i revoltës popullore si akte banditeske të disa vagabondëve, rrugaçëve dhe kokëpalarëve është e gabuar dhe jo demokratike. Thirrjet se protestat popullore janë grusht shteti, janë përpjekje për te justifikuar uzurpimin e të gjitha shtyllave të shtetit të së drejtës, të cilat Qeveria aktuale nuk i ka nën diktatin e saj. Këto përpjekje të Qeverisë, janë jo demokratike dhe na kujtojnë sjelljet e të gjithë diktatorëve më të këqija që ka njohur historia.

 

Politikanët shqiptarë duhet ta dinë se Shqipëria është shteti amë nga i kanë drejtuar sytë edhe qytetarët e shtetit më të ri në Europë - Kosovës. Nga Shqipëria i kanë drejtuar sytë të gjithë shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre si dhe ata që jetojnë kudo në Botë. Ata i kanë sytë dhe mendjen tek Mëmëdheu dhe gëzohen për çdo përparim të tij, ashtu siç brengosen për çdo fenomen negativ që ndodh atje, siç ishte dhe masakra qeveritare e 21 Janarit 2011. Shembulli i merituar e shtetit amë, duhet ta rritë përgjegjësinë e politikanëve shqiptarë, që të tregojnë më shumë pjekuri dhe përmbajtje. Ata duhet t’i japin fund akuzave ekstreme të ndërsjellta, veçanërisht, në ato foltore që duhet të jenë foltore të nderuara të fjalës së lirë e të mençur.

 

Në kushtet aktuale, kur ka humbur në mënyrë masive besimi i popullit ndaj qeverisë së tij, ne mendojmë se është detyra e politikanëve të të gjithë ngjyrave, të ulen e të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe ta çojnë vendin në zgjedhje të reja të parakohshme. Me këto zgjedhje, ata që jenë në pushtet do të vërtetojnë se e meritojnë pushtetin që kanë dhe ata që pretendojnë se vota e tyre është vjedhur do të provojnë se janë ata që e meritojnë ta qeverisin këtë popull. Uluni Zotërinj dhe kërkoini popullit edhe njëherë besimin dhe verdiktin e tij. Këtu nuk ka asgjë jodemokratike. Organizoni zgjedhje të reja, të drejta

e të ndershme. Në kushtet aktuale, kjo është e vështirë, ndaj ne bashkohemi me mendimin e Prof Fisher, që këto zgjedhje do të ishte mirë të administroheshin, nga një institucion ndërkombëtar i pavarur.

 

Ne i drejtohemi intelektualëve shqiptarë duke u kujtuar se misioni i tyre është t’i shërbejnë besnikërisht popullit të tyre dhe të mos e shesin dinjitetin e tyre për pak përfitime që jep pushteti. Ata janë truri i kombit dhe duhet të ngrihen në lartësinë e misionit të tyre.

 

Ne i drejtohemi klasës politike shqiptare që të mos e konsiderojë veten si një superklasë, që ndjen se vetëm ata janë të aftë të drejtojnë përjetësisht këtë vend e këtë popull. Ata duhet të kuptojnë se populli i zgjedh që t’i shërbejnë atij dhe interesave ë tij. Sovrani është populli dhe qeveritarët e tij duhet t’i shërbejnë sovranit me përulje. S’ka gjë më të keqe se ajo që bëjnë çdo ditë qeveritarët shqiptarë: Qytetarët kthejnë në skllevër dhe për ironi, këta skllevër i quajnë qytetarë.

 

Ne i drejtohemi popullit shqiptar që të bashkohet dhe me ndjenjën e përgjegjësisë që kërkon momenti kombëtar, të venë mbi të gjitha interesat e vendit e të Kombit dhe të harrojnë dasitë dhe armiqësitë partiake. Me këtë frymë ata të marrin në dorë përparimin dhe begatinë e vendit, të luftojnë korrupsionin dhe ta venë klasën politike në shërbim të interesave të tyre dhe të kombit.

 

Shkurt 1, 2011

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora