Mendime
Lis Bukuroca: Replikë ndaj shkrimit të zotit B. Rexhepi
E premte, 04.02.2011, 08:59 PM
Replikë ndaj shkrimit të zotit B. Rexhepi
Nga Lis Bukuroca
Pyetjet që i shtrova, më shërbenin vetëm mua për të kuptuar, pse një njeri adhuron deri në përkulje një politikan, deri në depersonalizim të vetvetes dhe pse bëhet kjo lidhje e tmerrshme ne mes një ithtari dhe një protagonisti patriarkal. Pata besuar naivisht se këto lidhje gati pasionale, emocionale, gati plot afsh nuk ekzistojnë më dhe se ky popull është emancipuar nga dergja në komunizëm dhe ka mësuar se nuk duhet të prodhojë kulte të reja. Mendoja se ka mësuar dhe se din t’ i ndërrojë despotët para se t’ u ndërtohen përmendore për së gjalli. Aty kuptova shumë gjëra dhe pashë se replikuesi i shkrimit tim Pacienti Kryeministër, shpërndarë pikë së pari në Alb-shkencë pastaj publikuar edhe tek Shekulli, nuk njeh fare gjendjen në Shqipëri. Ai mendon se peshkopi grek ka ardhur në Shqipëri për minoritetin grek dhe nuk din se ai drejton Kishën Autoqefale Shqiptare. Ai shitjen e naftës Serbisë e shpjegon si tregti normale, edhe pse ekzistonte embargoja kundër Serbisë. Anëtarësimin e shtetit laik në një konferencë fetare, e shpjegon si taktikë për ta trembur Europën dhe Perëndimin. Merreni me mend ju këtë. Europa me mbi 500 milion banorë do të frikësohej nga anëtarësimi i Shqipërisë tre milionëshe në një konferencë fetare! Këtu është çështje parimësie, jo trembjeje: shteti laik dhe organizata fetare!
Autori i replikës kishte marrë guximin ta qortojë edhe Rexhep Qosjen, pse ai kishte marrë guximin ta zhvesh karakterin e despotit shqiptar. Replikuesi i ka caktuar për detyrë vetes ta mbrojë despotin, siç mbrohej dikur Enveri dhe Titoja. Një ditë do ta kuptojë se politikani nuk duhet mbrojtur nga njerëzit, por duhet mbrojtur votat e popullit. Populli ka më shumë vlerë se sa një politikan. Nuk po ndalem në të gjitha shpjegimet e tija, sepse për fat të keq, shpjegimet janë infantile dhe po të merresha me shqyrtimin e tyre, atëherë përgjigja ime do të merrte karakter denigrues dhe përbuzës. Jo pse unë dua këtë, por se rezonimi i tij, struktura dhe ndërtimi i fjalisë, semantika dhe sipërfaqësia e të menduarit, ta imponon një përkufizim të tillë.
Nuk jam as i majtë, as i djathtë, por një njeri i lirë, i cili në bazë të njohurive që posedon dhe që ja ofron faqja zyrtare e PD, alarmohet, pezmatohet dhe hutohet me praninë e një njeriu të tillë në skenën politike shqiptare: një njeri pa kokërr morali dhe dinjiteti. Shkurt e shqip: një stalinist në krye të Partisë Demokratike. Unë them mendimin tim për shfaqet, dukuritë dhe lëvizjet në shoqërinë shqiptare dhe shumë herë edhe ato ballkanike. E them këtë duke qenë i lirë dhe duke ofruar një alternativë në procesin e të menduarit. Dhe kurrë nuk them një mendim pa pas lexuar edhe mendimin e kundërt apo pa lexuar edhe mendimin e atij që dua ta trajtoj.
Në një gazetë kosovare shumë replikues i drejtoheshin Berishës me këto fjalë; “ Na thirr o Berishë, nëse ka nevojë ne vimë dhe te nimojna me çliru Shqipërinë nga grekofilët dhe serbofilet komunista!” E citova këtë mendim sepse nuk është i vetëm dhe shumë do t’ ishin në gjendje t’ i vrasin shumë shqiptarë për ta ruajtur Berishën. Kjo fjali të kujton rrëzimin e Nolit. Ai mendim flet për mosnjohjen e gjendjes reale në Shqipëri, gjë për të cilën vuan edhe replikuesi. Ata rrahin gjoks se do ta çlirojnë Shqipërinë nga grekofilët, ndërkaq grekofili Berisha dëshironte t’i i shesë detin Greqisë, gjë të cilën replikuesi përsëri e shpjegon me plot gabime pa ditur se nuk ishte Partia Socialiste që pengoi shitjen, por profesor Myslim Pasha personalisht. Kosovarët duhet të pushojnë me përkrahjen e atyre që dëmtojnë Shqipërinë.
Në ato shpjegime kuptova se njeriu i nënshtruar ndaj një despotit, arsyeton dhe përligj të gjitha veprat e tija, prandaj dashuria e tij ndaj një politikani nuk është e vetëdijshme, por irracionale dhe dëmtuese. Te kjo gjendje sjell paragjykimi pozitiv dhe injorimi i gjendjes faktike! Sepse injoron krimin dhe thyerjen e ligjit dhe kushtetutës. Edhe ai nuk ngurron ta konsideroj puç protestën. Puçi kudo bëhet nga armata dhe rrëzohet me forcë Qeveria, mirëpo askund nuk bëhet puçi me çadra dhe stilolapsa. Basha para komisionit hetimor njëpartiak tha: “puçistët kishin ndërmend ta merrni me forcë pushtetin për të organizuar zgjedhje të reja!”. Merreni mend, puçistët askund në botë nuk organizojnë zgjedhje, por rrëmbejnë pushtetin!
Në sprovën time i rekomandova opozitës të marrë mësime nga rugovizmi. Këtë e kishte bërë edhe R.Qosja, duke kërkuar mosbindje qytetare. Në sprovën tjetër, që Alb-Shkenca nuk e shpërndau tërhoqa paralele në mes Berishës dhe sundimtarëve lindor, edhe Qosja e kishte quajtur Berishën me karakter lindor. Unë thash se ai nuk qeveris, por sundon, kështu e kishte thënë edhe Qosja. Unë e krahasova me Kaligulën, edhe Kadare kishte cituar Kaligulën në sprovën e tij për gjendjen e sotme. Te “Idiokracia” pata përmendur mungesën e iluminizmit në Ballkan, pash një artikull i ndërtuar pikërisht mbi këtë ide. Për fat esete e mia janë publikuar më herët, përndryshe smirakët do të më kishin akuzuar për plagjiaturë. Pse përmenda këto shembuj? Jo për mburrje, por thjesht për të treguar seriozitetin e gjendjes dhe thellësinë e mendimeve: kur jemi objektiv, atëherë drejtësia domosdoshmërish na shpien në stacione të njëjta apo gati të njëjta!
Pse vritet populli? Për të vrarë një njeri pikësëpari duhet marrë në nishan. Despoti zakonisht pikësëpari e satanizon atë njeri duke e quajtur: banditë, puçist apo edhe tradhtar. Dhe kur të jetë i bindur se e zhvleftësoi tërësisht, atëherë e vret, sepse shpreson se populli nuk do të pezmatohet, sepse despoti me fjalorin e vet e ka bërë kompatibël për ekzekutim. Këtë e dimë nga Enveri: reaksionar, revizionist, spiun, tradhtar dhe pushkatim. Këtë e dimë nga Serbia: irredentist, nacionalist, ekzekutim. Këtë për fat të keq e përjetuam në Shqipëri. I nderuar zotëri: demokracia nuk guxon të vrasë popullin. Demokracia nuk guxon të hakmerret, ajo nuk lufton me armë, por me argumente. Ajo nuk mbështetet në fuqinë e armëve, por në fuqinë e mendjes. Demokrati nuk qeverisë vetëm partinë e vet, por popullin. Demokrati nuk përçan popullin, sepse gjysma e tij nuk mendon siç mendon despoti. Te popujt e papjekur politikisht mosmbështetja e despotit konsiderohet tradhti kombëtare, prandaj edhe ecja është tepër e ngadalshme sepse fryma progresive ngulfatet qysh në lindje!
Polemikën Tuaj para se të ma dërgonit mua, e kishit dërguar në dy faqe në internet, ku qe publikuar Pacienti Kryeministër, pastaj në Alb-shkencë dhe më në fund u kujtuat se ishim miq në facebook dhe ma dërguat edhe privatisht me email. Kjo tregon për zjarminë dhe presionin brendshëm. Dhe, e lexova dhe ju kërkova të debatojmë në Alb-shkencë dhe ju fshiva nga lista e miqve. Jo pse më kritikuat, por se zgjodhët rrugën e gabueshme. Një miku i drejtohem pikë së pari atij, e jo siç bëtë ju, të fundit. Kjo për mua ishte mungesë parimësie dhe korrektësie. Nga një mik mund të pretendohet kjo. Edhe një. Unë marr diku 300 email në javë dhe shumica përfundojnë në kosh sepse janë klasifikuar si junk-e-mail. Edhe shkrimet Tua përfundojnë zakonisht aty. Edhe atë qysh nga artikulli tretë, dmth. para shumë kohëve. Pse? Sepse unë kam të drejtë të lexoj, klasifikoj dhe zgjedh një shkrim që më imponohet me psikologjinë e vet, shtjellimin, argumentimin dhe nuk lexoj shkrime të talebanëve partiak... E-mailat e pa kërkuara i konsideroj dhunim të sferës private. Për të kuptuar se a lexon dikush një artikull, është lehtë të kuptohet, sepse njerëzit qoftë publikisht, qoftë privat i shkruajnë dy fjalë. Dhe, për artikullin që ju kritikuat, mora shumë email me fjalë më të mira, në mes të tjerash nga një psikolog shqiptar në Gjermani dhe një sociologe në Shqipëri. I përmenda vetëm këta dy raste sepse temën që trajtoja, e konsideroj më shumë fushë të tyre se time dhe mendimet e tyre vërtetonin observimin dhe rezonimin tim të drejtë. Replika Juaj joparimore më frymëzoi për një ese tjetër, që Alb-shkenca nuk e shpërndau, por kush ka kohë dhe dëshirë mund ta lexoj këtu! Një këshillë në fund: merruni me pikturë! Aty keni diçka të shtoni...Berishën nuk mund ta shpëtojë më askush. Ai do të rrëzohet një ditë, por unë lutem të ndodh kjo në mënyrë paqësore. Është në pyetja dita! Dhe muaji, jo viti. Pse nuk mund të shpëtohet Berisha? Sepse Berisha me çdo fjalë është duke dëmtuar veten dhe për fat të keq, edhe imazhin e Shqipërisë dhe ekonominë e saj! Ata që mendojnë se Shqipëria është një kantier ku çdo ditë ndërtohet, mund t’ ju them këtë: gati një milion kanë emigruar dhe mirëqenia nuk po rritet për shkak të qeverive shqiptare, por për shkak të emigrimit masiv të kombit! Kjo gjendje është alarmante për ata që mendojnë se duan kombin e vet. Asnjë komb i Europës nuk është duke braktisur vendin e vet siç është i detyruar ta bëjë kombi shqiptar, i cili ka një elite politike që nuk ka as dije e as fuqi të krijojë vende të punës!