E premte, 02.05.2025, 09:46 AM (GMT+1)

Mendime

Emin Azemi: Vetëironizimi i historisë

E premte, 04.02.2011, 08:58 PM


Vetëironizimi i historisë

 

Aleksandri i Madh, ashtu si edhe Skënderbeu e kanë fituar statusin e pavdekësisë shumë përpara se ne të banalizojmë dhe relativizojmë rëndësinë që kanë këto figura në formimin dhe profilimin e proceseve historike

 

Nga Emin AZEMI

 

Sekreti i jetëgjatësisë së miteve është shpjeguar si shndërrim në përjetësi i figurave që kanë mbajtur gjallë substancën e një kombi. Porosia, e cila vjen nga thellësia e shekujve përpunohet në mbamendjen e popujve dhe krijon imazhin e ekzistencës së “një mbinjeriu”, i cili në momente të vështira gjithmonë ka qenë në anën e të dobëtit. Popujt që kanë luftuar për liri, përpos heronjve real, kanë ditur të glorifikojnë edhe figura me përmasa mitike joreale. Mic Sokoli, fjala bie, te shqiptarët përfaqëson modelin e mitit që ka prodhuar nacionalizëm banal, për arsye se gjoksi i tij si shkëmbi, i paraqitur si i tillë në vargjet e këngës, ia ka arrit të relativizojë fuqinë dhe strategjinë e një ushtrie të organizuar. Konkurrimi i mitit banal me historinë reale, ka krijuar te shtresat e paarsimuara të popullit ndjenjën e vetëmjaftueshmërisë.

 

Fiksimi pas figurave mitike që dita ditës po derdhen në bronz, në sheshet dhe rrugët e Maqedonisë, sipas teoricienëve të ndryshëm, do të duhej të trajtohej si epokë postrevolucionare. Nuk e dimë, nëse këtu ka ndodhur tash frik ndonjë revolucion.

 

Nëse miti shndërrohet në përjetësi dhe ka shoqëruar gjenerata të shumta, atëherë nuk e kemi të qartë se cila gjeneratë në Maqedoni u rrit me mitin për Aleksandrin e Madh, shtatorja e të cilit për disa muaj do t’ua zë hijen ndërtesave shumëkatëshe në sheshin e Shkupit. Banaliteti i ngritjes në mit të figurave që nuk kanë qenë pjesë e mbamendjes së gjeneratave të mëhershme i prish të gjitha skemat normale të komunikimit me kohën dhe hapësirën ku ato pretendojnë të rikomponohen.

 

Për të mbajtur gjallë nacionalizmin maqedonas nuk ka nevojë të bëhen udhë të largëta e të lodhshme në kërkim të figurave mitike nga zonat e errëta të historisë. Mjafton të përkujtohen ata emra të shquar, që këtij populli ia ruajtën gjuhën e shkruar dhe e ngritën në piedestalin e vlerave konkurruese me popujt tjerë sllavë. Duke mos u mjaftuar sllavizmi, këta që po ngrejnë shtatore mitike, kanë rrezik të shkaktojnë konfliktin më të madh brenda popullit të tyre. Mitizimi i tillë që mban emrin lajthitje nuk mundet prej Mic Sokolit dhe Krali Markos të bëjnë historinë dhe me atë histori të konkurrojnë me popujt që i kanë tejkaluar frustrimet nacionalo-romantike.

 

Aleksandri i Madh, ashtu si edhe Skënderbeu e kanë fituar statusin e pavdekësisë shumë përpara se ne të banalizojmë dhe relativizojmë rëndësinë që kanë këto figura në formimin dhe profilimin e proceseve historike. Batman, Spiderman, Supermen, Hari Poter e idhuj të tjerë të botës fëmijërore ka arsye të fabrikohen në Hollivud për të shtuar rendimentet e industrisë kinematografike. Por, askush nuk e ka të qartë se çfarë rendimenti do të shtonte fabrikimi banal i figurave që po rikomponohen në Sheshin e Shkupit, përpos nëse dikush e ka ndërmend të vetëironizojë historinë e popullit të vet me mitin, që në vend të shkëlqimit rrezaton zbehje.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx