Mendime
Luan Çipi: Po na kthehen djemtë!?
E shtune, 05.02.2011, 08:58 PM
PO NA KTHEHEN DJEMTË!?
Nga Luan Çipi
Në qytetin e madh të Çikagos, ashtu si në mbarë Amerikën, mund të takohesh çdo ditë befasisht me shqiptarë të hershëm mërguar prej shumë vitesh, me ata të periudhës së tranzicionit si dhe me të rijë, që vijnë për studime apo me lotari.
Sot, në një kafe të rrugës Ruzvelt, takova i përmallshëm pas gati 10 vitesh, njërin prej tyre, një vlonjat të njohur herët. Nuk mund të ri pa i shfaqur mbresat e marra nga ky takim, që mu duken me një mesazh të veçantë shpresëdhënës për të gjithë:
Bashkëqytetari im vlonjat për fat, është djali i një mikut tim, shokë fëmijërie që tashmë nuk rron më. Për mos ta identifikuar pa i marrë leje, djaloshin vlonjat do ta quaj Fatmir (dhe si një ogur mirësie). Ai, siç më tha, jo pa krenari, punon kamjonist, këtu në qytetin e madh të Çikagos. Fatmiri drejton një kamion mallrash, “Trak 20 tonësh” dhe i përfshirë në një Kompani Transporti Amerikane, punon për llogari të saj në transport mallrash ndërmjet stacioneve hekurudhor brenda Shtetit të Illinoisit dhe midis aeroporteve për rreth. Ka disa vjet që e bën këtë punë, një mënyre jetese e gjetur kryesisht për emigrantët që kanë vendosur të jetojnë me ndershmëri si qytetarë të mirë amerikanë. Kështu ata mund të grumbullojnë më lehtë një minimum të ardhurash monetare, për ta përdoruar atë si kapital investues më vonë në Shqipëri, në kërkim të një veprimtarie vetjake e të një jete më të mirë në të ardhmen në Atdheun e tyre të bukur, me më shumë dritë e diell.
Fatmiri është rreth 40 vjeç. Ai erdhi 9 vjet më parë nga Shqipëria, me diplomën e inxhinierit mekanik të specializuar për transportin dhe la atje një punë të mirë drejtuese. Duhet thënë se Fatmiri është pinjoll i një familje tregtarësh qytetare vlonjate dhe siç thuhej në kohë të diktaturës komuniste, i prekur nga “reformat” e të ashtuquajturit pushtet popullor, që i shtetëzoi gjithçka: dyqane e shtëpi dhe e la proletar, si gjithë popullin. Në këto kushte, kur erdhi dita, si dhe shumë njerëz të shtresës shoqërore të tij, ai u rreshtua ndër demokratët e parë dhe përkrahu pa rezerva Partinë Demokratike, si forca e re e krijuar me shpresë të sigurt për liri e përparim. Por në Shqipërinë e Re, polipartizmi shpejt krijoi ndarje dhe armiqësi, aqsa kur drejtonte pushtetin Partia “kundërshtare” largonte nga puna çdo punonjës të partisë tjetër. Kështu ndodhi edhe kur erdhën Socialistet në fuqi edhe me Fatmirin. Atë, specialist të mirëfilltë në profesionin e vetë, e hoqën nga puna dhe e lanë në mes të rrugës. Këto shqetësime e peripeci e shtyrën protagonistin tonë për hapa të guximshme e vendimtare. Djaloshi nga Vlora, vullnetarisht iku nga Shqipëria me dëshirën që ti largohej imazhit të armiqësisë, diktaturës dhe skamjes, në kërkim të lirisë dhe demokracisë superiore në “Tokën e Premtuar”. Do siguroj shpejt kapitalin e nevojshëm në Amerikë, mendoi inxhinieri i ri i revoltuar dhe shumë shpejt do të kthehem në Shqipëri, për të investuar privatisht, sipas modelit të gjyshit të vetë të kamur, për të hapur një veprimtari private, për te jetuar si njeri dhe për t’u shkëputur njëherë e mire, përfundimisht, nga ndikimet e egra politike. Ne, arsyeton Fatmiri i takojmë atij grupi shoqëror që di të punojë e të ndërtojë dhe jo të prishi, të dëmtojë e t’u bjerë më qafë të tjerëve, qoftë ata dhe kundërshtarë politik, dhe unë do të ndjek traditat e fisit tim.
Amerika nuk ishte ashtu si e mendonte Fatmiri. Ai e perceptonte emigracionin e ri, ndikuar nga shembulli i emigranteve të hershem të Luftës së Parë Botërore të kthyer në Shqipëri pas pak vitesh, që vinin me portofolin mbushur me dollarë dhe ktheheshin të ndryshuar krejtësisht me botëkuptime të reja për jetën dhe shoqërinë, me tjetër lloj lidhjeje e dashurie ndaj punës dhe me mendësi të tjera për familjen.
Këtu, në Amerikën e madhe të punës e të demokracisë, as diploma e tij e shkëlqyer e inxhinierit mekanik dhe përvoja e punës në Shqipërinë e vogël dhe të prapambetur, nuk i vlenin thuajse fare. Edhe mendësia për punë ishte tjetër gjë. Zgjidhej çfarëdolloj pune, pa qibër e fodullëk, atje ku siguroheshin më shpejt e më shumë të ardhura për të përballuar jetesën e përditshme. Fati e ndihmoi të gjejë punë si shofer kamioni, meqë edhe dokumentet përkatëse të drejtuesit të automjeteve i kishte dhe i rinovoi pa vështirësi... Kohën e lirë pas pune e shfrytëzoi me studime pas universitare dhe përfundoi me sukses një kurs për teknik avionësh, për te cilin nuk pati vështirësi, i ndihmuar nga njohuritë e sakta e të shumta të marra në Universitetin Shqiptar të Inxhinierisë Mekanike. Kur aplikoi për punë në këtë specialitet pa se të ardhurat financiare përkohësisht ishin minimale dhe më të ulëta nga puna që kryente aktualisht si kamionist. Nuk e ndërroi punën, se tani edhe në botëkuptim bëhej çdo ditë e më shumë amerikan, që nuk e quan më të mirë punën mendore, apo nëpunësinë, por pikërisht atë ku sigurohen të ardhura financiare më shumë.
Kështu vitet u rrokullisën njeri pas tjetrit dhe Fatmiri punoi me korrektësi, siguroi një shtëpi banimi më të mirë dhe blen një makinë të vetën. Pra jeton gjithnjë e më mirë po punon më shumë, aqsa shpesh ngelet thuajse gjithë ditës rrugëve në kërkim të kapitalit të ëndërruar që do investonte në Shqipëri. Kapitali në të vërtetë shtohej fare ngadalë, ngaqë duhen paguar edhe taksat shtetërore, detyrimi për kompaninë menazhuese, qiraja e shtëpisë, shpenzimet për ushqimet dhe shpenzimet e tjera të shumta për mirëmbajtjen, riparimin, defektet e pashmangshme dhe gjobat e pafalshme të rënda dhe të shumëllojta. Ka gjobë, thotë Fatmiri edhe për shpërndarjen jo uniforme aksiale të ngarkesës së mallrave në karrocerinë e kamionit, që të detyrojnë t’i vendosësh ato të shpërndara në baras peshë, për të evituar aksidentet e mundshme nga shpërndarja jo njëjtë në lëvizje apo frenim, që mund të jenë rrezik potencial dëmtimi për të tjerët.
E shikon Fatmirin pas shumë vjetësh dhe e ndjen atë të transformuar plotësisht, i veshur thjeshtë dhe në pamje si një njeri i zakonshëm prej Shqipërie, po me gjuhën angleze të perfeksionuar, me analogen e masterit pas universitar të certifikuar, me përvojë jetësore e politike amerikane, me ndjesi të reja për jetën dhe shoqërinë. Jo, vitet nuk kane ikur kot. Këta të rijë janë kontingjenti që i duhet vendit tonë, për ta ndryshuar siç duhet dhe për ta shoqëruar drejt ndryshimeve cilësore, se, siç pohon dhe vetë Fatmiri, emigracioni nuk është qëllim në vetvete dhe përfundimtar, po një mjet pasurimi e ndryshimi më i shpejtë jashtë Atdheut, po gjithnjë në funksion të kthimit dhe forcimit mbarësisht te ai, në një periudhe kohe sa më të shkurtër.
Fatmiri thotë se është në ditët e fundit të punës dhe jetës në Amerikë. Ai tashmë, ka vënë në shitje gjithçka amerikane dhe mendon se i sosi ditët e qëndrimit në Amerikë. Deri nga fundi i muajit pret të marrë dokumentet e qytetarisë amerikane, të bëjë betimin si Amerikan dhe me kapitalin minimal, të siguruar gjatë viteve, të ngrejë një biznes të vetin në Vlorën e tij të bukur, imazhin e pandarë nga vetja gjatë gati një dekade larguar prej saj.
Fatmiri do vendoset në Vlorë për të qenë pranë nënës, që e pret me mall e dashuri dhe me emrin e nderuar të paraardhësve të tij të fisit emër mirë dhe të babait të tij, një inxhinierit të shquar gjeolog . Ai, me përvojën e fituar, do ta orientojë më së miri jetën e tij private dhe do të krijojë familjen e tij të re me mendësi amerikane, por me dashurinë, bukurinë dhe ngrohtësinë vlonjate.
Mirëse vjen në Shqipëri Fatmir i dashur! Për ty dhe për përvojën amerikane ka nevojë sot vendi ynë. Kjo na ngjall dhe na ushqen të gjithëve shpresën se do na kthehen bijtë tanë nga emigracioni, kudo që janë, për ta bërë Shqipërinë si Amerikën, për t’i gëzuar prindërit dhe fare fisin, që t’u shtohet jeta dhe që ata ta ndjejnë më nga afër forcën, aromën dhe dashurinë e fëmijëve të tyre të malluar.
Chicago, Janar.20.2010