E diele, 28.04.2024, 09:49 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Komisioni hetimor parlamentar shqiptar për 21 janarin dhe...

E diele, 06.02.2011, 08:57 PM


Komisioni hetimor parlamentar shqiptar për 21 janarin dhe komisioni hetimor parlamentar amerikan për 11 shtatorin

 

Nga Kastriot Myftaraj

 

Për herë të parë në Shqipëri, në 25 janar 2011, një ambasador amerikan doli në konferencë për shtyp me drejtuesen e Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, në lidhje me hetimin e një ngjarjeje që kishte ndodhur në Shqipëri, përkatësisht të asaj që ndodhi në 21 janar në Tiranë. Në këtë takim ambasadori amerikan dhe Prokurorja e Përgjithshme na bënë me dije se, për herë të në Shqipëri një ngjarje e tillë do të hetohet me asistencë të plotë amerikane dhe në stil amerikan. Ndonëse ky veprim është i mirëpritur, ka shumë dyshime mbi kompatibilitetin e tij me ligjet shqiptare, për ta thënë në mënyrën më të butë. Prokurorja e Përgjithshme, e cila ka bërë kërkesën, nuk mund të sjellë asnjë precedent ndërkombëtar të këtij lloji.

Përndryshe, me legjislacionin shqiptar është krejtësisht kompatibël ushtrimi i një modeli amerikan hetimi, që është hetimi me anë të komisioneve parlamentare. Natyrisht, unë nuk kam dyshim se shumica parlamentare që ngriti komisionin hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit, do të kërkonte që ta keqpërdorte atë për të nxjerrë përfitime politike, ashtu siç ka ndodhur në Shqipëri me komisionet parlamentare edhe më pare, si kur ka qenë në pushtet PD pas vitit 1992, ashtu dhe kur ka qenë në pushtet PS, pas vitit 1997. Këtu është vendi të kujtohet se komisioni parlamentar i krijuar nga PD për hetimin e abuzimeve të ish-kryeministrit Nano i rekomandoi Prokurorisë ndjekjen penale të tij, dhe komisioni parlamentar për hetimin e ngjarjeve të vitit 1997, i ngritur nga PS pas ardhjes në pushtet, i rekomandoi drejtpërdrejt Prokurorisë së Përgjithshme procedimin penal të një numri zyrtarësh të rëndësishëm të PD, të kohës kur kishte qenë në pushtet, duke filluar që prej Sali Berishës dhe duke vazhduar me të tjerë. Por gjithsesi, sipas legjislacionit shqiptar, të asaj kohe dhe të kësaj kohe, komisionet parlamentare, të cilat janë një model amerikan, kanë sovranitet absolut mbi të gjitha institucionet, siç ndodh edhe në Amerikë. Kur gjithçka bëhet para kamerave televizive, në emetim të drejtpërdrejtë, gjërat fitojnë një dramacitet të madh, dhe publiku ka rastin më të mirë për të përcjellë ballafaqimin e argumentave të palëve.

Pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA-të u krijua një komision hetimor i përbashkët i të dy dhomave të Kongresit, Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Pavarësisht se 11 shtatori dhe 21 janari janë dy ngjarje të ndryshme, nga pikëpamja teknike funksioni i komisioneve hetimore parlamentare nuk mund të jetë i ndryshëm. Kështu, megjithëse pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA-të, Zyra e Attorney General (homologu amerikan i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama), FBI (disa kompetenca të së cilës, sipas ligjit shqiptar i ka edhe Prokuroria e Përgjithshme në Shqipëri) nisën hetimet penale sipas legjislacionit penal amerikan, megjithatë u krijua një komision parlamentar i përbashkët i dy dhomave të Kongresit dhe Senatit, për hetimin e ngjarjeve të 11 shtatorit, i cili veproi paralel me hetimet penale dhe gjykimin e çështjes. Para këtij komisioni dëshmuan, ndër të tjerë:

1) George W. Bush, President i SHBA-ve

2) Dick Cheney, zëvendëspresident i SHBA-ve

3) George Tenet, drejtor i CIA (homologu i Bahri Shaqirit)

4) John Ashcroft, Attorney General (homologu i Ina Ramës)

5) Robert S. Mueller, drejtor i FBI (homologu në shumë aspekte si i Ina Ramës, ashtu dhe Bahri Shaqirit)        

6) Tom Ridge, Secretar i Departamentit të Homeland Security (Ministria e Brendshme)

Kështu funksionoi teknikisht hetimi për 11 shtatorin, si një hetim i dyfishtë.         Presidenti Bush dhe zëvendëspresidenti Cheney dëshmuan në Shtëpinë e Bardhë, se kjo gjë parashikohet nga ligji amerikan. Në Shqipëri, ligji e parashikon këtë gjë vetëm kur është fjala për dëshmi në gjykatë ose në prokurori, çka bëri që këshilltari juridik i Presidentit Topi, Spiro Peçi t’ i referohej Kodit të Procedurës Penale, për të kundërshtuar kërkesën që iu bë Presidentit Topi për të dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar. Por Presidenti Topi nuk u ftua që të dëshmonte as në Prokurori, as në Gjykatë, kështu që referimi tek Kodi i Procedurës Penale qe krejt pa vend. Natyrisht se është mirë që edhe në rastin e komisioneve hetimore parlamentare shqiptare Presidenti të dëshmojë në zyrën e tij, prandaj kjo gjë duhet saktësuar në një ligj organik për institucionin e Presidentit të Republikës, i cili ligj mungon ende. Në mungesë të këtij ligji Presidenti ka shkelur Kushtetutën duke refuzuar që të paraqitet në komisionin parlamentar.

Refuzimi i komisionit parlamentar nga ana e Prokurores së Përgjithshme Ina Rama ishte me të vërtetë spektakolar, i inskenuar si një sharadë juridiko-institucionale, kur Ina Rama u paraqit para komisionit, lexoi disa ligje dhe u largua duke thënë se nuk është e disponueshme për t’ iu përgjigjur pyetje. Imagjinoni se çfarë do të kishte ndodhur sikur homologu i Ina Ramës të mos ishte paraqitur para komisionit parlamentar për 11 shtatorin, me arsyetimin se kjo është një çështje nën hetim! Nëse lexohet përmbajtja e seancave të pyetjeve të komisionit të Kongresit amerikan për 11 shtatorin (ai ka një faqe zyrtare online), si dhe raporti i tij, i cili ka rreth 700 faqe, do të shihet se komisioni është marrë me të gjitha çështjet, edhe me ato që ishin objekt hetimi, me mënyrën e hetimit, me gjithçka. I vetmi kufizim është se atje ku kishte çështje të sekretit shtetëror, dëshmia u bë me dyer të mbyllura, dhe ato pjesë nuk pasqyrohen në raportin e bërë publik. Por për anëtarët e komisionit hetimor nuk mbeti asgjë sekrete.

Derisa Shqipëria është republikë parlamentare, sipas nenit 1 të Kushtetutës, do të ishte në interes të publikut që palët të ballafaqoheshin në komisionin hetimor parlamentar me argumente dhe fakti dhe pastaj të ishte publiku ai që i dëgjonte. Ne kemi fatin e mirë se në këtë histori në Shqipëri nuk ka asgjë që mund të quhet sekret shtetëror, ndryshe nga komisioni amerikan për 11 shtatorin, ku duheshin mbrojtur informatorë të cilët vepronin brenda vetë Al-Qaeda. Le të ballafaqoheshin Bamir Topi, Ina Rama, Bahri Shaqiri me akuzat e mazhorancës, të bënin apologjinë e tyre dhe pse jo edhe kundërakuzat.

Unë mendoj se edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë që ndalon komisionet parlamentare që të merren me çështje nën hetim penal është nul and void nga pikëpamja juridike, se sipas logjikës së Gjykatës sonë Kushtetuese, del se të dy dhomat e Kongresit amerikan dhunojnë institucionet e pavarura akuzatore dhe gjyqësore, duke marrë përsipër hetimin tërësor të çështjeve të veçanta, për të cilat ka një hetim penal. Komisioni hetimor parlamentar, sipas modelit amerikan, jo vetëm heton çdo detaj që është objekt i hetimit penal, por heton edhe vetë mënyrën e hetimit penal. Kjo ndodh se Kongresi i njeh vetes sovranitetin më të lartë hetues, pasi pushteti i institucioneve që merren me hetimin penal derivon prej Kongresit. Edhe kur u vra Presidenti Kennedy, në Amerikë filloi natyrisht një hetim penal, por kjo nuk e pengoi parlamentin amerikan, pra Kongresin, që të krijojë një komision hetimor për çështjen, i cili komision u mor me çdo detaj të çështjes, madje edhe me mënyrën e hetimit penal të saj.

Të njëjtën gjë ka të drejtë që ta bëjë edhe çdo komision hetimor parlamentar në Shqipëri, natyrisht pasi të përcaktojë disa të dhëna paraprake konkrete, të cilat shërbejnë si premisë për hetim, dhe me të cilat e justifikon hetimin e tij. Por është absurde ajo që thonë sharlatan-konstitucionalistët tanë të Gjykatës Kushtetuese se një komision hetimor parlamentar nuk mund të hetojë për një çështje për të cilën ka nisur një hetim penal. Sipas kësaj logjike del se në Amerikë u dhunokan institucionet e pavarura të akuzës dhe gjyqësorit! Edhe vetë Gjykata Kushtetuese në Shqipëri derivon prej parlamentit, kështu që parlamenti në raste të veçanta mund të shpallë nul and void një vendim të Gjykatës që cënon sovranitetin e tij absolut, të përcaktuar në nenin 1 të Kushtetutës.

Por, edhe pa u cënuar vendimi përkatës i Gjykatës Kushtetuese ka shumë hapësirë për hetimin parlamentar dhe Prokurorja e Përgjithshme duhet ta kishte lexuar vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese vetëm kur shikonte se anëtarët e komisionit po i bënin pyetje të cilat binin ndesh me këtë vendim. Refuzimi a priori i komisionit parlamentar nga ana e Prokurores së Përgjithshme është njëlloj sikur një shtetas i cili thirret në Prokurori, të lexojë ligjin që ai mendon se ai i jep të drejtë dhe të largohet në punë të vet. A e di kjo zonja se nëse homologu i saj në Amerikë bën atë që bëri ajo para komisionit të Kongresit, kryetari i komisionit urdhëron rojet e Kongresit që ta ndalojnë fizikisht dhe ta mbajnë derisa të vendosë t’ i bindet komisionit të Kongresit. A e di zonja Ina Rama se komisioni parlamentar i senatorit Joseph Mc Carthy, i cili i shpëtoi SHBA-të nga diktatura komuniste, i bëri që të dridhen të gjithë zyrtarët e Amerikës, duke u shndërruar në Inkuizicion modern?

Zonja Ina Rama, duhej të fitonte ndaj komisionit parlamentar me argumente. Nëse Ina Rama sillet kështu siç u soll me komisionin parlamentar, duke pasur dhe drejtorin e hetimeve penale në krah, nr. 2 të Prokurorisë së Përgjithshme, Sokol Stojani, atëherë çdo qytetar i këtij vendi ka të drejtë që të sillet ashtu me ta, dhe pastaj gjërat të kthehen në provë force personale mes individëve Ina Rama, Sokol Stojani dhe familjeve e fisit të tyre dhe individëve që do t’ i refuzojnë ata dhe familjeve e fisit të tyre. Se institucionet këtu janë jashtë loje.

Ambasadori amerikan Arvizu, i cili ditët e fundit ka treguar praktikisht se Prokurorja e Përgjithshme është prokuruar nga ambasada amerikane, tashmë ka detyrimin që t’ i kërkojë asaj publikisht që t’ i bindet komisionit hetimor parlamentar dhe ta tregojë veten atje, sipas shembullit të homologëve të saj amerikan. Nëse nuk ndodh kështu, atëherë është ambasadori amerikan i cili është përgjegjës për atë që bëri Ina Rama në komisionin parlamentar. Ne sot jemi në situatën kur ngjarjet e 21 janarit po hetohen në mënyrë selektive, sipas modelit amerikan. Nëse Prokurorja e Përgjithshme i kërkoi ambasadës amerikane ekspertë amerikanë për hetimin, atëherë të njëjtën gjë le ta bëjë edhe kryetari komisionit hetimor parlamentar, z. Halimi. Le të vijë edhe një ekspert i komisioneve hetimore parlamentare nga Amerika dhe të na tregojë se si funksionojnë këtë lloj komisionesh dhe se ku ia vendosin vetes limitin ato. Natyrisht se as z. Halimi nuk është engjëll, kështu që le të bëhet ambasada e SHBA-ve garante edhe për hetimin e drejtë parlamentar të 21 janarit, ashtu siç supozohet të jetë për hetimin penal. Derisa në Shqipëri ka dy palë që kanë shprehur vullnetin për ta hetuar ngjarjen e 21 janarit në mënyrë amerikane, atëherë SHBA-të vetëkompromentohen duke asistuar, inkurajuar dhe mbështetur teknikisht vetëm njërën palë.

Unë si qytetar i këtij vendi dua që ta shikoj ambasadorin amerikan edhe në krah të Prokurores së Përgjithshme, edhe në krah të kryetarit të komisionit hetimor parlamentar. Unë dua që të shoh një hetim penal sipas modelit amerikan dhe me ekspertizë amerikane dhe një hetim parlamentar sipas modelit amerikan dhe me ekspertizë amerikane. Kështu do të kemi një precedent mjaft të vlefshëm në Shqipëri. Duhet që ky hetim të bëhet në atë mënyrë që publiku të shikojë nëse ka diskrepansë serioze mes asaj që aktorët kryesorë të 21 janarit thonë publikisht dhe asaj që thonë në mënyrë konfidenciale. Pra duhet që për të gjithë aktorët kryesorë të ngjarjes së 21 janarit, nga të dy palët, të tregohen publikisht jo më tabulatet telefonike, por edhe përmbajtja e telefonatave, po të jetë e mundur. Këtu nuk bëhet fjalë për shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut, se fjala është për bisedat që ata kanë bërë në atributin e tyre si persona publikë dhe jo si persona privatë. Vetëm kështu do të bëhet sadopak e mundur në Shqipëri që të hedhim dritën e duhur mbi ngjarje të tilla.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora