E diele, 28.04.2024, 11:32 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Deadline e opozitës

E hene, 07.02.2011, 08:51 PM


Deadline e opozitës

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Mësimi që vjen nga ngjarjet e vitit 1991 dhe të vitit 1997 është se opozita nuk mund t’ i mbajë për shumë kohë të mobilizuar mbështetësit e saj në protesta, por duhet t’ i çojë ato në një përfundim, duke i shkallëzuar, dhe duke e detyruar qeverinë që të dorëzohet, ose të tërhiqet. Me njerëzit e mobilizuar ndodh si me një sustë, e cila kur mbahet shumë e sforcuar prishet. Pra, ka një deadline (kufi kohor), brenda të cilit opozita duhet të arrijë synimin e saj të shpallur. Në vitin 1991, PD e filloi aksionin e saj për arritjen e zgjedhjeve të reja me protestën në 2 prill, në Shkodër, ku u vranë katër protestues (Atë ditë Ministria e Brendshme nxorri një komunikatë që u lexua në radio dhe televizion ku i pohoi vrasjet nga policia, me synimin e qartë për të shkurajuar protestat). Aksioni i opozitës atëherë u shkallëzua me grevën e përgjithshme, e cila në 4 qershor e detyroi qeverinë që të japë dorëheqjen dhe të pranojë zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

Pra, gjithçka u arrit në 62 ditë, madje kur limiti i kohës kur opozita qe në gjendje të ruante mobilizimin maksimal të mbështetësve të saj, tashmë ishte kapërcyer dhe vala e protestave ishte në rënie, në ditët e fundit. Por duke qenë se PPSH në pushtet, e cila kishte fituar zgjedhjet e 31 marsit 1991, ishte në prag të reformimit të saj dhe të ndryshimit të emrit, në Kongresin X, ajo nuk donte që të shkonte në këtë kongres, në një situatë të tillë. Në fakt ky ishte kalkulusi i opozitës së kohës, PD dhe aleatëve të saj. 

Në 1997, PS dhe aleatët e saj i filluan protestat në 24 janar. Në 1 mars arritën dorëheqjen e qeverisë dhe në 9 mars arritën të sigurojnë qeverinë kalimtare dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Pra, gjithçka u arrit për 43 ditë. Nëse e marrim 21 janarin 2011 si pikënisjen e një aksioni masiv të opozitës për të arritur dorëheqjen e qeverisë dhe detyrimin e shumicës parlamentare për të pranuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, atëherë mund të thuhet se opozita ka midis 43 dhe 62 ditë kohë. Në fakt deadline është më afër shifrës 43 se asaj 62, pasiqë Shqipëria e vitit 2011, posaçërisht ajo qytetare, është duke evouluar kah një shoqëri e shtresës së mesme, e cila nuk i duron dot situatat e tensionuara të zgjatura. Pritja e ankthshme e diçkaje që pritet të ndodhë, por që nuk ndodh dhe shtyhet në kohë është një lojë me rrezik të madh me nervat e shoqërisë urbane shqiptare.

Historia e 20 viteve të fundit në Shqipëri ka treguar se në situata të tilla perceptimi i shoqërisë dhe posaçërisht i mbështetësve të opozitës mprihet shumë dhe ata presin shkallëzim të aksionit. Mbështetësit e opozitës në situata të tilla e kuptojnë se kur liderët e tyre kanë siguri që u vjen nga mbështetja ndërkombëtare dhe kur u mungon kjo siguri, do të thotë mbështetja ndërkombëtare, për të shkallëzuan aksionin për përmbysjen e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja. PS në 1993 dhe PD në 2000 i lodhën mbështetësit e tyre me protesta të zgjatura, nga të cilat ata kuptuan pasigurinë e liderve të tyre përkatës dhe mungesën e mbështetjes ndërkombëtare për aksionin që ata kishin filluar. E shkuara ka treguar se kapërcimi i deadline pa arritur sukses është më i keq se sikur të mos kishte filluar fare fushata e protestave.

Opozita, pas 21 janarit 2011, për shkak të presionit ndërkombëtar, në vend që t’ i shkallëzonte protestat i shndërroi ato në manifestime artistike, me frekuencë aq të rrallë sa për të mos u dukur se i abandonoi fare. Natyrisht se kjo ka një çmim për të. Derisa tashmë ka filluar numërimi mbrapsht që përfundon në deadline për të cilën Edi Rama është i vetëdijshëm, opozita duket se për momentin e ka humbur dinamikën e parë të aksionit që nisi në 21 janar, dhe që e paralajmëroi para 21 janarit. Berisha, duke perceptuar edhe presion ndërkombëtar ndaj opozitës për të ndërprerë protestat, kërkon që ta tërheqë opozitën deri në deadline, duke e bërë kështu të vuajë atë që pësoi ai në 2000. 

Por situata paraqitet edhe më e ndërlikuar për opozitën se ajo, me uljen në minimum të profilit të demonstratave, praktikisht i ka vendosur vetes edhe një deadline tjetër, të mesëm, më të afërt, atë të rifillimit të shkallëzimit të protestave. Ky deadline i dytë qëndron mes ditës së fillimit të protestave, pra 21 janarit, dhe ditës së deadline përfundimtar. Nëse për ditën e deadline përfundimtar mund të ketë diskutime duke e lëvizur me javë, ky deadline tjetër është nuk është çështje javësh. Pra nëse nuk rifitohet momentumi, ridinamizimi i protestave, aksioni kalon në vegjetim dhe shkohet drejt deadline përfundimtar. Shfaqja e një deadline të dytë, e sjell opozitën në deadlock, do të thotë në një situatë kur ka dy veprime të cilët presin njëri-tjetrin që të kryhen, domethënë shkallëzimi i protestave pret demonstratat paqësore, dhe kjo e fundit pret rifitimin e momentumit me valën e re të mobilizimit, për të përfunduar.

Opozitës këtu gjendet mes dy rreziqeve, rënies së mobilizimit të mbështetësve të saj dhe rritjes së presionit ndërkombëtar për të mos shkallëzuar protestat. Opozita mund ta sfidojë presionin ndërkombëtar duke thënë se nuk e përballon dot presionin e mbështetësve të saj për të shkallëzuar protestat. Ky ishte pikërisht pozicioni i opozitës në 21 janar dhe të cilit ajo nuk i qëndroi pas 21 janarit, pas rritjes së presionit ndërkombëtar. Në 1997 opozita e majtë pati një presion europian për të ndërprerë protestat, por atëherë ajo e shpërfilli atë se pati mbështetje amerikane. Sot amerikanët janë në pararojë të presionit ndaj opozitës. Në këtë situatë opozita ishte dashur që ta kombinonte uljen e profilit të aksionit të saj me një fushatë ndërkombëtare lobingu të lidershipit të saj, gjë që ka ndodhur pas zgjedhjeve të vitit 1996 nga PS dhe pas zgjedhjeve të vitit 2001 nga PD. Mungesa e kësaj përmase të aksionit opozitar në këto rrethana, mbetet për t’ u parë nëse është taktikë momentale apo diçka tjetër.

Opozitës natyrisht se i mbetet gjithmonë një rrugëdalje tjetër, e mesme, që është bojkotimi i zgjedhjeve vendore. Por në këtë rast parakushti që opozita të rifitojë një momentum politik, një dinamikë të re të aksionit të saj, është që Berisha dhe Meta t’ i mbajnë zgjedhjet pa opozitën. Natyrisht se Berisha nuk do t’ ia bëjë opozitës këtë dhuratë, të cilën nuk ia bëri as në vitin 2007, kur opozita nuk mori pjesë në datën e fiksuar të zgjedhjeve dhe ato thjesht nuk zhvilluan në atë datë, por në një datë tjetër. Nëse palët arrijnë në qershor në një situatë kur është bllokuar zhvillimi i zgjedhjeve vendore, çka do të ndodhë më tutje? Natyrisht se ndërkombëtarët do t’ i ulin palët në negociata. A mund të arrijë opozita në këto negociata zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare?

Në qershor 2011 do të jetë mesi i mandatit të parlamentit. Nëse do të shpallen zgjedhje të parakohshme në qershor, ato mbetet që të zhvillohen në vjeshtë, se zgjedhjet duan jo më pak se 45 ditë kohë që të zhvillohen dhe kështu i bie që ato të bëhen në gusht, çka nuk mund të ndodhë. Por në fakt zgjedhjet nuk mund të zhvillohen para tetorit, për shkak se duhet kohë për përgatitjen e krejt infrastrukturës zgjedhore. Gjithsesi, është e qartë se nuk ndodh që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme të imponuara nga opozita, në gjysmën e dytë të mandatit parlamentar. Ndërkombëtarët nuk pranojnë precedente të tilla. Zgjedhjet e parakohshme ndodhin e shumta brenda një viti nga mbajtja e zgjedhjeve të kundërshtuara. Në 1997, zgjedhjet e parakohshme erdhën 13 muaj pas zgjedhjeve të kundërshtuara të majit 1996, por ishte vetë opozita ajo që kërkoi rreth katër muaj kohë për mbajtjen e zgjedhjeve, në negociatat në mars 1997.  

Kështu që nëse opozita ka për të arritur diçka, ajo sot është shumë pranë deadline kur mund të arrijë objektivin e shpallur, ndonëse edhe kështu është vonë, se kanë kaluar rreth 20 muaj nga zgjedhjet e vitit 2009.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora