E hene, 29.04.2024, 02:25 AM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Ti, more vëllaçko, harroje Shqipërinë Natyrale!?

E diele, 06.02.2011, 08:58 PM


TI, MORE VËLLAÇKO,  HARROJE  SHQIPËRINË NATYRALE!?

 

Nga Fadil  LUSHI

 

Në qoftë ky shkrim gazete pronë imja vetjake, përse atëherë të mos e personalizoj aq sa të mos i bezdis lexuesit e nderuar. Eh, sa më pëlqenin dikur fjalët e nënës sime, kur më thoshe: “Ti bir im, ki kujdes kur të trokasësh në derëmadh”! Kjo shprehje proverbiale edhe sot te populli ynë njihet si filozofi, etikë dhe si nam, që ka fituar një fis a një familje shqiptare, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë, Çamëri a në mërgatë.

Në këtë shkrim gazete unë nuk do merrem me familjen shqiptare, përkundrazi do mëtoj ta “hulumtoj” moralin e familjes politike shqiptare, asaj përtej kufirit shqiptaro-shqiptar, gjegjësisht andej Shqipërisë politike, andej shtetit amë, politika e së cilës, ka kohë që ka kaluar në pronësi të një të vetmes parti politike!??.., një politikë me shumë politikanë që “i kanë hipur kalit pa samar”?

Po edhe në (mos) qoftë i vërtetë paragrafi i sipërpërmendur, përse atëherë unë të mos vazhdoj të llafos ato “produktet” e meselesë së 21 janarit, të asaj ndodhie të kryefjalës së “vatanit” tonë, në atë mesele ku dikush deshi të luajë “rolin” e Skënderbeut, kurse dikush tjetër atë të Aristotelit, madje ndonjë tjetër shqiptar të luajë “rolin” e shpëtimtarit të kombit, bile-bile shqiptari me celular në dorë e në vesh do të aktrojë edhe rolin e “Neronit shqiptar”? Gjithë këta të lartpërmendur ditën e 21 janarit, ashtu thjeshtë, do të bëjnë politikë klandestine, provinciale dhe qelbanike e inatçore. Kjo rrëmujë e madhe politike e Tiranës të datës 21 janar s’do mend se do ta zbehë imazhin edhe të shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe në veçanti të shqiptarëve të Republikës së Kosovës.

Të gjithë protagonistët e kësaj katrahure ishin të “ndërgjegjshëm” këmbë e krye se nuk bëjnë punë të mirë, po megjithatë iu vërsulën institucioneve kushtetuese të shtetit. Për këtë dhe arsye të tjera, për meselenë e 21 janarit u shkruan një “mal” shkrimesh, analizash, opinionesh e komentesh, secili nga këndvështrimi i vet qoftë politik apo edhe gjeografik. Ca prej atyre shkrimeve ishin madje romantike, nihiliste, folklorike, shoviniste, irredentiste, por disa të tjera ishin racionale dhe “asnjanëse? Thjeshtë, kishte edhe komente krejtësisht me tarafe. Kjo katrahurë u komentua edhe nga ana bashkësive fetare. Ata që i takojnë konfesionit katolik, për njerëzit që ishin pjesëmarrës në këtë zallamahi, mëtuan ta përsërisin atë lutjen e njohur mëshiruese: “Fali, o Zot, se nuk dinë se çfarë bëjnë”! Në mos gabohem, kjo politikë shqiptare edhe  pas 21 janarit, po vazhdon të udhëhiqet nga njerëz me emra të rremë dhe ata tani e tutje, duke akuzuar e duke fajësuar, po u vërsulen edhe institucioneve kushtetuese, siç janë institucioni i Presidencës dhe presidentit të shtetit, (z. Bamir Topi, përse ky i fundit, nuk i paskësh qortuar “bllokqenët e së majtës”, ose përse viktimat e një politikëbërje ters nuk i etiketoi si njerëz të paguar, të korruptuar dhe mafiozë..., përse presidenti i shtetit u ka dalë krah qytetarëve të traumatizuar nga varfëria dhe vdekja e të afërmve të tyre, atyre që dolën në rrugë të kërkojnë drejtësi dhe medet!?...), kryeministria dhe kryeministri (z. Sali Berisha, përse ky i fundit paskësh përdorur fjalorin denigrues dhe abuzues). Nuk po kursehet as institucioni i Shërbimit Informativ Shtetëror (me në krye Bahri Shaqirin, përse nuk i paska zbuluar me kohë “planet djallëzore” të lidershipit të Partisë Socialiste), po akuzohet edhe drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, (Hysni Burgaj, përse i paska tejkaluar kompetencat ligjore), po të fajësohet e madje edhe po akuzohet edhe institucioni Komandant i Gardës, (Ndrea Prendi, përse paska urdhëruar të gjuajnë në demonstruesit a protestuesit), po sulmohet dhe po qortohet edhe institucioni i Parlamentit, (Jozefina Topalli, përse kësaj nuk i “durohet çallëmi”), po fajësohet edhe institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme, zonja Ina Rama, pa marrë parasysh se unë dhe Vetoni e kemi për zemër) po akuzohen edhe gazetarët e medieve të “pavarura”. Për pak më doli nga mendja edhe një “akuzë” e cila i dedikohet Ismail Kadaresë, përse ky i fundit bëri një shkrim të vonuar kushtuar 21 janarit, një shkrim që ua mori pak anën socialistëve, me a pa taraf dhe përse nuk u duk në Tiranë, në vigjilje të 75-vjetorit të lindjes së tij!?.., apo pse (nuk) u “akuzua” akademik Rexhep Qosja për faktin se me shkrimin e tij për 21 janarin, kishte mëtuar të “fus  hundë” në oborrin e politikës së Tiranës!? Në gjithë këtë tollovi parashtrohet pyetja se “sedra”e cilës figurë shqiptare ngeli e paprekur. Dhe, kështu siç perceptohen këto akuza, këto fajësime dhe këto “ndërhyrje” të  kësaj politike, fiton përshtypjen se toptan politika zyrtare e Shqipërisë ka rënë në luftë me të gjitha institucionet kushtetuese të vendit, ndërkaq intelektualët e mirëfilltë dhe fukarenjtë do t’i akuzojnë kolltukët e kryeminderëve të partive politike dhe institucioneve kushtetuese të Shqipërisë, të cilët gjithmonë kanë prodhuar diktaturë.

Dhe pas krejt kësaj që u vu në pah, parashtrohet pyetja se a (nuk) u duhet politikanëve të Shqipërisë toka ku jetoj unë, ku jeton kosovari, toka ku jeton shqiptari i Luginës, i Malit të Zi, ose trualli ku jetojnë çamët? Po, nëse u duhen këto troje dhe nëse  (nuk) është kështu, përse atëherë të mos themi se kjo politikë qoftë e pozitës a e opozitës shqiptare, është një politikë e mangët, një politikë shterpë, një politikë e qelbur..., prej brumit e të së cilës as furrtari më i mirë, sot nuk do të mund të gatuante as një “gurabije bajrami”? Mos vallë politikanëve shqiptarë të Shqipërisë sot e gjithë ditën e Perëndisë u duhet një ekspert (politik) nga jashtë sa i përket idesë për “krijimin” e Shqipërisë Natyrale, ky një nocion sa politik, gjeografik, human, natyror, po aq edhe logjik, gjithmonë për Koço Danajn dhe të tjerët që mendojnë si ai. Kohë më parë, ne e kemi thënë në ndonjë shkrim, pos tjerash, se “krijimi” i Shqipërisë Natyrale nuk do të varet nga asnjë shtet fqinjë i saj. Ajo do të varet thjesht nga politika institucionale e Tiranës! Dhe, pas gjithë asaj që ndodhi me 21 janar, një datë e mynxyrshme që nuk i “duhej” Shqipërisë, kjo ide e Koço Danajt dhe të tjerëve si ai, sot e gjithë ditën e Perëndisë do të fashitet, do të denigrohet, do të abuzohet dhe do të tjetërsohet, pavarësisht se bëhet fjalë për një nocion sa fisnik, po aq edhe popullor. Në instancë të fundit, ideja e “krijimit” të Shqipërisë Natyrale në kësi rrethanash politike, në veçanti në Tiranë, mbetet një mit, një gojëdhënë dhe një sajim politik, historik, gjeografik dhe ide e ballistëve që deri më 21 janar, konsiderohej si një realitet historik, një realitet i ri shqiptar në Gadishullin Ilirik, një realitet që duhej të gjallërohej në agimin e 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar. Andaj, ideja e ballistëve dhe themeluesve të Lidhjes së Parë dhe të Dytë të Prizrenit rreth “krijimit” të Shqipërisë Natyrale sot, nga ana e  politikanëve të moderuar të Shqipërisë, lëre që do të abuzohet, por edhe do të “etiketohet” edhe si një gënjeshtër e radhës. Tekefundit, prej projektit derëmadh të Shqipërisë Natyrale, sot mund të “ndërtojmë një trinë prej thuprave të thanës”!??

Me një fjalë, ngjarjet e 21 janarit e reduktuan dhe e zbehën keqas idenë e bashkimit të trojeve shqiptare. Për këtë dhe për arsye të tjera, shqiptarët nuk janë të përgatitur ta ushtrojnë pushtetin e Shqipërisë Natyrale. Lexues të nderuar, përfytyroni sikur nesër në Parlamentin e gjithë shqiptarëve të frymojnë mbi 240 deputetë nga të gjitha trojet shqiptare, përfytyroni se si do dukej kuvendi (kushtimisht) i Shqipërisë Natyrale, sikur ato hapësira të frekuentoeshin edhe nga partitë politike siç janë:  “BDI, PDSH, Demokracia e Re, PDK, LDK, AKR, “VETËVE-NDOSJA” si dhe nga ato të Luginës dhe Malit të Zi!?? Tekefundit, cili do të ishte gjykimi i opinionit gjithëshqiptarë, ndaj një “kuvendi gjithë-

kombëtar” siç unë e endërroj këtë. Në të përfunduar të këtij shkrimi, më duhet t’i referohem Zija Çelës, i cili ditë më  parë, i ngarkuar me mllefin e meselesë së 21 janarit, atë thënien e njohur të krishterëve e kishte “përmbysur” duke e  riformuluar: “MOS I FAL, O ZOT, SE E DINË ÇFARË BËJNË”? Me sa duket, këtë “lutje” mëshirëplotë ai u drejtoi politikanëve shqiptarë të Shqipërisë politike.

 

P.S.

Dikur kur unë isha adoleshent çapkën dhe, kur nuk e “duronja dajakun e tim atë, kërkonja ndihmën e NËNËS sime. FATKEQËSISHT, SOT NUK E KAM DOT, ATY  PRANË  MEJE! Eh, sa mirë do të ishte po ta kisha..,do të luftonja padrejtësinë e kraljit!?

 



(Vota: 3 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora