E enjte, 01.05.2025, 05:50 PM (GMT+1)

Mendime

Shkëlzen Gashi: Çarja e Kosovës

E diele, 13.02.2011, 03:54 PM


Tjetrazi

 

Çarja e Kosovës

 

Nga Shkëlzen Gashi

 

Në shtator 2010 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë me dy

pika; në të parën e mbështeste mendimin këshillëdhënës të GjND-së për

përputhshmërinë e Deklaratës Unilaterale të Pavarësisë së Kosovës me Ligjin

Ndërkombëtar. Në të dytën e mirëpriste gatishmërinë e BE-së për ta lehtësuar

procesin e dialogut Kosovë-Sërbi. Në këtë rezolutë, procesit të dialogut i

atribuohen si dobi: stabiliteti në regjion; promovimi i bashkëpunimit dhe

progresi në rrugën për në BE; si dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve. Pra,

siguria dhe stabiliteti në regjion radhiten të parat kurse përmirësimi i jetës

së qytetarëve në fund. “Stabiliteti në regjion” është në levërdi të vetë

BE-së. “Promovimi i bashkëpunimit dhe progresi në rrugën për në BE” është një

mënyrë tjetër për ta shprehur zgjerimin e BE-së, që po ashtu është në levërdi

të vetë BE-së. Ndoshta kjo është arsyeja pse “përmirësimi i jetës së

qytetarëve” radhitet në fund.

 

Me një arsyetim identik me atë të rezolutës së OKB-së, Këshilli i BE-së në

përfundimet për procesin e zgjerimit dhe stabilizim-asociimit (të miratuara në

dhjetor 2010) kërkoi të niste dialogu Sërbi-Kosovë. Më pas, BE-ja si

ndërmjetësues kryesor e caktoi diplomatin britanik, Robert Cooper, autorin e

librit The Breaking of Nations (Çarja e Kombeve). Me këtë dialog, që duket se

do të fillojë me çështje “të vogla” e do të mbarojë me “të mëdhatë”, BE-ja

synon që palët ta arrijnë një marrëveshje paqësore dhe afatgjate për vendosjen

e marrëdhënieve të mira fqinjësore, kriter ky i rëndësishëm për të hy në BE.

 

Sërbia, që ka nënshkruar marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe atë për

liberalizimin e vizave, tash synon ta fitojë statusin e kandidatit për

anëtarësim në BE dhe ta përcaktojë datën e negociatave. Për ta arritë këtë,

përveç bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës, Sërbisë i duhet të dialogojë me

Kosovën dhe të arrijë rezultate të prekshme. Kosova në anën tjetër, me kusht që

t’i nisë negociatat me BE-në për nivelet që Sërbia tashmë i ka arritë – pra,

heqjen e vizave, pjesëmarrjen në programet europiane dhe forcimin e

marrëdhënieve tregtare – duhet që, përveç dialogimit me Sërbinë, t’i garantojë

edhe: a) sundimin e ligjit; b) luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit

e pastrimit të parave; c) lirinë e shprehjes; dhe d) mbrojtjen e integrim të

minoriteteve.

 

Dialogu mund t’i ndihmojë të dyja palët për të lëvizë drejt BE-së. Mirëpo, siç

u përmend më sipër, Sërbia është disa hapa para Kosovës drejt integrimit.

Dialogu për çështje “të vogla” – kadastrin, të zhdukurit, kryesimin e CEFTA-s,

regjistrimin e popullsisë, targat e automjeteve, e me radhë – mund të jetë

dobiprurës për të dyja palët. Natyrisht, kjo vetëm nëse palët janë

konstruktive, sepse ta zëmë, dialogu për të zhdukurit ka tashmë shtatë vjet që

zhvillohet, por me pak sukses. Kosova duhet të angazhohet maksimalisht që t’i

përmbushë kushtet e tjera të BE-së, në mënyrë që mbarimin me sukses të dialogut

për çështje “të vogla” (faza e parë) t’ia kushtëzojë me nënshkrimin e

marrëveshjes për stabilizim-asociim dhe të asaj për liberalizimin e vizave.

Por, kjo duket vështirë e gjasshme duke e marrë parasysh që Kosova po udhëhiqet

nga ish-liderë të UÇK-së, të cilët më parë pëlqejnë të bëjnë koncesione të

dëmshme për Kosovën sesa të japin llogari për të zhdukurit joshqiptarë.

 

Pa dyshim se dialogu për çështjet “e mëdha” (faza e dytë) do ta ketë për temë

veriun e Kosovës, kjo me gjithë premtimin elektoral të Ministrit të Punëve të

Brendshme, Bajram Rexhepi, se do t’angazhohet që veriu i Kosovës të mos bëhet

subjekt i bisedimeve Sërbi-Kosovë. Në këtë kuadër mund të diskutohet për

gjashtë pikat e Ban Ki-moon-it për dogana, gjyqësi, transport, polici, kufij e

trashëgimi kulturore. Mbase dialogohet edhe dëshira e Presidentit të AKR-së,

Behgjet Pacolli, e bërë publike në një intervistë për ditoren serbe Politika:

“Do të doja që veriu i Kosovës të bëhej i pavarur ekonomikisht”.

 

Fundi i fazës së dytë të dialogut duket se do të jetë një “status special” për

sërbët. Kjo, me fjalët e ambasadorit të ShBA-së në Prishtinë, Christopher Dell,

është “...një zgjidhje baraspeshë mes ruajtjes së shtetit të Kosovës dhe

krijimit të hapësirës për sërbët e veriut që të jetojnë siç zgjedhin vetë”. Në

fund të fundit, vetë interesi i Sërbisë nga dialogimi i çështjeve “të mëdha”

është që ta përforcojë pjesën jostatusore të Planit të Ahtisaarit, duke krijuar

një entitet politik për sërbët në Kosovë që cilin Vuk Draskovic tashmë po e

quan “status europian”. Në këtë mënyrë, Sërbia do ta kontrollonte edhe Kosovën

përveç Bosnjë e Hercegovinës, duke u shndërruar në faktor edhe më të fuqishëm

për stabilitetin në rajon.

 

Kosova nuk duket se mund të përdorë forcë për ta shtri kontrollin në veriun

kryesisht të banuar me sërbë, e që do të konsiderohej përdorim legjitim i

forcës për ta ruajtë tërësinë territoriale të shtetit të njohur nga shumica e

shteteve më të fuqishme në botë. Po ashtu, nuk duket as se Kosova mund të

përdorë forcë për ta futë nën kontroll Luginën e Preshevës, të banuar kryesisht

me shqiptarë, e që do të mund të kualifikohej si agresion ndaj një shteti

sovran e të pranuar ndërkombëtarisht. Pra, Kosova nuk mund ta përdorë Luginën e

Preshevës si kartë në këto negociata, sepse nuk ka potencial për ta

destabilizuar atë pjesë as për së afërmi në masën që Sërbia e ka destabilizuar

veriun e Kosovës.

 

Prandaj, duke e pasë parasysh edhe deklaratën e eurodeputetës Lunaçek, se mbas

mësimeve nga Qiproja, shtete me problemin e njohjes nuk do të lejohen brenda

familjes europiane: a do ta pranojë politika kosovare një entitet politik të

sërbëve të Kosovës, vetëm me kushtëzimin që Sërbia ta njohë Kosovën, apo do të

kërkojë edhe që BE-ja të japë garancione të forta se Sërbia apo edhe entiteti

politik i sërbëve të Kosovës nuk mund ta pengojnë integrimin e Kosovës në BE?

Nuk duhet harruar që Kosova udhëhiqet nga liderë, që për me mbetë në pushtet e

me u pasurue paligjshëm, mund të bëjnë akoncesione të dhimbshme për Kosovën.

 

Mbetet me u pa se si autori i librit “Çarja e Kombeve”, Robert Cooper ka me e ça

Kosovën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx