Mendime
Lavdrim Lita: Partizanët e Prokurorisë kundra Demokracisë
E diele, 13.02.2011, 08:58 PM
Partizanët e Prokurorisë kundra Demokracisë
Nga Lavdrim Lita
Ambasadori amerikan, Z. Alexander Arvizu para do kohësh u shpreh se demokracia në Shqipëri po funksionon. Matësi i amerikanëve për të vërtetuar sa thonë është si gjithmonë pushteti i katërt: media, e pavarur nga trinomi shtetëror. Ai tha hapur se tri prej katër gazetave ditore me qarkullimin më të madh janë pro opozitës, ose anojnë nga opozita. Në televizion, stacioni më i madh privat, më popullori anon nga opozita. Ambasadori kishte të drejtë sa thoshte për flirtin e medias me opozitën. Ndonëse po aq e vërtetë është se ekziston një loby “media dhe prokurorë” që kanë filluar të bëjnë opozitën duke tejkaluar përfaqësuesit e popullit.
Në të përditshmet shqiptare kanë filluar të publikohen me faksimile, me detaje dokumentet e Prokurorisë që “kopsitën” kërkesën për heqjen e imunitetit për deputetët Meta e Prifti. Bashkangjitur si suplement për median ishte ekspertiza e specialistit amerikan Glenn Bard ku tregohen detaje sesi gjeti videon 2, ku zbulohet biseda e Priftit me zv/ministrin e METE-s, Leonard Beqiri dhe zbardhet me zë dhe figurë sesi peshohen në dorë 70 mijë euro, që me kursin e këmbimit shkojnë deri në 100 milionë lekë.
Mirëpo eksesi i Prokurorisë për të nxjerrë dosjen hetimore të çështjes së videos së regjistruar nga kameramani amator Dritan Prifti kundrejt Ilir Metës, pa mbyllur hetimet në median me helmetë në kokë, është një padrejtësi. Cka do të thotë se nuk justifikohen sjelljet që kanë tendencë t’i largohen gjykimit të drejtësisë. Përkundrazi, që drejtësia për të qenë besueshme duhet të jetë e barabartë para ligjit, e pavarur dhe gjithanshme duke larguar kështu jo vetëm hijen e anshmërisë partizane, por edhe shkeljen e syrit akuzave të opozitës. Afërmendsh janë këto video që ndikuan në përgatitjen e skenografisë së dhunën, në ngjarjet e bulevardit, të 21 janarit. Sepse kauza e re Partisë Socialiste, pas asaj të kutisë bazohej me zë dhe figurë tek filmimi amator i Dritan Priftit, që iu kthye bumerang duke i thyer dhëmbët, në nofullën e shtrembër.
Kuptohet vetiu se veprimet e fundit të Prokurorisë së Përgjithshme, përtej metaforës, duken se udhëhiqen nga një kompleks inferioriteti. Kemi parasysh se zbulimi i ekspertizës amerikane të përlyerjes, me zë dhe figurë, të iniciatorit të padisë mediatike shkaktoi në ambientet e organit të akuzës një ndjenjë hutimi të përzierë me papërgjegjshmëri. Flasim për papërgjegjshmëri hetimore kur kokëfortësia e hetuesve mbron vetëm një linjë hetimi, edhe kur kanë thirrur një ekspertizë amerikane, e cila u tha se çështja “Meta-Prifti” është ca më komplekse, prandaj duhet sidozot një hetim i pavarur, tërësor dhe gjithëpërfshirës. Natyrisht këtu del paaftësia e prokurorisë për të hetuar me gjithpërfshirje. Prandaj për t’i rënë shkurt me çdo kusht tentohet të prokurohet dënimi publik, nëpërmjet daljes në media të dosjes hetimore, bile përpara se Kuvendi, dhe më pas një Gjykatës të vendosë për masën e sigurisë për të pandehurit. Padyshim u jepet ushqim hetimor medias së majtë për të ngritur paraprakisht një gjyq popullor, me qëllim dënimin pa juri të ish-anëtarëve të qeverisë, siç ndodhte dikur në gjyqet që ngrehte famëziu prokuror popullor Aranit Çela. Në demokraci Ligja garanton qytetarinë e lirë për prezumin e pafajësisë. Dhe për këtë arsye Prokuroria e Përgjithshme ka përgjegjësi direkt ligjore për wiki-leaksin shqiptar të këtyre ditëve sepse gjëja më e rrezikshme është zakoni i anomalisë.
Sidoqoftë është e qartë se me këto sjellje, prokuroria nuk bën gjë tjetër veçse delegjitimon veten. Kjo pjesë e prokurorisë, për fat të keq, është duke u shndërruar në një pushtet që shkel me këmbë çdo rregull, çdo ligj, me një sjellje inkuizicioniste që është në gjendje të mbysë avazh-avazh çdo formë demokracie.