E diele, 28.04.2024, 06:00 AM (GMT+1)

Mendime

Behar Gjoka: Kali i Trojës po rishfaqet

E merkure, 16.02.2011, 07:44 PM


KALI I TROJËS PO RISHFAQET

 

Nga Behar Gjoka

 

Dalja sërish në dritë e termit Vorioepir, që dihet se shënon një koncept të pastër politik, i cili i ka fillesat vetëm pas vitit 1913, pra menjëherë mbas përfundimit të Konferencës së Londrës, bëri që të fanitej si hije edhe njëherë në anët tona, Kali i Trojës, jo simboli i dikurshëm, po me një formë dhe pamje të përmbysur. Duke mos pasur më asnjë iluzion se Greqia, e segmenteve të caktuara apo qendrore, e personave të veçantë dhe linjave, zyrtare e jozyrtare, për asnjë rrethanë dhe shkak nuk heq dorë nga pretendimet arkaike. Le të shohim me gjakftohtësi se çfarë po ngjet me ne dhe brenda nesh. Po të ishte ndryshe, kjo punë kaq shumë e dëshiruar prej tyre, nuk do ta fshihte nën mëngë, e mandej ta risillte në skenë, sa herë që t’i nevojitej, ligjin e luftës me Shqipërinë, të shpallur qysh në vitet dyzet të shekullit të kaluar. Po kaq, po të ishte ndryshe do ta kishte njohur kufirin shqiptaro-grek të vitit trembëdhjetë të shekullit të njëzet. Pra, nga braktisja e gotës gjysmëboshe të marrëdhënieve të një tolerance të pacak, pa harruar kurrsesi fqinjësinë e mirë, fatin e përbashkët, historik dhe bashkëkohor, të të dy popujve tanë, dukja e fantazmës së Kalit të Trojës, tashmë si një realitet i përditshëm, erdhi më në fund edhe momenti që një pjesë të kësaj situate absurde, të përgjegjësisë qytetare ndaj cenimit të territorit dhe të integritetit, të fatit të kombit shqiptar, ta kërkojmë edhe te vetja, tek ajo tulatja pa limit, e qenies dhe përfaqësuesve të kombit shqiptar, te lëshimet e vazhdueshme, si dhe te shpërfillja e detyrimeve ndërkombëtare në disa raste nga pala tjetër. Madje, në kohërat moderne, rasti ynë shënon një rrethanë fort të çuditshme, kur si pa e kuptuar, me pavetëdije dhe për interesa ekonomike e pushtetnore, tanimë vetë ne shqiptarët po luajmë rolin e Kalit të Trojës, e mbase edhe më shumë sesa vetë simbolika e hershme. Po ta kundrosh me vëmendje realitetin e tanishëm, bie në sy se format e dukjes së Kalit të Trojës, janë të larmishme:

- Si pavetëdije e qindra dhe mijëra shqiptarëve, nga gjaku dhe raca, që kryesisht për arsye ekonomike, si dhe ka më tepër gjasa edhe në emër të filozofisë së përshtatjes, pra thjesht të një jetese sa me mbetur gjallë, pasi shkuan në Greqi, individualisht dhe masivisht, ndërruan emrat, mbiemrat, besimin, shtetësinë dhe një pjesë e tyre edhe kombësinë, të detyruar prej shtrëngesave të vendit pritës. Ky ndërrim kaq i përhapur në këtë periudhë, na bën që të mendojmë, së paku njëherë të vetme, se përse nuk gjendet qoftë edhe një grek i vetëm që t’i pranojë për vete këto veprime.

- Si lëshime të rrafshit ligjor-juridik, ku mjafton që të kujtosh ligjin e miratuar në vitin 2003, i cili garanton edhe ligjërisht më në fund që edhe vetëm me një vendim gjykate të formës së prerë, kombësia e jo pak shqiptarëve të marrë rrugën për Janinë. Pas kaq kohësh, kur ndryshimi i kombësisë, për etninë shqiptare, është shndërruar në një praktikë normale juridike, reagimi i tanishëm i organeve të drejtësisë është sa i drejtë, e po kaq i vonuar. Në fakt, qysh nga ai vit dhe në vazhdim, do të duhet që të ishin sqaruar disa aspekte të rëndësishme, sesi është miratuar ky ligj, po ashtu sesi është zbatuar ndër vite ai, si dhe të çfarë natyre janë shkeljet që po përmenden kaq shumë. A mos ka ardhur çasti për ta riparë, ligjvënësit dhe të gjithë përfaqësuesit e dëshmisë dhe vetëdijes kombëtare, ligjin si një praktikë e standardeve euroatlantike, apo si një qasje e politikës së strucit ndaj realitetit ballkanik, aq të ngjeshur me sofizma dhe mosbesim të ndërsjellë, e ku shenja që përshkon të gjitha kohërat ka qenë padrejtësia në kurriz të kombit dhe të trojeve shqiptare.

- Si një marrëdhënie e dukshme inferioriteti e politikës shqiptare, madje dora-dorës qeverisjet e majta dhe të djathta, nëpër vitet e tranzicionit të stërzgjatur dhe tepër të vështirë, me lëshimet e bëra për hapjen e shkollave greke edhe atje ku mungon ky minoritet, me lejimin e ngritjes së memorialëve të ushtarëve grekë, pothuajse në të gjithë gjatësinë e asaj që është shpallur nga fqinji jugor, si Vorioepir, e sollën punën deri aty sa të projektohet edhe një regjistrim i popullsisë, që teksa kërkon deklarimin e kombësisë dhe të besimit, përgjithësisht i tejkalon standardet e miratuara nga ndërkombëtarët, si dhe po parapërgatit kushtet për një asimilim të butë dhe të padukshëm të shqiptarëve, e mandej në një periudhë tjetër edhe për aneksimin e trojeve të jugut të Shqipërisë. Për politikën shqiptare, ndonëse ka kaluar shumë kohë dhe çështja është mahisur shumë, por prapë nuk është krejt vonë, që përgjithësisht dhe veçmas me fqinjin e jugut, të zbatojmë parimin e reciprocitetit. Shpallja e një nocioni politik, si Vorioepiri, është një shtysë që në tryezat diplomatike, dypalëshe dhe më gjerë, vazhdimisht dhe në të gjitha dimensionet e saja, të shpërfaqet çështja e Çamërisë, një realitet gjeografik, historik dhe një dëshmi e gjenocidit të ushtruar në Luftën e Dytë Botërore.

Këmbëngulja greke, e segmenteve të caktuara, por edhe e larmishme, si dhe paaftësia jonë, si individ dhe komunitet, si shoqëri dhe shtet, ka bërë që nocioni i Vorioepirit të përgatitet që nga thjesht dhe vetëm një shprehje e politikës, të tentojë që të paraqitet tanimë edhe si nocion gjeografik dhe historik, çka e vë seriozisht në rrezik popullsinë dhe territorin shqiptar. Për njohjen e tjetrit, pra të komshiut që të sheh oborrin për të ta rrëmbyer një ditë prej ditësh, si dhe njohjen e vetvetes, e sidomos të të metave në marrëdhënie me veten dhe kombin, do të dëshiroja që ne shqiptarët të dilnim nga makthi i asaj ëndrrës kur ujku e hante të ngratin nga vithet, e ai më kot besonte dhe shpresonte se po ëndërronte. Më duket se sa herë që kemi probleme të brendshme, madje sa herë që na pushton sherri i madh i etheve të pushtetit, pra sherrnaja ndërmjet veti, aq sa harrojmë se ka diçka më shumë se sa pushteti personal, aq herë dhe më me forcë del mbi ujë ideja e Vorioepirit që lyp haraçin e radhës nga ne shqiptarët. Mbërritja deri në pikën kur, Kali i Trojës, natyrisht jo simboli i mençurisë dhe dredhisë së hershme, por hilerat e sotme, ka marrë edhe pamjen tonë, të veprimeve dhe ideve tona, të jo pak individëve që e lënë emrin, fenë dhe kombësinë si pa të keq. Po kaq të gjykatave shqiptare, që me ligjet e miratuara në Parlamentin tonë, pa e zgjatur fare, ndihmojnë në zvogëlimin e numrit të shqiptarëve. Me atë revan që ka nisur, mundet të ngrysemi një ditë minoritet dhe mandej të shpallemi edhe refugjat në trojet tona. Po ashtu edhe të politikës së qullosur, që ka drojë që të mbrojë integritetin dhe sovranitetin e vendit. Pikërisht rrethana e skicimit të Kalit të Trojës, edhe me fytyrën tonë, na bën edhe më të vetëdijshëm që ta kërkojmë shkakun edhe te vetja dhe të mos e kërkojmë përgjegjësinë gjithnjë dhe vetëm përtej nesh, diku larg horizontit. Situata e tanishme padyshim ka të ngërthyer në të tiparet e shtetit dhe të njeriut ideologjik, të djeshëm, por që ruan piketa edhe sot, si formë e etheve të pushtetit, natyrisht të ndara dhe parcelizuara nëpër kaq e kaq partira, që pushtetin në shumicën e herëve e vënë edhe mbi çështjen kombëtare, sovranitetin, integritetin dhe dinjitetin e shqiptarit



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora