E diele, 28.04.2024, 07:48 PM (GMT+1)

Mendime

Avni Halimi: Liderët iluzionistë

E hene, 14.02.2011, 08:58 PM


Liderët iluzionistë

 

Të qenurit lider-mashtrues do të thotë mosnjohje e normave të etikës dhe moralit, parime këto bazë për ekzistimin e qenies njerëzore, diçka si ajri, nuk e shikon por pa të nuk mundesh, nuk e shikon dhe nuk mund ta arrishë por pa të nuk mund të jetoshë, nuk matet me asnjë njësi matëse, por pa të vdiset

 

Nga Avni Halimi

 

Sa herë mund ta gënjeshë popullin? Një, dy, tri... Por, kur populli ta vë vulën e gënjeshtarit atëherë të zë belaja e çobanit. Fabula e çobanit që thirrte në ndihmë popullin kundër ujkut në mënyrë shumë origjinale po i ngjanë rrëfimit aventuresk të dyshes fatele Gruevski-Ahmeti.

Plotë dhjetë vjet përgjumje popullore, si pasojë e iluzioneve të këndshme, gënjeshtrave përallore, ofertave parajsore! A do të këndellet kësaj radhe populli dhe, më në fund, të kuptojë se edhe vetë shfaqja e dyshes Gruevski-Ahmeti ishte gënjeshtër, shpifje, qelb, thikë pas shpine! A do të pranojë populli që edhe kësaj radhe të gënjehet?

Kur oferta e një lideri bëhet program qeveritar, kur kontrata e lidhur në mes të liderit dhe popullit nuk realizohet, kur kjo kontratë lihet pas dore për interesa meskine, kur premtimet e një lideri provokojnë zhgënjimin e popullit, atëherë kemi të bëjmë me një gënjeshtër të madhe publike e cila, në kushte normale, do të sanskionohej me rrënim të atij lideri, me poshtërim, me dëbim e me burgosje! Vendi i gënjeshtrës është pas shakasë dhe para talljes! Shakaja me popull prodhon huti, gënjeshtra me popull prodhon zhgënjim, tallja me popull prodhon mllef.

Populli në Maqedoni ka kaluar fazën e hutisë, tanimë është në fazën e zhgënjimit dhe të mllefit.

Gjatë zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme, më vitin 2008, dyshja fatale Gruevski-Ahmeti i ofruan popullit një përmbledhje premtimesh-shakashë për votë! Shumë shpejt shakatë, duke u zhveshur nga ngjyrimet e lezetshme, kaluan në gënjeshtra. Dhe këto gënjeshtra, të cilat si në refren u përsëriten përgjatë këtyre dy viteve,  kanë autorësinë e tyre, janë në formatin e tyre dhe me kopertinë. BDI-ja dhe Ali Ahmeti e quajnë program partiak, ndërsa DPMNE dhe Nikolla Gruevski e quajnë program qeveritar!

 

VMRO-DPMNE-ja në udhëkryq

 

Këto ditë, duke e ndjerë dridhjen e tokës nën kolltukun e kryeministrit, z. Gruevski urdhëroi kabinetin qeveritar që prej ministrave të kërkojë nënvizimin e projekteve/aktiviteteve që nuk janë realizuar hala e që janë të parashikuara në programin qeveritar 2008-2012. Raporti ishte jo vetëm shqetësues por edhe shumë brengosës, sepse, vetëm nga disa ministri që kishin raportuar doli se nuk ishin realizuar mbi 270 projekte-aktivitete qeveritare, apo, nuk është realizuar as një e treta e programit qeveritar. Sikur të zgjaste kjo qeveri deri në fund të mandatit vështire se do të mund të realizohej edhe ndonjë dorë projektesh/aktivitetesh, ngase kjo kohë e mbetur do të harxhohet në përpjekje për ta zgjidhur problemin me emrin e Maqedonisë si dhe në përballje me çështjet shqiptare të cilat po mbahen në moratorium që nga marrëveshja Gruevski-Ahmetin gjatë themelimit të qeverisë DPMNE-BDI më vitin 2008.

Ky raport i premtimeve/mashtrimeve ka shtatë krerë. Në kreun e parë, në paragrafin “Ekonomia me një zhvillim të lartë e të qëndrueshëm” janë 25 projekte-aktivitete të parealizuara nga sfera e përmirësimit të klimës për bisnes, politikat ekonomike, politikat tatimore, marrja e licencave dhe lejeve për bisnes, regjistrimi i pronës, qasje te kreditë, pagimi i tatimeve, kushte për tregëti, mbyllja e bisnesit, reforma në rregullativat e ndryshme, investimet, marketingu, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në paragrafin “Infrastrukturë” përfshihen 40 projekte-aktivitete të parealizuara, realizimi i të cilëve realisht kërkon kohë prej deceniesh. Janë premtuar dhe nuk janë realizuar projekte në sferën e transportit, as që ka filluar dhënia nën koncesion i rrugë nacionale, ndërtimi dhe modernizimi i rrugëve, ndërtimi dhe modernizimi i rrjetit hekurudhore, riparimi i vagonëve ekzistues si dhe blerja e 100 vagonëve të rinj. Mbi njëmbëdhjetë projekte jetike të parealizuara  përfshihen në paragrafin “Ujësjellësi dhe kanalizimi i ujrave të zeza urbane”. Në paragrafin “Telekomunikacionet” përfshihen rreth dhjetë projekte, në paragrafin “Teknologjia informative si dhe e-shoqëria” përfshihen 18 projekte madhore të parealizuara, në “Energjitika” janë  gjashtë projekte të parealizuara, siç janë: hapja e kapaciteteve të reja minerale, hapja e tereneve të reja për mihjen e qymyrgurit, ndërtimi i ngrohtoreve të reja, i shumë hidrocentraleve të vogla dhe të mëdha.

Në kreunën e dytë të këtij raporti mbi projektet/aktivitetet e premtuara dhe të parealizuara të kësaj qeverie, në paragrafin “Bujqësia dhe pylltaria” gjenden 12 projekte të parealizuara ndonëse mjaft jetike për shoqërinë tonë. Kreu i tretë i dedikohet projekteve sociale. Në paragrafin “Toka e mundësive të barabarta për të gjithë” janë përmbledhur një sërë aktivitetesh/projektesh të parapara për zbutjen e problemeve sociale, si: qendër ditore për viktimat e dhunës familjare në Shkup, klub për personat e moshuar në Shkup, qendra ditore për persona me aftësi të veçanta në Dibër e në Manastir, qendër ditore për fëmijët në rrugë, në dy lokacione në Shkup si dhe qendër ditore për shfrytëzuesit e lëndëve narkotike, në Shkup. Në po këtë kapitull janë nëvizuar edhe shumë projekte/aktivitete të parealizuara nga sfera e zhvillimit demokrafik dhe përkrahjes së familjes, projekte për një jetë të dinjitetshme për të rriturit etj.

Kreu i katërt është me mbi 40 projekte/aktivitete të parealizuara e që janë shtylla më të rëndësishme të një shteti. Në këtë kapitull pasqyrohet dështimi i kësaj qeverie në sferat e stabilitetit, drejtësisë, sigurisë, politikës së jashtme, decentralizimit si shtyllë e stabilitetit. Fatkeqësisht, nga ky raport i aktiviteteve të parealizuara të kësaj qeverie del se, në programin qeveritar janë paraparë aktivitete edhe për grupet etnike maqedonase që jetojnë dhe veprojnë jasht Maqedonisë. Së shpejti do të hidhen hapat e para për arsimim on-line ekskluzivisht në gjuhën maqedonase. Kreu i pestë përmbanë dhjetra aktivitete/projekte të parealizuara në sferën e arsimimit, kreui i gjashtë mbi 20 projekte nga sfera e shëndetësisë, ndërtimi i shumë spitaleve, ambulancave e sërë reformash në shëndetësi. Në kreun e shtatë “Jetë më kualitative për të gjithë” janë rreth 80 projekte-aktivitete të premtuara e që nuk u realizuan kurrë! Vlenë të theksohet edhe paragrafi për kulturë me një sërë aktivitetesh/projektesh të premtuara e që kanë ngelur për t’u reaizuar për këtë vit! Ndër më të çuditshmet janë projektet që të ngërthyere në programin qeveritar kanë kaluar edhe me votën e minsitrave shqiptarë të BDI-së. Për vitin 2008-2012 janë paraparë ngritja e 40 përmendorëve prej të cilave, për vitin 2011 dhe 2012 kanë ngelur edhe 22 përmendore të tjera. Po ashtu, ministria e kulturës ka paraparë përkthimin dhe botimin luksoz të dhjetë teksteve universitare për Fakultetin Ortodoks Mqedonas.

 

Kah t’ia mbajë BDI-ja

 

Çuditërisht, asnjë projekt/aktivitet i parealizueshëm nuk del nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit! Kjo ose për faktin se kjo “ministri” nuk ka program me projekte (të realizuara e të parealizuara), ose për faktin se qeveria maqedonase nuk e bën hesap këtë “dikaster”, ose ka program me premtime fantomike dhe si të tilla dalin gënjeshtra aq gjigante sa nuk mund të përfshine as në raportin e premtimeve të parealizuara të qeverisë së Gruevskit! Të paktën të kishte dalë me raport për numrin e të punësuarve shiptarë dhe të sistemimit të tyre nëpër zyra e jo nëpër shtëpi. Edhe ashtu, ky Sekretariat po konsiderohet si një qumështore, si “Swedmilk” që shumë shpejt do të falimentojë.

Janë të paharrueshme premtimet pordhë të Ali Ahmetit gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2008! BDI-ja do të vë moratorium mbi çështjen shqiptare në të mirë të përmirësimit ekonomik e socil të qytetarëve të Maqedonisë. BDI-ja do ta ndërtojë korridorin 8 dhe 10! BDI-ja do të punësojë 100 mij shqiptarë! BDI-ja do të sjell 1 miliardë euro në Maqedoni (natyrisht para shqiptare në të mirë të maqedonasëve)! BDI-ja do ta zyrtarizojë gjuhën shqipe, BDI-ja do të miratojë ligj për ushtarët e UÇK-së! BDI-ja do ta integrojë Maqedoninë në NATO dhe BE herë në muajin mars, herë në nëntor e herë në dhjetor dhe nuk ka ndërmend të dalë nga koalicioni qeveritar përderisa nuk do të realizohet ky integrim! E në fakt, nuk ka ndërmend të ik nga koalicioni pa i rehatuar ekonomikisht e finansiarisht (pa i punësuar) të gjithë anëtarët e familjeve të kryesisë e të kongresit, të degëve e të komunave të BDI-së (keqpërdorim flagrant i votës shqiptare por edhe i asaj serbe, maqedonase, turke, rome, etj që aderojnë në këtë parti)!

Opinionit shqipar fare mirë i kujtohet prononcimi i z. Ali Ahmetit që e pat thënë në formën retorike “Nëse dalim nga qeveria ku do të shkojmë pastaj”! Pse shtrohet kjo pyetje? Për faktin që për këto tri vjet nuk u realizua asnjë projekt për të mirën e shqiptarëve të vendit! Për faktin që për këto tri vjet u realizuan sërë projektesh në dëm të shqiptarëve, u shprehën ofendime, sharje, shpifje për shqiptarët në të gjitha qarqet akademike, polituike, diplomatike! Natyrisht, kjo sjellje është pasojë e vasalitetit të një grusht “shqiptarësh” që i bëjnë natë e ditë temena Gruevskit!

Këto ditë shfletova një fletushkë që në fakt ishte përmbledhje e 100 gabimeve fatale njëvjetore të BDI-së në “100 hapa të rilindjes” (programi partiak i VMRO-DPMNE-së)! Kjo fletushkë ishte e botuar më vitin 2009! Pa dyshim, gjatë vitit 2010 jo vetëm që u shtuan dështimet e BDI-së por doli puna se vetë formimi i kësaj partie paska qene gabim fatal! Për këto dy vite “qeverisje” numri i projekteve ntishqiptare të miratuara edhe nga ministra e deputetë të BDI-së kalon dhjetëfishin e numrit të premtimeve të BDI-së gjatë fushatës parazgjedhore në vitin 2008.

 

Mashtrimet me pasoja të pariparueshmë

 

Premtimet e parealizuara nuk mund të trajtohen vetëm si dështime por, mbi të gjitha, si gënjeshtër, si prishje e kontratës, e cila, nga masa e gjërë do të duhej të ndëshkohej me mospërkahje, ndërsa nga bota e gjykatësve do të duhej të ndëshkohej si vepër penale.

Nga esenca e çdo premtimi del obligimi për liderin. Obligimi duhet të kryhet. Nuk ka obligim që nuk mund të kryhet, ka veç paaftësi për ta kryer atë obligim që del nga premtimi. Në këtë rast paaftësia “kamuflohet” vetëm me dorëzim, me ikje nga qeveria dhe me lëshim të vendit për më të fortin, për më të aftin dhe për më të urtin! Të qenurit lider-mashtrues do të thotë mosnjohje e normave të etikës dhe moralit, parime këto bazë për ekzistimin e qenies njerëzore, diçka si ajri, nuk e shikon por pa të nuk mundesh, nuk e shikon dhe nuk mund ta arrishë por pa të nuk mund të jetoshë, nuk matet me asnjë njësi matëse, por pa të vdiset.

Premtimet mashtruese tërhaqin pasoja të pariparueshmë. Politikani që mashtron duke premtuar, në fakt nuk e ka hallin e popullit. Një politikan i tillë ka hall zhvatjen e benifiteve që t’i jep pushteti, kurse pushteti shpesh herë di të jetë shumë dorëshlirë, mjafton që disa probleme jetike t’i vëshë në moratorium.

Në Maqedoni nuk ka ligje që do të sanskiononin politikanin mashtrues publik, në Maqedoni nuk ka masa ndëshkuese për liderin iluzionist! Në Maqedoni ka një shoqëri që nuk ta fal mashtrimin, në Maqedoni ka popull shqiptar që di të të përgëdhelë gjatë por edhe të të ndëshkojë trishtueshëm. Mjafton ta tradhëtoshë një a dy herë. Herën e tretë nuk të fal!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora