E shtune, 27.04.2024, 05:44 PM (GMT+1)

Mendime

Xhevat Bislimi: Partia Demokratike e Kosovës mundi vetëveten

E marte, 15.02.2011, 08:57 PM


Partia Demokratike e Kosovës mundi vetëveten

 

Nga Xhevat Bislimi

 

Mundja e parë e vetëvetes

 

Dje, për të dytën here gjatë këtyre muajve, Partia Demokratike e Kosovës, mundi vetëveten. Herën e parë kjo parti mundi vetëveten gjatë zgjedhjeve të përgjithshme. Sistemi zgjedhor, që ishte zgjedhur dhe pëlqyer nga të gjitha partitë politike (drejtuesit e tyre) prodhoi manipulim dhe vjedhje të paparë të votës së lirë dhe të vullnetit të qytetarit tonë. Të bindur se me këtë sistem dhe mënyrë votimi mund të manipulohet dhe trafikohet vota sipas dëshirës dhe nevojave të “liderëve” , ata (“liderët”) u pajtuan dhe e miratuan këtë ligj skandaloz dhe korruptues për zgjedhjet. Kuptohet kjo gjë u interesonte shumë edhe të huajve që nuk i merr gjumi për “të mirën” e këtij populli! Trafikimi dhe vjedhja masive e votës (sidomos midis kandidatëve të të njëjtës parti) dëmtoi rëndë besimin e qytetarit te ky proces zgjedhor (te partitë politike) dhe imazhin e Kosovës para botës demokratike. Humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte PDK-ja, e cila, thënë më së buti, doli se ishte e kapur. Një pjesë e deputetëve të kësaj partie nuk përfaqësojnë vullnetin e anëtarëve dhe votuesëve të PDK-së por, vullnetin e “liderit”, të komisionerëve të vendvotimeve dhe të qendrës së numrimit! Edhe hyrja e një pjese të tyre në listën e PDK-së ishte imponuar. Të këtillë kandidatë nuk u imponuan në listën e PDK-së për t’i sjellë më shumë vota kësaj partie por, për t’i përvetësuar, grabitur dhe plaçkitur votat që kishin siguruar me shumë mund anëtarët dhe strukturat e kësaj partie nëpër degë e nëndegë gjatë këtyre dhjetë viteve. Prandaj, po të bëhet një analizë e gjithanshme (që nuk bëhet asnjëherë) doemos do të vimë në përfundimin se PDK-ja mundi vetëveten gjatë zgjedhjeve të përgjithshme.

   Kjo iku. U bë si u bë, procesi zgjedhor përfundoi. Rezultatet u vërtetuan (certifikuan).

 

Mundja e dytë e madhe e vetëvetes

 

Partia Demokratike e Kosovës siguroi tridhjetë e katër vende në Kuvendin e Kosovës. Ky rezultat detyrimisht të shpie në koalicion me parti të tjera. Meqenëse, mirëbesimi dhe marrëdhniet me partitë që quhen të afërta me PDK-në, ishin rrënuar gati tërësisht, kjo parti u detyrua të kërkonte ortakë te AKR-ja dhe te partitë e pakicave! Sipas kësaj matematike shumica e deputetëve shqiptarë mbeten në opozitë, kurse pakica e tyre në pozitë! AKR-ja, e cila bashkë me pesë a gjashtë parti tjera i fitoi tetë vende në Kuvend, kërkoi dhe “këmbënguli” që posti i Kryetarit të Kosovës t’i jepej presidentit të saj, Begjet Pacollit. Kryesia e PDK-së unanimisht kishte vendosur që ky vend (post) t’i jepej Sekretarit të Përgjithhëm të PDK-së, Jakup Krasniqit. Shumë shpejtë, gjatë dy-tri mbledhjeve të Kryesisë së PDK-së, u kuptua që propozimi i J. Krasniqit për të qenë Kryetar i Kosovës nuk kishte qenë i sinqertë. Ky propozim ishte bërë sa për të larë gojën dhe sa për të thënë se ne të propozuam, ne jemi për ty, ne të duamë dhe të nderojmë shumë (dikush tha në mbl. e Këshllit D. se edhe jetën do ta jepte për J.Krasniqin, por president s’kemi si e bjmë. Nuk po lëshon pe Pacolli!), mirëpo nuk kemi zgjidhje tjetër, pos prehrit të Pacollit! Gjatë ditëve të bisedimeve me Pacollin dhe gjatë mbledhjeve të Kryesisë së PDK-së u kuptua qartë se dikush kishte vendosur që posti i Kryetarit të Kosovës t’i jepej Pacollit! Ndonjë drejtues partie dhe ndonjë anëtarë i Kryesisë, nëpërmjet medias (si burime a si kolonë e pestë brenda partisë), në takime dhe me telefon jepnin mesazhe “dorëzimi” para kërkesës dhe “këmbënguljes” së Pacollit për t’u bërë “presednik” i Kosovës. Gojëkqinjtë thonë se dikush nga PDK-ja, zot ruana, edhe e ka lutur Pacollin që mos të tërhiqet nga kërkesa e tij! Me githë këto marifete dhe manipulime u krijua përshtypja spekulative (pa kërkuar zgjidhje tjetër) se nuk ka zgjidhje tjetër: O me Pacollin, o  në opozitë! Kështu u shtrua çështja dje edhe në Këshllin Drejtues të PDK-së! Një mbledhje pa rend dite, pa verifikim kuorumi, me pjesëmarrës që nuk ishin anëtarë të KD dhe me një presion të organizuar mirë të mediave. Shumica e anëtarëve të këtij organi nuk diskutuan, por shumë prej atyre që morën fjalën në mbledhjen e Këshillit Drejtues u deklaruan në favor të krijimit të koalicionit me AKR-në dhe me pakicat! Kuptohet me Begjet Pacollin presednik Kosove! Secili nga ata që i dhanë përkrahje këtij koalicioni kishte vetëm një hall, vetëm një argument: Nuk guxojmë të mbetemi në opozitë, thoshin ata, sepse humbim mundësinë për të patur ndonjë pozitë, humbim pozitat dhe vendet e punës që kemi sot, nuk do të kemi investime në komuna, etj.! “Argument” tjetër ishte edhe “frika” dhe “bindja” e tyre se edhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja do të humbim! Nuk do të fitojmë më!! Prandaj, sipas tyre, duhet të ulim kokën (bishtin) dhe ta hamë turpin me bukë! Kaq ishte mendim-mjerimi politik i këtyre anëtarëve të Kshillit Drejtues, kaq ishte logjika e atyre që politikën e shohin si mundësi ideale për biznis, përfitime dhe privilegje personale! Nuk ishin të pakët anëtarët e këtij organi që e kundërshtuan prerë hyrjen në këtë koalicion me pakicat dhe pranimin e Pacollit për presednik Kosove. Shumica absolute e anëtarëve të Kryesisë ishin kundër, por nuk e kishin kurajon me marrë më shumë përgjegjësi, me shku në opozitë apo në zgjedhje të reja. U mjaftuan me kaq! Nga diskutimet doli edhe mendimi i saktë se mbështetja për Pacollin dëmton rëndë substancën e PDK-së dhe të Kosovës. Mirë e tha edhe një anëtar i KD, i cili tha se edhe po të ishte president Pacolli ne duhet të angazhoheshim për ta rrëzuar dhe se ne po gëzohemi kurse të tjerët po e marrin fitoren tonë. Dikush tha se PDK-ja nuk mund ta përballojë këtë zgjidhje, këtë marrëveshje për ta bërë Pacollin presednik Kosove. Dikush thoshte, me shumë të drejtë, se kjo marrëveshje fuqizon dhe u jep krahë përpjekjeve për të eliminuar këdo që mendon shqip në këtë vend dhe veçmas këdo që ka qenë me UÇK-në, i burgosur politik dhe familje atdhetarësh. Ky është edhe qëllimi i fundit i këtij projekti apo elaborati famëkeq, por nuk do t’ia dalin kurrë me eliminu këtë kategori nga politika e vendit dhe me e zhbë qenien kombëtare shqiptare të Kosovës. Në fund u kërkua të votohej kush është “për” e kush “kundër”, por nuk u votua! U tha se shumica e diskutuesëve ishin për marrëveshje me Pacollin, prandaj, në emër edhe të ruajtjes së “unitetit” po e zëmë se jemi “për”! Uniteti rreth atij që nesër mund të jetë (nëse votohet në Kuvend, zot mos e bënë) simbol i unitetit të popullit ishte i “domosdoshëm”, por shumë i dëmshëm për unitetin dhe shëndetin e kësaj partie, të Kosovës dhe institucioneve të saj! Menjëherë dolën me vrap telallët e PDK-së për t’i dhënë lajmin e gëzuar Pacollit dhe gjithë opinionit!

Unë për vete mendoj dhe jam i bindur se edhe kësaj radhe PDK-ja mundi vetëveten. Ajo u mund nga brenda dhe i ra në gjunjë atij që publikisht deklaronte, edhe në vitin 2006 për “Nedelni telegraf” të Beogradit, se “Kosovo ne mozhe bez Serbije” (Kosova nuk mundet pa Serbinë). A thua kështu të mendojnë edhe ata që e përkrahën këtë marrëveshje? Akoma nuk dua ta besoj. Koha do të vërtetojë shumëçka. “Kosovo ne mozhe bez Srbije” është deviza e Pacollit. Ky mund të merret edhe si programi dhe përcaktimi i tij politik i përmbledhur në këtë fjali. Me këtë platformë do të zhvillohen edhe bisedimet me Serbinë. Serbia do t’i ketë përballë njerëzit e saj besnikë plus pakicën e saj të përfaqësuar në koalicion! Përvec këtij filoserbi me PDK-n duket se do të jetë edhe i biri i Ibrahim Rugovës. Ky sa për ta mbajtur gjallë (edhe ashtu të gjallë) frymën rugoviane në PDK, sa për ta forcuar edhe më besimin se “Kosova nuk mundet pa Serbinë” dhe sa për ta bërë Bukoshin Ministër!      

Kjo është dita më e zezë në historinë e PDK-së, ky është vetëposhtrimi më i madh dhe njëra prej marrëveshjeve më poshtëruese për PDK-në dhe Kosovën! Miku i Milosheviçit, bashkëpunmëtori dhe miku i mirë i kryeudbashit, Selim Brosha, njeriu që botërisht deklaron se “Kosova nuk mundet pa Serbinë” të pranohet për president të vendit? Në asnjë vend normal kjo nuk do të ndodhtte. Ta bësh të parin e vendit atë që ekzistencën e vendit të tij e shehë të pamundur pa vrasësen shekullore të këtij populli, pa Serbinë?! Të jetë simbol dhe përfaqësues i “unitetit” dikush pa integritet njerëzor, moral, kombëtar e politik?! Apo në emër të ndërtimit të institucioneve me “duar të pastërta” po vihen në krye të tyre njerëzit me duar, fytyrë, integritet e të kaluar të pistë e të zezë si futa dhe  do të largohen njerëzit (shqiptarët) me duar, zemër, fytyrë, integritet e të kaluar të pastër e kombëtare? Edhe kjo tashmë është provuar dhe do të provohet edhe më tepër. Organizimi i dorëzimit të PDK-së nga brenda dhe pranimi i kandidaturës së Pacollit për president Kosove fyen rëndë përpjekjen dhe sakrificën shekullore të këtij populli për liri, fyen ndjenjat atdhetare dhe kombëtare të popullit shqiptar, fyen ndjenjat demokratike dhe civilizuese të popullit më të lashtë në Ballkan dhe Evropë. Kosova dhe populli shqiptar nuk ia kishte borgj kësaj partie dhe asnjë partie tjetër kët poshtërim. Kishte zgjidhje të tjera të pranueshme dhe të dinjitetshme për këtë vend dhe për këtë popull. Në vendet demokratike rol dhe ndikim të madh në politikat dhe qeverisjen e vendit ka edhe opinioni publik. Besoj (megjithëse ato që prodhojnë më së shumti opinion, mediat, po u shërbejnë atyre që po i financojnë) që do ketë një opinion publik të fuqishëm kundër kësaj kandidature proserbe. Është mirë që “padronët” e medias nuk mund ta kontrollojnë internetin. Me këtë njeri Kosovës do t’i errësohet edhe më shumë e ardhmja, kurse popullin shqiptar do ta detyrojë të kërkoj rrugë dhe forma të tjera për ta mbrojtur dinjitetin, lirinë dhe demokracinë e tij. Duhet të them që ky pranim i kandidaturës së Pacollit ka edhe një të mirë. E mira është se ia hoqi petën lakrorit! Edhe ky veprim forcon bindjen dhe ndërgjegjëson shqiptarët se zgjidhja e vetme e drejtë dhe e qëndrueshme është bashkimi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në një shtet të vetëm. Shpresoj, uroj, lutem, unë, dhe besoj çdo shqiptar, që këtë kandiaturë turpi dhe poshtërimi ta rrëzojë vota e deputetëve në Kuvend! Besoj shumë që do të ketë aq gjak shqiptari, aq forcë njerëzore, intelektuale dhe morale te këta deputetë sa për ta shpëtuar Kosovën dhe institucionet e saj nga hyrja në një përçarje dhe  krizë zingjirore, nga kjo zi dhe marre e madhe dhe sa për t’i treguar Pacollit dhe pacollëve se Kosova ka mundur, mundet dhe do të mudet pa Serbinë. Kosova nuk ka mundur, nuk mundet dhe nuk do të mundet pa Shqipërinë, sepse është vetë Shqipëria, është mishi dhe gjaku i saj që nuk falet…

 



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora