E diele, 28.04.2024, 10:55 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ramadani: Urime (pa)varësinë, Kosovë martire

E enjte, 17.02.2011, 08:59 PM


Urime (pa)varësinë, Kosovë martire

 

Nga Mr. ARDIAN RAMADANI

 

I dashur auditor. Me të vërtetë jemi popull shumë i fortë, stoik dhe krenar kur paramendoj se ç’kemi hequr deri më tash, deri sa arritëm që ti finalizojmë, po fatkeqësisht, vetëm deri në gjysmë të rrugës e jo komplet, rrugën tonë dhe idealet tona. Më sillen vërdallë nëpër kokë luftërat e shumta të këtij populli, të cilit i takoj edhe unë fatmirësisht, por i cili deri shumë afër kohë fatkeqësisht ishte i ndarë, i copëtuar dhe në mëshirë të fatit i lënë nga rrethanat aktuale diplomatike të kohës. Moratoriumi i çështjeve tona kombëtare, që ishte vendosur qysh moti kohë u thye me (pa)varësinë e shpallur të shtetit të Kosovës, më 17 shkurt të viti 2008. Ishte momenti më i lumtur i jetës time, momenti kur nuk përshkruhet dot se si jam ndjerë, e njëkohësisht ndihem i lumtur që përjetova këtë ditë të bekuar, dhe e ndava me çdo shqiptarë anembanë botës. Për së pari herë shpirtrat u bashkuan në një, zemrat rrahën së bashku, frymën e ndava me të gjithë...... Ky gëzim i cili na kaploi padyshim të gjithëve ishte moment i cili nuk përsëritet shpesh në histori, andaj kur dëgjoja në ato momente disa analistë shqiptarë nga Maqedonia që në çastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, na flitnin për gjoja rreziqet e shpalljes së pavarësisë, për mos njohjen e saj nga Serbia, thuaja se ende fati i Kosovës varej nga Serbia, shtroja pyetjen se ishte Serbia armike e shqiptarëve, apo ishin ata analistë që mëtonin se ishin shqiptarë. Po të njëjtit analistë sot janë të privilegjuar, janë të përkëdhelur të pushtetit dhe na shiten sot më katolikë se edhe papa vet. Sido që të jetë pavarësia u bë, po të njëjtën ndjenjë që e kishim, nuk e kemi më. Shtrohet pyetja se përse?

Si pikë e parë, këtë ndjenjë nuk mund t`a kemi nga shkaku se u varësuam nga misionet e shumta ndërkombëtare, të cilat nuk na shërbejnë për asgjë tjetër, përpos vetëm për të na “ndihmuar” që të bëjmë koncesione edhe më tutje ndaj Serbisë. Kësisoj, qeveria e Kosovës dhe shteti i Kosovës, në vend se të marrë ndihma ekonomike, ushtarake dhe politike po nga këto misione, atyre iu servua plani gjashtëpikësh i Ban Ki Munit, plani famëkeq që parasheh koncesione edhe të mëtutjeshme ndaj Serbisë. E dyta, kjo pavarësi nuk i siguroi Kosovës sovranitet të plotë. Edhe më tutje territori i Kosovës është vend transit i kriminelëve serb, ndërsa enklavat serbe edhe më tutje mbetën strehimore të kriminelëve dhe banditëve që vendin e kanë në burg, e jo të shëtitën të lirë, ndërsa qytetari shqiptar më lehtë e ka të shkojë në Beograd, se sa në enklavat serbe të Kosovës. Së treti, fill pas këtyre gjërave, varfri e hatashme e kaploi popullin shqiptar nga Kosova, nga shkaku se politikanët dhe qeveritarët e Kosovës, në vend të hapjes së vendeve të punës, në vend të ofrimit të kushteve të mira për popullin e Kosovës, ata iu përveshën punës së tenderokracisë, korrupsionit, ryshfeteve dhe pasurimit nga bizneset e ndryshme joformale. E katërta, kjo ndjenjë e kënaqësisë, nuk është ashtu siç ishte dje, nga shkaku se Dita e 28 Nëntorit, dita e flamuri kombëtar, nuk është festë zyrtare në Kosovë, në vend të saj popullit të Kosovës iu ofrua një leckë shumëngjyrëshe, që gjithçka mund t`i thuash po flamur jo. Fill pas kësaj, himni, simbolet e ndryshme e kështu me radhë u ndryshuan saora. E pesta, ngjarjet rrodhën në mënyrë serike në dëm të popullit shqiptar, nga shkaku se ne punonim kundër vetvetes me (pa)vetëdije. Kësisoj në Shqipëri, klasa politike i acaroi marrëdhëniet si asnjëherë më parë, saqë e vendosi Shqipërinë në rrezikun e eskalimit të dhunës sikurse në vitin e tmerrshëm 1997. Më tutje, ky imazh do të grisej edhe më tutje me raportin e Dikut, (Dik Martit) i cili na gjeti momentin e “përshtatshëm” atëherë kur “ishim më së miri”, duke na njollosur si komb të tërë, duke njollosur luftën çlirimtare, duke na paraqitur si kriminelë, ndërsa ne u turrëm si pa mend në kokë nga kjo fatkeqësi, të (vet)ndihmuar, sepse në momentin kur duhej të ishim më vigjilentë dhe mendjehapur, merreshim me përfitim të poenëve politikë dhe me zgjedhjet e mbrapshta në Kosovë, që legjitimuan qeverisjen pa legjitimitet. Qeveritarët e Kosovës në vend se të ndalnin krimin dhe kriminelët të sjella direkt nga Serbia, ajo ndalonte deputetet shqiptare, siç ndodhi me deputeten nga Shqipëria Albana Vokshi, maltretonte deputetet me të cilat duhet të mburremi, ndërsa në anën tjetër nga të katër anët e Kosovës, hynin qeveritarët serb, kriminelët serb dhe provokonin në çdo formë përmes deklaratave dhe veprimeve të tyre. Së fundi negociatat e fundit të paralajmëruara me Serbinë, janë edhe një shtysë tjetër që do të na ftohë nga ky ngazëllim për këtë (pa)varësi, sepse në momentin kur klasa politike duhej t`i thoshte JO të prerë këtyre negociatave, ata përjetuan orgazëm, nga fakti se do të bisedonin më në fund me Serbinë. Për çka të bisedohet me një shtet, i cili ende nuk është denacifikuar, me një shtet që është burim i frymëzimit antishqiptar, më një shtet i cili ende nuk është dënuar për krimet e shumtat bëra, me një shtet që duhet të lajë shumë borxhe, më një shtet që nuk i jep eshtrat e të vrarëve, me një shtet i cili qeveriset nga kriminel, me një shtet i cili nuk njeh Kosovën si shtet..... e kështu me radhë.

Sido që të jetë, për krejt në fund urime Kosovë martire (pa)varësinë dhe le të shpresojmë në pavarësinë e mirëfilltë dhe të vërtetë, atëherë kur do të festojmë një pavarësi, atëherë kur do e ngritim një flamur dhe do e këndojmë një himn, atëherë kur do e kemi një Parlament, një qeveri dhe një President, atëherë kur do jemi një shtet-komb shqiptar i bashkuar. E ky proces nuk do të ndalet, do të vijë ashtu siç vjen pranvera. Ai ka nisur, me futjen e deputetëve të lëvizjes “Vetëvendosja” në Parlamentin e Kosovës, me legjitimimin e tyre si subjekt politik që ka synim bashkimin kombëtar, megjithë vjedhjet e votave dhe dëmtimin që ia bënë kleptomanët kësaj lëvizje, mandej me shpalljen e Platformës së Shqipërisë Natyrale, megjithë bojkotimin nga (p)elitat partiake dhe politike shqiptare gjetiu, kësaj ngjarjeje dhe kësaj Platforme.....

Dera troket, mjerë ata që nuk kanë veshë t`a dëgjojnë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora