E shtune, 27.04.2024, 02:43 PM (GMT+1)

Mendime

Emin Azemi: Kalaja e budallallëqeve politike

E enjte, 17.02.2011, 08:58 PM


Kalaja e budallallëqeve politike

 

Nuk është vetëm një kala që ka mbërthyer ardhmërinë e këtij vendi me budallallëqe që vinë nga politika. Nëse shumë gurë i duhen kalasë për ta ndërtuar, politikës i duhen pak budallenjë për ta prishë ardhmërinë e një vendi

 

Nga Emin AZEMI

 

“Partnerët e koalicionit do të investojnë mjaft energji dhe vullnet që të ruhen marrëdhëniet ndëretnike, ndërsa incidenti në Kalanë e Shkupit nuk do ta prishë gjendjen politike”, tha dje një funksionar i lartë i partisë shqiptare në pushtet. Nuk e paskemi ditur,  se gjendja politike mund të quhet stabile edhe atëherë kur shteti me para publike ndërton objekt fetar, i cili më shumë provokon, se sa që kryen ndonjë funksion sakral. Energjia dhe vullneti që po pritka me u investu brenda koalicionit qeverisës, qenkan garancë e mjaftueshme se marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni nuk do të përkesqësohen. Mundet në të ardhmen të ngrihet lugat edhe ndonjë objekt tjetër irritues që mund të financohet me paratë publike, po ama koalicioni qeverisës do të vazhdojë të funksionojë. Fundja, çfarë rëndësie kanë qytetarët e irrituar, nëse nuk funksionon një koalicion qeverisës?

 

“Incidenti në Kalanë e Shkupit nuk do ta prishë gjendjen politike”, kështu tha politikani ministër, por pa na spjeguar, se si në praktikë mund të ndodhë kjo? Si nuk do të prishet gjendja politike, kur involvimi i srukturave shtetërore në nxitjen e këtij konflikti ishte evident. Ndërtimi në të zezë i kishës mbi kala, me paratë e të gjithë taksapaguesve të Maqedonisë, njëanshmëria e skajshme e arkeologëve maqedonas, përkitazi me rezultatet e gërmimeve, politizimi me konotacion shtetëror i historisë etj. A nuk mjaftojnë për të konstatuar se prishësi më i madh i gjendjes politike në vend është vetë shteti, konkretisht faktorët politik që përbëjnë qeverinë dhe institucionet shoqëruese.

 

Kujt i duhet ajo kishë mbi Kalanë e Shkupit? Pse këtë pyetje nuk e bënë ministri shqiptar në pushtet? Pse ai mendon se “çdo koment që na kthen prapa nuk kontribuon në situatë dhe të gjithë ne duhet të jemi të kujdesshëm në komentet për incidentin”. Me rëndësi janë komentet, a vetë ndërtimi i kishës? Ky rrotullim i qëllimshëm i tezave për të kamufluar situatën me silogjizma të paqarta politike është komenti më i keq që i bëhet situatës.

 

Gjendja politike edhe ashtu është prishur dhe asnjë njeri normal nuk do të donte që ajo të përkeqësohet edhe më tepër. Mirëpo, politikanët që kanë përgjegjësi dhe poste, me siguri e kanë të qartë se njerëzit e thjeshtë, asnjëherë nuk mund ta prishin gjendjen politike. Njerëzit e thjeshtë, madje shumë mirë po jetojnë me njëri tjetrin, mirëpo çka t’u bëjmë projekteve qeveritare, që u vjen era temjan kishe e mesjete e që s’kanë kurrfarë pikëtakimi me bashkëjetesën e njerëzve me etni e religjion të ndryshëm.

 

Sa herë që politikanët në pushtet janë angazhuar për ruajten e marrëdhënieve të mira ndëretnike, ata në nëndije e kanë ruajtjen e koalicionit. Marrëdhëniet ndëretnike funksionojnë sipas një logjike të veten, ndërkohë që politikanët, në emër të atyre marrëdhënieve, në të kaluarën, ose kanë bërë luftë, ose biznes. Hë për hë, askush nuk e ka ndërmend të bëjë luftë, por pse biznesi i quajtur politikë bëhet me rregulla kaq të paskrupullta.

 

Nuk është vetëm një kala që ka mbërthyer ardhmërinë e këtij vendi me budallallëqe që vinë nga politika. Nëse shumë gurë i duhen kalasë për ta ndërtuar, politikës i duhen pak budallenjë për ta prishë ardhmërinë e një vendi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora