E diele, 28.04.2024, 06:43 PM (GMT+1)

Mendime

Emin Azemi: Nxjerrja e shqiptarëve jashtë kodit të tyre civilizues

E merkure, 16.02.2011, 08:59 PM


Nxjerrja e shqiptarëve jashtë kodit të tyre civilizues

 

Nxjerrja e shqiptarëve jashtë kodit të tyre civilizues u bë me mjeshtri dhe tinëzi të paparë me rastin e protestave në Kalanë e Shkupit. Shqiptarët edhe njëherë dikush deshi t’i prezentojë si mbrojtës të vlerave fetare islame.

 

Nga Emin AZEMI

 

Si e perceptojnë realitetin e këtushëm diplomatët e huaj? Zakonisht në reagimet e tyre, që janë shpesh me përmbajtje kurtuazie, nuk hyhet shumë në detaje, dhe të kota janë pritjet tona që ata të japin ndonjë pistë të mundshme kah duhet të ecet në të ardhmen. Politikanët që aranzhojnë komunikata për të mbajtur qetësi në shtëpi, nuk e kanë vështirë të lënë përshtypjen, se ata vërtetë po angazhohen që situata të normalizohet. Sepse ata janë mësuar ta gjejnë vetveten, pikërisht në këtë dimension sa herë që puna e tyre vlerësohet nga ndërkombëtarët. Mirëpo, këto janë vetëm përshtypje dhe si zakonisht, përshtypjet janë varianti i zbehtë i një realiteti, kurse politikanët si ikës të zgjuar nga realiteti po taktizojnë me deklarata që janë në funksion të një inzhinjeringu jo të zgjuar mediatik.

 

Reagimet politike pas ngjarjeve në Kala të Shkupit, kishin intonimin e politikës së pushtetit, e cila bëhej sikur nuk ka ndodhur asgjë, dhe politikës së opozitës, e cila nga rasti konkret u mundua edhe njëherë të përfitojë pikë. Por, ajo që ngeli në sfondin e këtyre reagimeve ishte naiviteti për t’i ikur të vërtetës. Ata që kanë mundur t’i shohin skenat e Kalasë, sidomos të huajt që janë në Maqedoni, nuk e kanë pasur vështirë të identifikojnë dy linja konfrontuese me konotacion fetar. Njëra linjë që ishte kundër ndërtimit të kishës dhe linja tjetër – pro ndërtimit.

 

Shqiptarët edhe më parë protestuan dhe kjo nuk u konvenonte fabrikuesve të realiteteve të paqena, aq më tepër kur protesta e shqiptarëve lidhej për një periudhë të lashtë të historisë, siç ishte neoliti (përfshinë një kohë që fillon nga mijëvjeçari i shtatë dhe mbaron nga fundi i mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë.), atëherë kur kishte edhe prezencë materiale të kulturës ilire në këtë lokalitet arkeologjik.

 

Nxjerrja e shqiptarëve jashtë kodit të tyre civilizues u bë me mjeshtri dhe tinëzi të paparë me rastin e protestave në Kalanë e Shkupit. Shqiptarët edhe njëherë dikush deshi t’i prezentojë si mbrojtës të vlerave fetare islame. Jo se nuk ka arsye të mbrohen edhe këto vlera, por Kalaja e Shkupit ka një histori më të gjatë se vetë ardhja e Islamit në këto troje dhe nevoja për të reduktuar deri në minimum memorien historike të shqiptarëve, ishte në fakt edhe lajtmotivi i deformimit të kësaj proteste.

 

Teledirigjuesit atë ditë mbetën peng i paqartësive në duart e diplomatëve të huaj. Atë ditë në televizion transmetoheshin edhe disa meçe interesante të futbollit ndërkombëtar, mirëpo ekspeditat qytetare rreth Kalasë së Shkupit zhvendosën kërshërinë sportive dhe për fatin e keq të diplomatëve atë ditë u luajt një meç tjetër, në të cilin një grup i armatosur me gurë “luftonte” kundër grupit tjetër i armatosur me hunj dhe thika. Arena ku duhej të mbrohej njëra fe për t’u favorizuar feja tjetër, kishte dalë si një pamje e turbullt që të kujtonte kohën e kryqëzatave të palavdishme.

 

Sa kohë na duhet për t’i fshi gjurmët e këtyre pamjeve që na kthejnë prapa? A është kjo vetëm një pyetje e thjeshtë, apo edhe një dilemë prej së cilës dikush ka dëshirë të përfitojë ?.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora