E diele, 28.04.2024, 12:28 PM (GMT+1)

Mendime

Kalosh Çeliku: Lufta e përgjakshme për Kalanë Dardane

E enjte, 17.02.2011, 09:00 PM


LUFTA E PËRGJAKSHME PËR KALANË DARDANE

 

Nga KALOSH ÇELIKU

 

       Fatkeqësisht, kohën e fundit mezi u binda se shqiptarët njëzet vjet me radhë bëjnë jetën e peshkut në këtë shtet “demokratik”. Pala kundërshtare politike ua hedh grepin me një krimb në hurdhë… Dhe, ata turr i madh e i vogël bythekrye pas krimbit që të përpëliten si peshku në zall. E më vonë edhe në fëltere mbi zjarr. Nuk është ky grepi i vetëm që pavetëdije vite me radhë e kanë hëngër shqiptarët. Grep i këtillë me një krimb para do kohe ishte edhe Enciklopedia maqedonase… Librat e historisë… Dhe, ja grepi fatal i fundit: ndërtimi i një objekti të përbashkët “muze” sipas Qeverisë në kala. Këtë e vërtetoi se është ndërtim monumental i trashëgimisë kulturore edhe zëvendës ministri i Qeverisë Abdylaqim Ademi bashkë me disa deputetë të BDI-së duke u fotografuar para kamerave televizive në kala. Turr pas tyre me partizanë partiak të fotografohet edhe Imer Selmani me deklarata: se në kala Gruevski ndërton kishë. Partia e Thaçit, PDSH -ja përmes zëdhënësit të saj edhe ajo me të katra në kala, duke u trembur se do të mbesë pa u fotografuar para kamerave televizive në këtë fushatë parazgjedhore. LSDM –ja e përcillte gjithë ngjarjen tinëz nga pusia duke i fry zjarrit.

       Edhe atë: në kohën kur televizioni i “pavarur” A1 i jepte lajmet në mes të dimrit përpara Qeverisë. Partia opozitare më e madhe LSDM -ja më e kishte lëshuar Kuvendin dhe bënte politikë në rrugë jashta institucioneve: me duhanvjelësit e pakënaqur të Koço Racinit dhe televizionin e “pavarur” A1 të Velija Ramkovskit  në burgun hetues për rrëzimin e Qeverisë të Gruevskit dhe Ali Ahmetit. PDSH-ja me gjithë plaçka në shpinë, moti kishte ikur në shtëpi duke marrë pa punë fare rroga deputeti dhe herë pas here duke i shkruar Qeverisë “letra dashurie”.

       Televizioni i “pavarur” A1  vazhdonte në mes të dimrit t’i këndojë serenada nën dritare Gruevskit, të bëjë politikë “idilike” përpara Qeverisë. E thirrte popullin për mbështetje në luftë me parullën demagogjike: edhe ne jemi A1. Nateditë i shante studentët pse nuk i bashkohen fushatës së tyre kundër Gruevskit për ta rrëzuar Qeverinë. ralamet politikanësh, deputetësh, analistësh të “pavarur” politik… Përmëkeq, mes tyre edhe shqiptarë të mjerë argatë pa pare: Imer Selmani me bandën e tij politike, “analistmadhi” i përjetshëm politik i kabineteve qeveritare, Patrioti i Vonuar melez… Këlyshë me zgjebe, që na e futën ujkun në vathë, në mesin e qëngjave. E kamerat e A1 -shit i jepnin para popullit vendimet e tyre historike se, edhe këta e lëshuan Parlamentin, dhe iu bashkangjitën Partisë Opozitare Neokomuniste, që problemet e popullit t’i zgjidhin me “rrugë demokratike” jashta institucioneve të shtetit, në rrugë.

       E Gruevski dinak, perderisa LSDM -ja bënë luftë për pushtet me gjithë arsenalin e armatimit nga toka e qielli në rrugë, shqiptarët merren me Enciklopedinë maqedonase, librat e historisë dhe “kishën – muze” në kala, vazhdon me ndërtimin e institucioneve kulturore dhe përmendoreve madhështore të heronjëve bullgarë dhe mitropolitëve të Beogradit në dë dy anët e Vardarit duke pushtuar Çarshinë e Vjetër.

       Fatkeqësia më e madhe: edhe pse ndërtimi i kishës u ndërpre përkohësisht, grepi me një krimb edhe një herë hidhet në hurdhë. Një grup funksionarësh shqiptar me disa aktivistë partiak, i zunë hajdutët duke punuar natën (punëtorët e organizatës punuese) në kala. Edhe, pasi i përzunë punëtorët e pafajshëm, filluan ta shkatërrojnë “kishën” si në kohën e Turqisë para kamerave televizive. Punë kjo me mend, që duhej ta bënin të nesërmen përmes institucioneve të shtetit, me luftë demokratike në Kuvend.

       Organizata joqeveritare ZGJOHU, e trimëruar nga “patriotizmi” i pashoq i këtyre burrave të mejdanit, të nesërmen i thirri shqiptarët në protesta kundër ndërtimit të “kishës- muze” në Kalanë Dardane. Pala tjetër e komitave, në të njejtën kohë përmes internetit i thirrë partizanët e vet për t’i dalë zot kishës në Kalanë e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Edhe, papritmas nisi lufta politike-fetare fytas në kala për kisha e xhamia. Vendin, në të cilin kohë më parë ka pasur kishë katolike, e më vonë gjatë Perandorisë Osmane edhe xhami. E shi sot, këta burra mejdani donin ta kthenin të kaluarën e hidhur mesjetare edhe në këtë shekull demokratik para syve të botës përparimtare. Luftat t’i bëjnë si dikur me pushtimin e kalave. Grushtat dhe gurët atë ditë i përdorën në vend të armëve. Vetëm u mungonin kuajt, mburojat dhe shpatat. Policia, dihet: i përdori shkopinjt e gomës. E përgjakën kalanë e Shkupit. Dajakun e hëngrën, përsëri shqiptarët. Shkaku se, policët maqedon gjoja se donin t’i ndanin grupet nga përleshja luftarake ndëretnike fetare i godisnin shqiptarët me shkopinj gome.

       Fatkeqësia më e madhe: në këtë luftë për Kalanë Dardane merrte pjesë edhe zëvendësministri shqiptar i Punëve të Mbrendshmëve Xhevat Buçi me disa deputetë e aktivistë partiak në pushtet. Zëvendësminsitri bile i “shpëtoi” dy protestues shqiptar të “rrezikshëm” para kamerave televizive që policët maqedon ua kishin vënë prangat për t’i marrë në “pyetje informative” në podrumin policor. E gjithë kjo “luftë heroike” zhvillohej para kamerave televizive dhe syve të ndërkombëtarëve. Vëzhguesit e huaj me keqardhje thonin: merreni me mend, se sa vështirë e kanë maqedonët me shqiptarët, edhe pse duan dialog në Kuvend, institucione të shtetit, shqiptarët problemet politike kombëtare e fetare duan t’i zgjidhin me dhunë në rrugë. Edhe atë: duke ua rrëzuar “vëllezërve” edhe kishat. Nuk njohin as edhe shtet policor, institucione shtetërore, ligje e as fe. Edhe kush, vetë funksionarët e pushtetit bashkëqeveritar në këtë shtet demokratik… Deputetët e zgjedhur të popullit…

       E gjithë kjo luftë e përgjakshme për Kalanë Dardane, ndodhi pak ditë para se Gruevksi të niset për në Amerikë. Shkaku dihet, është i qartë për politikën maqedonase. Mjerisht, edhe, një herë e shpëtoi politika teknefese shqiptare e përçarë pa kokë, ia hapi krah më krah portën politike, rrugën qiellore me aeroplan special për në Amerikë. Ballë për ballë në tavolinë t’i shpalojë letrat e bixhozit, në sy tua qaj hallet edhe miqëve amerikan se me çfarë populli primitiv përpiqen të ndërtojnë bashkëjetesën, bëjnë politikë demokratike për zgjidhjen e çështjes së emrit për të hyrë në Evropë…



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora