E merkure, 07.05.2025, 06:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Marius Chelaru: Mes shtigjeve të dritës dhe shqiponjave të Dardanisë

E enjte, 25.11.2010, 10:39 PM


Mes shtigjeve të dritës dhe shqiponjave të Dardanisë

 

(Liman Zogaj, Lulet e dritës, vëllim bilingv, Bukuresht 2010)

 

Nga Marius Chelaru

 

Unë kosovari i humbur/ Deri në Horizontet e Bardha/ Derdha lot/ Kullova gjak/ As memec nuk u bëra/ Gjashtëdhjetë e katër vjet fola me vete/ Jam shqiptar i Kosovës/ Atdheu im është Shqipëria. Liman Zogaj (Shqipja në horizontet e bardha).  Autori i kësaj vepre është një nga shqiponjat e panumërta që e ka braktisur përkohësisht Kosovën për të siguruar ekzistencë brigjeve tjera të botës, por i cili nuk ka mundur ta shkëpusë edhe zemrën, edhe shpirtin, nga vendlindja e tij. Dhe mu për këtë, të pakta janë sekuencat që i hasim në këtë vëllim, e që nuk janë të prekura nga amprentat e jetës së tij. Po qe se do të tentonim të zgjedhnim një moto të përzgjedhjes së realizuar nga Baki Ymeri, kjo do të ishte fragmenti nga Shqiponja e horizonteve të bardha, që nga fillimi i këtij teksti ku shkrepin frymëzimet e këtij mërgimtari të denjë për afirmim edhe në gjuhën e perëndive. Dhe, në anën tjetër të polit, si një kundërbalansim vlen të përmendet një fragment nga Anamneza e burgut, që relevon fatin e kësaj zone evropiane, mbi të cilën frymëmarrja e së shkuarës trazon drama në jetët e njerëzve që shkojnë shtigjeve të dritës me biografinë e dhembjes dhe hirin e shpirtit që digjet, secili me amprentën e tij gjithnjë e më të theksuar.

 

            Në këtë kontekst përmendet emri i babait të pushkatuar, historia me luftërat e betejat e përgjakshme, martirët dhe pararendësit e tyre duke e kërkuar lirinë. Kjo ngase, libri përfshin tre kapituj të veçantë, duke zgjedhur për titull, disa nga titujt e vëllimeve paraprake të autorit: Shtigjet e dritës, Biografia e dhembjes dhe Hiri i shpirtit që digjet, secili me amprentën e tij. E para, me amprentën më të theksuar që ka të bëjë me Kosovën, me aspiratat dhe mundimet e njerëzve të vendit të tij, me luftën për një ideal të shenjtë. Me një fjalë, me çdo gjë që mund të plasohet nën moton e poezisë së parë që e cituam në fillim të këtij vlerësimi estetik.

 

Kapitujt tjerë përshkohen nga një notë më personale, e shkallëzuar edhe në regjistra të ndryshëm. Kështu, Biografia e dhembjes don të thotë një shikim në pasqyrën e zemrës së trazuar, një përfytyrim mbi vuajtjet personale që shëmbëllejnë me vuajtjet kolektive, me pritje, përmallime e dhembje, por edhe me gërshetimin e tyre me „plagë, dhembje e gjak”, pra me „biografinë e djegur” që ka qenë dhe është në vizionin e tij:  shqiptarizmi. Në Hirin e shpirtit që digjet, nota personale don të thotë bota sentimentale e autorit, me epërsi ndaj vetmisë në të cilën bëhesh „hiri i shpirtit që digjet”, aty ku „rritet lulja e kujtimeve”, madje dhe në dashuri, dhe sidomos në kujtimet e mbështjella me vellon e pritjes së idealit kombëtar që ngritet në metaforë. Dhe, më konkretisht, dashuria ndaj brigjeve të vendlindjes dhe atdheut të tij, atje këndojnë zanat shqiptare dhe flatrojnë shqiponjat e Dardanisë.

 

Thash më parë se dega e parë e këtij vëllimi i përkushtohet kësaj dashurie që ta përvëlon shpirtin, dashurinë ndaj atdheut dhe dëshmorëve të kombit, ide kjo që mund të nënvizohet edhe nga fjalori që e ka zgjedhur autori. Ka dhe shumë fjalë tjera që shëmbëllejnë mes vedi, e të cilat e definojnë këtë vepër bilingve, duke i dhënë një ngjyrë specifike shqipes së teksteve të Liman Zogajt, si kulla, Besa, arbëreshët, Arbëria, Formula e Pagëzimit (dokumenti i parë shqip, i shkruar nga Pal Engjëlli më 1442, dhe i zbuluar nga Nikolla Jorga më 1915), apo referime ndaj mitesh lokale dhe personazhesh biblike shqiptare, si, Rozafa, Gjergj Kastrioti, Naim Frashëri, Adem Jashari, Nënë Tereza etj.

 

Deri në një pikë, mund ta krahasojmë këtë vëllim me një vëllim tjetër, me Melankolinë e Muhamed Kërveshit, dhe sidomos me idenë se të dy autorët flasin për Kosovën, ashtu siç e shohin dhe siç e ndjejnë në shpirtin e tyre, se shkruajnë edhe për pritjen e një lirie të vonuar, për dramat individuale dhe dramën kolektive të shqiptarëve të trazuar shekuj me rradhë. Edhe Liman Zogaj, porsi Pal Sokoli, Sadik Krasniqi apo autorët e tjerë që kanë vajtur kah „horizontet e bardha”, nuk ka mundur ta shkëpusë atdheun nga zemra e tij, dhe kjo gjë është evidente në krijimet e këtij kosovari që digjet për komb e atdhe.

 

Sa herë që do të ballafaqohem me vëllime të këtilla, do të jem i detyruar të përsëris, para se t’i lexoj si do seleksionime vlerash të veçanta, duke i analizuar si të tilla, tejmatanë thellësisë dhe cilësisë të tyre, duke e pranuar të vërtetën se në rradhë të parë  kemi përballë një lirikë kushtuar këtij vendi të shenjtë që ndodhet në fqinjësinë a lashtësisë sonë trako-ilire, e që mban një emër të bukur: Kosovë. Vëllimi Lulet e dritës dinamizohet edhe përmes një kapitulli me poezi në gjuhën gjermane, si dhe përmes disa vlerësimeve estetike shqiptare, nga të cilat rezulton fakti se Liman Zogaj ka vajtur nga Kosova me „bukë, krypë dhe kujtime”, të cilat i ka përjetësuar pastaj në varg,  duke e njomur penën e tij në vetmi,  me vuajtje, pritje dhe dashuri.

 

Shënime bibliografike

 

Poet, dramaturg, aktor. Liman Zogaj u lind më 1960 në fshatin Lladroc të Kosovës. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme (Drejtimi Biologji-Kimi), e mbaroi në Ferizaj. Ka studiuar letërsinë dhe gjuhën shqipe në Fakultetin filologjik në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Me krijimtari letrare filloi të merret që nga shkolla e mesme, duke i botuar krijimet e tij në Rilindja, Bota e Re, Zëri i Rinisë, si dhe në faqet e gazetave dhe revistave të tjera. Poashtu ka botuar shkrime poetike edhe në revistat e gazetat e kohës në Shkup, Shqipëri, etj. Shkruan poezi dhe pjesë teatrale, por merret edhe me gazetari dhe regji. Tekstet teatrale dhe regjitë e bëra nga ky krijues janë interpretuar dhe janë shpërblyer në festivale serioze teatrale në Kosovë. Që nga viti 1983 jeton, punon dhe krijon në Gjermani, ku ka themeluar dhe ka udhëhequr vatra kulturore të mërgimtarëve tanë në Shvelm, Enepetal dhe Essen, për ta begatuar jetën kulturore për shqiptarët e mërguar. Liman Zogaj aktron në Teatrin Gjerman në Essen, ndërsa krijimet poetike të tij janë prezantuar në antologjitë poetike Metafora e arratisur (Tiranë, 2003), Asht e gjak Arbërie (Gjermani, 2007), Kujtimet e fjalës (Bukuresht, 2010). Deri tash ka botuar vëllimet poetike Kosovë nuk ta mora diellin, Tiranë, 2007, Shtigjet e dritës, Prishtinë, 2009, Loja mbi gurë, Prishtinë,  2010. Ky është libri i tij i katërt që e sheh dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë.

 

Frymëzime mërgimtare kushtuar vendlindjes dhe atdheut

 

         Liman Zogaj vjen para lexuesve me libra ku defilojnë shtigjet e dritës, flatrat e shqiponjës, brezat që kërkojnë liri, buzëqeshja e dashurisë, biografia e dhimbjes etj. Në vargjet e  tij poetizon tema të burgut e të lirisë, për të afërmit, për mërgimtarët, për miqtë e tjerë, për arbëreshët, për shkollën e djegur, për dhembjen e nënave të të pagjeturve. Preokupimet e poetit janë shtëpia dhe atdheu, por nuk mungojnë edhe vargjet për bukurinë e femrës dhe dashurinë ndaj saj. Këto vargje disa herë pleksen edhe me motivet e baladave tona të moçme si ajo e Ago Ymerit etj. Autori në vazhdim të këngëtimit të tij e këndon biografinë e dhembjes, baladën e pritjes, për të shtruar pyetje për një varg çështjesh, e për ta dërguar subjektin e poezisë edhe në dasmën e madhe të luftës dhe të lirisë. Në shtjellën e frymëzimeve të tij, Liman Zogaj evokon kujtime nga jeta në vendlindje, të cilat i transfiguron e i rikuptimëson në domethënie të thella e më të plota për akëcilën çështje. Këto krijime mund të lexohen e të përjetohen si vargje të një krijuesi mërgimtar, i cili me çdo kusht tenton ta ruajë lidhjen me vendlindjen dhe me atdheun e tij. (Ragip Sylaj)

                        

Krijime subjektive me vlera reale për shpirtin shqiptar

 

Liman Zogaj është shqiptari që e përjetëson në varg ambientin rural me të gjitha begatitë e tij. Autori vazhdon t’i numërojë edhe disa objekte të kësaj natyre siç janë sofrat e shtruara  në oda, flaka e prushit në oxhak, krisma e dasmave, lotët në vdekje, bekimet e nënave,  buzëqeshjet e vashave nën qershi, një vrap kali pa jele, ogiçi bri dredhur, gurgullimat e krojeve,  agimet në vatër etj. Dhe  jo vetëm kaq. Poeti  angazhohet edhe për trajtimin e çështjeve të panumrëta që e preokupojnë njeriun tonë dhe botën e tij të brendshme. Frymëzimit e tij janë krijime subjektive të larmishme ku gjejnë vend tema të preferuara siç janë, e kaluara me të gjitha traumat që ka sjellë nëpër valët e jetës, pastaj poezitë për problemet e përgjithshme, ato ku i këndohet luftës dhe lirisë, dhe së fundit poezitë e dashurisë. Për autorin mërgimi është burim i pashtershëm i frymëzimit, siç është e pashtershme edhe aspirata e bashkimit kombëtar shqiptar, ëndërr e vazhdueshme e popullit të ndarë në disa shtete. Për të dëshmuar kështu se kjo ëndërr një ditë do të behet realitet, gjë që është e pashmangshme në të ardhmen. Për Liman Zogajn dashuria është e shenjtë, është diç që të trondit, diç që të kallë dhe nuk të len të qetë. Poezitë e kësaj përmbledhje  janë të thurura  me metafora dhe figura të tjera që e bëjnë këtë  poezi  të lexueshme dhe të kuptueshme për të gjitha shtresat dhe moshat e lexusve. (Ali D. Jasiqi)

 

Maturi, dinjitet dhe respekt ndaj fjalës së shkruar

 

      Sinkronizimi dhe interesimi i poetit të këtyre vargjeve qëndron i legurëzuar nëpër të gjitha uverturat, rropatjet, mallëngjimet, dhe krajatat jetësore të individit dhe kombit nëpër hallkat e historisë sonë. Për Liman Zogajn tema e mërgimit është burim i pashtershëm i frymëzimit, si edhe tek shumica e poetëve të tjerë, e sidomos e atyre që jetojnë dhe krijojnë në kurbet. Po ashtu temë tjetër interesante për pendën e Liman Zogajt është edhe lufta, sidomos kjo e fundit që ndodhi në Kosovë, duke ardhur te përfundimi se lufta është e tmerrshme, por nganjëherë është shpëtimtare për njerëzit që kanë vuajtur nën okupimin e armikut. Në këtë vazhdë ai do të thuri vargje shumë të qëlluara dhe të latuara poetikisht edhe për luftëtarët e patrembur që ranë në altarin e lirisë për të mbetur të pavdekshëm. Në vargjet e tij ballafaqohemi edhe me poezitë në të cilat i këndohet dashurisë, kësaj teme të pashtershme për të gjithë poetët e të gjitha kohërave dhe vendeve. Por, këtij motivi autori Liman Zogaj, i këndon me maturi, dinjitet dhe pa ndonjë teprim apo ndërthurje tej mase. Pra, çdo gjë këtu është e thënë bukur, poetikisht dhe në mënyrë të matur. Kjo maturi e rrit edhe vlerën e kësaj poezie dhe tematikës së saj. (Halil Haxhosaj)



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx