E merkure, 07.05.2025, 09:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Hajdin Morina

E marte, 23.11.2010, 10:58 PM


Hajdin Morina

 

 

FLAMURI I SHQIPËRISË

 

(Në një të përditshme të Prishtinës, gati kam harruar cila ishte,

sepse të gjitha nuk dallojnë gjë nga njëra-tjetra,

një gazetar profesionist, që mund të jetë

 ekspert shumë i thellë ose analist i rrallë politik,

pa të cilët nuk merret me mend zhvillimi i Republikës sonë,

duke shkruar diçka për flamujt, kërkonte

t’ia hiqnin sysh çdo flamur, e në këtë kontekst gjendej edhe

Flamuri kombëtar i shqiptarëve, se kinse 

dashuria ndaj një flamuri shkaktuaka urrejtje ndaj të tjerëve

që kanë tjetër flamur e dokrra të tjera si këto. Në këtë shkrim

lexova një urrejtje konformiste, eksperimentale dhe

 demokratiko-ballkanike ndaj çdo flamuri,

zbërthyer nëpërmjet krahasimesh mjaft të ndyra. 

Sado që nga qasja e sotme eksperimentale bashkëkohore

mund të trajtohem e të akuzohem si intelektual që nuk ecën me kohën

dhe sipas promovimit negativ, komercial e diletantes të frymës

së diversitetit kulturor në Kosovë, në dëm të shqiptarëve,

mendoj se në historinë e çdo flamuri merr frymë historia

njerëzore, pasuria, krijimtaria, robëria, liria dhe burgjet

e secilit popull.)

 

Qiriri i dhimbjes

Gati në shpirt m’u ndez

Por jo i thashë vetes

Flamuri këtu qenka

Flamuri në qiell është

 

Gjithkah pashë Flamur

Në Lezhë Prekaz Krujë

 

Para spiunëve me shumë sy

Përmbi lukuninë e UDB-së

Fluturoi mbi Kosovë Shqiponja

Pushoi mbi Plis majë Shtëpisë mbi Lis

 

Ky qiell iu duk pak fluturimit të saj

Deshi nën tokë të kishte strehë

Mbuloi trupat e dëshmorëve

Lirisë iu bë rrënjë e rrënjëve

 

Drejt Diellit fluturon Shqiponja

Ngarkohet me qiell dhe me dritë

T’ia bashkojë krahët Shqipërisë

 

Qiriri i dhimbjes

Gati në shpirt m’u ndez

Por jo i thashë vetes

Flamuri këtu qenka

Flamuri në qiell është

 

Gjithkah shoh Flamur

Mbi Lezhë Prekaz Krujë

 

 

CILA SIRENË JE TI

 

Ndiej si rrjedh

Drini i Bardhë

Dhe Drini i Zi

Nëpër ata sy

 

Kush të mbështolli

Me dritë

Me zjarr me kaltërsi

Cila sirenë je ti

 

Ma djeg terrin

Në natën time

M’i djeg retë

Në qiellin tim

 

Bën pulëbardha

Dhe albatrosë

Me të Detit valë

Nuk më lë

Në breg të dal

 

Cila sirenë je ti

Cili qiell

Cila kaltërsi

 

 

JETA JONË UNAZË E NGUSHTË

 

Para se ta bënim ne veten tonë

Ata bënë të tyren

Vunë unaza harqe

Shumë rrathë shumë burgje

Për të na larguar nga ajo Zonjë

Dhe nga Flamuri i saj

 

Dhe e rrethuan sa më mirë

Terrin e botës ia vunë mbi sy mbi Diell

Ta zvogëlonin sa të donin

 

Dhe ne depërtonim unazave

Përgjakeshim nëpër rrathët e ngushtë

Nëpër burgjet e gjera

Të mos ndaheshim kurrë

Nga ajo Zonjë nga ai Flamur

 

Dhe ajo nga lumenjtë e gjakut

E nxirrte Flamurin e përgjakur

E vinte sërish majë Kalasë

 

Një ditë ajo vetë e përgjakur

Flamurin e nguli në ajër

 

Tash fryma e Bashkimit era e Lirisë

Seç e valëvit atë Flamur seç e valëvit

 

Krushqve të rinj me flamuj të verdhë

Derë e moçme nuse s’u jep

Për sot e shtatëqind vjet

Për sonte e shtatëqind vjet

 

 

DY KRAHËT E SHQIPËRISË

 

Mbaj vesh

Nuk ushtojnë

Krojet e Ali Pashës

Është vaji i nuseve çame

Me djepa të shpuar mbi shpinë

Me vendlindje

Ngarkuar në shpirt

 

Copa shkëmbinjsh

Si breshër u ranë mbi flokë

Nuset çame

Seç u drodhën fort

 

Luginës së Drinos

Ngjitej një tjetër gjëmë

 

Prandaj rrjedhin edhe sot

Rrjedhin qelb e gjak

Rrjedhin pandërprerë

Plagët e Shqipërisë

Aty ku krahët ia kanë prerë

 

Aty ku shkoqën armiqtë

Kosovën me Çamërinë

Dy krahët e Shqipërisë



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx