Kulturë
Nuhi Veselaj: Emërtesat e guidave të sotme zyrtare të profesioneve me shqipe të dëshiruar (III)
E diele, 21.11.2010, 07:21 PM
Emërtesat e guidave të sotme zyrtare të profesioneve me shqipe të dëshiruar
(në prag të regjistrimit të popullsisë)
Nga Dr. Nuhi VESELAJ
(3) KRITERE DHE KONSTATIME PËRMBYLLËSE RRETH EMËRTIMIT TË PROFESIONEVE NË GJUHËN SHQIPE
Disa nga vëzhgimet tona, ato më kryesoret, lidhur me profesionet në gjuhën shqipe, pas konsultimit të teksteve të tri guidave të sipërtrajtuara dhe materialit të konsultuar detyrimisht për nevoja hulumtuese më përpara gjatë procesit dhe përfundimit të punimit të temës së doktoratës si dhe të materialit që qëmtuam nga FGJSH 2009 e më vonë, që nuk ishin të pakta, të cilat mund të cilësohen edhe si rezultate analitike, do të përpiqemi t’i inkorporojmë në vijim në dy pika kryesore:
së pari, rreth kritereve që duhen pasur parasysh nga hartuesit e versionit shqip unik të listës së re të profesioneve në shkallë kombëtare dhe
së dyti, do t’i trajtojmë në disa pika disa konstatime përmbyllëse, të cilat besojmë se do të ndihmojnë në aspektin e plotësim-konsolidimit të emërtimit të profesioneve në gjuhën shqipe.
1. Disa kritere themelore rreth hartimit të listës
unike kombëtare të profesioneve
Disa nga kriteret më praktike që duhen pasur parasysh me rastin e rishhartimit të Listës kombëtare të profesioneve që rezultojnë nga analiza që i bëmë çështjes së emërtimit të profesioneve, po i shprehim më poshtë në disa pika:
E para, mund të themi me plotgojë se materiali nga tri guidat e sipërtrajtuara, edhe pse përveç lëndës së shëndoshë, të qëndrueshme që kanë, përshkohen edhe me lajthitje jo të vogla, që të gjitha duhet të kihen parasysh në hartimin e listës unike të profesioneve në hapësirën mbarëshqiptare, në mënyrë që nga ato mësime e pësime të nxjerrim vetëm mësime.
E dyta, patjetër nga të dyja këto burime të Tiranës (T1 dhe T2) duhet të merren të gjitha pikat e pakontestueshme dhe teksti të harmonizohet me rregullat drejtshkrimo-gramatiko-leksikore e fjalëformuese të shqipes sipas standardit në fuqi dhe prirjeve që çojnë drejt përplotësimit dhe modernizimit të tij, kjo duhet bërë në bashkëpunim edhe me ekspertët e degëve të caktuara nga institucionet përkatëse të ekonomisë, tekniko-teknologjisë etj. etj., por domosdo duhet ta kenë vendin e duhur aty edhe ekspertët nga institucionet përkatëse profesionale të gjuhësisë, sidomos duhet pasur kujdes në përkufizimin e secilit emërtim, sipas natyrës së gjuhës shqipe dhe në këtë drejtim duhet shfrytëzuar parathënia e tekstit të hyrjes të burimit T1 (të Tiranës). Porse natyrisht si bazë për hartimin e listës unike të profesioneve në gjuhën shqipe duhet të shërbejë Lista kombëtare e profesioneve (2009), si dhe të kihen parasysh zgjidhjet e dhëna në FGJSH 2006 si dhe përkufizimi i punëve dhe të detyrave sipas vendeve të punës ose profileve të profesioneve që jepen në burimin e Prishtinës (PR 2006). Po, duhet me i pasë parasysh edhe e arritjet e pakundërshtueshme nga punimet e studiuesve dhe tona mbi këtë problematikë.
E treta, për të pasur sukses në hartimin e listës së re të profesioneve, siç mësojmë, sidomos nga T2, burim i vitit 2009, për të gjitha emërtimet e profesioneve në shqipe, patjetër, parësorisht lypset respektuar trajta e emrit në gjinisë mashkullore si trajtë përfaqësuese, pos rasteve të veçanta, kur natyra e punëve dhe e detyrave kërkon emrin femëror si gjini përfaqësuese ose si gjini e vetme, siç është rasti mami (lindatore!). Mirëpo aty ku patjetër lypset që në vendin e punës të punësohet personi i gjinisë femërore që e ka të njëjtin profesion që mund ta kryejë edhe personi i gjinisë mashkullore, por në një vend tjetër të punës, atëherë del e nevojshme që në konkurse për vendet e tillë të punës, ku domosdo përcaktohet edhe gjinia që kërkohet për të punësuarin, atëherë edhe në organikën (listën e profesioneve të institucionit përkatës) duhet të dallohet formulimi, dhe të bëhet shifrimi veçmas për vendin e caktuar të punës, ku punët dhe detyrat duhet t’i kryejë i punësuari sipas gjinisë.
E katërta, nga lënda që konsultuam nënkuptohet rregulla se për të gjitha kodet deri katëshifrore (grupet e mëdha, nëngrupet e mëdha, grupet e vegla dhe grupet bashkënjësi) si trajtë përfaqësuese të emrit të profesionit (kuptohet: trajta përfaqësuese e emërtimit të njeriut sipas profesionit), normalisht duhet me dalë shumësi i emërtimit përkatës, ndërsa vetëm për kodin 6-shifror si trajtë përfaqësuese duhet me u praktikue vetëm njëjësi i emërtimit përkatës. Ky rregull ka mundësi të zbatohet edhe më mirë seç është bërë në T2 (2009). Respektimi i një rregulle të tillë do të eliminonte shumë mëdyshje që ne i quajtëm lajthitje në burimet që konsultuam. Mirëpo del një çështje tjetër, karakteristikë e veçantë e gjuhës shqipe që lyp zgjidhje praktike me mirëkuptim: është çështja e përcaktimit të trajtës së shquarsisë së emrit përkatës në njëjës e shumës. Edhe në këtë pikë ndeshim luhatje, sidomos në burimin e Prishtinës. Besojmë se kjo çështje mund të zgjidhet jo me vështirësi, nëse respektohet prirja, të cilën po trajtojmë në dy pikat e mëposhtme:
Së pari, sa i përket trajtës së shquarsisë për emër-emërtimet e grup-profesioneve, nga njëshifrori deri te katërshifrorë, duke përfshirë, pra edhe grupet dy e treshifrore, me sa pamë në T2 mbizotëron shumësi i emërtimit përkatës në trajtën e pashquar, ndërsa te burimi i Prishtinës mbizotëron shumësi në trajtën e shquar. Secila trajtë mund të ketë arsyetimet e veta. Për tiranasit mjafton trajta e shumësit të pashquar dhe këtë, veç ndonjë rasti e argumentojnë praktikisht, në të gjitha emërtimet, ndërsa prishtinasit e kanë praktikuar shumësin e shquar për këto dy arsye e para, sepse në krahasim me gjuhët e huaja (zakonisht me atë serbokroate), shquarsia e bën shumësin e emrit dhe krejt emrin e shqipes më të dallueshëm nga barasvlerësi i serbokroatishtes dhe i gjuhëve të tjera, dhe e dyta, për shkak se në shqipe jo pak emërtime dalin homonim në njëjësin dhe shumësin e pashquar ose vetëm me një –Ë fundore jo aq dalluese nga shqiptimi p.sh. njëjësi: ligjvënës ligjvënësi, shumësi ligjvënës ligjvënësit, mjeshtër-i ndaj mjeshtër -it., ose teknik tekniku ndaj teknikË teknikËT ose tregtar. tregtarË/T.
Sidoqoftë, komisioni hartues ka të drejtë të vendosë se cila mënyrë shquarsie duhet parapëlqyer.
Së dyti, kur është fjala për përcaktimin e shquarsisë së njëjësit në emërtimet gjashtëshifrore në guidat e Tiranës sidomos në T2 si prirje është trajta e pashquar, ndërsa në atë të Prishtinës dalin të dyja trajtat e njëjësit. Mendojmë se ajo që është praktikuar në burimet e Tiranës, duhet të respektohet pa rezervë nga të gjithë, ngase tek emërtimet e tilla 6-shifrore në tekstin e burimit në fjalë T2, qofshin emërtime njëfjalësha, kompozita, qofshin emërtime togfjalësha a perifrastike mjafton si trajtë e vetme: përfaqësuese njëjësi i emrit në trajtën e pashquar Dhe një zgjidhje e tilla as që ka nevojë të diskutohet, sepse përkon me rregullën që jepet si kriter edhe në Gramatikën e Akademisë.
Fundja, përzgjedhja e njëjësit të pashquar tek emërtimet e kodit gjashtëshifror e thamë se nuk ka nevojë të diskutohet, ndërsa tek kodet nga njëshifrori deri te katërshifrori, cilado nga trajtat që do të parapëlqehet si trajtë e vetme përfaqësuese: shumësi i pashquar ose shumësi i shquar funksionalisht mund ta kryejë misionin për mrekulli dhe kështu do të eliminoheshin me qinda e qinda lajthitje e dilema të trashëguara nga guidat e mëparshme, qoftë rreth shquarsisë së njëjësit, qoftë atij të shumësit.
E pesta, patjetër lypset respektuar e vërteta aksiomo-logjike se çdo profesion edhe ata perifrastikë në nisë duhet të paraprihen nga një emër vepruesi si emërtim profesioni e jo ndonjë emër veprimi ose ndonjë emër jo me kuptim të mirëfilltë profesioni, siç i kemi ndeshur në burimet që i konsultuam dhe i kemi gjykuar si lajthitje të rënda.
E gjashta, të gjitha emërtimet e profesioneve togfjalësha etj. nuk duhet të kenë shkurtesa fjalësh, vizëla ndarëse a kllapa të panevojshme, ngase çdo fjalë patjetër duhet të jetë në formën e plotë dhe përkufizimi i emërtimit duhet të jetë i qartë dhe sa më kuptimplotë.
E shtata, fjalë-termat ose fjalët sqaruese ose shprehjet e huaja në kuadër të tekstit të emërtimeve të profesioneve në shqipe, nëse nuk mund të zëvendësohen ose të kalkëzohen, ato patjetër duhet të sqarohen ose të transkriptohen si version i parë në alfabetin e shqipes.
E teta, fjalë-termat sinonimikë të stilit bisedor si dhe krahinorizmat nuk vijnë në konsideratë si emra të mirëfilltë të profesioneve, natyrisht në rastet kur ekzistojnë sinonime të pranuara nga standardi ose ekzistojnë modele të qarta dhe të kapshme fjalëformuese e fjalëndërtuese të pranuara normativisht, nga të cilat formohen emërtimet përkatëse që rastësisht nuk ekzistojnë, por potencialisht i përshtaten kontekstit kuptimisht e formalisht.
2) Konstatime përmbyllëse rreth plotësim-konsolidimit
të profesioneve në gjuhën shqipe
Edhe konstatimet përmbyllëse do t’i shprehim në disa pika, duke përsëritur e përplotësuar ndonjë temë të prekur më përpara gjatë analizës ose duke e trajtuar edhe ndonjë mini-temë paksa të re që sjell ndonjë risi, qoftë me përmbajtje të përgjithshme parimore, qoftë brenda strukturës emërformuese të emërtimit të profesioneve:
E para, për të pasur sukses të plotë rreth rihartimit të Listës kombëtare të profesioneve patjetër lypset respektuar modelet fjalëformuese që kanë treguar funksionalitet dhe në kuadër të tyre lypset inkorporuar pa hezitim shembuj të rij sipas gjedhes së parapëlqyer në bazë të rezultateve që kanë dalë nga studimet përkatëse, si p.sh.:
a) Prapashtesën –AN të përdoret pa hezitim në emërtimet e profesioneve nga ndërkombëtarizmave me –IK(ë) fundore, sikur tipi matematikan, fizikan, duhet të dalin edhe emërtimet statistikan, informatikan, kozmetikan, logjikan, semantikan, optikan, etj., etj., edhe pse ende nuk i ndeshim të regjistruar ashtu në FGJSH, ngase ky formant është treguar si model i qëndrueshëm edhe nga tradita e praktika e sotme nuk del i qortueshëm dhe në këtë vazhdë gjithsesi rastet me –CIEN, -CIENT, -C/IST, -IST, -ANT mbi këtë bazë duhet të korrigjohen menjëherë, veç rasteve të veçanta, qofshin edhe raste të vetmuara, nëse ashtu dalin të rrënjosura thellë.
b) Prapashtesa –IST të mos përdoret te rastet kur emërtimi i profesionit ose i studiuesit të degës përkatëse e shpreh nocionin përkatës plotësisht me –log fundore që i paraprijnë emërtimit të disiplinës përkatëse ditunore me –gj/i ose /i fundore si p.sh. ekolog jo ekologjist, terminolog jo terminologjist, zoolog jo zoologjist, embriolog jo embriologjist, morfolog jo morfologjist etj .
c) Madje edhe trajtat me –IST të shpifur pa nevojë te rastet daktilografist dhe ekologjist, edhe pse shënohen kështu në FGjSh 2006 duhet të thjeshtëzohen në daktilograf, ekolog, ngase shqipja për këso raste sidyjare nuk ka kurrfarë nevoje, andaj edhe këto dy raste duhet të kenë zhvillim të ngjashëm si fotograf, gjeograf ose psikolog, zoolog dhe assesi: fotografist, gjeografist, psikologjist, zoologjist(!) etj
Pra, në raste të tilla mjafton të përdoret vetëm trajta e shkurtër pa –IST fundore. Nuk duhet të na hutojë tipi: telegrafist, shaptilografist e raste të ngjashme, sepse fjala telegraf, shaptilograf, ashtu si shembulli i tipit telefon mbulojnë nocione të gjë-sendeve konkrete e jo emërtimin e profesionit përkatës, andaj në raste të tilla emërtimi i profesionit del me prapashtesën -IST: telegrafist, telefonist, shaptilografist e kështu me radhë.
ç) Po ashtu kur është fjala te formimet me –IST, mbi temë ndajfoljore, siç është shembulli instrumentalist, edhe nëse e ndeshim ashtu në gjuhë të huaja, në shqipe del si trajtë jo e drejtë, sepse në shqipe i qëndrueshëm do të dalë emërtimi i mbështetur vetëm mbi fjalë-temën emërore, si b.f. instrument ((instrument+ist) – instrumentist.
d) Rastet me –EUT dhe ato me –AR fundore, në raport me trajtat me -IST tipi terapeut/terapist ose bibliotekar/bibliotekist që u prekën paksa në pjesën e mëparshme që mbeten të diskutueshme mund të përdoren edhe me trajtën me -IST, për derisa ekspertët ta japin zgjidhjen e tyre, prandaj këtu nuk po zgjatemi më tepër.
dh) Kur fjalë-temat e huazuara të emërtimeve të profesioneve me prapashtesën –ATOR (më fort folje se emra të përftuara nën ndikimin e italishtes) fillojnë të foljezohen, patjetër duhet parapëlqyer trajtat e shqipes dhe ato të porsalindura, sidomos atëherë, kur emërtimet me –ATOR ose -TOR nuk janë ndërkombëtarizma, por edhe në raste të tjera, kur janë ndërkombëtarizma të mirëfilltë si. p.sh në raportet dysore: operator/operues, numerator / numrues, programator / programues, manovrator / manovrues, axhustator / axhustues, saldator / saldues, etj., duhet pranuar si të tillë, por siç është cekur më përpara përparësia e trajtës përkatëse varet nga stili i të shprehurit të dysorëve në raportin plasim/rezervë.
Kuptohet jeta e mëtejshme e dysorëve të tillë varet edhe sforcimi i foljes përkatëse në shqipe: operoj (me operue), programoj (me programue), manovroj (me manovrue), axhustoj (me axhustue), saldoj (me saldue) e kështu me radhë, në përdorimin e përditshëm zyrtar sipas nënfushave semantike dhe llojit të stilit funksional. Nëse kemi të bëjmë me stilin shkencor akademik në simpoziume shkencore etj., kur raporti me gjuhët e huaja është ndërndikues, atëherë ndërkombëtarizmat me –ATOR ose –TOR, tipi operator, mbase mund të jenë të parapëlqyeshëm ose gjithsesi të paqortueshëm, ndërkaq, në situata, kur procesi i konvertimit në raste del i zhvilluar, sidomos në ligjërimin popullor etj, trajta me prejpjesorin përkatës duhet konsideruar me konkurrencë të fituar dhe në raste të tilla trajta me –ATOR a –TOR kalon në pjesën e rezervës, por ende nuk mund të quhet fjalë e pasivizuar.
e) Lidhur me sa më lart del edhe një dukuri tjetër që ka të bëjë me polisemantizëm ose me homoniminë shkrimore të emrit përkatës të huazuar si dhe atij të shqipëruar në prejpjesor, të cilët dalin edhe si emërtim i njeriut sipas profesionit, por edhe si emërtim i një aparati a gjësendi konkret. Më poshtë po i japim disa shembuj të tillë së pari me fundoren –A/TOR të huazuar sipas mënyrës transfer dhe së dyti po i përsërisin të njëjtit me fundore-prapashtesën -UE/S, të pëftuar nga zhvillimi i brendshëm i shqipes:
a. operator, axhustator, numrator, programor a programator,
distributor, izolator, kalkulator, kontrollor, stabilizator,
manovrator etj.,
b. operues, axhustues, numrues, programues, distribues, izolues,
kalkulues, kontrollues, stabilizues, manovrues, e kështu me radhë,
prandaj lidhur me këtë shprehim mendimin se është shumë më me vend të insistohet që emrat prejpjesorë me -(A)TOR fundore, nga pika a) të përligjen vetëm si emërtime të aparateve a të gjë-sendeve konkrete, të cilët edhe ashtu e kanë cilësinë e ndëkombëtarizmës a të fjalës ndëkombëtare, ndërsa trajtat e emërtimeve nga pika b) të përligjen vetëm si emërtime të njerëzve sipas profesionit.
Me këtë duam të themi se nuk jemi të pëlqimit që edhe emërtimi i aparatit të shqipërohet si prejpjesor, siç vërehet në burime të caktuara. Po japim një shembull konkret në të dyja versionet, siç mendojmë ne se lypset diferencuar dallimi semantik edhe me format shkrimore të emrit përkatës, p.sh.:
1) Operuesit tanë po kontrollojnë operatorat e makinerive që sapo u vunë në veprim në impiantin tonë.
2) Operatorat e sapo ardhur u vunë në funksion nga operuesit tanë në impiantin përkatës
Me thënë të drejtën një prirje e tillë tashmë vërehet gjithnjë e më shumë në mjediset tona të caktuara si, p.sh.
Operatorat ilegalë ia ulin vlerën PTK-së. (Shih: Zëri 07.10.
Operuesit e PTK-së shkyçen operatorat ilegalë.
Gjithsesi, për natyrën e shqipes plotësisht është normale që emërtimi i profesionit përkatës me dalë si prejpjesor, rastet: operues, numrues, programues, manovrues, axhustues, distribues, izolues etj. ndërsa aparatet le ta ruajnë trajtën origjinale të huazimit tranfer, siç u shënuan më sipër: operator, numrator,programator, axhustator, distributor, izolator.
Ky dallim që tani është në proces e sipër, supozojmë se në të ardhmen mund t’i diferencojë edhe më mirë nënfushat përkatëse semantike.
ë) Po kështu emërtimet e profesioneve e me trajtat fundore:–ER/-IER, -IST/-C/IST, –ANT etj. mund të konvertohen në trajtën me –UE/S, ose me ndonjë formant a fundor tjetër të shqipes, kur tema prodhuese e fjalës së huaj del e shqipëzuar ose e foljezuar zakonisht me –O/j ose me–UE fundore të pjesores si p.sh.; forme / formues, prese a presist / presues; gomist / gomëtar, muzikant / muziktar (muzikues), elektricist /elektrikan, shifrant/ shifrues, diskutant/ diskutues, e kështu me radhë.
E dyta, kur del e nevojshme mund dhe duhet të krijohen ose të modifikohen edhe emërtimet të reja.. Po për t’u formuar një fjalë të re nevojiten njohuri praktike e teorike, natyrisht njohje solide e sistemit fjalëformues të shqipes, sidomos në nënfushën përkatëse. Gjithsesi fjala e re duhet gjithandej të ketë mbështetje edhe logjike në përputhje me kontekstin të cilit do t’i takojë. Andaj, lidhur me këtë po rrëfehemi se si rastisi që u detyruam me krijue ose me formëzue një fjalë të re për të arsyetuar profilimin e emërtimit përkatës ose të grup-emërtimeve përkatëse të profiluara që na mungojnë, qoftë në krahasim me realitetin tonë, qoftë me nevojën e gjetjes së barasvlerësve në raport me zgjidhjet që jepeshin në gjuhë të huaja. Është fjala për disa profile profesionesh ose punësh e detyrash që lidhen me përpunimin e gëzofit.
Siç dihet me fjalën gëzof sot për sot parësorisht mbulohet koncepti i një veshe të gatshme, nocion ky që në gjuhë të huaja ka këta barasvlerës:
turqisht kurk (qyrk), angl. fur, it. pelliccia, fr. fourrure, serb. kozhuh, gjerm Pelz
dhe siç dihet në shqipe emërtimi i profesionit me profilim të gjerë del gëzoftar, ndërsa pa profilim të ngushtë del gëzofpunues, gëzofshitës etj. dhe me profilim të ngushtë mund të dalin edhe më shumë emërtime si gëzofqepës, gëzofhekurosës, gëzofpastrues, gëzofarnues, qepës i pullave të gëzofit në gëzoftore, përzgjedhës i modeleve të gëzofave sipas ngjyrës (sipas cilësisë, sipas moshës: gëzofa për fëmijë, për pleq, për të rinj), pastaj sipas madhësisë, sipas gjatësisë etj. dhe për të gjitha këto koncepte në gjuhën shqipe, po thuaj, normalisht i gjejmë ose mund të krijojmë barasvlerës të qëndrueshëm, ngase aftësia e emërformimit në gjuhën në bazë të strukturës fjalëformuese na jep një mundësi të tillë.
Këtë që sapo e thamë vlen për rastet kur kemi parasysh konceptin e gëzofit si veshë a veshje të gatshme, por kur është fjala për materiale gëzofi dhe për procesin e përpunimit të materialit ose të lëndës gëzofore në krahasim me termat përkatës të gjuhëve të huaja në gjuhën tonë hasim, siç hasëm edhe ne në vështirësi të pakapërcyeshme, sepse paraqiten vështirësi në krijimin e barasvlerësve të përshtatshëm përkatës mbi bazë të fjalës gëzof. Kështu, sipas guidave që konsultuam edhe për konceptet e tilla përdoret po fjala gëzof, që për ne janë tejet të papërshtatshme, kur kemi parasysh konceptin e gëzofit si veshje konkrete.
Ja disa shembuj ku procesi i punës që diktohet sot për sot e për nesër është i papërshtatshëm për konceptin fjalës gëzof si veshë e gatshme:
qethës i gëzofit; rrjepës i gëzofit; rregullues i fibrave të gëzofit, tendosës i gëzofit, zhveshësh i gëzofit (f. 90.), pastrimi i gëzofit nga mishi etj. etj.
S’do mend se nga përmbajtja e këtyre emërtimeve kuptojmë se nuk kemi të bëjmë, pra, aspak me gofin si veshë të gatshme, po kemi të bëjmë me lëkurën e kafshës ose atë artificiale sintetike, e cila përpunohet në gëzoftore (fabrikën përkatëse), ku prodhohet edhe vesha që quhet gëzof. Pikërisht kjo lëkurë qoftë e kafshëve, qoftë sintetike në gjuhë të huaja ka emërtimin e posaçëm, si p.sh.:
angl pelt, gjerm Fell, it pelle, fr. feau, serb. krzno.
Lidhur me këtë në guidën e Prishtinës i ndeshëm këto dy emërtime:
1) teknolog/teknologe për lëkurtari dhe gëzofe (f. 31 dhe
2) teknik/teknike i teknologjisë së lëkurës dhe gëzofeve (f. 45, 414).
Pra edhe te këta dy shembuj shihet se hartuesi e krijon si duket spontanisht një fjalë të re nga nevoja për konceptin që del jashtë konceptit të gëzofit si veshë konkrete, por si koncept të materialit gëzofor, duke e femërorëzuar emrin gëzof të gjinisë mashkullore me prapashtesën –E gëzofe (njëjës dhe shumës).
Edhe ne duke hetuar një mungesë të tillë në gjuhën tonë, ngase kuptimi që jepet në fjalorët tanë me shumëkuptimësinë e fjalës gëzof që përfshin të dyja kryekonceptet, siç e cekëm më sipër, nuk mund të ishte e përkapshme e funksionale për këtë zgjerim kuptimi, prandaj për konceptin që lidhet me lëkurë- gëzofi, qoftë nga kafshët, qoftë nga fibrat atificialë krijuam ose fomëzuam nga gëzofe emrin gëzofje, si barasvlerës pakashumë të plotë për konceptet e fjalëve të huaja që u cekën më sipër.
Për krjimin e fjalë-emrit gëzofje patëm mbështetje me dhjeta përftime të ngjashme që tashmë dalin jo vetëm në jetën praktike, por janë edhe të regjistruara në fjalorët tanë normativë, që ne sa për ilustrim tash po përmendim vetëm këto tri përftime: bukje, brumje, ballje, andaj siç e krijuam ashtu dhe propozojmë që kjo fjalë gëzofje të hyjë në përdorim si barasvlerës i fjalëve të huaja të sipërcekura që siç e pamë me to emërtohej materiali që përdoret në teknologjinë e përgatitjes së veshës të quajtur gëzof,
Pra sikurse brumje për brumë, bukje për bukë, ballje për shirit balli ose si te shembujt e tjerë si: këpucje ,frytje, leshje, barkje, kokje, këmbje, flokje etj., analogjikisht doli edhe emërtimi gëzofje. Fundi i fundit vetëm kështu, nëse trajta gëzof për konceptin e materialit përkatës zëvendësohet me gëzofje emërtimet e sipërshënuara dhe disa të tjera që dalin në numër të konsiderueshëm që i ndeshim në nomenklaturën e guidave përkatëse kanë kuptim normal në ligjërimin shqip. Krahaso:
qethës i gëzofjes; rrjepës i gëzofjes; rregullues i fibrave të gëzofjes; tendosës i gëzofjes, zhveshës i gëzofjes, pastrimi i gëzofjes nga mishi etj.
Fundi i fundit për të njëjtin koncept ne e formëzuam fjalën gëzofje me prapashtesën –JE, ngase na u duk se ka model më të qartë semantikisht se ajo me –E gëzofe që e ndeshëm në guidën e Prishtinës.
Sidoqoftë, po përsërisim, ashtu si me fjalët aktive të gjuhës sonë brumje, bukje bukja, ballje ballja dhe me dhjeta shembuj të tjerë që shprehin gjë-sende konkrete që ndërlidhen në njëfarë mënyre me konceptet e fjalës bazë temëprodhuese fjalëformuese e motivuese: brumë, bukë, ballë etj. pikërisht ashtu sipas atij modeli u përftua edhe fjala gëzofje, ku (nën)kuptohet qartë koncepti i lëndës, qoftë si lëkurë kafshësh, qoftë si pëlhurë artificiale (sintetike) me të cilën punohet gëzofi.
E treta, në botimin e fundit (në guidën T2) në grup-njësinë e emërtimit kozmetologë që lidhet me fushën e kozmetikës dalin këto profesione të profiluara:
estetist, grimer për skenë, grimer për studio,
manikyrist, pedikyrist dhe kozmetist,
dhe që për të gjitha këto emërtime e shohim të nevojshme të themi diçka që emërtimet e tilla i bën të diskutueshme.
Së pari, trajtat kozmetolog, kozmetist që e ndeshim në botimet e Tiranës (T1 dhe T2 (f. 52) dhe aq më keq në botimin e Prishtinës PR), kosmetolog që asociacionon edhe trajtën kosmetist, jo vetëm janë të diskutueshme, por janë të patolerueshme. Janë tejet të patolerueshme, madje këto të fundit edhe neveritëse, sepse asnjëra as tjetra trajtë nuk motivojnë destinimin. Trajtat e para më tepër na kujtojnë kozmosin, se kozmetikën, aq më keq trajtat e dyta na sjellin në kujtesë fjalën kosmet ose kosmetolog (studiues i Kosmetit(!) ( Kujto: Kosmet – Kos/ovë e Met/ohi), sepse po kështu ende quhet shkurt Kosova nga të frustruarit. Pra, sipas asaj që thamë trajtat e tilla na sjellin ndërmend parësorisht diçka tjetër, por jo konceptin e fjalës kozmetikë, që është emërtimi i zanatit të artit të bukurisë, të cilës i referohen.
Sidoqoftë, trajtat e tilla nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë që të mbesin të pranishme në gjuhën tonë Është fjala, pra, siç u tha, për profesionin që ka të bëjë me kozmetikën, prandaj s’ka pasur arsye që mos të jetë emërtimi i studiuesit në trajtën kozmetikolog (jo kozmetolog as kosmetolog), ndërkaq emri i ushtruesit të profesionit përkatës të jetë: kozmetikan (jo kozmetist as kosmetist). ngase vërtet vetëm emërtimet kozmetikolog dhe kozmetikan na motivojnë që ta kuptojmë më lehtë konceptin lidhur me kozmetikën, me dijen ose zanatin e zbukurimit.
Së dyti, në kuadër të profesionit që lidhet me kozmetikës në T2 ndeshim emërtimin estetist, i cili sikurse kozmetist a kosmetist është i paqëndrueshëm, ngase në atë trajtë nuk e ndeshim në asnjë gjuhë të botës, madje edhe në shqipe nuk motivohet asgjë nga tema e tillë prodhuese. Atë koncept e ndeshim të mbuluar kështu me fjalë-termat përkatëse në gjuhë të huaja:
angl aesthete, fr. estheta, it. esteta, sp. esteta, gjerm Esthetiker, sued. estete, ndërsa serbisht esteta dhe estetiçar.
Pra, siç po shihet, në asnjërën nga gjuhët e huaja nuk e ndeshim trajtën estetist, madje edhe në shqipe për konceptin ai që merret me estetikë e ndeshim trajtën estet, (Shih FGJSH
Së treti, aty e ndeshim edhe emrin e profesionit grimer dhe në raste të tjera ndeshim grimist, që për ne nuk janë të kritikueshme, as njëra as tjetra, por ne pasi kemi rastisur ta ndeshim trajtën grimues, e dalë nga folja grimoj (me grimue), ngase siç e kemi cekur më përpara folja e tillë do të jetë krijuar nën ndikimin e trajtës së huazuar foljore që ka si bazë emrin grim ose edhe nga vetë koncepti i emrit grim që është i regjistruar si fjalë aktive e shqipes (shih FGJSH f. 328), atëherë të dyja trajtat grimist dhe grimer që i ndeshim në guidat përkatëse dalin të goditura nga trajta e prejpjesorit të shqipes grimues. Siç e kemi përmendur edhe më parë, një prirje a zhvillim i tillë rreth zëvendësimit të konceptit të fjalës të huazuar me prejfoljorin përkatës duket si zhvillim shumë normal dhe i arsyeshëm në shqipen e sotme.
Së katërti, i quajmë të diskutueshme edhe trajtat e dy emërtimeve manikyrist dhe pedikyrist, jo vetëm për shqiptimin me –Y-së, por edhe për prapashtesë-fundoren –IST, e cila, siç do të shohim del e tepërt, del si formant i shpifur pa nevojë, ngase ajo nuk del fare në gjuhë të huaja. Ja si dalin emërtimet për konceptin në fjalë në gjuhë të tjera:
1) Shembulli i parë:
angl. manicure, gjerm. Handpflege, fr.manicure, it. manicure, sp. manicuro, serb. manikyr,
profesion ky që ka të bëjë me kurimin ose përkujdesjen e duarve (të thonjve të duarve etj), prandaj në shqipe na duket se më e arsyeshme është me dalë trajta manikurues ose duarkurues duarkuruese se sa manikyrist manikyriste (sipas shqiptimit frëng).
2) Shembulli i dytë:
angl. chiropodist, gjerm, Pedikeur, fr. pedikur, it. pedicur, sp. pedicuro, serb. pediker,
koncept ky që ka të bëjë me kurimin a përkujdesjen e këmbëve (gishtave, shputave), andaj s’ka arsye që në shqipe mos me dalë emërtimi i profesionit pedikurues ose këmbëkurues.
Në të mirë të propozimit tonë del fakti se folja kuroj (me kurue a me u kurue), sipas fjalorëve normativë të shqipes është e regjistruar si fjalë aktive e fjalësit të gjuhës sonë dhe së ketejmi është detyruese(!) me u përdorë në shqipen standarde.
E katërta, kur i lexon njeriu emërtimet e profesioneve nga fusha ekonomike, tekniko – teknologjike, të elektroteknike e makinerike dhe të llojeve të tjera, na shkon mendja se jo vetëm përkthyesit, e pa përvojë, por as disa nga ekspertët e degëve përkatëse, jo vetëm te ne po edhe në Shqipëri e më gjerë, nuk i kanë të qarta dallimet semantike të termave uzinë, fabrikë, impiant, ngrehinë, stabiliment, repart, sektor, seksion, punëtori, punishtë, axhusteri, e të ngjashme, sepse një ngatërresë të tillë e ndeshim edhe në emërtimet e profesioneve në burimet në fjalë.
Po ia rikujtojmë lexuesit fjalë-termat me origjinë italiane axhusteri, repart dhe stabiliment që tek ne janë përdorur edhe me ndryshim (zgjerim) kuptimi që ashtu nuk përdoren as në Shqipëri dhe as në Itali.
Gjithsesi përkufizimet e termave të sipërcekur e të tjerë, që lidhen me organizimin e punëve në shkallë kombëtare e ndërkombëtare duhen ritrajtuar (rishikuar) e zgjidhur nga ekspertët e përgatitur ne shkallë kombëtare e ndërkombëtare, pra jo vetëm brenda shtetit shqiptar, por të kihen parasysh edhe shtetet e tjera, ku gjuha shqipe del e përdorur, qoftë në administratë, qoftë në masmedia e sektorë të tjerë. Sa për ilustrim po japim dy shembuj:
1) punëtor i uzinës së përzierjes së betonit (f 93)
2) operator i impiantit të prodhimit të plehrave kimikë (f. 95).
Në rastin e parë, me sa dimë, kemi të bëjmë më shumë me konceptin e impiantit se të uzinës, ndërsa te rasti i dytë më tepër kemi të bëjmë me operuesit në kuadër të uzinës ose të fabrikës se me operues të një impianti, ngase në uzina ose fabrika prodhohen plehra kimikë. Sido që të jetë këto gjëra duhet të qartësohen në shkallë shtetërore a ndërshtetërore, para se të formulohet emërtimi i profesionit përkatës.
E pesta, për ne janë paksa të diskutueshëm këta dy emra profesionesh: gravurues dhe degustues, sepse foljet përkatëse gravuroj (me gravurue) dhe degustoj (me degustue), që sipas rregullit duhet t’u paraprinin emrave në fjalë gravurues, degustues, nuk dimë sa janë të pranishme për mos me thënë aktive në gjuhën tonë? Po i analizojmë paksa radhazi këto dy raste:
a) Për rastin e parë gravurues ose gravurist (shih guida e Prishtinës f. 300) nga gravurë mendoj se nëse nuk mjaftojnë sinonimet e shqipes skalitje skalitës dhe gdhendje gdhendës për zëvendësimin e një fjalë-termi të tillë, atëherë mbase më e pranueshme mundet me dalë trajta e emrit të profesionit gravues nga folja gravoj. Në të vërtetë, trajtën gravoj si folje dhe si emër vepruesi gravues, e ndeshim në ligjërimet tona, por edhe në guidën e Prishtinës gravues/gravuese shtypës (f. 299), mbase e përftuar nga trajta e foljes së frëngjishtes graver, por edhe në anglishte del folja (to) ingraver, por mund të jetë ndikuese edhe trajta serbokroatishtes gravirati (e cila nuk del mbi bazë të emrit gravura) dhe së këtejmi nga folja gravoj (me gravue) del i arsyeshëm emërtimi gravues. Gjithsesi më i përshtatshëm për shqiptim e kuptim del gravues se gravurues, edhe pse ky i fundit ka për bazë emrin gravurë.
b) Edhe për rastin degustoj për mendimin tonë mjafton barasvlerësi shijues ose provues (i shijes së lëngjeve, gjellërave etj.), por sidoqoftë, ekspertët e standardologët le ta thonë fjalën e tyre.
E gjashta, si pikë më vete po e trajtojmë edhe trajtën e emrit roje (T1 e T2, (f. 107), trajtë kjo që në FGJSH del rojë roja. S’do mend se është shumë me vend kërkesa që të respektohet trajta e normëzuar rojë-roja, jo roje roja dhe për këtë s’duhet pasur mëdyshje. Megjithatë, edhe lidhur me trajtën rojë roja del diçka që lypset sqaruar. E kemi fjalën për njëgjininë gramatikore (femërore) të fjalës së tillë, e cila në të vërtetë, është përftuar nga trajta e foljes ruej (me rue) – ruaj ruajtur *ro+J+Ë rojë si të gjithë emrat prejfoljorë pandajshtesorë, të tipit drojë, mbulojë, rrojë etj., të cilat nuk mund të mashkullorëzohen dot.
Sidoqoftë, edhe trajta e qëndrueshme me Ë fundore rojë roja, formalisht i takon vetëm gjinisë gramatikore femërore, ndërsa realisht si rojë me kuptim profesioni, nga tradita, nënkuptohet zakonisht personi i gjinisë mashkullore, ai që bën rojë. Prandaj themi se kjo trajtë del e diskutueshme, ngase nuk ka mundësi të mashkullorëzohet as me tregues të tjerë për të treguar gjininë e vepruesit. Nuk thuhet ky roje ose ky rojë, po kjo rojë. Prandaj shikuar nga ky aspekt trajta sinonimike rojtar del më e parapëlqyer, sepse gramatikisht shprehen normalisht të dyja gjinitë e emrit: m. rojtar, f. rojtare, madje më mirë se rojës/rojëse që ndeshet në gjuhën e folur te ne, por pa koncept të rojës zyrtare.
Megjithatë, për mendimin tonë, trajta rojë roja jo roje roj(j)a !, pasi del si trajtë e ngulitur le të mbetet në përdorim vetëm për rastet si rojë personale, përkatësisht truprojë, e për të gjitha konceptet e tjera më natyrshëm na duket se duhet të përdoret trajta sinonimike rojtar si trajtë përfaqësuese e profesionit. Pa dyshim duhet tërhequr vërejtje se parapëlqimi i trajtës rojtar, pra, nuk përjashton plotësisht nga përdorimi trajtën rojë roja, por duhet pasur kujdes që në asnjë rast mos të përdoret roje (me –E fundore), siç e ndeshim në burimet profesionale(!) që i patëm në shqyrtim.
E shtata, si pikë të fundit po e diskutojmë paksa si realitet të njohur raportin e emërtimeve të punonjësve të angazhuar drejtpëdrejt në shkollën a arsimimin shqip në Shqipëri e në Kosovë, se si qëndron i pasqyruar ky realitet lidhur me përdorimin e profesioneve në burimet zyrtare profesionale që i trajtuam më sipër?
Kështu, b.f., ndërsa në guidën e Tiranës dalin mbi 200 emërtime me fjalën mësues në atë të Kosovës nuk del asnjë. Po kështu ndërsa në Kosovë del emërtimi arsimtar për disa emërtime, numër i konsiderueshme (16 raste), në botimin e Tiranës nuk del asnjë. Nuk përputhen aspak as konceptet që mbulojnë emërtimet, jo vetëm mësues e arsimtar, por as të tjerat si pedagog, profesor, jurist, inxhinier etj. Dihen shkaqet e një joharmonizimi të tillë, por tani duhet me u bë i mundshëm një harmonizim i tillë. Po lehtë është me thënë, po si duhet me u bë, dhe çka duhet me ndërmarrë, janë pyetje që kërkojnë përgjigje.
Për mendimin tonë, shumë gjera mund të kthjellohen, madhe edhe të harmonizohen që në takimin e parë të ekspertëve, të cilët kërkojmë të japin përgjigje të menjëhershme në këto pyetje, nëse i kanë ose le të përgatiten me i pasë të gatshme sa më parë, sepse e kanë për detyrë:
Pse mos të bëhen i mundshëm kthimi i fjalë-termit zyrtar mësues në guidën e Prishtinës, sidomos për punonjësit e arsimit të ciklit të ulët të fillores?
Pse mos të rishikohet emërtimi mësues në Shqipëri, për ciklin e lartë të fillores të shkollës së mesme ose të shkollës për kualifikime të larta?
Pse mos të quhen mësimdhënës (profesorë a ligjërues) ata që në Shqipëri quhen pedagogë, kur dihet fakti se në Prishtinë ekziston dega e pedagogjisë pranë Fakultetit të shkencave shoqërore, ku titullin pedagog e kanë marrë ose e marrin studentët që e kanë kryer ose e kryejnë atë degë të fakultetit dhe si të tillë sipas konceptit që përdoret kjo fjalë në Shqipëri, ata nuk mund të jenë pedagogë?
Madje si mund të harmonizohen emërtimet përkatëse, kur në guidën e Prishtinës ekzistojnë vetëm tri emërtime me emërtimi pedagog: pedagog baleti, pedagog social dhe pedagog-arsimim parashkollor, kurse në guidën e Tiranës T2, janë mbi 70 raste emërtimesh me emërtimin pedagog, kurse si barasvlerës të termit pedagog për arsimim parashkollor të Prishtinës në T2 dalin këto tri emërtime:
mësues parashkollor, edukator çerdhe dhe edukator kopshti.
Po rikujtojmë faktin se në shkollat fillore, madje edhe të mesme te ne është e preferueshme që të punësohet pedagogu, i cili kryen punë e detyra të caktuara nga vendi i punës, si pedagog shkolle. Fundja jemi të njohur edhe me faktin tjetër se në industrinë bashkëkohore qysh moti është paraparë vendi i punës pedagog industrial etj., i cili kryen punë e detyra të tjera, gjithsesi jo si ligjërues fakulteti, sipas konceptit të guidave të Tiranës?
Si duhet vepruar, pra në raste të tilla, kur në Kosovë nuk është paraparë fare emërtimi edukator ose edukatore?
Pastaj, si mund të zgjidhet çështja e titujve në diploma e arsimtarit, të inxhinierit, juristit, kur në Kosovë ata që e kanë kryer shkollën e lartë, me program 2 vjeçar ose 2 vjet të fakultetit të shkallëzuar, kanë marrë titullin arsimtar, inxhinier, jurist, ndërkaq ata që e kanë kryer fakultetin me program 4-5 vjeçar kanë marrë titullin profesor i lëndës përkatëse ose inxhinier ose jurist i diplomuar d.m.th me fakultet të kryer?
Si të bëhet nostrifikimi i diplomave nga shkollat mesme, të të gjitha të shkollave të larta e të fakulteteve të të gjitha degëve e profileve në raportin Tiranë-Prishtinë-Shkup etj. në rastet kur emërtimi i profesioneve nuk përshtatet?
Sido që të jetë, pra, mund të shtrohen edhe shumë e shumë çështje të tjera të kësaj natyre, të cilat ende nuk kanë por kërkojnë zgjidhje. Dhe që të gjitha këto pyetje që i bëmë dhe të tjera, patjetër duhet të marrin përgjigje sa më parë. Nuk është e thënë që të gjitha emërtimet nga Tirana, duhet të kopjohen ose të diktohen pa oponencë. Fundi i fundit edhe Tirana si Prishtina e Shkupi duhet t’i paraqesin argumentet e veta, por edhe duhet me lëshue pe në të mirë të njëzimit të emërtimeve zyrtare, kështu dhe vetëm kështu me mirëkuptim të të gjitha palëve mund ta kemi një listë të njëzuar të emërtimeve të profesioneve në shkallë kombëtare.
Mbesin edhe mjaft çështje të patrajtuara prej nesh, edhe në degë të tjera të ekonomisë, teknologjisë e të shkencave etj., por ne po përfundojmë me kaq, duke kërkuar me forcë, sidomos nga organet përkatëse shtetërore që aq sa është e mundur të ndërmerren masa që sa më parë të bëhet harmonizimi i emërtimeve të profesioneve në shkallë kombëtare, madje gjithsesi para regjistrimit të popullsisë.
Në zgjidhjen e problemeve që shtruam i shohim fare të mundshme, nëse ekspertët nuk ndërlikohen me ndërskamcat e partive politike të kohës, krerët e të cilave nuk dimë se sa e kanë për zemër mbarëvajtjen e gjuhës shqipe në të gjitha fushat e dijes e të propagandës dhe të bashkimit së paku shpirtëror kombëtar. Punën tonë do ta quaja të suksesshme, nëse do të arrijmë që sadopak të cytim ndërgjegjen te faktorët përgjegjës që e kanë për detyrë nga pozita dhe vendet e punës që zënë që jo vetëm ta kuptojnë, por t’i qasen me seriozitetin e duhur për zgjidhjen e kësaj problematike (emërtimit të njerëzve sipas profesionit) me interes shoqëror, kombëtar e ndërkombëtar.
P ë r m b y ll j e
Në fund të këtij kreu, duke pasur parasysh edhe rezultatet nga krerët e mëparshëm të këtij punimi mund të nxjerrim këto përfundime:
Së pari, pa mohuar anën pozitive të tri guidave në shqyrtim duhet pranuar e vërteta se asnjëra nga ato nuk del pa të meta serioze, por megjithatë Lista kombëtare e profesioneve duhet të shërbejë si tekst bazë për hartimin e Listës së re unike të emërtimit të profesioneve në gjuhën shqipe dhe perspektivën e saj.
Së dyti, Lista unike kombëtare e profesioneve(2009) duhet të përplotësohet gjithsesi me materialin përkatës të korrigjuar edhe nga doracaku Klasifikimi i profesioneve në Kosovë (2006), duke shfrytëzuar nga ai patjetër lëndën e shtruar sipas pjesëve përbërëse të tij që nuk janë pa vlerë dhe në mënyrë të veçantë duhet shfrytëzuar si model pune lista alfabetike e profesioneve si dhe përshkrimi i punëve dhe të detyrave për profesionet e grupeve të veçanta, por gjithsesi duhet rregulluar e mbarështruar teksti përkatës sipas normës drejtshkrimo-morfologjike e sintaksore të shqipes.
Së treti, edhe nga guida pararëndëse e Listës bazë Standarti ndërkombëtar i nomenklaturës së profesioneve sipas ISCO-88 mund të merret lëndë e pakonsumuar e sidomos është i domosdoshëm teksti i pjesës hyrëse me formulimet e konstatimet përkatëse të qëndrueshme, i cili në raste edhe mund të përpunohet.
Së katërti, teksti i Listës bazë duhet t’i shtrohet korrigjimit rigoroz, ngase siç u pa nga analiza, përveç anomalive formale teknike kishte edhe të meta të tjera gjuhësore e përmbajtësore, të cilat duhet të përmirësohen në përputhje me normëzimin e shqipes standarde në fuqi dhe të përplotësohet sipas kërkesave të kohës dhe të pajiset me një gjithpërfshirje më të mirë si dhe me një përzgjidhje më cilësore të shembujve grup-përfaqësues të emërtimit të profesioneve.
Së pesti, gjithsesi duhet pasur parasysh materiali i vjelë nga Fjalori i gjuhës shqipe 2006 si dhe rezultatet nga analizat e bëra nga autorë të ndryshëm, por sipas kritereve përkatëse nga punimi i doktoratës, i cili tani i përpunuar dhe e përplotësuar paraqitet para opinionit nën titullin Rreth formëzimit të emërtimeve të profesioneve në gjuhën shqipe.
Së gjashti, patjetër duhet me pasë parasysh shifrimin sipas kodimit të grupeve të profesioneve, duke filluar nga kodi me numrin 1 deri te gjashtëshifrori dhe mundësisht shifrimi të jetë sa më unik e në përputhje me regjistrin e Zyrës Ndërkombëtare të Punës “ILO” dhe me guidat që përdoren në BE.
Së shtati, meqë kemi të bëjmë me listë unike të profesioneve në shkallë kombëtare në gjuhën shqipe patjetër duhet bërë sa është e mundur harmonizimi i emërtimeve jo vetëm në raport Shqipëri / Kosovë, por edhe me emërtimet që përdoren a duhet të përdoren në gjuhën shqipe si në Maqedoni, Luginë të Preshevës, në Viset shqiptare në Mal të Zi e më gjerë në hapësirën mbarëshqiptare, andaj edhe numri i emërtesave duhet të jetë në harmoni me kërkesat e tilla.
Së teti, kur kemi parasysh aktualitetin shoqëror e politik, kur ndodhemi në prag të regjistrimit të popullsisë, me ç’rast emërtimet e profesioneve duhet të shënohen dhe të kihen parasysh patjetër si e dhënë statistikore, propozojmë që menjëherë pa humbur kohë të takohet Komisioni përkatës i terminologëve ekspertë të gjuhës sonë nergut për harmonizimin e terminologjisë në përgjithësi dhe në veçanti për emërtimet e profesioneve, natyrisht duke bërë menjëherë atë harmonizim për çka është e mundur, çka mund të njëzohet së shpejti dhe çka mbetet në proces të njëzimit.
Gjithsesi puna e Komisionit përkatës i terminologëve do të jetë e suksesshme, nëse ekspertët u shmangën ndërskamcave të interesave të ngushta të stafeve të partive politike dhe gjithsesi, duke pasur parasysh interesin e përgjithshëm mbarëkombëtar, t’i rreken me seriozitet punës rreth zgjidhjes së problemeve lidhur me gjuhën e emërtimit të terminologjisë tekniko-shkencore në përgjithësi dhe për harmonizimin e profesioneve në gjuhën shqipe në veçanti..