Kulturë
Luan Rama: Dora d’Istria dhe gjaku i përzier i shqiptarëve
E diele, 21.11.2010, 06:54 PM
Dora d’Istria dhe gjaku i përzier i shqiptarëve
Nga Luan Rama
Në kohën që Dora d’Istria ndërmerr këtë udhëtim, në korrik të vitit 1862, ajo ishte në Francë një nga intelektualet më në zë, që shpesh e gjeje në esetë e saj të botuara në revistën më të njohur franceze Revue des Deux Mondes, (Revista e Dy Botëve). Meqë ishin të pakta, nga gratë në këtë revistë ishin vetëm tre: George Sand, Madame de Stael dhe Dora d’Istria, e cila kishte botuar një sërë esesh rreth folklorit shqiptar, serb, grek, apo botime historike mbi Francën, etj. Tashmë objekt i studimit të saj do të ishte Greqi, ku kishte mjaft të njohur e ku gjatë këtij udhëtimi, atë e shpallën në Athinë, “Qytetare Nderi” të qytetit. Pra ishte një intelektuale pa paragjykime që e vlerësonte artin dhe historinë greke.
Hipur mbi kalë, në atë karvan të drejtuar nga G. Papadhopulos, profesori i Shkollës së Arteve të Bukura dhe anëtari i Shoqatës Arkeologjike, Dora d’Istria, përshkoi Tebën, duke marrë rrugën drejt Eleusis, një vend i shenjtë i kultit të Demetrës. Rrugës ajo kalon në fshatin e Mandra-s, të banuar nga shqiptarët. “Në Mandra, si dhe në pjesën tjetër të mbretërisë, hapja e shkollave greke tenton t’i helenizojë shqiptarët, këtë racë energjike, hijerëndë dhe puntore, tepër të lidhur me luftën dhe bujqësinë. Ndërsa fshatrat grekë, si në shumë zona të tjera, janë veçse një grumbull kasollesh prej balte…” Nga Mandra, udha i çon drejt Vilari dhe në Paleo-Kundura. “Kohë më kohë, shqiptaret, të cilat nuk e kishin humbur bukurinë e racës së tyre, tani kalonin me gomerët e ngarkuar me degë pemësh… Rrethinat e Tebës, në përgjithësi janë të populluara nga shqiptarët, të cilët janë vendosur në fushë… por shqiptarët e ruajnë ende gjuhën e tyre”. Karvani ndalon në Mazi, sepse Dora duhet të takojë një shqiptare, më të pasurën e fshatit, një grua të bukur e shtatlartë që quhet Hiera. Kishte një porosi për të, por ajo u çudit që gruaja ishte e trishtë dhe rënkonte nga dëshpërimi… “Qyteti i Poros, shkruan ajo, - është i banuar nga 4500 shqiptarë dhe është ndërtuar mbi një shkëmb të madh, shpesh i përmbytur nga dallgët, që zgjatet në ishull si një e dalë tepër e ngushtë në det. Porti i madh dhe i bukur që ka ky ishull, ku ngrihet tempulli i Poseidonit, rrënojat e të cilit duken ende lart në mal, e ka bërë Poros-in bazën e vërtetë detare të Greqisë.”
Kur shkon në
Kur Dora d’Istria pikëtakonte Bubulinën
Të nesërmen Dora do të ndërmerrte një udhëtim të veçante: do të shkonte të pikëtakonte gjurmët e Bubulinës, një figurë që e frymëzonte në veçanti e për të cilën fliste në disa shkrime të saj. Hipur në anijen e quajtur Othon, (me emrin e mbretit të parë të mbretërisë greke, të caktuar nga Fuqitë e Mëdha), ajo tashmë i drejtohet ishujve ishujve Hidra e Specia, dy ishuj me ngulimet e vjetra shqiptare që nga shekulli XIV, që nxorrën shumë heronj që aq shumë i dhanë Revolucionit grek, duke i sulmuar osmanët me anijet e tyre në detrat e Greqisë, dhe së pari në Argos, Nafplio, gjirin e Salaminës, e kudo. Dhe Bubulina ishte heroina e detit. “Kur shpërtheu Revolucioni, - shkruan ajo, - ditën e “Lajmërimit të ngjitjes në qiell të Jezusë” të vitit 1821, Bubulina ngriti flamurin nacional mbi anijet e saj. Tri nga anijet, ajo i nisi në Epidor dhe në Melos, ndërkohë që vetë, me anijen më të madhe të saj, e shoqëruar nga 139 marinarë dhe dy djemtë e saj, Jani dhe Niko, ajo u nis drejt Nafplios. Një francez, koloneli Vautier, i cili e pa atë gjatë rrethimit të Nafplios tregon në kujtimet e tij se “ajo ishte ende e bukur dhe se sjelljet e saj ishin të drejtpërdrejta. Ajo qesh me gjithë zemër kur ne i themi se sa shumë flitet për të në
Dora d’Istria ka dëshirë të tregojë për jetën e kësaj heroine që është e denjë për romane, të tregojë për aventurat e saj, angazhimin në Revolucionin grek dhe betejat e panumurta që zhvilloi në det kundër osmanëve, ku u vra dhe një nga bijtë e saj. Ajo nuk mungon të tregojë dhe për vrasjen e saj, ashtu siç e dëgjoi nga speciotët e hidriotët, apo vetë djali i saj, jo në një betejë, siç mund të kishte ndodhur gjatë gjithë atyre viteve lufte, por në ballkonin e shtëpisë së saj, pas revolucionit, në ditët e para të lirisë, duke i dhënë strehë vajzës që kishte rrëmbyer djali i saj dhe ku një plumb i njerëzve të asaj vajze e kishte marrë mu në ballë. Në Athinë, ashtu siç e kishin lënë, Niko Boboli erdhi ta takonte. Me këtë rast ai i solli dhe kafkën e të ëmës, meqë Dora kishte ngulur këmbë që ta shikonte nga afër. Dhe ja, tani ajo e kishte në dorë kafkën e asaj gruaje që kishte hyrë në legjendë. “Kafka e saj ishte e vogël dhe me një formë të rregullt, - shkruan ajo në librin e saj, - kur Boboli erdhi të ma tregonte në Athinë, e pyeta nëse ia kishin kthyer pasuritë që ajo i kishte vënë në shërbim të Greqisë. Por ai mu përgjegj me trishtim se familja e tyre kishte rënë në mjerim, pasi qeveritarët që zevëndësonin njëri tjetrin, asnjëherë nuk kishin menduar për këtë… Në orën nëntë të mëngjesit ne kaluam para ishullit të Hidrës. Qyteti me shtëpitë e tij, të cilave thatësira dhe klima u kishte dhënë një bardhësi të përherëshme, mbartëte gjithashtu dhe mullinjtë me tetë krahë, të cilët ngriheshin në një lartësi të madhe. Një amfiteatër i vërtetë mbi manastirin që kishte një pamje madhështore. Atje më treguan shtëpinë katrore me kanate jeshile që e mbronin nga era: ishte shtëpia e navarkut Miauli. Më treguan pastaj njëra pas tjetrës shtëpitë e Konduriotit dhe të prijësave të tjerë, të cilët bënë sakrifica bujare me pasurinë e tyre për Greqinë e dashur.”
Gjatë qëndrimit në ishull, ngado Dora-n e shoqërojnë speciotë e hidriotë, që siç thotë ajo “janë burra të fortë e me lëvizje të fuqishme, ku në sytë e tyre të zinj mund të shohësh pasionet e zjarrta të Shqipërisë krenare. Duket që miqësinë e tyre ata e çojnë gjer në kufijtë e fanatizmit, që gëzimin e tyre e çojnë gjer në delir, dhimbjen gjer në furi, ndërsa zemërimin gjer në një ndjesi të pamëshirëshme”. Duke lexuar këto rreshta të Dora d’Istria-s, mu kujtua ajo ditë, disa vite më parë, kur pasi kisha përkthyer librin e Michel de Grèce Bubulina, rikthehesha në Specaj. Madje shkova dhe në muzeun e Bubulinës, ku në sallonin e madh ishin shtruar dhe mindere rrëze mureve si në Shqipëri. Përgjegjësit të muzeut kur i fola për librin e Michel de Grèce, (nga familja mbretërore e Greqisë) dhe përkatësinë shqiptare të heroinës, siç e tregonte me detaje të hollësishme ky autor francez, ai filloi të nxehej e ta mallkonte atë, pasi nuk ishte e vërtetë se Bubulina na kishte gjak shqiptari. Asnjë nga heronjtë e Revolucionit Grek nuk kishte qënë shqiptar, duke filluar që nga Marko Boçari. E kuptova menjëherë se ky lloj nacionalizmi, edhe pse ishin në fillimin e mijëvjeçarit të tretë dhe në një kohë moderne, përsëri nuk ishte shqitur nga zemrat e shumë grekëve.
“Në Specaj flasin ‘arvanitika’, pra shqip, gjuhën tonë, - shkruan Michel de Grèce përmes gojës së Laskarinës. - Në fakt, nëna, ati im dhe unë, ishim grekë pa qënë të tillë.
Laskarina
Laskarina Bubulina u rrit në një ambient arvanitas, me këngët dhe zakonet e tyre, të njëjta me ato të Shqipërisë së jugut. Të njëjtat këngë, mite e rite. Shumë e re ajo dashurohet me një grek nga Specaj, të quajtur Jonuzas, që atë kohë, si gjithë burrat e këtyre ishujve, rrihte detet e Greqisë dhe të Mesdheut. Në historinë e atyre ishujve, Bubulina do të ishte e para grua që do të thyente zakonin e vjetër. Duke ia lënë fëmijët nënës së saj, ajo ishte e para që e ndoqi të shoqin në det. Ai e mori atë në portet e Italisë dhe të Dalmacisë, e çoi tutje në Smirnë (Izmir) dhe në portet e Spanjës, ku blinin armë prusiane dhe angleze. Në Marsejë të Francës shisnin grurë dhe blinin mëndafshet e famëshme të Lionit apo verën „Bordo”. Në Kartagjenë shisnin kaviar dhe blinin verën „
Ku është varri i Bubulinës?
Një nga pyetjet e para të vizitorit të huaj që vjen në Specaj është të dijë se ku ndodhet varri i Bubulinës. Kureshtar për të mësuar diçka mbi vdekjen e saj, atë ditë të nxehtë, u nisa drejt një shtëpie tjetër, jo më larg se dyqind metra nga shtëpia muze, drejt vendit ku pikërisht ajo ishte vrarë. Gjithçka ishte e heshtur. Nën diellin e fortë iu afrova asaj shtëpie, ku shquhej ai ballkon i vogël ku ajo ishte shfaqur për herë të fundit për të mbrojtur dashurinë e birit të saj. Gjithçka tashmë e mbulonte një heshtje varri. Ishte banesa ku ajo kishte jetuar me Jonuzas, burrin e e saj të parë. Edhe Miller kishte shkelur këtu më 1939 për të gjetur gjurmët e Bubulinës. Hapat e tij kishin kapërcyer oborrin dhe ishin futur në atë ndërtesë të braktisur dhe të pabanuar. “Në shtëpinë Bubulinës, atje ku e kanë vrarë, ndërtesa i ngjan një shtëpie të errët, e gjithë fantazma, - kishte shkruar ai. - Poshtë në sallon, gjëndet një altar i vogël. Nën dyshemenë me dërrasa dëgjohet zhurma e minjve që vrapojnë si të çmendur nga të katër anët...”
Vallë kështu e kishte gjetur atë varr dhe Dora d’Istria?...
Flamuri i saj me shqiponjën mbi një fushë të kuqe, të shndruar më pas në blu, rrethuar nga një shirit i kuq, valëvitet tashmë majë çatisë së shtëpisë. Vite me rradhë ai flamur ishte ngritur mbi anijen e saj, nga një betejë në tjetrën, nga Argosi, në brigjet e Patras, Prevezës, Akarnisë e brigjeve të Peloponezit. Ai flamur e kishte çuar në Tripolica ku do të takonte trimin tjetër arvanitas, legjendarin Kolokotroni, të cilin do ta dashuronte që ditën e parë që do ta takonte.
Gjaku i përzier
Një nga udhëtarët e famshëm të Ballkanit, etnologu e kartografi francez Guillaume Lejean, duke shkruar me shumë dashuri për shqiptarët dhe për udhëtimet e tij në Greqi, shkruan se gjaku i shqiptarëve është shumë i përzier me atë të helenëve. Studjuesi tjetër Albert Dumont që udhëtoi në Shqipëri dhe në greqi në vitet 1870, shkruan për shumë vendbanime në thellësi të Greqisë, fshatra e zona të tëra, duke shkruar dhe për një nga figurat e familjes së Gjin Bua Shpatas, zotit të Artës dhe një nga luftëratët e mëdhenj kundër osmanëve, duke treguar dhe historinë e labvdishme të Mërkur Buas, prijësit stratiot, i cili u shërbeu mbretërve dhe perandorëve të Evropës. Dora d’Istria, para se të ndërmerrte udhëtimin në Greqi, por edhe më pas, në përgatitjen e librit në dy volume, iu referua shumë udhëtarëve të huaj, historianë dhe njerëz të politikës. Për shqiptarët shkruanin dhe Flaubert, Louis Auguste, konti i Frobin, Charles Blanc…
Por mjaft interesant është udhëtimi i Dora d’Istra-s në Athinë, ku gjurmët shqiptare janë të shumta, madje dhe lart në Tatoi. Ca miq e çuan atë në „kullotat e shqiptarëve, në Tatoi”. „Këta shqiptarë kishin si prijës një grua të quajtur Kara Japina, - shkruan ajo. – Kur shkuam, ne pamë një shesh të rrumbullaktë, ku me ca dërrasa të punuara e shufra hekuri, shkërmoqnin kallzat e grurit. Ca fshatarë në këmbë, hipur mbi dërrasë dhe kapur pas supit të njëri tjetrit, tërhiqeshin nga kuajt që vinin rrotull, të cilët i fshikullonin. Rreth çadrave, mbi pemë, thaheshin rroba, ndërsa kampi i tyre shtrihej nën ca pisha madhështore. Një shi i hollë na detyroi të strukeshim brënda, ku kishte qylyme dhe shajakë me djathtë pranë dollapit. Oxhaku ishte një rreth me gurë, në të hyrë të çadrës. Gratë mbanin mbi kokë një shami të rrotulluar bukur, ku nga balli, anash, u dilnin dy bukle. Një gërshet i gjatë e i zi u binte gjer në mes. Këmisha e tyre ishte qëndisur me ngjyra të ndezura gjatë gjithë krahëve. Mbanin gjithashtu përparëse dhe bluzë të bardhë… Ne hëngrëm darkë në një vënd të ngritur para kampit nga ku dukej Athina dhe deti…”
Arvanitasit e Chateaubriand
Një nga përshkrimet e bukura është ai i Chateaubriand-it. Ja ç’shkruan ai ndër të tjera për arvanitasit: “
Ja pra gjaku i përzier i shqiptarëve dhe i grekëve. Eshtë pikërisht kjo histori që na e zbulon Dora d’Istria, por dhe një mori letrarësh e historianësh të mëdhenj, duke na kujtuar sot, që historinë ta shohim të përbashkët dhe jo kundër njëri tjetrit. Deklaratat e sotme të priftërinjve dhe zyrtarëve nacionalistë, janë jo vetëm dritëshkurtëra, por ato prishin frymën e miqësisë së vjetër që i ka lidhur dy popujt tanë, nga më të vjetrit e Evropës.