E merkure, 07.05.2025, 08:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Terziu: Dëshmi vlerash në sofrën krijuese

E diele, 21.11.2010, 02:09 PM


DËSHMI VLERASH NË SOFRËN KRIJUESE

 

Nga Fatmir Terziu

 

Në vend të hyrjes

 

Libri me kritika dhe mendime që hedh në treg për lexuesin, Arqile Gjata, është një ridimensionim i fjalës së pjekur, një rishtrim i dijeve dhe njohurive që ka ky autor, jo vetëm si krijues, por edhe si trajtues i vlerave në artin e fjalës. Kësisoj në këtë vëllim bashkëudhëtojnë mendimet për krijues e krijimtari të thekshme të autorit, që nisin me “Një ese për jetën” e bitisin mes dhjetra analizave të tjera ku emrat e Gjozajt, Hyzotit, Gjokës, Lekës, Terziut, Zybës, Hoxhës, Budurrit, Kyçykut, Avdulit, Qirinzidhit, Kadares, Agollit, Koreshit, Arapit, Spahiut, Abilekajt, Martikos, Kullit, Moisiut, Meçajt, Janit, Jovanit, Goros, Xhulit, Selimit, Ramadanit, Bregut etj janë jo vetëm prekje e tematikave dhe mendimeve të gjera por edhe një angazhim që çon me një dihatje të thellë në labirinthe të njohura e të panjohura më parë. Gjata, jashtë tendencave për të kornizuar çdo gjë, me anë të vijës seleksionuese, qartëson lexuesin në pika të detajuara rreth mjaft fenomeve artistike që rrethojnë krijimtarinë e bukur të artit të fjalës. Në këtë mënyrë, libri më i ri i autorit Gjata udhëton i qetë mes mendimeve të pjekura.

 

Një dritare në lëminë e kritikës

 

Ky libër është një ndihmë më tepër në lëminë e kritikës. Një fjalë e shtuar në mënyrë të pjekur, jo thjesht prej kritiku, por prej një dashamirësi e poeti, natyrisht shënon një vlerë më shumë për projektin që ka ndërmarë Gjata. Angazhimi i tij plotëson faktin që Eliot e pati thënë si një pikëlidhje mes dualitetit krijues-lexues dhe lexues-krijues. Arqile Gjata e plotëson këtë dhe ia vlen të shtosh mendimin dhe kohën tënde në një hapësirë të tillë të prekshme. Le të themi hapur: Gjata ka shtrirë gjerësisht dhe dukshëm hapësirën e njohurive të tij në një fushë ku duket edhe suksesi i tij në rritje. Autori ka për detyrë të parashtrojë vlerat, vlerat duhen çuar më tej nga studiuesit, nga kritikët. Një pjesë të kësaj Gjata e kryen mirë dhe thjesht. Thjesht se nuk kapërcehet e ‘mbytet’ me fjalë pa kuptim, por kapërcehet se hyn në fushën tepër të ndjeshme dhe shumë delikate. Në këtë mënyrë ai plotëson edhe një derivat tjetër të rrëndësishëm që lidhet me arsyen e aspektualitetit, ku gjendet një gërshetim i epërsisë ndaj fjalës së thjeshtë dhe një dominim i fjalës së matur e të pjekur. Kjo vlerë vjen nga themeli poetik i poetit Gjata.

 

Themeli poetik i poetit

 

Arqile Gjata përditë e më shumë rendit poezinë e tij të begatë ‘stinore’ në një kah të sigurtë, në një udhë të sinqertë të artit të fjalës. Kjo rrugë e ndjeshme dhe e prekshme e artit të fjalës poetike të Gjatës ka një arsye më shumë të gjendet krenare në ecjen e saj. Është një rrugë të cilën që në vitin 1978 kritiku Adriatik Kallulli e pati piketuar si një formëzim i ‘konstitucionit shpirtëror’. Një konstitucion ky që dallohet në vargun, fjalën krijuese të Gjatës, në një hapësirë të gjerë kuptimplote dhe intelektuale. Një hapësirë e gjerë dhe kuptimplote për të cilën preambula e hershme e Malokit do të ishte një si një thupër magjike në këtë pikë. Kështu Gjata, e ka thënë tashmë fjalën e tij në poezi, publikisht dhe po aq publikisht e ka marrë vlerësimin prej saj. Bashkëpunimi mes Ambasadës shqiptare në Athinë me Shoqatën “Vëllazërimi” në Greqi në Nëntorin e vitit 2005 solli në dritë jo vetëm prezantimin letraro-muzikor të librit poetik “Kur trazohet jeta” të poetit Arqile Gjata, por edhe ritheksimin e vlerave poetike të këtij krijuesi me vizion të pjekur. Ndërsa mbi vlerat e librit të poetit Gjata folën Andrea Petromilo, botues dhe redaktor i librit, shkrimtari Stefan Martiko, kritiku letrar Primo Shllaku dhe poeti Spiro Xhavara, disa vargje nga vëllimi poetik u recituan nga aktorët Lefter Simoni dhe Merita Dabulla. Kështu në këtë veprimtari përveç shkrimtarëve, poetëve, gazetarëve dhe mjaft emigrantëve, ishin të pranishëm edhe diplomatë të Ambasadës Shqiptare në Athinë, gjë që tregoi dhe foli qartë për nivelin e pjekur të krijimtarisë së poetit shqiptar, Arqile Gjata.

 

Vlerat bashkëudhëtare

 

Ky aktivitet shënoi angazhimin më të madh të krijuesit Gjata, duke dëshmuar më tej me fjalën e tij sa poetike edhe analitike, se ai ka dhe zotëron një bagazh të gjerë letrar dhe krijues, po aq edhe kritik dhe analizues të krijimtarisë. Autori që poezinë e ka udhërrëfyesin e jetës, ka në vizionin e tij qartësinë e fjalës dhe bukurinë e mençurinë e interpretimit. Kësisoj poeti Arqile Gjata me modelin e poezisë dhe krijimtarisë së tij tipike erdhi në skenën e letrave shqipe me një dyndje krijimesh: “Kur trazohet jeta”(2005), “Kurorë me ngjyra”(2006), “Një monografi” (2000), vëllimin me tregime “Qyteti që kërkon muzikë, ”Gratë e poetëve” (2009) dhe një vëllim poetik në botim e një libër me kritika dhe mendime të çmuara kritike. Vëllimet poetike të Gjatës, janë arsyeja dhe logjika, bagazhi dhe dimensioni, aftësia dhe koncepti, struktura dhe modeli, fjala poetike dhe filozofia, janë vetë vlerat që merr jeta, akti i kulturuar qytetar, janë patriotizmi qytetar, mospajtimi me demantimet absurde, kritika dhe vetë udhëjeta e autorit. Ndërsa kritikat dhe proza e tij janë dimensione të fateve që vijnë në paralelen filozofike kohë, vend dhe hapësirë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx