E enjte, 24.07.2025, 09:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Telemaku midis shokësh

E shtune, 20.11.2010, 01:30 PM


4.-TELEMAKU MIDIS SHOKËSH

 

Nga cikli “Qyfyret e Telemakut”, i Luan Çipit

 

Qyfyret, shakatë dhe bëmat e Telemak Xhaxhos janë të shumta dhe ato qarkullojnë në bisedat gazmore midis shokësh vlonjatë sa herë që ata takohen me njeri tjetrin kudo që janë, qoftë dhe në Tiranë, kur e kujtojnë me nostalgji e mall dhe u duket sikur janë ende në shoqëri me të, duke pirë kafe buzë detit në Skelë, Ujë të Ftohtë apo Radhimë. Disa nga qyfyret i tregon me entuziazmin rinor inxhinieri i vjetër i ndërtimit Xhoxhi Bitri, që ka punuar paksa gjatë me të, kur Telemaku ishte  Kryetari i Degës Financiare të Ndërmarrjes Shtetërore të Ndërtimit “Perlat Rexhepi” në Vlorë. Telemaku, thotë Xhoxh Bitri, i sajonte veprimet e mençura dhe gjente zgjidhje të shpejta  në të  dhjetat e sekondës.

 

-Meqë pinte shumë cigare, aty në tavolinën e punës, megjithëse ishte i varfër me një familje numeroze që vetëm nga rroga e tij ushqehej, ai shfrytëzonte çdo rast që ti ofroheshin cigare nga paqetat e shokëve. Kështu bënte më shpesh me Llazarin, k/inxhinierin e ndërmarrjes, një djalë të ri babaxhan, që e donte shumë se e kishte dhe bashkëfshatar. Merrte nga paqeta e tij, sepse edhe Llazari nga kjo ndjehej i kënaqur ndërsa Telemaku kursente cigaret e tij. Kjo për më tepër ndodhte se shumë herë LLazari  e gjente Telemakun me paqetën  e tij bosh.

Një ditë Llazari u vonua dhe nuk erdhi në orën e zakonshme dhe Telemaku, pasi e prit ca, e humbi durimin se ju ça hunda për duhan, ndaj nxori një paqete të pahapur nga kasaforta, ku e mbante të fshehur për një ditë të keqe dhe, taksirat, do pinte nga paqeta e tij e rezervës. Kur e kishte në duart e tij paqetën e cigareve dhe po i griste celofanin, te dera e zyrës u shfaq befas Llazari, që natyrisht zgjati dorën të merrte, siç ishte rregulli dhe zakoni, qofte edhe njëherë, një cigare të hekurosur nga miku i tij i dashur. Telemaku, sa e pa, e mbuloi komplet paqetën me putrat e tij dhe me një gjest dëshpërimi e vërviti me delikatesë, komplet paqetën e mbyllur të cigareve, në koshin e letrave e të mbeturinave që e kish aty afër, me mendimin që ta merrte me vonë, kur të ikte  Llazari. Me një fytyrë të tjetërsuar si i dëshpëruar Telemaku ngrihet më këmbë, takon me përzemërsi e si me keqardhje Llazarin dhe, si i pafajshëm i thotë:

-Mendova se i kisha nja dy cigare të ngelura, ndaj e nxora nga sirtari, sa të pikasa ty së largu, po  kjo dreq paqete, qenka fare bosh!!!

 

-Aty nga fundi i muajit Janar, Llazar Nastua, në pozicionin e Kryeingjinerit të Ndërmarrjes, i ngarkuar për të bërë raportin vjetor të punës se vitit të kaluar, siç qe rregulli i përvitshëm, për ta bërë më të plotë atë, kërkon nga Telemaku edhe Bilancin Financiar, që ai, sapo e kishte nxjerrë, në mbyllje të llogarive të vjetra kontabile. Bilanci ishte dokument i rëndësishëm dhe sipas rregullave të atëhershme formonte “sekret shtetëror”, ndaj Telemaku, që i njihte ligjet e diktaturës dhe u trembej atyre, ia dha bilancin Llazarit, pasi i morri një dëftese që kërkoi të firmosej nga marrësi dy herë, ku edhe theksohej karakteri sekret, përgjegjësia e ruajtjes me kujdes dhe kthimi në një afat të caktuar. Telemaku këtë e bëri, jo vetëm se kishte frikë nga përgjegjësia e humbjes dhe ngaqë si ekonomist ishte i kujdesshëm, po për ta bërë më të përgjegjshëm Llazarin, që e dinte se  nga natyra ishte pak rëmujxhi me shkresat që as vetë nuk mbante mënd  ku i linte.

 Koha e caktuar kaloi dhe Telemaku më kot i kërkoi Llazarit kthimin e Bilancit, këtij dokumenti të rëndësishëm e sekret shtetëror, për ta vendosur në arshivë. I shkoi disa herë në zyrë, e thërriti edhe në zyrën e tij, ku pasi pinë duhan, si gjithnjë nga paqeta e Llazarit, iu lut atij dhe iu përgjërua si shok dhe si bashkëfshatar. Në të gjitha rastet i kërkonte bilancin dhe i thoshte mos u trego indiferent, se këta nuk të falin. Më vjen keq për ty, se unë këtu e kam shkresën me firmën tënde dhe ajo të çon deri në penalitet. Kërkoje, gjeje dhe ma sill shpejt!

Një ditë, kur Llazari shkoi për të pirë cigaren e mëngjesit nuk e gjeti aty Telemakun, po dëftesa mëkatare, me firmën e tij ishte po aty, mbi tavolinë, ku duket e kishte harruar Telemaku i nervozuar një ditë më parë pasi u grind me të.  Meqë bilancin nuk po e gjente dot, për të shmangur grindjet dhe telashet me Telemakun, sipas tij skolastik, vendosi t’ia marrë përkohësisht dëftesën e vetë firmosur.

Të nesërmen Telemaku prapë me të njëjtin avaz ngulte këmbë për kthimin e Bilancit, ndryshe,”tani u mbush kupa, do ankohej te Drejtori, se nuk e mbante më luga pilafin”.

-Ikë ku të duash i tha tashmë i mërzitur dhe i sigurt Llazari, të thash, ndërrova zyrë dhe jam ende rrëmujë. Pritë edhe ca ditë, se fundi nuk ke fakte e s’ke ç’më bën. (aludoi se “nuk ke dëftesë”)

Dhe Telemaku, sikur e nuhati arsyen e kundërshtimit dhe aty për aty:

-Po marr dëftesën, që është dokument zyrtar vërtetuar me firmën tënde dhe që sot po shkoj të të denoncoj te drejtori, si njeri që abuzon me sekretin shtetëror, i thotë kinse i nxehur dhe i vendosur ketë radhe.

-Çfarë dëftese?

-Ja këtë. Dhe, pasi e nxjerr vërtetimin origjinal nga sirtari i tavolinës, ia fërkon letrën me firmën e tij në fytyrë.

Telemaku i shkathet kishte parashikuar edhe ndonjë lojë të mundshme të Llazarit, ndaj dëftesën e kishte bërë në dy kopje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx