E enjte, 08.05.2025, 11:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Marrëdhënie miqësie e dashurie mes popujve

E merkure, 17.11.2010, 10:57 PM


Marrëdhënie miqësie e dashurie mes popujve

 

Nga Kujtim Mateli

 

Albana Melyshi Lifschin, del para lexuesve me novelën “Vjehërr amerikane”, e cila po pritet me interes të veçantë, duke e vendosur autoren në radhën e atyre krijuesve  që i sjellin vlera dhe risi letërsisë sonë.

 

Albana Melyshi Lifschin, duke filluar që nga viti 1992 jeton në Nju-York dhe ka qenë e pranishme te lexuesi shqiptar me një numër të konsiderueshëm  vëllimesh me poezi e prozë ndërmjet të cilave përmendim:

1-Kafe Shkodra e Nju-Jorkut, 1999

2-Childrën of Kosova-storis of Horror, 1999

(në gjuhën shqipe” Fëmijëri e përgjakur” 1999)

3-Fundjavë në Hillsajd, tregime dhe novelë, 2000

4-Poezi, vëllim poetik me pseudonimin Blerta Tirana 2000

5-Zëra nga larg,  antologji e të rinjve në mërgim, 2000

6-Udhëtim në Historinë Amerikane, 2003 ribotim 2006

7-Takim me të papriturën, tregime dhe novela,2006

8-Yesterday I cut my hair, vëllim poetik anglisht-shqip2007

9-Ura mbi oqean, tregime nga Nju-Yorku, 2008

10-Magjia e një zëri, tregime dhe novella, 2008

11-Ka gjithmonë diku, përmbledhje me poezi, 2010

12-Vjehërr amerikane, novelë, 2010

***

Kjo novelë është një himn i dashurisë njerëzore, i dashurisë jo brenda një fisi a etnie, por i dashurisë në përmasa globale, i dashurisë së njerëzve që banojnë në të njënjtin planet.

Kjo frymë miqësie dhe dashurie, shpaloset bukur në faqet e kësaj novele. Një nuse shqiptare dhe një vjehërr amerikane vendosin midis tyre raporte të një harmone që mund të merret si shembull në raportet e përgjithshe vjehër-nuse.

Ka ardhur koha që të kapërcehen paragjykimet e vjetra që kombet e shihnin si armike njera-tjetrën. Kësaj politike të vjetër nacionaliste të shekullit të kaluar, që e çoi botën në dy luftra të njëpasnjëshme botërore, siç duket po i vjen fundi.

Fundi i kësaj politike nuk është vetëm kontribut i qeverive të ndryshme. Fundi i kësaj politike po vjen si rezultat i mirëkuptimit dhe i dashurisë njerëzore që popujt e globit po vendosin midis tyre, paçka se disa qeverive u ka mbetur ora në kufijtë e një nacionalizmi ekstrem.

 

***

 

Në novelë shpaloset jeta e një familjeje  amerikane, e cila fut pa ndrojtje në gjirin e saj një nuse me kombësi të huaj, konkretisht nga Shqipëria. Biseda e parë midis vjehrrës dhe nuses ishin ato që në atë kohë shqetësonin gjithë shoqërinë njerëzore dhe shtetet demokratike të botës. Ajo u interesua për gjendjen në Kosovë. Shqetësimi i saj ishte se si në këtë mijëvjeçar të ri, eksistonin akoma shtete që kërkonin robërimin e popujve të tjerë.

Koncepti i lirisë së popujve nuk ishte vetëm i qeverisë amerikane, por edhe i popullit të saj.  I dyti interes i vjehrës ishte të dinte se përse nuk kishte liri shtypi në Shqipëri apo ekzistonte një liri e kufizuar e tij.

 

***

 

Një tjetër personazh që zë faqet e kësaj novele është dhe ajo e teze Totit. Ajo i kishte mbushur të 90-tat dhe vdekja e saj shkaktoi hidhërimin që shkaktojnë tek të afërmit njerëzit e mirë. Portreti i saj shpaloset nëpërmjet coprave të bisedave që njerëzit e afërm të saj dhe të njohurit zhvillojnë për të.

Nëpërmjet kësaj figure, autorja na shpalos figurën e një gruaje që në rrethin e saj shoqëror  shpërndante mirësi, dashuri dhe dinjitet njerëzor.

 

***

 

Në këtë novelë na jepet edhe këndvështrimi i ndryshëm që popujt kanë për të njënjtat dukuri apo ngjarje, siç është raporti i ndërlikuar i jetës bashkëshortore.

Ja një pikëpamje e shoqërisë shqiptare që ne i japim tepër rëndësi dhe që në novelë jepet nëpërmjet figurës së nuses: “ Martesë do të thotë të ndash me dikë ndienjat, por edhe pasurinë…”.

I kunati i nuses, Xhejmsi: “ Kështu ndodh në parim. Por ka njerëz që martohen pa ndarë asgjë. S`ke dëgjuar ti që mjaft martesa bëhen pa ndarë kurrfarë ndienje”?!

Po në këtë këndvështrim kulturash të ndryshme popujt dinë të përshtaten dhe ta gjejnë harmoninë e tyre.

 

***

 

Raportet burrë –grua, të personazheve të kësaj novele, janë raportet e një jete të qetë, e fokusuar tek një harmoni bashkëshortore. Kështu ndodh me martesat që çiftet e ruajnë me fanatizëm deri në vdekje. Po si kudo dhe gjatë gjithë historisë njerëzore, mospërputhja ka ekzistuar, gjë që sjell edhe ndarjen e tyre. Po si i shikon këto marrëdhënie të vështira ai çift që jeta i ka sjellë harmoni në saje të punës dhe të mirëkuptimit për njeri-tjetrin. Ja si mendon nusja, një nga personazhet kryesorë të kësaj novele: “ O Zot, njerëzit martohen dhe ndahen sikur hanë bukë me djathë. Po ç`dreqin kanë që bëjnë gjithë këto ceremoni të mëdha e puthen faqe të gjithëve….?! Skena, skena dhe passkena. Te këto lidhje martesore kisha kohë që mendoja se kanë shumë egoizëm, nuk janë marrëdhënie bujare të dhënies dhe të marries, nuk e fisnikërojnë shpirtin, siç mendohet, por janë të njëanëshme. Kush të mundet të marrë më shumë nga tjetri, dhe, kur thesi mbaron, fillon shthurja”. (Vjehërr amerikane faqe 62)

Autorja me të drejtë kërkon që këto marrënie më mirë të mos krijohen se sa të lënë më vonë pasoja, sepse mes tyre mund të gjesh gjithçka, po vetëm zemër jo. Që martesa dhe bashkëjetesa të qëndrojë gjatë në themel të tyre vihen zemrat njerëzore.

Por do të ishte një gjykim i padrejtë që të dënohet çdo lloj ndarje. Kur martesa kthehet në një lloj burgu për lirinë e tjetrit, atëhere ndarja do të ishte jo vetëm e miratuar, por edhe një lloj domosdoshmërie në jetën njërëzore.

Ja dhe pikëpamja e vjehrrës amerikane: “ Mendimi im është që në një martesë të re të dy palët duhet të vijnë pa probleme. Gjatë martesës çiftit mund t`i dalin probleme, por jo t`i sjellin me vete në valixhe. Kur problemet lindin pas martese, përballohen nga të dy, por, nëse njera palë i sjell ato si palë, ajo martesë çalon nga një këmbë”. (63)

 

***

 

Në novelë shpalosen figura njerëzish, me shqetësimet dhe hallet që krijon jeta njerëzore. I tillë ishte plaku Raniero, që pasi i vdiq dhe e shoqja, kaloi një jetë të vështirë. I vetëm dhe i harruar nga të gjithë. Askush nga të afërmit e tij nuk trokiti tek porta e shtëpisë ku banonte.

Por pas vdekjes u shfaqën dy nipat e tij që kërkonin çfarë kishte lënë trashëgimi plaku Raniero. Se Raniero nuk kishte patur fëmijë. Njerëz të tillë që janë tharë nga ndienjat njerëzore, por jo nga ndienja materiale, i gjen kudo. Në novelë ata ngjajnë më të mjerë se vetë plaku që nuk ishte në gjendje të lante kredinë e shtëpisë.

Varfëria shpirtërore është ekstremi i të gjitha varfërive.

 

***

 

Vjehërr e nuse jetuan bashkë një dekadë dhe ja, erdhi momenti dhe vjehra i kapërceu të 95-tat.  Po cilat janë shkaqet e një jetëgjatësie të tillë që kushdo do të dëshironte ta kishte të tijën?

Vjehrra 85 vjeçare shkonte tri ditë në javë dhe ndihmonte në Shtëpine e Pleqve, që në Amerikë i thonë “ Nursing Home”.  Tri ditë në javë merrte autobuzin që herët dhe shkonte e u ndihmonte moshatarëve të saj.

Punonte me makinë qepëse dhe produktin e krijuar e çonte direkt apo e shiste, dhe, shumën e krijuar, e çonte si dhuratë në Shtëpinë e Pleqve. Kishte një jetë aktive me shoqet , edhe pse për shkak të moshës i ishin rralluar. Leximi i librave ishte një nga pasionet e saj. Edhe pse ishte e moshuar, dora dhe mendja nuk mund të rrinin pa nxjerrë një produkt që të ishte i vlefshëm për atë dhe për shoqërinë.

 

***

 

Njeriu që jetën e mbush me projekte e punë të dobishme për vete e të tjerët, pavarësisht moshës, është njeri që kërkon t`i afrohet përjetësisë, se puna me vlerë dhe krijimi nuk vdesim, ato u transmetohen njerëzve brez pas brezi. Ai, krijuesi i parë i njerëzimit, Homeri, ka 2800 vjet që ka vdekur fizikisht, po kush e mendon atë si një njeri të vdekur.

Vjehrra 95 vjeçare, e cila ndoshta jeton fizikisht, por puna e saj në Shtëpinë e Pleqve do të jetojë përtej jetës së saj, se njerëzimi gjithmonë do të ketë pleqëri, dhe, ata që kanë kontribuar për t`ua bërë pleqërinë sa më të bardhë , do të vazhdojnë të jetojnë.

Nganjëherë ndodh edhe mrekullia. Ajo vepra, ajo që jeton përjetësisht, nuk të lë të vdesësh as fizikisht. Ndaj ndodh jo rrallë që njerëz të tillë jetojnë edhe gjatë.

 

***

 

Novela “Vjehërr amerikane”, e autores Albana Melyshi Lifschin, ka personazhe të skalitur me kujdes nga autorja si karaktere të spikatura, të cilët e pasurojnë galerinë e personazheve të autores dhe të letërsisë shqiptare, duke na dhënë kënaqësinë e një leximi të këndshëm dhe njëkohësisht duke e pasuruar botën shpirtërore me modele njerëzore që mund të ndiqen si shembull.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx