E premte, 09.05.2025, 12:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Pellumb Xhufi: Voskopoja nuk është ishull, është shqiptare

E merkure, 17.11.2010, 07:32 PM


Nga Fatmira Nikolli

 

Ballafaqimet e para me literaturën historike mbi qytetin më kishin dhënë ndjesinë e pakëndshme të dhunimit të një territori të huaj: Voskopoja më shfaqej si një monopol i shpallur për historianë grekë e rumunë, që ndesheshin prej shekujsh mes tyre, për të provuar, secili në favor të vetes, që ky qytet emblematik ishte përkatësisht "helen", d.m.th. grek apo "arumun", d.m.th. rumun". Kështu shkruan në parathënien e librit të tij "Shekulli i Voskopojës", historiani Pëllumb Xhufi. Libri studimor i botuar nga shtëpia botuese "Toena", sjell argumente e dokumente që hedhin poshtë tezat greke e rumune mbi Voskopojën. Historiani i mirënjohur Pëllumb Xhufi, rrëfen në këtë intervistë rrethanat kur i lindi ideja për t'u marrë me këtë zonë, si erdhi nxitja për ta përfunduar studimin, ku është bazuar për të arritur në konkluzionet që ka pasur, e jo vetëm kaq. Duket se romani i Blushit ka qenë një shtysë e fortë që ta shkruante sa më shpejt këtë libër, por Xhufi thotë se nuk do që të hapë debat me të... Në fund të parathënies Xhufi shkruan se "kjo vepër, që nuk bënte pjesë në projektet e mia imediate, do të vazhdonte të shtyhej për kohë të tjera, sikur të mos kishte qenë tonizimi që shkaktoi edhe tek unë "provokacioni" që solli në jetën kulturore Ben Blushi, me romanin e tij "Të jetosh në ishull". Ndaj, në fund të kësaj hyrjeje, më vjen të them: "Bekuar qofshin provokatorët e Historisë"! 
Profesor, sapo keni botuar tek "Toena" një libër studimor të titulluar "Shekulli i Voskopojës 1669-1779". 
Si lindi ideja për ta shkruar këtë libër? 
Mendimi për të konkretizuar në një libër këtë studim, që kishte nisur të konceptohej prej kohësh, më lindi në pranverën e vitit 2008, kur mediat shqiptare u pushtuan nga debati për librin e shkrimtarit Ben Blushi, "Të jetosh në ishull". Atë kohë u fol shumë për suksesin e pazakontë të këtij libri, dhe me të drejtë ky iu atribuua talentit të padiskutuar të autorit, por edhe një fushate publicitare në shkallë të gjerë, si dhe një marketingu të pakursyer, që parapriu e shoqëroi botimin e tij. Ndërkohë, lexues e studiues të vëmendshëm kanë nënvizuar edhe një arsye të tretë të suksesit, jo më pak të rëndësishme se të parat: provokimin me historinë. Në fakt, edhe pa këtë sprovë të Blushit, historia është provokuar rëndë në këto 20 vjet të tranzicionit shqiptar. Me sponsorizim të politikës, sigurisht, ose të parasë. Kujtojmë këtu "tezat" e reja mbi identitetin e shqiptarëve, mbi rolin e familjeve të mëdha, mbi Luftën Nacionalçlirimtare, për të arritur pastaj tek ajo që u shit, gjithashtu nëpërmjet një fushate të ethshme marketingu, si ngjarja shkencore e shekullit: historia "ndryshe" e Skënderbeut, e studiuesit zviceran Oliver Schmitt, i cili deshi të "demitizojë" heroin tonë kombëtar, por përfundoi në dehistorizimin e tij. 
Përse ky titull për librin studimor? 
Unë kam përcaktuar këtë periudhë kohore, sepse në këtë shekull do të ndodhin fakte madhore në historinë e Voskopojës. Shënohet ngjitja e saj, lulëzimi, shkëlqimi dhe njëkohësisht rënia e saj. Në fund të këtij shekulli shënohet edhe rënia e parë. Një regjistër osman i vitit 1679, na e paraqet ende Voskopojën si një qendër modeste, të vogël, si një qendër blegtorale e dhënë kryesisht mbas blegtorisë. Mbas kësaj date kemi edhe rritjen ekonomike të Voskopojës dhe kalimin e popullsisë në aktivitet tregtie, që kishte si produkt kryesor tregtinë e leshit dhe produkteve të tij. Këtu fillon shkëlqimi i Voskopojës dhe lidhja e saj me tregun e madh "global", e këtu është fjala për Venedikun dhe për vendet e Europës Qendrore, të cilat çuditërisht në atë kohë patën një kërkesë të jashtëzakonshme për këtë produkt dhe unë, në libër e shpjegoj përse. Shkëlqimi i Voskopojës qe i tillë edhe në fusha të tjera, sepse ishte edhe qendër kulturore ku u krijua edhe Akademia, u ngritën kisha me afreske që shprehin me të vërtetë një art të jashtëzakonshëm për kohën. Veç kësaj, Voskopoja pati lidhje të rëndësishme me Vjenën, Venedikun, Budapestin, me Sllovakinë, më tej pati lidhje të forta me Ohrin, që ishte një kryepeshkopatë autonome autoqefale dhe ishte e pavarur nga Kostandinopoja, e kjo përbënte edhe një arsye për tensionet që u krijuan atje, sepse Voskopoja ishte mbështetje e fuqishme e Ohrit. 
Ju folët për rritjen e qytetit të Voskopojës. Po rënia, si erdhi? 
Mbas disa dhjetëvjeçarësh, ndodh ajo që nuk është shpjeguar deri tani. Në radhë të parë, ndodh rënia e kërkesës për produktet e leshit që tregtonte Voskopoja, e kjo, për arsye të konjukturave të tregut ndërkombëtar. Aktiviteti me të cilin u lidh ngushtësisht Voskopoja, ra në mënyrë drastike mbas mungesës së kërkesës në Evropën Qendrore për këtë produkt. Kjo përcaktoi edhe të gjitha fenomenet e tjera. Si të tilla mund të përmendim rënien e Voskopojës, rënien e statusit të saj si qytet i mbrojtur nga Porta e Lartë. Iu hoq ky status, edhe pse sulltani e kishte si domen të vetin. Këtë qytet ua shiti pronarëve të tjerë, që sigurisht nuk kishin fuqinë e aftësitë e tij për ta mbrojtur. Më tej ndodhi ikja apo transferimi i elitës voskopojare, në radhë të parë i tregtarëve, të cilët kishin edhe përfaqësitë e tyre në vendet e Europës dhe me rënien e tregtisë së leshit filluan të merren në Vjenë apo në Budapest me tregti të tjera; disa u bënë edhe bankierë. Më tej fillojnë grindjet dhe tensionet e brendshme të Voskopojës, të cilat unë i kam sjellë me dokumente mjaft të qarta mes esnafëve. Në fund Voskopoja u bë objekt i sulmeve të tjera nga jashtë, e sidomos i atyre që quheshin kreditorë të Voskopojës, të cilët kishin ngelur pa u shlyer nga tregtarët e qytetit. 
Jeni shprehur në parathënie se, me dokumente hidhni poshtë tezat greke e arumune mbi Voskopojën. Çfarë thonë këto dokumente që dispononi? 
Dokumentet hedhin poshtë pikërisht këto teza, këtë imazh apo mitologji të krijuar mbi Voskopojën. Ajo është parë si një "ishull" edhe në kuptimin etnik, edhe në kuptimin kulturor, edhe në atë fetar. Është parë si vend i krishterë, "grek", siç insiston historiografia greke apo arumun, siç e pretendon historiografia arumune. "Një vend i krishterë që rrethohet nga myslimanë të egër", këto janë termat që përdor pa u ruajtur fare historiografia greke. Në fakt, gjërat krejt ndryshe. Rezulton se Voskopoja ka qenë një vend i krishterë, sigurisht por i rrethuar nga fshatra dhe nga vende të krishtera. Tregtarët e Voskopojës kanë pasur raporte jashtëzakonisht të mira me trevat e tjera rreth e rrotull dhe me autoritetet, pa të cilat aktiviteti tregtar do të ishte i pamundur. Madje, do të thosha që në momentet e konflikteve të ashpra dhe sulmeve nga kreditorët e tregtarëve të Voskopojës, qyteti u mbrojt nga miqtë e voskopojarëve, siç ishin bejlerët e Korçës apo bejlerët e Frashërit. Është ngritur një mitologji e tërë, e cila nuk përputhet fare me realitetin edhe në kuptimin fiziologjik, do të thosha unë. Duhet të them se Voskopoja nuk ka qenë aspak një ishull i izoluar, sepse siç e dëshmojnë edhe dokumentet që unë servir me shumicë, tregtarët e Voskopojës ushqeheshin në mënyrë të vazhdueshme nga fshatrat e zonat përreth, Oparit, Polenës etj. Ishte pjesë integrale e një sistemi të tërë, që pati këtë fat, pati këtë shkëlqim e këtë rënie më tej. Shkëlqime të qendrave të vogla në këtë periudhë, ne kemi edhe më tej se Voskopoja, qendra që kapën në kohë një kërkesë për një produkt të veçantë. 
U shprehët se jeni nxitur për të përfunduar studimin për këtë qytet nga libri i Blushit. A e hidhni poshtë ju idenë që përcjell libri i tij? 
Unë, absolutisht nuk kam asgjë me Blushin. Ai, e ka thënë edhe vetë, e unë e besoj plotësisht, që libri i tij është një vepër letrare, e cila merr spunto nga një moment historik i Voskopojës. Natyrisht, Blushi nuk ka bërë kërkime vetë, por ka ndjekur fillin e dhënë nga historiografia e deritashme, kryesisht ajo greke. Mund të jetë një koincidencë, por titulli "ishull", Voskopojës i është dhënë edhe nga historianë grekë të njohur. Libri im nuk ka përse të hapë debate me Blushin, sepse është i një karakteri krejt tjetër. Në verën e vitit 1990, pata rastin të shoqëroj Prof. Maximilian D. Peyfuss në një udhëtim të gjatë në malësitë e jugut shqiptar, e posaçërisht në disa vendbanime malore, të njohura historikisht si vendbanime vllahe. Historiani austriak ka një origjinë të largët nga Voskopoja, origjinë vllahe, për të cilën ishte shumë krenar. Takimet e tij spontane me banorë vlleh të Voskopojës e të fshatrave Shipskë, Llëngë e Niçë, larg syve e veshëve të njerëzve të "sigurimit", shkaktonin një elektrizim të vërtetë emocional tek Maximiliani, që vinte thellë qenies së tij dhe që unë e kuptoja mirë. Falë atij udhëtimi në shoqëri të Prof. Peyfuss, fitova ndjeshmërinë e duhur për të nënvizuar e regjistruar çdo informacion historik që ndeshja në lidhje me vllehtë e Shqipërisë e të Ballkanit. Në këtë mënyrë preka me dorë edhe rastin "Voskopojë". 
E konsideroni edhet një temë historike të harruar... 
Po, është një temë e harruar sepse historiografia shqiptare nuk është marrë me të. Me kohë m'u krijua perceptimi se zërat e dobët të historiografisë së re shqiptare, që kishin arsyet e veta serioze për të treguar që Voskopoja ishte një vendbanim shqiptar, po aq sa ishte edhe vendbanim vllah (pa qenë aspak vendbanim grek), injoroheshin sistematikisht nga këta "pronarë" të vetëshpallur të çështjes vllahe e priteshin me bezdi sikur të ishin ndërhyrje në punët e brendshme të tyre. Nuk u desh shumë kohë që edhe unë, si mjaft kolegë të vjetër e të rinj shqiptarë, të bindesha se historiografia greke dhe ajo rumune për Voskopojën, ishte e mbytur nga paragjykime me sfond të qartë nacionalist, dhe jo thjesht e vetëm për çështjen e përbërjes etnike, por për të gjithë problematikën që ka të bëjë me jetën e këtij qyteti, duke filluar nga dita e parë e lindjes së tij e deri në ditën e tragjedisë, asaj të vitit 1769, nga e cila Voskopoja nuk e mori më veten. Për një gjë të tillë më kishte sinjalizuar Prof. Maximilian Peyfuss që në vitin 1990, kur edhe më dha shtysën e parë për t'u marrë me Voskopojën. 
Në çfarë arkivash keni gërmuar për të siguruar dokumentacion për Voskopojën? 
Për Voskopojën kam shfrytëzuar në radhë të parë, kodikun e Voskopojës, kodiku e Manastirit të Shën Prodhomit. Ky manastir ka qenë shumë i rëndësishëm, sepse ishte një nga qendrat ku zhvillohej jeta sociale dhe ekonomike e zonës, madje dhe panaire. Kodiku është memoria e Voskopojës, e hartuar nga murgjit e këtij qyteti. Është e çuditshme se si ky dokument i veçantë nuk është shfrytëzuar nga historianët grekë, përfshirë edhe ata më të rinjtë, të cilët thjesht e injorojnë. Kjo për arsyen se kodiku hedh poshtë ose nuk mbështet tezat e tyre për qytetin apo mbi raportet e Voskopojës me zonat e tjera. Përveçse në këtë kodik, jam mbështetur edhe në dokumente perëndimore, qofshin këto italiane, veneciane, polake dhe austriake, dokumente në gjuhën latine apo dokumente të tjera greke. Unë e shoh Voskopojën si shprehje të një bumi ekonomik, që ndiqet nga bumi kulturor.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx