Kulturë
Lida Lazaj: Profil vetmjaftueshmërie
E hene, 15.11.2010, 10:57 PM
Tregim
Nga Lida Lazaj
Profil vetmjaftueshmërie
Vizitat ngushëlluese, për vdekjen e të shoqit, sa vinin rralloheshin, deri sa s`u pa më njeri dhe u duk sikur dera e lodhur nga hapjet e mbylljet e shpeshta, flinte në kornizë. Papritur Elena u gjend në dimension tjetër, thuajse bosh, dhe përpos dhimbjes së thellë, për ikjen krejt papritur të të shoqit, ndjeu mëri për fatin, për atë vetë. ‘Si nuk i tha një fjalë? Si do mundte tashmë, vetëm, pa Të?’ Në krah të njëri-tjetrit, kishin përcjellë vite, kishin pjestuar më dysh gjithçka. Koha shtrihej para saj pa trajtë, amorfe, i ngjitej gjymtyrëve e shqisave si masë xhelatinoze. Muret e shtëpisë u shtynë dhe hapësirat, dikur plotpërplot, me rrëmujën më të këndshme në botë, atë fëmijëve, e shtypnin me heshtje torturuese. Akrepat e orëve, ata dhëmbëçatallë, të cilët dikur përpinin kohën, tashmë hapëronin gjakftohtë, të pamëshirshëm; në unison me trokitjet e zemrës, krijonin melodi të trishta. Sa donte t`a shkulte zemrën e trandur dhe boshësitë ti mbushte me tinguj të gjallë! I ngjante vetja send ose objekt mes orendive të shtëpisë, me të vetmin ndryshim: merrte frymë. Duke lëvizur si sonambul nëpër shtëpi, u përball me veten, në një nga pasqyrat. U pa gjatë. Jo pa keqardhje konstatoi metamorfozën e plotë që kishte pësuar, në të gjitha pikëpamjet. Vetëtimthi, i përfytyroi çastet, që kishin realizuar pamjen në pasqyrë, vënë në rresht, si bashkwfshatarwt e saj, njw kohë e largët, kur ajo s`ishte lindur ende…
… Gurët porozë të bardhë, të mademit buzë lumit , që vendasit i quanin ‘’ gurë smërç’’, duke kaluar dorë më dorë, rreshtin njerëzor tre kilometra të gjatë, ndërtuan kishën e Shën Gjergjit dhe qëndrën kulturore të admirueshme, që u quajt shkurt ‘’Shkollë’’, në pikën kulmore të kodrinës së fshatit…
Ngulmoi të zhbirojë nën lëkurën e zbehtë të rrudhur, nën flokët e zbardhur e trupin e mrolur, çupkën e vogël, adoleshenten ëndërrimtare, vajzën çapkëne. S`kishte mbetur asgjë, asgjë përveç syve ngjyrë ulliri.
***
Në dukje, asgjë të veçantë, s`kishte patur jeta e saj. Syri indiferent i qytetit e shihte Elenën, si shumë gra të tjera, tek ecte e qetë në rrugën e përditshmërisë, kurse ajo vetë ndiehej e kllaposur, si ingranazh i një makinerie gjigande, që punon ‘non stop’. Spiralet e jetës ishin ngjitje pa mbarim shkallëve të një ngrehine shumëkatëshe me ashensor të prishur. Ndonjë festë në familje, shoqëri a fis ishin pauza të shkurtra mbushjefrymre; ngjanin me stacionet, ku automobilat furnizohen me karburant, për të vazhduar udhëtimin. Me orët grindej. Donte ti shkulte akrepat dhe t`ja ngulte në bark kohës që s`mjaftonte kurrë. Ndryshimet rreth e qark ose te vetja, i shihte rrëshkitas, pa mundur të mendohej nëse duhej të gëzohej apo hidhërohej.
Një natë, në errësirë, kur shpirtrat prehen, dëgjoi të skinjej një fëmijë. U përmend, e gjeti veten të mbytur në lot. Fëmijën ngashërenjëse e kishte brenda vetes. Se shau, si tha ‘Ç`bën në këtë orë’. Përkundër, i dha të drejtë, madje u kthye në vajtojcë, rënë përmbys mbi shpirtin e shndërruar në sarkofag. Vajtonte me fjalë , në regjistrin më të ulët të zërit, mos zgjonte fëmijët. ‘Qaj,qaj’,- i thoshte vetes,- ‘kush tjetër do ti qajë ëndrrat dhe dëshirat e tua të vdekura’!?
Njëherë u çudit! Për të takuar sytë e fëmijëve, ju desh ta mprihte vështrimin në rrafsh të pjerrët. Koha, fëmijët i kishte zgjatur një kokë sipër të sajës. Një grusht lotësh ju mblodhën në lukth, po rrjedha e punëve pa fund, se la ta përjetonte gjithë ndjenjën e amësisë. Jeta e përfshiu në shtjellat e veta.
Fëmijët, si zogjtë, me krahët e forcuar, kishin fluturuar në të tjerë qiej.I lau me lot albumet, ditaret, ku duart e njoma kishin endur maturimin. Pastroi pluhurin e makinave, avionëve plastikë dhe shpatave prej druri të të birit. Ndërroi fustanet dhe krehu flokët e kukullave. Ju përgjërua fijes së flokut, të ngjitur në kuvertë, të së voglës së saj. Mbi shtresat e kalcifikuara të pengjeve, brengave e zhgënjimeve derdhi lot të nxehtë, për dhëmbin e hapin parë, belbëzimet, lojërat ,zënkat, këngët e gurguletë e hareshme.
Koha, që tjetërson gjithçka, lastarët i bën lisa, djelmoshat burra dhe vashëzat gra, i kishte rritur fëmijët e saj , si në ëndërr. C`hapësira paska për dhimbjet!
***
Ditët rrukulliseshin pothuajse njësoj. Dilte në qytet për nevoja jetike, për ndonjë ‘qokë’, ose priste vizita të rralla prej fisit të të shoqit a ndonjë mikeshe. Telefonatat e fëmijëve, hynin si refren i shkurtër gazmor në mes një melodie monotone, e cila e shoqëronte si kolonë zanore filmin e jetës gri. Ndërsa pasditet, i mbushte duke shfletuar kujtimet dhe me përsiatie brenda vetes, zhytur në kolltuk, duke ngjëruar kafe ose çaj.
Kërkonte një arsye, një motiv të vriste heshtjen uluritëse të dhomave dhe tollovinë shurdhuese të ardhur nga jashtë. As një qenush pushbutë, as dhe një kotele ledhatare, s`do të mundnin t`i bënin shoqëri e të mbushnin boshësitë . Kujtoi një ndodhi, kur udhët e jetës i grahte me vrap…
…Hije e hirtë i ulej mbi qerpikë, i zgjaste gishtërinjtë e plumbtë mbi qepalla, ja mbështillte kurmin me këndellje të parezistueshme gjumi . Bëri përpjekje titanike për të mos ju dorëzuar, pasi rrethanat ishin absolutisht të papërshtatëshme. Ishte në punë. Pasojat mund të ishin fatale, të paimagjinuara. Por, ajo masë amorfe e qullët e platiti .Trupi u ndeh mbi tryezë. Vetëdija , qëndroi zgjuar. Si fryma në proçesin e ajërkëmbimit, doli prej trupit dhe u vendos diku në hapësirë, ndoshta në një kokrrizë pluhuri, rreth një metër a një metër e gjysmë mbi të. Vëzhgonte mjedisin, çdo send e objekt, kundronte veten në gjumë dhe lutej``Zgjohu… zgjohu… të lutem, zgjohu``. Çasti i çlirimit nga putrat e buta të gjumit, qe fëshfërimë. Vetëdija dhe Trupi u bënë NJË. U tremb e njëkohësisht u mahnit…Si mundet!?... Në gjumë, të shohësh veten dhe gjithçka përreth!?.
Ju kujtua kjo ndodhi e largët dhe nisi t`i qëndrojë vetes përballë. Kridhej në çastet e rralla , humbte sensin e kohës dhe përjetonte momentet e privilegjuara që i kishte rezervuar jeta. Kur lodhej së udhëtuari brënda vetes, zhytej në lexime. Në volume librash zbulonte udhët e mendimit njerëzor. Sa drita ndizte në zonat e errëta të mendjes, aq pikëpyetje e pikëçuditëse lartoheshin në pyllin e pafund të mistereve. Kuptoi, se pothuajse gjithçka është iluzion dhe i vërtetë është vetëm çasti, se sharmi i jetës shijohet rrafsh, duke shmangur kulmet, se njeriu, në fund të fundit mbetet vetëm, dhe se gjithçka qëndron sa dielli në zenit dhe jeta shkon me ditët e stinët, si dëbora e shiu.
Zhytur në hulumtime e meditime, hapësirat bosh të dhomave e humbën ndikimin e trishtë. Zallamahitë mbetën në periferi. Në dimensionin e vetmjaftueshmërisë, ndiehej në harmoni të plotë me tingujt e trupit.
***
Ritmin monoton të javës e thyente e diela. Te dyqani i luleve, paguante buqetën e përgatitur enkas për të, me lulemargarita, të preferuarat e të shoqit dhe shkonte në takim. As vetë se dinte se si fjalën ‘vizitë’ e zëvendësoi me togfjalëshin, ‘në takim’. Ndoshta, nga që nuk shkonte atje si detyrim a si kortezi në kujtim të shpirtit të të shoqit. Pas disa vajtjeve rresht, filloi ti pëlqejë qetësia e thellë që mbizotëronte nën hijen e qiparisave. Njëherë, pasi kuvendoi me portretin e të shoqit gdhendur në mermer dhe rregulloi lulet, te çezma, pas një grushti ujë syve, përmes piklave të ujit varur qerpikëve, te stoli përballë,… një trup i gërmuqur burri,… në ballin e një koke të shogët,… shqoi… sytë e Klitit!?. U kalamend, trupi ju avullua, humbi sensin e kohës,…Shoku i bangës po e priste, sipas porosisë së mësueses së gjuhës, të përsërisnin së bashku zgjedhimin e foljes JAM…Hodhi dhe një grusht ujë tjetër për tu kthjelluar, e larguar mirazhin…Hapi sytë …Kliti ishte aty, symëshqerë, me buzëqeshje shpërfaqur fytyrës. Gati humbi ekuilibrin e tronditur nga befasia. U afrua ngadalë , u ul në cepin e stolit, duke plotësuar kështu imazhin e dikurshëm, në bankën e shkollës. Pas përshëndetjeve, u përfshinë të dy në valë emocionesh dhe u tretën kujtimeve ...
Në heshtje, të dy mendonin të njëjtën gjë. Kur mësonin zgjedhimin e foljes ‘jam’, as që e kishin çuar ndonjëherë nëpër mend, se të gjitha ‘’kohët’’ e tjera do ti zgjedhonte fati sipas qefit t`vet, duke shpërfillur skrupullisht ëndërrat dhe dëshirat e tyre. Të gjitha kohët kishin fluturuar pa ditur asgjë për njëri tjetrin. As me fantazinë me të çmendur se kishin përfytyruar se ‘e ardhshmja’, do t`i takonte në një bankë varrezash, për t`u bërë ‘e tashme’ malli dhe emocionesh të papërshkrueshme.
Kliti kishte shpëtuar gjallë, me tre brinjë të thyera dhe një këmbë protezë. Përpjekjet për një vizë të rregullt deshtuan. Paguan një rrjet të tërë trafikantësh dhe hynë klandestinë në tokën greke. Deri atje, udha ‘shtruar me para’, shkoi si në vaj. Taksisti grek, e shkeli ‘gazin në dërrasë’, për t`i shpëtuar policisë. Dëshira e prindërve për të marë pjesë në ceremoninë e celebrimit të martesës së birit të vetëm, përfundoi, në tragjedi. Mbeti gjallë, trup e shpirt sakatosur, vetëm Kliti. Pas një kalvari peripecish, paketuar në mënyrën më të turpëshme, më në fund e shoqja u preh në dheun e butë e të ngrohtë të vendlindjes. Nuk lanë orë, as pikëpjekje, por të dielën e ardhshme e në vijim, njëri pas tjetrit mernin secili buqetën e luleve dhe ngadalë merrnin drejtoheshin varrezave . Deri sa siluetat e dy të moshuarve humbnin pas kthesës, i shoqëronte vështrimi kureshtar, i sheqerosur me buzëqeshje ironike i luleshitëses. Elena ishte e sigurt, se luleshitësja bukuroshe ‘tregtonte’ dhe një mall tjetër, thashethemet. Ccikwrima si kwto sa e ceknin në periferi të ndërgjegjes, pa u bërë brengë shqetësimi, apo arsye për të prishur të dielën.
Shkonte secili te bashkëshorti i vet, pastaj uleshin te banka pranë ccezmws që rridhte. Shihnin njerëz të ngutur për të përfunduar ritualin që mernin me nxit rrugën e kthimit drejt tollovisë së qytetit, si të frikur, se mos të vdekurit e dashur zgjasnin duart dhe i mbanin aty, ose të tjerë që mbyteshin në vaje e lot dhe platiteshim sipër varrit duke gërmuar dheun me thonj, të gatshëm për tu shtrirë gjallë përbri të vdekurit. Dhe këta, sikundër të parët, pasi shkundnin thërmijat e dheut nga rrobat e duart dhe shpëlanin vragat e lotëve me ujin e çezmës, me tiparet e dhimbjes së ngrirë fytyrës, e listën e gjatë të obligimeve në tru, drejtoheshin qytetit që i gllabëronte pas kthesës. Dy të moshuarit, shquanin dhe në hapin më të ngadaltë, ngutjen, që tek ta e kish humbur prej kohësh kuptimin. Këndelleshin me nge nën freskun e qiparisave e cicërimave të shpesëve e në shoqërinë e njeri tjetrit dhe aty nga dreka merrnin ngadalë udhën e kthimit.
***
Mbështjellë me rrobdëshambrin peshqir, Elena përgatiti shpejt e shpejt një kupë plot me çaj mali aromatik dhe u mbështet në divanin përballë televizorit. Që kur përmatanë ballkonit mbiu ajo ndërtesë, që ajo e pagëzoi ‘shtëpia e kulmeve’, s`po i shijonte perëndimet. Më parë ulej në karrigen e ballkonit dhe sodiste si ndërronte ngjyrë qielli çast pas çasti, deri sa nata e mbështillte gjithësinë me napë të errët, e qielli ndizte yjet. Ajo shtëpi sikur mbiu brenda një nate. Jo vetëm me kulmet e thepisura të tipit alpin , si raketa që prisnin sinjalin për tu turrur drejt pafundësisë, por se dhe ata banorët, ishin si ‘më të lartë’. Tentonin të arrinin kulmet me të gjitha manierat e stërholluara të njerëzve që duan të dallojnë. Tingujt grykorë të tyre nuk ishin zëra normal, por klithma, çjerrje. Sikur qenë në garë me kulmet që kishin mbi kokë. Elena s`mund të dallonte, në grindeshin a bisedonin ata njerës. Madje filloi të aludojë… Kishin ndikuar ata me karakterin shpërthyes, që çatia e shtëpisë së tyre kish gjith ato kulme si shigjeta, apo ishin kulmet pa asnjë llogjikë harmonie arkitekturore, që ngjisnin tek ta sjellje të çuditëshme. Sidoqoftë, e humbi soditjen e perëndimit. ‘Jeta është humbje pa fund’-ngushëlloi veten, kur u detyrua ti kalonte pasditet e gjata në divan. Se shihte dot muzgun e trëndafiltë të prerë me thika. U mjaftua me ç`servirnin stacionet televizive dhe përsiatieve e kujtimeve. ‘Njeriu, deri sa ka jetë duhet të ndiejë dhë shijojë ato që ende si ka humbur’- i sugjeroi vetes.
U rehatua në divan, ngjëroi çaj. Pamjet që çfaqeshinë ekran, përkonin me imazhe të përftuar nga leximi i një romani. Rrekej të kujtonte titullin… Humbte në përsiatje, kujtime, hamendësime …Që kur i mbiu para syve ‘shtëpia e kulmeve’, për secilin person të njohur përfytyronte pamjen e brendëshme. Sipas karakteristikave thebësore të karakterit dhe fizionomisë, i identifikonte me sende. objekte, bimë, lule ,pemë, zogj. Për të tjerët e kishte të lehtë, ndërsa vetes s`ja gjente identiktin….Në ekran, një burrë plaket, pa e humbur shpresën e takimit me dashurinë e jetës, duke i bërë minutat orë, orët-ditë, javë, muaj, vite, e njëkohësisht, duke shtuar listën e të dashurave… Imazhet në ekran dhe në mendje janë të njëjta, por titulli dhe autori s`i kujtohet...Kur ishte vogëlushe e fluturonte me fluturat, shkërbente cicërimat e zogjve, puthte sytë e vesuar të luleve e flinte me xixëllonjat jargavanëve, lëkurësedeftë, faqepurpurt, sypërshkënditur,plot ëndërra , dëshira dhe shpresa të mëdha, brendësia e saj duhet të ketë pasur pamjen e lules ose të dallëndyshes…Kishte udhëtuar gjatë, trupi lastar i njomë, ishte shformuar në trajta të rrumbullakosura. Hapi i drenushës kthyer në hap të qetë,...Si pa kuptuar vogëlushja me pamjen e brëndëshme si lule a si dallëndyshe, ishte strehuar në katakombet e kujtesës së gruas së moshuar, nën fasadën e lëkurës së vijëzuar me hieroglife të përthyera udhësh, përbrenda dhimbjeve, brengave, zhgënjimeve të pluhurizuara dhe shkëndijimeve, si dritat e mugëta të një qyteti të largët.…Hamendësonte profilin e tanishëm me shëmbëllime drurësh, lulesh, kafshësh. E përfytyroi njëherë në formën e kristaleve të dëborës …Në një kujtim të largët fëmijërie…
…Pas një nate të acarrtë dhjetori, mëngjesi llamburiste… Bardhësia lëbyrëse ishte tejqyrë e qiellit. E mrekulluar pa veten të fotografuar në miliarda forma simetrike…
Kishte edhe brishtësinë e tyre… Shpirtin e saj kristalin , një prekje pa takt e kthente në lot…Po cilën formë të zgjidhte, për fytyrën e shpirtit të saj?... Në ekran, benjamini dashurisë vizaton me bojë të kuqe ngjitëse një shigjetë mbi pubisin e të dashurës së rradhës…U kujtua… Gabriel Garsia Markes dhe titulli i romanit ‘Dashuri në kohën e kolerës’…
… Gjumi e mbështolli me krahët e mëndafshtë. Ëndrra e degdisi larg…
Një copë toke, e larushitur me drurë , gurë, bar. Hurdha ujrash të kthjellta murmurisin. Relievi i përthyer ka format e trupit të saj. Nga diku, ku duhet të jetë kraharori, hapen brinjët e holla të shndritëshme si argjend dhe një shpend me sqep e kthetra prej metali, ku duke baritur rëndë rëndë, e ku duke përplasur krahët, ndalet mbi një sop, përballë disa krijesave si njerëz, si eunukë, me kokën të futur në trekëndëshin e supeve. I heshtur , ironik, sfidues. E gjithë performanca e tij sikur do të thotë ‘Jam sovran i jetës sime! Nëse dua të fluturoj, lirinë dhe qiejt i kam ndër krahë’ Rëndë, rëndë, madhështor, u fut mes brinjëve në kraharor.
Një klithmë… u zgjua. ‘Shtëpia e kulmeve’ kish futur pykën e rradhës në intimitetin e saj. Më pas tingëlloi telefoni në sallon. U çua. ‘Ndonjëri nga fëmijët’- mendoi- ‘Ose Kliti’. E kishin lënë, që të nesërmen, ta pinin bashkë kafen e mëngjesit, te bari nën hijen e Rrapit të Madh, te Parku Rinia. ‘Do të telefonoj në darkë’- tha Kliti kur u ndanë pas takimit në varreza-, ‘Të të kujtoj!’
Imazhi i shpendit të çuditshëm i mbeti varur në kujtesë, si një rrobë në garderobë, që për nostalgji a për ndonjë arsye, që as vetë se dimë, se flakim. Apo mos ishte fytyra e sotme e brendësisë së saj!?