E premte, 03.05.2024, 11:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (XIII)

E hene, 15.11.2010, 10:00 PM


Çerkin Ismaili

 

Ethe të trishta

(XIII)

 

(Roman)

 

 

Dhimbje e pati quajtur dikush  fshatin me shtëpi të ngrehura prej najlloni dhe  me një qind e tridhjetë viktima të luftës, ndërsa  fshataret  pa u hamendur vazhduan ta quanin me atë emër fshatin e vet, edhe pse nuk u pëlqente të  jetonin me dhimbjet e Dhimbjes. Asnjëra  nga fshataret  kurrë nuk ishte  ankuar pse njeriu anonim e kishte quajtur ashtu fshatin,të cilit lufta i kishte lënë mashkullin më të vjetër  vetëm në moshën tetë vjeç. Katundet më të largëta duke u tallur me dhimbianet e fshatit Dhimbje, katundin Dhimbje  e quanin ironikisht Katundi i Vejushave.Gojëkëqinjtë e kishin ndarë fshatin në katër mëhallë, duke i ngjitur nga një bisht secilës! Mëhallën  e Epërme e quanin Mëhalla e Zibanëve, të Mesmen e quanin Mëhalla e Trimave , Mëhallën e Livadheve e quanin Lëndina e Mallkimit, kurse Mëhallën e Poshtme e quanin Mëhalla e Lëneshave .

 Tre vjet pas mbarimit të luftës, gratë e Dhimbjes ishin penduar që kishin pranuar ta quanin ashtu fshatin, ngase sa herë  u rastiste ta përmendnin emrin e fshatit u ngjalleshin dhimbjet e luftës dhe kështu dhimbjet përtriheshin në dhimbje të reja.

Në vitin e tretë  pas mbariumit të luftës një djalë u kthye nga mërgimi për t’u martuar me të fejuarën nga fshati i vet.   U bë dasmë e madhe në fshatin Dhimbje për t’u mbajtur gjatë në mend nga fshataret , që nuk kishin lejuar tre vjet këngë as valle në fshat . Nëna, gra, nuse e vajza të Dhimbjes u gëzuan pa masë kur fshati nisi dasmën e parë. Pa asnjë krismë pushke e rite dasme  u nis dasma e parë e Dhembjes! Ndoshta baroti iu kishte lagur Dhimbjes, ndoshta nuk kishte mashkull t’ia tërheqë këmbëzën dyfekut për ta shënuar fillimin e dasmës!...

 Të veshura në të zeza dhe të përlotura nuset u hodhën në vallen e parë të Dhimbjes së pasluftës!  As në mbrëmje kur krushkat e Dhimbjes sollën nusen në shtëpi nuk shkrepën dyfeqe  për ta shënuar   gëzimin , harenë dhe trumfin e sjelljes së nuses së parë pasluftës në fshat. Pasi që dhëndri i ri i hoqi nuses duvakun, gratë e Dhimbjes me fëmijë përdore edhe njëherë shkundën në valle pikëllimin që tre vjet kishte pllakosur fshatin. Kur panë plakat vallen e të rejave vejusha sa nuk u çmendën nga hidhërimi:

- Mendjet e vejushave janë si era!- shfreu pezmin një plakë.

- Mendjet e vejushave  janë si të pelave!- ironizoi një tjetër.

- Gra pa burra, bre, haj medet për ne!- tha një tjetër plakë , duke rrahur kokën me grushta nga inatosja në të renë. Plakave  u zgjoi dhimbje të reja dasma e parë e  pasluftës në Dhimbje, kurse vejushave të Dhimbjes aq u bënte për dhimbjet apo gëzimet e vjehrrave. Madje , njëra nga nuset e Dhimbjes e djersitur në valle propozoi që nga dita e dasmës fshatin Dhimbje ta quanin Dasmë. Plakat e ulura në Lëndinën e Mallkimit të Dhimbjes me nofulla të mbështetura në shuplaka shikonin me xhelozi  të rejat që vallzonin , kurse  papritur njëzërit protestuan ndaj propozimit të vejushës së harlisur.

 - Kurrë nuk do të ketë dasmë në Dhimbje derisa të na kthehen djemët!

- Nuk do të ketë gëzim në Dhimbje derisa të pajtohen zemrat e nënave!!

- Nuk do të ketë valle në Dhimbje derisa të  atdhesohen  eshtrat!

- Nuk do të ketë buzëqeshje në Dhimbje derisa  të dimë ku janë varret e ...!?

Protesta e plakave preku në intimitet vejushat e Dhimbjes, të cilat menjëherë ndalën vallen dhe nisën të shpërndahen nëpër shtëpi . Dielli i kuqrremtë sikur paralajmëronte fshatërat e Rekës së Keqe se po përendonte, akoma pa u fshehur diku larg pas bjeshkëve.

- Xixë, moj! Xixillonjë! Ngutu mori budallaqe se do të na zë terri!- i tha plaka Razë të resë që ishte ulur në barin e Livadhit të Mallkimit të Dhimbjes  për t’u çlodhur nga vallja.

- Veç pak po pushoj nëna Razë! Vallja e dasmës  së Dhimbjes  sot m’i ka këputur këmbët! O Zot bëje hajr këtë dasmë të Dhimbjes! – u përgjigj gruaja e veshur në të zeza.

Të dy gratë, vjehrra me të renë, u nisën drejt shtëpisë  nga plasmasi, që u kishte ngrehur Shoqata Humanitare ”Kapan amur”, diku në fund të fshatit. Nuk dihet nëse vjehrra dhe e reja u pajtuan pas hidhërimit dhe valles së Dhimbjes apo vazhduan të grindeshin për vendimin  e vejushave  që fshati Dhimbje tash tëhu të quhej Dasmë!

- Budallaqe, moj, si ta zuri goja fjalën që Dhimbja ta quhet Dasmë!- qortoi vjehrra të renë!

- Nënë, moj, mos ndjell zi, të lutem! Të njejta i kemi dhimbjet! Ti ke dhimbë për djalin e nipin e unë për djalin e burrin! Dhimbjet tona janë si dhimbjet e krejt Dhimbjes, moj nënë! Ndoshta nuk na mashtroi ai njeriu i kryeqytetit kur tha se...?!

- A po më ndihmoni të ngrehem në këtë të shkretë këmbe , oj motra?- thirri Lush Rebeli i cili pasi ishte ulur të pushonte pak pas rrugës së gjatë më nuk mund të ngrehej në këmbë.

Të dy gratë u habitën kur panë në fshat  burrë të moshuar. Njëherë të stepura, vjehërr e re u hamendën t’i flisnin njeriut të panjohur, por kureshtja i nxiti të afroheshin.

- Kush je ti?- pyeti plaka e para.

- Hallexhi i madh jam moj motër! Sakat jam! U ula të marr pak frymë, por ja që trupi po më bën hile e nuk po mund të ngrehem në këmbë !

-Hë, ç’thua bija ime, ç’të bëjmë me këtë njeri?!- i tha vjehrra të resë.

-Do t’i ndihmojmë, nënë! Nuk mund ta lë njeriun të vdesë në rrugë! E sheh vetëm sa nuk paska dhënë shpirt!- u përgjigj Xixa.

- Të dy gratë e morën nga krahu njeriun e panjohur dhe e ngrehën në këmbë. Lushi , si rëndom, pasi u ngreh, shtrëngoi kukëzat dhe pasi iu falenderua për ndihmën u nis në një rrugë dhishë që shpjerte  kah bjeshkët.

- Rruga e mbarë, o i panjohur!- klithi Xixa.

- Jo, besa nuk do ta  lëmë të shkretin vetëm!- tha nënë Raza.

- Ndalu pak, o njeri hallexhi!- thirrën të dy gratë

Lushi ngadalë ktheu kokën prapa dhe u ndal duke u mbështetur në kukëza derisa gratë iu afruan.

- Hë, moj loke, ç’do tash me mua?- pyeti Lushi.

-Kurgjë, vëllai im, kurgjë, por desha ta di kush je , nga vjen , ku shkon dhe ç’hall të solli në Dhimbje?!

- Përrallë e gjatë është kjo jeta ime, moj loke! Jetë plot dhimbje është kjo e shkretë jeta ime!

- Thua se je nga Dhimbja?! Kush je ti që je nga Dhimba more që nuk po të njoh?

- Loke mos edhe ti ke dhimbje si unë?!- pyeti nga sugjestioni Lushi.

- Po, vëllau im, me dhimbje edhe ne jemi dhe jetojmë në Dhimbje!- u përgjigj Xixa.Këtij fshati i thonë Dhimbje! A kuptove tash? Dhimbje e luftës dhe e pasluftës është ky fshat!

- E njoh mirë Reken e Keqe, moj motër, por fshat me këtë emër nuk kam njohur! Një vit jetova me bukën e fshatërave të Rekës së Keqe gjatë luftës, moj motër! Bukë bese si këtu askund në jetën time nuk kam ngrënë! Një ushtri të tërë e mbajtën malsorët me bukë e barot !  Zemra i pati plasur ushtrisë armike, prandaj për inat nuk la as kotec pulash pa djegur në Rekë! Shumë dhimbje pati ky fshat, moj motër! Emër më të mirë nuk kishit mundur t’i gjeni fshatit!

- Nga dita e sotme vejushat e Dhimbjes vendosëm ta quajmë Dasmë!- u përgjigj Xixa.

- Dasmë,a?!- tha i habitur Lushi i panjohur në fshatin Dhimbje dhe përsëri  u nis në dhiaren që çonte për në bjeshkë. Më falni, motër, nuk mund të vij! Nënë Naza më këshillonte:” Ku ka dasmë mos ço dhimbje  as ku ka dhimbje mos bëj dasmë…!”

- Jo, more vëlla, nuk të lëmë dot të shkosh nëpër terr me një këmbë nëpër bjeshkë!- tha nënë Raza. Bukë e kripë kemi për sofër more burrë! Edhe një mashkull pesë vjeç e kemi në shtëpi! Kënaqet me muhabete burrash! Mos u merakos se jemi vatër pa burrë brenda! Mos bëj ojna, more burrë,  eja sonte në shtëpinë tonë prej plasmasi ! Le të  dëgjohet një e kollitur  burri në konakun tim, bre...! Na ndero...!

- Buka në çerep e djali në djep saora pjeken , moj motër!- u përgjigj Lushi, duke u kthyer prapa në rrugën që shpiente në shtëpinë e fundit të Dhimbjes.

- Të lumtë goja, more vëlla! Fjala jote ma bëri zemrën kala!- u përgjigj plaka.

- Ngadalë, bacë, mos po rrëshqet ! – i tha të panjohurit Xixa.

Rrugës deri në fund të fshatit dy gratë dhe musafiri i panjohur nuk folën. Rrugës së dërmuar nga blindat e tankeve të armikut i druanin edhe musafiri edhe gratë nikoqire.Qeni i lidhur në zingjir para se të hynte i panjohuri paralajmëroi se në konak po vinte një musafir.

Derisa Xixa ndezi zjarrin e poçi kafetë për musafirin dhe vjehrrën, Lushi nisi muhabetin me Zgjimin e vogël sikur me një burrë të pjekur. Edhe plaka i ofroi musafirit një pako me cigare.

- Rri shlirshëm  si në shtëpinë e vëllaut tënd!-i tha plaka musafirit.

- Falemnderit, motër, por nuk kam vëlla! Ah, sikur ta kisha një vëlla ,unë i shkreti, nuk do të isha katandisur kështu në rrugët e botës!

- Ani, pra rri si te motra!- u përpoq ta përmirësonte plaka gabimin.

- As motër nuk kam ,moj motër! As babë nuk kam! Kam vetëm një shishe me hirin e eshtrave të tij!- u përgjigj Lushi duke shikuar në trastë shishen! Vetëm një nënë e kisha, por që nga mbarimi i luftës nuk u kthye në shtëpi! Ndoshta e shkreta më kërkon?! Të vetmin fëmijë më kishte!

Dikush thotë se kishte ikur në Koridorin e Gligorovit me atë trenin e mallkuar! Dikush thotë se këmbë ishte nisur nga kryeqyteti për në Shqipëri! Thonë se e kishin parë diku në katundet e Rekës së Keqe?! Haram Harambashi thotë se gjeneral Gexha...?! Shumë fjalë ka për nënën time , por asnjë të vërtetë! Si thuhet në Shkup e Shkodër qe një vit e gjysmë jam duke e kërkuar! Sa malet, përrojet, humnerat... i kam shkelur me këtë këmbë duke e kërkuar nënë Nazën, por përveç rrenave nuk kam gjetur asnjë gjurmë të nënës time!

- Do të thotë se jeton fillikat vetëm, a?!- pyeti e habitur plaka.

- Veç me Zotin dhe dhimbjet e pasluftës- u përgjigj musafiri. Dikur kisha shumë shokë! Shokë për kokë kisha ! Gjatë luftës kisha edhe më shumë! Por, ja që tash jam fillikat vetëm, fakir. Komandant Gurrës i kanë vrarë tërë familjen, por ai i ka të dy këmbët! Kam dëgjuar se është martuar me infermiere Vjollcën e spitalit të kryeqytetit!? Edhe asaj të shkretës burri i kishte rënë heroikisht në Betejën e Koshares! Sa shumë u gëzova kur dëgjova për martesën e tyre, por diku kanë humbur! I thërras në telefon, por sapo hapin telefonin dhe marrin vesh se unë i thërras e mbyllin! Më harroi edhe miku im i luftës, komandant Gurra...! Më harroi edhe infermiere Vjollca  që qante me lotë për fatin tim! Kurrë nuk do të thosha as nuk do të besoja  se do të më harronin komandanti e infermierja! Kam dëgjuar se komandanti është ngjitur lart në elitën poilitike të kryeqytetit! Si njeri i elitës, ndoshta ndien turp të takohet në sy të kryeqytetit me një çalaman fakir  si jam katandisur unë! Eh, si po ndërruekan njerëzit! Pa e parë me pushtet, njeriut nuk u dashka t’i besosh! Karriera njeriut nuk po i ndërrueka vetëm mendjen, por edhe zemrën e shpirtin! Kur komandant Gurra harron, po të tjerët...?! Më harroi edhe togerja amerikane! Iku pa më thënë as lamtumirë, edhe pse më shpëtoi nga vdekja e sigurtë! Më ndenji mbi kokë duke m’i shëruar plagët, tamam, si motra e Gjergj Elez Alisë së legjendave afër  të vëllait që i  dergjej! Një det lotësh e ka derdhur për fatin tim! Bashkë e hodhëm vallen e lirisë në bulevardin e kryeqytetit, kur u kthyem nga lufta! Dhe...! Në fund shkoi pa më thënë lamtumirë! E joshi Amerika togeren amerikane ?!

- Nëna Razë, bëj gati filxhanat se u poçën kafetë!- u dëgjua në dritën e qiririt zëri i Xixës nga dhoma tjetër e tendës prej plasmasi.

 - Kur Xixëllonja i zbrazi kafetë nga xhezveja në filxhana, Lushi e luti edhe njëherë Xixëllonjën ta përsëriste emrin e të vjehrrës.

- Nëna Razë e thërrasin tërë katundi, zotëri! Mos ka ndonjë të keqe që edhe unë e thërras vjehrrën time nëna Razë?!

-Jo, jo , zonjë nuk ka asnjë të keqe! Meozallah! Por... kur thirre nënën Razë m’u duk sikur thirre nëna Nazë! Nëna Nazë është nëna ime që ka tretur pa gjurmë! Gruaja më shpirtbardhë e botës është!-

- Ndoshta është ashtu si thuani ju zotëri, por nënë Raza është engjulli i gjallë i kësaj bote!

 Ndërsa Xixëllonja e Lushi nisën muhabetin pak si me therra, nënë Razës i interesonte muhabeti që kishte nisur me musafirin.

-Dhe, nuk e gjete nënën a, ?- pyeti plaka.

- Jo, besa nuk e gjeta, por shpresa më mban se do ta gjej!- u përgjigj Lushi

- Punë e madhe nëse nuk e gjen një plakë! Sa djemtë e rinj kanë humbur pa shenjë e pa nishan e nënat  dhe nuset e shkreta prapë mundohen të gjallojnë, kurse ti paske shkalluar pas nënës! Ah, sikur të isha në vend të nënës tënde, do të vdisja e lumtur! Djalë e nip m’i morën përnjëherësh ata katilat! Gëzimi i vogël më shikoj dhembshëm kur ma morën nga dora! I luta të më vrisnin mua, por nuk deshën katilat! Edhe Ramën e morën, por ai nuk u ligështua! Djalë e nip me tel m’i lidhën dora-dorës! I pashë derisa i futën në zabelin e katundit! Veshët më ushtonin dhe më bëhej sikur dëgjoja krisma pushkësh, por pushkë nuk krisën në zabel! I kishin dërguar ashtu duarlidhur në kryeqytet! Kishin pas vendosur t’i vrisnin, por për hatër të një piktori që kishte pikturauar portretin e major Zhugës, të gjithëve majori u kishte falur jetën!!! Pastaj përsëri i kishte arrestuar njëfarë kolonel Xhungalliqi,  he rrufeja e vraftë, dhe i kishte dërguar në një burg privat në shtetin e tij! Por ani,  mirë që janë gjallë! Për të gjallin ka shpresa, shpresa vdes me gjithë të vdekurin posa të jap shpirt!

Lushit iu kujtua rrëfimi i Haram Harambashit për piktorin dhe Gëzimin e vogël që e kishte vrarë i biri i majorit dhe ajo përralla e kryeqytetit se gjeja major Zhuga kishte vrarë veten, por nuk reagoi ndaj bisedës së plakës që jetonte me shpresa të rreme.

-Dhe ti, motër,  u besove atyre rrenave, a?!- tha Lushi

- Jo, more vëlla, nuk janë rrena! Burri im Rama dhe im bir Gëzimi janë gjallë në një burg privat që kolonel Xhungalliqi kishte instaluar apostafat për të burgosurit e luftës?! Njëherë i patëm qarë si të vrarë, por deshi Zoti i Madh e fjalët dolën rrenë! Dy vjet i kërkuam nëpër male, por nuk i gjetëm! Fjalët na shpurën deri në kryeqytet për ta kërkuar atë dreç piktori, por as piktorin nuk e gjetëm dot! Të gjithë piktorët e kryeqytetit i takuam, por asnjëri nuk tha  se njihte Ramën apo Gëzimin! Bile, as që u interesoi fati i tyre! Kur hynim në atelietë e tyre gëzoheshin duke menduar se do ta blinim ndonjë pikturë, por sapo kuptonin hallin tonë, na përzenin! Medet, bre, krejt  kish vdekë burrëria në kryeqytet! Te ne, në fshatin Dhimbje, gratë kanë më shumë burrëri se atje burrat! Bile, piktorët e kryeqytetit nuk po bënin as për pesë para! Mburreshin që kishin qenë të mençur të gjenin rrugë për të hyrë me kohë në Korodorin e njëfarë Gligorovit e nuk e kishin parë katrahurën e luftës, kurse motivet e luftës në piktura i marrin sipas rrëfimeve të familjeve fatzeza!

- Lëri piktorët, moj motër , por më trego, si dolën rrenat  e  kryeqytetit?! Si vurët lidhje me atë katil Xhungalliqin?!- pyeti prapë me një lloj dyshimi Lushi.

- Halli na shpuri deri në pallatin e njëfarë Ziban Ziut në kryeqytet! Na tha njëfarë doktor Zebeku se të gjitha për të zhdukurit e luftës i di Zibani, por na u lut që doktor Zebekun ta mbanim në konfidencë.

- I njeh ti doktor Zebekun e Ziban Ziun?!- pyeti Xixëllonja.

- I njoh, more, si nuk i njoh! I tërë qyteti i njeh poshtërsirat e tyre të para, gjatë dhe pasluftës, por të lutem, vazhdo rrëfimin tënd!

- Nejse! Nuk dua ta thyej bindjen tënde, zotëri! Bindja ime për Zibanin është krejt ndryshe nga jotja! Burrë i mirë ishte Zibani, por pak frikacak! Si ishte pallati i  tij, more burrë, tamam, si pallati i filmit “Dinastia” Asi komoditeti nuk mund të gjesh as në Londër, Dubai e Vashington! Si pallat ëndrrash, ishte pallati i Zibanit, more vëlla!

- Pastaj? –pyeti Lushi kurreshtar.

- Pastaj… ! ? Eh, ç’mu shkëput fija e mendimeve! Ku mbeta , bre?

- Te pallati i Zibanit!- u përgjigj Lushi.

- Eh, po mirë! Tash e mora veten!- u përgjigj Xixa.

- Sapo i treguam unë e vjehrra hallin pse kishim shkuar në pallatin e tij, Zibani pa përtesë e mori në telefon atë kolonel Xhungalliqin! Folën gjatë në gjuhën e shkijeve, por nuk morëm gjë vesh ç’flisnin, por ashiqare kuptuam se Zibani e Xhungalliqi ishin miqë të vjetër! Sa herë fliste, Zibani qeshte! Dukej shumë i gëzuar! Disa herë përmendi emrin e Ramës dhe Gëzimit dhe pastaj dëgjonte duke thënë: “Ëhë! Ëhë! Mirë! Mirë! Shumë mirë! Ashtu , pra kujdesu, sidomos, për Gëzimin e vogël?! Shumë faleminderit! Pra, do të dëgjohemi përsëri sot dy javë në po këtë kohë!” Pasi lëshoi kufjen e telefonit sa nuk u alivanosëm nga ankthi i përgjigjes së Ziban Ziut! “Paskan lindur me fat, djali e nipi yt, zonjë! Gjallë qenkan edhe Rama edhe Gëzimi! Po jetuekan në burgun e kolonel Xhungaliqit si mbreti  me princin në saraj!? Por, me keqardhje ju them , ashtu si më tha miku im i Beligradit, se janë mërzitur shumë pa ju dëgjuar  zërin tuaj! Pastaj brenga  për fatin  tuaj të luftës dhe pasluftës po i mundueka shumë!  Sot dy javë caktuam kohën kur do të flisni me Ramën e Gëzimin, por me keqardhje ju them se biseda do të kushtojë dhjetë mijë marka gjermane! Nëse sot dy javë i sillni paratë do të flisni gjysmë ore me të dashurit tuaj, nëse nuk do t’i sillni paratë, çdo gjë do të mbarojë me kaq?!

-Dhjetë mijë marka !!!- tha nënë Raza. Ku t’i marr dhjetë mijë marka more burrë?! As zog pule lufta e mallkuar nuk më ka lënë para derës!- prapë pyeti nëna Razë.

-Unë nuk i marr paratë moj zonjë për vete! Paratë do t’i marrë kolonel Xhungaliqi! Unë , si bëmirës që jam, vetëm shërbimin do t’ua kryej?! Meozallah të hyjë paraja haram në xhepin tim! Unë i kuptoj hallet tuaja, por në çmim nuk lëshon pe miku im! Çmimin e ka të prerë dhe të padiskutueshëm! Nëse vërtet i duani Ramën e Gëzimin, sot dy javë ejani me para! Më tej nuk e diskutoj këtë punë! Kam punë të miat, mori zonja!- na tha  Zibani , ndërsa dilnim nga pallati i tij! Kush i lanë paret i bie kavallit! - iu ka thënë Nastradini çobanëve, që kërkonin kavalle nga Nastradini!”-përfundoi Xixa.

- A është kjo e tëra me Zibanin, zonjë?- pyeti Lushi kureshtar. A i mori paratë Ziban Ziu?

- Sa i padurueshëm qenke, zoti Lush! Dy javë zgjati ankthi im dhe i time vjehërr! Shitëm ç’patëm e ç’nuk patëm! Shitëm bagëtitë që i shpëtuan luftës! Shitëm ara e livadhe dhe brenda dy javësh arritëm përsëri në pallatin e Ziban Ziut me para në xhep! Na priti e na gostiti mirë Zibani ! Me makinën e tij na shëtiti nëpër të gjitha rrugët e kryeqytetit dhe në fund hyrëm në një pallat në qendër të kryeqytetit, që ishte edhe më i bukur se pallati i Zibanit! Lart në fasadën e pallatit të Ziban Ziut ndizeshin e fikeshin dritat ngjyrash të ndryshme, që shkruanin “Casino”! Kur hyrëm brenda kish pasur burra e gra të veshur  deng që pinin raki e luanin bixhoz! Vajza gjysmëlakuriqe për turp të Zotit u shërbenin atyre pizevengëve të kryeqytetit! Po më vjen turp t’i rrëfej turpet që i kemi parë me time vjehërr në atë pallat të kryeqytetit! Pastaj Zibani na shpuri në një dhomë në katin e katërt për të cilën thoshte se ishte zyra e shefit! Kur hyrëm  brenda , Zibani na takoi me dy burra e një grua, kurse vetë doli jashtë! Besa iu frikuam më të keqes, kur e mbyllën  derën  me dry! Dy burrat, pasi na pyetën nëse i kishim paratë me vete , na sollën nga një kafe dhe na thanë të prisnim pak derisa të vënin lidhjet telefonike me Ramën e Gëzimin! I tërë trupi na dridhej mua dhe nënë Razës, more vëlla! Një minutë, derisa cingëroi telefoni, na u duk sa njëmijë vjet... Kafetë e  shkreta  na u lidhën në fyt!

- Dhe, a cingëroi telefoni?!- pyeti përsëri Lushi.

- U vonua pak, por telefoni cingëroi?! Receptorin e telefonit e mori burri  tjetër, që e quanin Harun.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora