Kulturë
Besim Muhadri: Poezia e Din Mehmetit në kontekstin e letërsisë bashkëkohore shqipe
E hene, 15.11.2010, 10:56 PM
POEZIA E DIN MEHMETIT NË KONTEKSTIN E LETËRSISË BASHKËKOHORE SHQIPE
Nga Besim Muhadri
Në vend të biografisë
Din Mehmeti lindi më 7.V.1929, në Gjocaj të Junikut, rrëzë Alpeve të bukura, me plot madhështi natyre. Ai lindi dhe u rrit me krenarinë e kullave historike të vendlindjes, me këngët dhe legjendat, të cilat siç do të shprehet vetë në një rast “do t’ia shprushin shpirtin dhe mendjen”, për t’u bërë më pas një personalitet që do të lëjë gjurmë të pashlyeshme jete dhe krijimtarie letrare.
Dhe nga Gjocaj zbriti në Junik e më pas edhe në qytetin e Gjakovës, prej nga mori rrugën e gjatë të pasurimit të shpirtit të tij të shprushur nga afshi i pashuar për dije, kulturë dhe art. “Në këtë qytet kisha ardhur i ngarkuar bukur shumë me mentalitetin e malësorit. Me vete kisha marrë këngët dhe legjendat që kisha dëgjuar nga më të vjetrit, me të cilat edhe isha rritur. Ato këngë dhe legjenda që këndoheshin dhe rrëfeheshin në odat e burrave, atje në fshatin tim rrëzë Bjeshkëve të Nemuna…”, do të shprehej poeti në një rast, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me këtë çështje[1].
Në Gjakovë do të kryejë shkollimin e mesëm (1952), ndërsa më pas (1955) do të regjistrohet në degën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit, ku, siç e pohon edhe vetë, do të pasurohet me dituri të reja në fushën e letërsisë dhe të artit poetik. Aty njohtohet me letërsinë kombëtare dhe atë botërore, informacione që i kishin munguar gjatë viteve të shkollimit të tij fillor dhe të mesëm.
Arti poetik tani i kishte pushtuar shpirtin dhe ndjenjën. Prandaj shkruante. Leximi dhe shkrimi i plotësonin talentin e tij të lindur. “Talenti mund të zhvillohet vetëm me punë të vazhdueshme. Lexo, mëso, shkruaj !” Kjo ishte porosia e Esad Mekulit, kryeredaktor i revistës së parë letrare në gjuhën shqipe, që filloi të botohej në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore, dhënë Din Mehmetit pas botimit të poezisë së parë të tij, në numrin e dytë të revistës letrare “Jeta e re” më 1949. Këto fjalë më pas poetit të ardhshëm do t’i shërbejnë si një testament i fuqishëm, të cilat do t’i nguliten thellë në mendje dhe, siç vërehet, por siç e pranon edhe vetë poeti, do t’i bëhen udhërrëfyese gjatë tërë jetës dhe rrugëtimit të tij letrar.
Ndonëse sprovat e para në poezi, siç e shohim, i bëri në vitin 1949, vetëm dymbëdhjetë vjet më vonë (1961) ai do të dalë me librin e tij të parë, i cili u cilësua dhe u mirëprit, si nga ana e lexuesve, ashtu edhe nga ana e kritikës së atëhershme letrare. “Me përmbledhjen Mbi krahët e shkrepave, Din Mehmeti ka kontribue në lamën e poezisë sonë bashkëkohore, por i ka mbetë borxh bukur shumë bindjes s’atyne që besojnë në prirjen dhe poezinë e tij”[2], do të shkruante në mes tjerash kritiku letrar Hasan Mekuli, në vlerësimin e tij për poezinë e Din Mehmetit, të përfshirë në librin e parë. Është ky një vlerësim real, i cili i sygjeron poetit që të jetë më këmbëngulës në punën krijuese, ngase nuk i mungonin prirja dhe talenti.
Din Mehmeti vazhdon të shkruajë dhe të botojë edhe në vitet e ardhshme. Poezia e tij do të bëhet frymëzuese për gjenerata të tëra, qoftë letrare, qoftë joletrare, e cila do të lexohet me ëndje dhe do të futet si literaturë e domosdoshme shkollore në të gjitha nivelet, ndërsa autori i saj të bëhet një nga personalitetet e shquara letrare i viteve ‘60.
Rrugëtimi poetik i Din Mehmetit nuk do të ndalet as në kohë më të vështira. Pas botimit të librit të tij të parë me poezi, Mbi krahët e shkrepave, ai do të botojë edhe dhjetra libra të tjerë me poezi dhe një dramë. Do të prezantohet pothuajse në të gjitha antologjitë poetike të poezisë bashkëkohore shqipe, të botuara qoftë në gjuhën shqipe, qoftë edhe në gjuhë të huaja, në të cilat vazhdimisht do të zë një vend të merituar. Prandaj, duke pasur parasysh rëndësinë e pakontestueshme të këtij poeti, studiuesi dhe historiani i letërsisë sonë, akademik Rexhep Qosja në një rast do të shprehej se “Din Mehmeti ka dëshmuar se është njëri prej poetëve të shquar të letërsisë shqipe, pa emrin e të cilit historia e saj do të ishte më e varfër për një vizion, për një disponim, për një shprehje dhe për një ndjeshmëri autoktone”[3], ndërsa studiuesi dhe kritiku letrar, prof. dr. Agim Vinca, në një vlerësim për librin me poezi As në tokë, as në qiell[4], që është edhe një vlerësim i përgjithshëm për poezinë e Din Mehmetit, veç të tjerash shprehet: “...Din Mehmeti dëshmon se i qëndron besnik vokacionit të tij poetik si poet i vendlindjes dhe i njerëzve të saj, si poet i situatave ekzistenciale dhe i përjetimit dramatik të tyre, si poet i kontrasteve dhe i antitezave të fuqishme. Ankthi i ekzistencës dhe melankolia e malësorit përbëjnë lajtmotivin e tërë poezisë së Din Mehmetit, e cila nga libri në libër, i ngjan një poeme në vazhdime”.[5]
Din Mehmeti deri më tani ka botuar këta libra poetikë: “Në krahët e shkrepave”, 1961, “Rini diellore”, 1966,“Dridhjet e dritës”, 1969, “Heshtja e kallur”, 1972, “Ora”, 1974, “Ikje nga vdekja”, 1978, “Fanar në, furtunë”, 1971, “Kosovë, zog i diellit”, 1982, “Fatin tim nuk e nënshkruaj”, 1984, “As në tokë, as në qiell”, 1988, “Gjaku që këndon”, 1993, “Prapë fillimi”, 1996, “Lumturia është mashtrim”, 1999, “Mos vdis kur vdiset”, 2001 dhe “Verbim i bardhë”, 2004 (që të gjitha të botuara në Prishtinë), ndërkaq atij në Tiranë i janë botuar edhe disa vëllime poetike, që janë një përzgjedhje e poezisë së tij të botuar në Prishtinë, si: “Mallkimi i gjakut”, “8 Nëntori”, 1973, “Poezi” (përzgjedhje nga Fatos Arapi), “Naim Frashëri”, 1985, “Klithmë është emri im”( përzgjedhur nga Agim Vinca), “Toena”, 2002 dhe “Antologji personale” ( përzgjedhur nga vetë autori), “Ora”, 2004 dhe “Zjarri i këngë”, “Toena, Tiranë, 2008.
Dhe, Din Mehmeti, “ndër përfaqësuesit klasikë më të mirënjohur të poezisë së sotme në Kosovë”[6], me të gjitha këto vepra të shkruara dhe të botuara, tashmë ka hyrë në historinë e letërsisë shqipe si një poet i dëshmuar i kombit. Tematika e poezive të tij kap një gamë të gjerë, ndërsa shqetësim kryesor, në të gjitha kohët dhe periudhat krijuese të tij, ishte dhe është fati i atdheut dhe i kombit. Metafora e kullës, si simbol qëndrese dhe lashtësie, ajo e gjakut dhe shumë figura të tjera tashmë janë sinonim i një poezie plot identitet, që mban vulën e penës së një poeti të përmasave kombëtare, siç është Din Mehmeti, ndërkaq, poezia e tij“s’është tjetër pos një këngë e gjatë, në variacione, për rëniengritjet e njerëzve të këtij trualli gjatë shekujve dhe sidomos në shekullin e fundit…..”[7].
“Krijimtaria poetike e Din Mehmetit, në të vërtetë, është porsi krijimtaria e Migjenit dhe Esad Mekulit, më tepër zë i durimit, i vuajtjeve, por edhe i dëshirave të pashuara të këtij njeriu për një jetë më të lumtur dhe të denjë”[8]. Ndërkaq librat e Din Mehmetit, në çdo kohë, kanë zgjuar reagime estetike dhe dalja e tyre në dritë ka qenë një manifestim dhe ngjarje e rëndësishme letrare në Kosovë.
[1] Din Mehmeti Librat shumë të mirë i shkruan Zoti me dorën e poetit, intervistë e bërë nga Besim Muhadri. Jeta e re nr. 2,
[2] Hasan Mekuli, Jeta e re nr. 1 (botim jubilar me rastin e 70-vjetorit të lindjes së D. Mehmetit), Prishtinë
[3] Rexhep Qosja, Shkrimtarë dhe periudha, f. …..
[4] Din Mehmeti, As në tokë, as në qiell, “Rilindja”, Prishtinë 1988.
[5] Agim Vinca, Orët e poezisë, “Rilindja”, Prishtinë
[6] Robert Elsie, Një fund dhe një fillim, “Buzuku”, Prishtinë
[7] Agim Vinca, …….
[8] Rexhep Qosja, Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, Instittuti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë