E premte, 09.05.2025, 01:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Jeta dhe loja e Din Mehmetit

E marte, 16.11.2010, 09:31 PM


Elsa Demo - Shekulli, 13/11/2010

Din Mehmeti ndërroi jetë në moshën e 81-vjeçare. U preh dje në Gjakovë vendi ku jetoi përgjithmonë dhe shkroi për gjashtëdhjetë vjet. Rrallë udhëtoi dhe pak është prezantuar me lexuesin në Shqipëri. Intervista që po ribotojmë, është marrë në Tiranë më 2 nëntor 2004, kur dilte "Antologji personale" më e mira e krijimtarisë së tij. Din Mehmeti tregonte për ngjarjen e vitit 1999, kur policia serbe ia behu në shtëpinë e tij për ta ekzekutuar


Në pranverë të vitit 1999 u hap lajmi se tetë intelektualë kosovarë u vranë nga policia serbe. Mes tyre poeti Din Mehmeti. Po atë kohë televizioni italian RAI transmetonte një emision për poetin, i menduar i vdekur, dhe aty akuzohej hapur regjimi i Millosheviçit për këto vrasje. Edhe ai vetë ka pyetur kush e sajoi këtë lajm. Si ndodhi që Din Mehmeti të gjendet në atë listë që gjoja e kanë vrarë bashkë me Idriz Ajetin, Fehmi Aganin e disa të tjerë. Ndodhej në shtëpinë e tij në Gjakovë duke parë televizorin kur u dha lajmi se janë vrarë mizorisht 7-8 vetë, shkrimtarë e shkencëtarë kosovarë. U çudit. Në atë moment e bindi të shoqen të iknin nga shtëpia, sepse mendoi që të tjerët i kishin vrarë dhe do të vinte radha e tij.


Niset në një lagje tjetër të qytetit. Ndenjën tri ditë atje. Kur e panë i thanë se kishin dëgjuar të befasuar të njëjtën gjë. Për Gjakovën ishte vendosur të rrënoheshin shtëpitë, njerëzit të vriteshin. U kthye në shtëpi pas disa ditësh. Përpjekjet për të ardhur në Shqipëri, dështuan. E zunë në stacion. E dërguan në një fabrikë ku u ngujua me pjesën tjetër të qytetarëve të Gjakovës, deri sa policia serbe i la të lirë të kthehen në shtëpi. Katër milicë serbë ia behën më vonë tek ai. Menduan ta ekzekutonin në oborr. Por e kontrolluan një herë për armë, nuk kishte dhe hynë në shtëpi. I kërkuan përsëri të tregonte ku i fshihte armët që i jepte ushtarëve të UÇK-së.


Poeti i drejtoi për nga biblioteka. Të katër i hodhën sytë librave pa fund. Mbi tryezë panë dy prej tyre. Ishin vjershat e Din Mehmetit botuar në Beograd, në gjuhën serbe dhe disa përkthime frëngjisht, gjermanisht. I panë. Këqyrën foton e autorit. Ishte po ai që kishin përballë. Për një minutë kanë parë njëri-tjetrin, pa folur. Vendosën me sy. Një prej tyre tha: "Po të falim!". "Falemnderit" ishte përgjigja. Dolën. Njëri prej tyre ndali tek shkallët. "Mbaje mend çka po të them. Ne kemi ardhë për të të vrarë. Nuk po të vrasim se qenke shkrimtar. Po ne jemi prej Vojvodine.


Po sikur të kishin qenë këta serbët prej Kosove do të të kishin vrarë". Kështu ndodhi. Din Mehmeti vazhdoi të jetojë në shtëpinë e vet. Gjithë natën rrinin roje. Herë ai, herë e shoqja. Rrotull bombardohej. Jeta nuk ishte aspak e sigurt dhe nuk mund të largoheshin. Ishin të vonuar. Dikur e shoqja nuk kishte dashur të linin shtëpinë. Por kur filloi të bëhej jeta e padurueshme, dëshironte të iknin. Rrugët ishin mbyllur. Të gjitha i tha me gojën e tij, Din Mehmeti, shëndosh e mirë, në Tiranë, këto ditë nëntori në vitin 2004. Dialogun e milicit e tregoi në gjuhën e atyre njerëzve që kishin ardhur për ta vrarë, ditën kur jeta e tij matej me kutin e lojës së vdekjes së paralajmëruar në lajme.

Një biografi për poezinë e Din Mehmetit nga Din Mehmeti vetë. Një histori poetike, se si u krijuan poezitë, ku i merrte motivet, cilat ishin rrethanat, nga poezia në poezi, nga përmbledhja në përmbledhje. Kjo është "Antologjia personale" botim i "Ora" 2004.Din Mehmeti u lind në Gjocaj të Junikut më 1929. Shkollën fillore e kreu në Junik, të mesmen në Gjakovë, ndërsa Fakultetin e Filologjisë, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Beograd. Në historinë e letërsisë shqipe është vlerësuar një nga poetët më përfaqësues klasik të gjallë të letërsisë shqipe në Kosovë. Ai ka botuar rreth 15 libra në vitet 1961-1999: "Në krahët e shkrepave" 1961, "Dridhjet e dritës" 1969, "Heshtja e kallur" 1972, "Prapë fillimi" 1996, "Mos vdis kur vdiset" 2001 etj.


Tregimet, përrallat, legjendat, fjalët e urta përbënin letërsinë e famshme të fëmijërisë së tij, pasi siç e përshkruan në antologjinë në fjalë se si u bë poet, atëkohë "në shtëpinë tonë nuk kishte asnjë libër të shkruar". Influencat nga fëminia e legjendave, përrallave, eposit dhe Këngëve të Kreshnikëve, shumë nga të cilat ishin këngë që i ati i këndonte dimrave, ndihen në vargjet e Mehmetit. Dy vëllimet e fundit poetike janë përjetime dhe refleksione nën peshën e ngjarjeve tragjike në Kosovës "Fatin tim nuk e nënshkruaj" dhe "Lumturia është mashtrim".


Keni shkruar 15 libra, përse e ndjetë të nevojshme të shpjegoheshit si u bëtë poet në një "Antologji personale"?


I shtyrë nga nevoja e brendshme, për t'i shprehur tjetrit diç në formë të ëndrrës, në një mënyrë të drejtpërdrejtë, për të parë të tjerët se ç'mendoj unë dhe ç'ka ndjej unë dhe më në fund për të vërtetuar se kush jam unë në sy të të tjerëve, me vete. A vlej unë dhe sa vlej unë. A mundem unë të them diçka të vlefshme apo vetëm është bjerrje, kohë e humbur. U bëra poet ndofta edhe pse kisha ardhur në këtë botë me një farë dhuntie për të shkruar. Më pëlqente ritmi. Unë kam rënë në kontakt me këngët popullore qysh i vogël dhe kam parë sa e nevojshme është për njeriun dhe për popullin kënga popullore e cila e ngushëllon dëgjuesin, sidomos atëherë kur ai i humb betejat praktike në jetë. Dhe atëherë pikërisht i kthehet këngës për të fituar betejat e humbura.


Keni thënë se motivet nga fëmijëria që kanë ndikuar më shumë tek ju janë të natyrës bukolike. Mendoni se këto kanë qenë përcaktuese në identitetin tuaj si poet?


Poeti është para së gjithash një njeri i rritur në një ambient familjaro-shoqëror të një vendi. Gjithsesi mendoj se fëmijëria është dominante që në fillim deri në fund, gati do të thoja se nuk ka fund të paraqiturit e fëmijërisë në poezi. Ajo trajtohet në mënyra e variante të ndryshme. Në fillim isha pro natyrës, sepse jam rritur në një vend me një bukuri të paparë, në rrëzë të Bjeshkëve të Nëmura, prej ku duket rrafshi i Dukagjinit. Ishte jeta baritore, në Bjeshkë, dramat e vogla e të mëdha të njerëzve, dashuria. Të gjitha këto ishin një nga burimet e motivacionit të poezisë sime. Por unë iu ktheva meditacionit. Në fillim poezia ka më shumë ndjenjë se mendim. Mendimi duhet të sjellë aq ndjenjë sa i duhet. Kur ndjenja e mund mendimin duket si një gjë e mjerë. Është një zhurmë që e pengon idenë të shkojë deri në fund.


Pavarësisht ndikimit që mund të ketë patur në fillimet tuaja përvoja e të jetuarit shumë pranë natyrës, ju mbështesni parimin se arti ia kalon jetës.


Mendoj kështu për arsye se bukuria natyrore është krijuar prej një force tjetër që nuk i takon njeriut dhe pikërisht pse nuk i takon atij, ajo është edhe statike, e rëndë. Është një bukuri që nuk e ka krijuar shpirti i njeriut. Por poetët duhet të mbështeten tek natyra për aq sa duhet, për të krijuar një bukuri të natyrës njerëzore. Kjo bukuri e natyrës njerëzore është më e thellë se bukuria natyrore. Të dyja këto bukuri mund të kenë lidhje mes tyre, por më e thellë është ajo bukuri që krijon njeriu për njeriun.


Keni nisur të shkruani, pa e njohur letërsinë e madhe, madje jeni rritur në një ambient familjar ku nuk kishte as edhe një libër. Kur jeni ndjerë më i lirë për të shkruar, atëherë "kur nuk dinit asgjë", apo kur keni njohur të mëdhenjtë e letërsisë dhe rregullat e saj?


Kam shkruar pa pasur njohuri të madhe për poezinë dhe atëherë poezitë e mia ishin më tepër një shfryrje emocionale. Një përshkrim i drejtpërdrejtë, dhe me rëndësi ishte të zbrazje krejt shpirtin në poezi. Më vonë lexova të mëdhenjtë, sidomos poetët francezë Bodler, Rembo, Malarme, Verlen, apo Tagora, Garsia Lorka, Nazim Hikmet, Neruda, nga të cilët të gjithë kemi mësuar si shkruhet poezia, një art i vërtetë. Unë mësova diçka prej të mëdhenjve: shumëçka e tyre gjendet në mua, por gjendet në mënyrë të veçantë dhe ajo e veçantë po më jepte mundësinë për t'u shprehur në mënyrën time dhe për këtë nuk është e mjaftueshme të presësh motivin të vijë, por motivi duhet kërkuar. Pra leximi i të tjerëve të jep mundësinë për të parë veten. Dhe kjo është fatbardhësi. Kjo është ajo që e mban shkrimtarin, e bën ndoshta shkrimtar, që e bën të mos jetë i shterur.


I referohemi, në përmbledhjen e përgatitur nga ju vetë, poezisë "Autoportret", një vargu në veçanti që identifikon bindjen tuaj për jetën, për atë që njeriu ka në dorë dhe atë që nuk varet më prej tij: Fatin s'e nënshkruaj, a është kjo një filozofi e antikompromisit tuaj?


"Fatin s'e nënshkruaj" është një varg gjithsesi që përsëritet në vjershën time, një sens në vete, por është një njehsim i fatit tim individual me atë kolektiv.Jam rritur në një klimë ku deri pas luftës kemi qenë gjithnjë të ndjekur e të përgjuar nga agjentura jugosllave. Pastaj janë edhe disa gjëra pak më intime tek unë, diçka në jetën time të cilat nuk mund të thuhen krejt, që më shtyjnë të them "Fatin s'e nënshkruaj". Mirëpo si i bëhet nëse i shtojmë kësaj edhe fatin historik që tregon se populli ynë mbeti kështu i shpërndarë me disa shtete, i lënë pas dore, i shkelur prej të tjerëve, i dërrmuar prej luftërave, madje edhe ato përpjekje që i bëri i humbi në luftëra. Pra është një fat kolektiv që më sugjeron të kërkoj gjenezën e gjithë kësaj. Ndoshta në fillim të fillimit është bërë një gabim që ne shqiptarët mbetëm të tillë: i vetmi popull i Ballkanit që e përjetoi më së rëndi tragjedinë, kohë pas kohe duke u bërë populli më i vogël i Ballkanit me atë çka thoshin rilindësit, duke u zvogëluar e duke u stërhequr. "Fatin tim s'e nënshkruaj" mund të përkthehet edhe ndryshe: e tillë ishte rruga e popullit tim. Por unë nuk pajtohem me këtë.


Obsesioni se po ju ndjek kush, se po ju përgjon. Diçka të ngjashme si shqiptarët e Kosovës, kanë kaluar shqiptarët e Shqipërisë në kohën e regjimit. Deri ku ka arritur t'ju përndjekin?


Ka arritur deri aty sa është bërë fobi, frikë, frikë nga ndjekja. Është edhe një sëmundje nervore kjo. Është një çrregullim nervor që arrin deri aty, sa njeriu mbushet sa bëhet i vetëdijshëm se dikush është duke e ndjekur për ta burgosur, madje edhe për ta vrarë. Pas disa vitesh ajo është një frikë potente, tmerruese prej të cilës njeriu nuk ka ku fshihet. Mirëpo, pavarësisht forcës që ka, ajo shërohet.Kjo vjen nga tortura psikike karshi tjetrit, karshi atij që don ta vrasësh. Ne kemi qenë të ndjekur për shkak se organet sllavo-komuniste mendonin se jemi nacionalistë, se jemi për Shqipërinë e Madhe, se donim ta bashkonim Kosovën me Shqipërinë, donim e çka s'donim, të rrëzonim sistemin jugosllav. Na ndiqnin se ishim intelektualë. Dinim diçka për kombin tonë, të ndërgjegjësuar për pozitën tonë në shoqëri.


Antologji Personale


PSE U BËRA POET?Din Mehmeti


Poet u bëra se kisha ardhur në këtë botë me një dhunti për të kënduar dhe për të shkruar poezi. Dëshirën për këngë e gjeta në shpirtin tim kur këndoja këngë popullore, por edhe në shpirtin e popullit tim, i cili këndonte edhe kur gjendej në luftë, për t'i ndihmuar pushkës, ndërsa pushka, me krismat e veta, për t'i ndihmuar këngës; u bëra nga nevoja e brendshme për t'i thënë vetes e njerëzve të tjerë që jetonin në mua diçka në formë të ëndrrës apo përrallës atë që më mundonte, atë që e ndjeja ndryshe nga ta; u bëra për ta njohur veten në sytë e të tjerëve se kush isha, kush jam dhe ç'mund të bëhesha; u bëra ndoshta pse isha i ndjeshëm ndaj pakënaqësive që sillte në mua koha për të reaguar kundër saj; u bëra se shkrimi i përgjigjej natyrës sime më mirë së çdo gjë tjetër; u bëra poet se magjia e fjalës ma lëkundi shpirtin, m'i zgjoi mendimet dhe ndjenjat për t'i shprehur hidhërimet, dashuritë, vuajtjet, ndonjëherë edhe çmenduritë, që mbaja në vete; u bëra, siç thoshte Rembo "për t'i shtrydhur nga vetja të gjitha helmet"; poet u bëra për të luftuar kundër të keqes së jetës sime dhe së keqes së jetës së të tjerëve.


E them këtë, sepse në fillim të krijimtarisë mendoja se me anë të poezisë, mesazhit të saj, mund të ndërroja gjendjen e vështirë, se do t'i bëja njerëzit më të mirë se sa janë, por më vonë e kuptova se fjala poetike është e pafuqishme të bëjë mrekullira; u bëra për t'i shpluar e zhveshur fytyrat e idhujve të rrejshëm, që nuk ngopeshin me gjakun e të tjerëve; u bëra për ta pastruar shpirtin tim nga ndytësitë e shumta të jetës si dhe për të dënesë ndonjëherë vetiu për diçka të largët dhe të paarritshme, që më përfytyrohej dhe fanitej para sysh në formë të ndryshme, ndoshta për shkak të mosplotësimit të shumë dëshirave; u bëra poet për t'i treguar rëniet, ngritjet, zhgënjimet, ëndrrat, shpresat e mia dhe të atyre që jetonin në mua dhe rreth meje; u bëra, sepse shkrimi u bë dashuria dhe pasioni im, u bë mënyrë e të jetuarit;


u bëra poet për t'u shkrirë në vargje si qiriri i Naim Frashërit për të dhënë "pakëz dritë", apo për të ngritur një grusht të fortë migjenian për t'i rënë fuqishëm "malit që s'bëzan"; u bëra poet edhe duke lexuar librat e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë e kombëtarë, prej të cilëve mësova se ç'është poezia, ç'rol ka dhe si duhet të shkruhet ajo; poet u bëra duke gdhendur vargjet e mia derisa prekja në dhembjet e zgjimit tim madhështor diku në fund të vetes, derisa i gjeja flatrat e lirisë sime duke u rritur në çdo varg; u bëra për ta përshkruar jetën e fëmijërisë sime në fshat, në bjeshkë, në vërri, për të bërë poezi nga dashuritë e mia me vajzat e bukura të vendit tim, që ma bënë të lumtur rininë time të hershme; u bëra poet për të shkruar për krenarinë e babait tim, i cili mbante flamurin kuqezi në gji sa herë shkonte në luftë, për t'i përkujtuar krismat e pushkës së tij për ta mbrojtur jetën dhe atdheun.


Poezia më dha mundësi të hedh dritë në dashurinë e nënës sime, për t'i kujtuar puthjet e ngrohta që m'i falte në fëmijëri, për t'i mos harruar sytë e saj të shndritshëm të shkrirë në paqe, dashuri, drejtësi e humanizëm. Poet u bëra nga dëshira për të ëndërruar çudira mbi çudira, për të fluturuar hapësirave të pafund në mënyrë imagjinative, për të kërkuar atë që s'e kisha në jetë, për të krijuar një hapësirë të lirë estetike sa për të jetuar; u bëra poet për ta ndrydhur e shtrydhur nga shpirti im dhembjen time që ndjenja për fatin tragjik të popullit tim, i cili më rëndonte mbi supe dhe më bënte të vuaja, vuajtje kjo që më bluante përbrenda gjatë jetës...


Gjakovë, prill 2004

 



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx