E premte, 09.05.2025, 03:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Margita Markaj: Një roman mbi krimet politike në Kosovën e pasluftës

E hene, 15.11.2010, 10:59 PM


NJË ROMAN MBI KRIMET POLITIKE NË KOSOVËN E PASLUFTËS

 

Pal Ndrecaj: “Lista e zezë”, roman, botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë 2010

 

Nga MARGITA MARKAJ

 

Vepra  “Lista e zezë” e shkrimtarit  Pal  Ndrecaj është një roman i tipit kriminalistik, i cili temën e merr nga zhvillimet aktuale politike në Kosovë, në fazën e formimit dhe konsolidimit të institucioneve shtetërore. Romani është një kronikë e tmerreve dhe  krimeve politike në Kosovën e pasluftës.  Ngjarjet e këtij romani nisin në kohën e përpjekjeve për formimin dhe konsolidimin e pushtetit në Kosovë, duke pasur në fokus zgjedhjet e vitit 2001.  Është koha e ngritjes së shtetit të ri, në të cilin gara për pushtet shpërfill tej mase mjetet politike. Lufta e partive për votën kalon në terrenin më ekstrem. Mënyra më e mirë për të eliminuar kundërshtarin potencial politik bëhet eliminimi fizik i tij. Intrigat në roman shkojnë aq larg sa në krime përfshihen struktura të larta të partive politike kosovare. Një vend të rëndësishëm në fabulën e romanit zë përpjekja e partive për të vënë dorë mbi bizneset. Taksa të imponuara që synojnë të mbushin arkat e partive, zingjiri i zgjatur i  krimit të organizuar  që shtrihet edhe në vende të tjera të Ballkanit, fytyrat e nacionalizmave që nxiten e zhvillohen  nga një raport kushtëzues me njëri-tjetrin, janë pamje interesante që kalojnë nëpër faqet e romanit.

Ashtu, sikurse ka vërejtur edhe shkrimtari e studiuesi Mr. Besim Muhadri  romani “Lista e zezë” “është një prozë e shkruar ndryshe nga ajo që jemi mësuar të lexojmë deri më tani. Dalja në dritë e këtij romani, tingëllon si një thyerje “konvencionale” e tabuve dhe shablloneve tematike”.

Personazhi kryesor i romanit, Uran Budi, është ekzemplari tipik i një patrioti që sakrifikon karrierën dhe jetën e tij për atdheun. Ai është përfaqësues i njeriut të sinqertë, i një idealisti të përkushtuar, i cili nën ndikimin e propagandës, pas luftës rrëshqet në pozitat e një  ekstremisti të dëmshëm për veten dhe shoqërinë. Duke qenë në qendër të fabulës së romanit, ai u jep  kahe të gjitha ngjarjeve të kësaj vepre që shpalos një realitet të hidhur nga aktualitetit politik në Kosovë. Budi, përfaqëson tipin e atdhetarit të mirëfilltë, të cilit i është shpërlarë truri për qëllime krejtësisht të kundërta me idealin e tij. Si një njeri i përpunuar, ai nuk ngurron të viktimizojë të tjerët, me çka i ”shkruan” një përfundim të njëjtë edhe fatit të tij, duke shkaktuar në shpirtin e lexuesit përjetime dramatike shumë të rënda. Transformimi i karakterit dhe psikologjisë së këtij personazhi nga një atdhetar idealist në një njeri të rrezikshëm bëhet në mënyrë shumë interesante.

Korrupsioni përfshin të gjitha sferat e jetës, partitë, policinë, gjyqet…

Ekstremizmi partiak nuk mund të realizojë qëllimet e tij pa ndihmën edhe të mjeteve të informimit. Roli i një shtypi të korruptuar dhe të vënë në shërbim të politikës paraqet një pjesë tjetër interesante të jetës, që shpaloset në faqet e këtij romani.

Duke pasur përvojën e një gazetari me një aktivitet të begatshëm hulumtues, shkrimtari Pal Ndrecaj i ka thurur mjeshtërisht ndërhyrjet e politikës në informim dhe pasojat që lënë ato.

Një figurë interesante në roman është edhe ajo e gazetarit Priam Hasi, i cili me vetmohim i çaset misionit të tij hulumtues, me çka bie në kundërshtim me synimet politike të qarqeve të caktuara. Duke e vënë këtë personazh përballë  përpjekjes për të ndriçuar një vrasje politike  të kryer në Gjakovë, autori ndërton një tablo të ndjeshme të jetës në mjedisin tonë, ngase në atë vrasje janë ndërthurur plane dhe synime të përbashkëta të disa qarqeve politike në vend, duke vënë në dukje anë    të zymta të jetës së një shoqërie që përplaset nga synimet e errëta të  politikave radikale në një shoqëri, të cilës ia zë frymën korrupsioni dhe egoizmi.

Përplasjet politike në roman ndodhin edhe si pasojë e vazhdimit të politikave shoviniste në Serbi, si dhe në paaftësinë dhe korrupsionin e disa qarqeve politike që përfaqësojnë Misionin ndërkombëtar në Kosovë.

Tema shumë “e nxehtë” e romanit, qasja tejet e guximshme e autorit ndaj problemeve aktuale, si dhe fabula aq interesante, e cila ndjek në hollësi zhvillimet në vend, e mbajnë të ngulitur lexuesin përgjatë gjithë kohës së leximit.  

Guximi i autorit për t`iu çasur një teme të tillë me mundësi jo të pakta rreziqesh, mendoj se prek kufijt e një guximi dhe përgjegjësie të lartë intelektuale dhe thërret për nevojën e ngadhnjimit të shkrimtarëve  mbi çdo tabu, me bindjen e plotë se reparimin e defekteve shoqërore nuk e bën asgjë më mirë se arti.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx