E shtune, 07.06.2025, 08:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Ardian Vehbiu: Standardi - Rishikim dhe mirëmbajtje

E marte, 16.11.2010, 08:37 PM


Standardi: Rishikim dhe mirëmbajtje

 

Nga Ardian Vehbiu

 

Pamja e sotme e mjerueshme e aktualizimit publik të standardit nuk mund të përdoret si argument në mbështetje të këtij rishikimi, por si laborator për të analizuar shmangiet nga norma dhe identifikuar pikat e dobëta të standardit, ose ato struktura që janë tronditur

 

Herë pas here dëgjon zëra, të të gjitha llojeve dhe nga shumë drejtime, të propozojnë se standardi i shqipes duhet ndryshuar. Arsyet që sillen për propozime të tilla janë të ndryshme; herë të mbështetura, herë emocionale, herë kompetente, herë të pabaza. Megjithatë, në vetvete, kërkesa për të rishikuar aspekte të ndryshme të standardit është legjitime, sa kohë që standardi ngrihet mbi një marrëveshje ose konvencion për të përdorur në publik një sistem të caktuar rregullash gjuhësore, për të siguruar komunikim optimal brenda bashkësisë adoptuese.

 

Mes arsyeve që sillen në mbështetje të kërkesës për ndryshime të standardit, spikat pikëpamja se standardi në formën që ka sot nuk i përmbush dot nevojat gjuhësore të një pjese të madhe të shqiptarëve. Kjo pikëpamje lidhet edhe me argumentin se mangësitë, të metat dhe dobësitë në përdorimin aktual të standardit janë në vetvete dëshmi ose simptomë e diçkaje që nuk shkon me standardin vetë.

 

Në të vërtetë, ligjërimi publik i shqipes, veçanërisht i shqipes së lëvruar në mediat e shkruara, sot lë për të dëshiruar. Përdoruesit shpesh nuk e zotërojnë standardin gjuhësor, as janë në gjendje të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ai ofron e jo më të ndihmojnë për pasurimin e tij. Ligjërimi në mediat e shkruara vjen shpesh i spërkatur me gabime drejtshkrimore, gramatikore dhe leksikore; pa folur pastaj për fjalët e huaja të panevojshme dhe mungesën e shkronjave ë dhe ç në disa tekste që hartohen shkeleshko në kompjuter.

 

Por a kemi vallë të drejtë që gjendjen e sotme të përdorimit të standardit në mediat ta përdorim si argument për nevojën e ndryshimeve në standard?

Unë besoj se këtë të drejtë nuk e kemi.

Nëse përdoruesit e sotëm të ligjërimit publik nuk arrijnë ta përdorin shqipen e njësuar në pajtim me rregullat e miratuara, kjo nuk ka aq të bëjë me mangësitë strukturore dhe lëndore të standardit vetë, sesa me shkaqe dhe rrethana jashtëgjuhësore.

Mes këtyre vlejnë të përmenden, para së gjithash, mungesa e një zotimi të qëndrueshëm institucional për ta mbrojtur standardin; mangësitë serioze në mësimin e shqipes së njësuar në shkollat; dhe rënien e prestigjit të standardit vetë në publik, për shkak të përshoqërimit që i bëhet me regjimin komunist, monizmin kulturor dhe politikat gjuhësore totalitare.

 

Kjo do të thotë se, çfarë mungon sot, është para së gjithash vullneti për ta imponuar standardin në tekstet publike, vullnet i cili, në rrethana normale, do të manifestohej me pjesëmarrjen aktive të redaktorëve gjuhësorë ose të korrektorëve teknikë, në përgatitjen e teksteve për botim. Siç dihet, dhe siç e tregon përvoja e trajtimit të ligjërimit publik në anglishte, frëngjishte, gjermanishte, rusishte, italishte dhe në çdo gjuhë tjetër që mëton t'i japë formë një kulture qytetare të organizuar, janë pikërisht këta filtra, së bashku me vullnetin institucional në mbështetje të formave gjuhësore të rregullta që sigurojnë mirëmbajtjen e standardit në kohë dhe në hapësirë.

Pa një mirëmbajtje të tillë sistematike, ligjërimi publik, veçanërisht ligjërimi i shkruar, vjen e rrëgjohet vetvetiu.

 

Ndonjë ithtar teorish komploti, përballë realitetesh të tilla, mund të kuturisej e të mendonte se rrëgjimi i standardit për faj të mungesës së mirëmbajtjes është pjesërisht i qëllimshëm, meqë vetëm duke u rrëgjuar standardi ekzistues mund të bindet përfundimisht publiku për nevojën e zëvendësimit të tij me një standard tjetër.

 

Natyrisht, kjo hipotezë ose teori nuk ka ndonjë bazë. Në gjendjen e tanishme të dijes veç mund të pohohet se standardi i ligjërimit të shkruar publik është rrëgjuar për të njëjtat arsye siç janë rrëgjuar edhe institucionet e tjera publike: shkollat, institucionet kërkimore-shkencore, bibliotekat, teatrot, kinematë etj.; ose vepra dhe shërbime të ndryshme publike si parqet, hekurudhat, spitalet e më në fund mjedisi. Shkaku i këtyre shkatërrimeve pak a shumë të kontrolluara është një i vetëm: indiferenca nga ana e organizmave që duhej të kujdeseshin për mirëmbajtjen e institucioneve, objekteve dhe veprave, ose të ruanin kompleksitetin e sistemeve përkatëse.

 

Veçanërisht, entropinë e sotme në ligjërimin e shkruar publik mund ta krahasojmë me fatin e disa objekteve arkitektonike të qendrës së Tiranës, me të cilat kryeqyteti dikur krenohej, ndërsa sot janë lënë të shkërmoqen deri në shëmti. Pallati i Kulturës dhe Hotel Dajti të vijnë menjëherë në mendje, së bashku me rastin e fundit, të bujshëm, të "Piramidës". Jashtë Tiranës, meriton vëmendje amortizimi i ish-vilës së Zogut në Durrës - por mund të silleshin edhe shumë shembuj të tjerë.

 

Kur është fjala për ndërtesat publike, njeriu tundohet fort që t'u japë të drejtë teorive të komplotit - meqë ndërtesa publike e rrëgjuar sot është projekti privat shumëmilionësh nesër; dhe qarqe të caktuara fare mirë mund të "komplotojnë" për të hedhur në dorë troje në qendër të kryeqytetit.

Megjithatë, edhe vetëm indiferenca e autoriteteve ndaj nevojës së këtyre ndërtesave qendrore për mirëmbajtje sistematike mjafton për të shpjeguar gjendjen e tyre sot dhe për të parë një logjikë perverse në veprim, e cila lejon të lihen pas dore, me ose pa vetëdije, pasuri dhe hapësira dhe institucione publike në emër qëllimesh private gjithfarësh.

 

A vepron një logjikë e tillë edhe me politikën e shpërfilljes, e cila po ndiqet kundrejt zbatimit të standardit gjuhësor të shqipes në ligjërimin e shkruar publik?

Pas gjithë gjasave jo; meqë standardin gjuhësor ekzistues nuk mund ta zëvendësosh me një standard gjuhësor privat, as mund të nxjerrësh fitime materiale nëpërmjet kapjes mafioze ose paramafioze të ligjërimit publik shqip, të folur dhe të shkruar.

Mirëpo, në kushtet e indiferencës institucionale flagrante ndaj pasurive dhe hapësirave publike, është vështirë që amortizimin dhe rrëgjimin e standardit ekzistues të mos e lidhësh, sado tërthorazi, me synimet dhe instinktet kulturore të kujt shqipen e sotme të njësuar nuk e sheh si institucionin e vet, as si institucionin e përbashkët të shqiptarëve, por si xham për t'u thyer, truall për t'u zaptuar, mur për t'u shembur, ose pemë për t'u prerë në park.

 

Me fjalë të tjera, shqipja e njësuar ose standardi gjuhësor i sanksionuar në Kongresin Drejtshkrimor të vitit 1972 dhe tashmë me një traditë të vetën të pavarur nga variantet letrare që i paraprijnë, mund dhe ndoshta duhet të rishikohet, për ta përmirësuar funksionimin e standardit në të gjitha nivelet dhe regjistrat. Gjithsesi, pamja e sotme e mjerueshme e aktualizimit publik të standardit nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si argument në mbështetje të këtij rishikimi, por vetëm e vetëm si laborator për të analizuar shmangiet nga norma dhe identifikuar pikat e dobëta të standardit, ose ato struktura që janë tronditur më shpejt e më thellë prej trysnive qendërikëse.

 

Zbatimi në praktikë i standardit, veçanërisht në ligjërimin e shkruar publik, lyp zotim të vazhdueshëm nga ana e institucioneve që kanë në ngarkim mirëmbajtjen e ligjërimit shqip - ose mbikëqyrjen teknike të teksteve që i jepen publikut. Edhe përdorimi publik i gegërishtes së shkruar, që ndeshet herë pas here në mediat ose në letërsinë artistike, nuk vjen si pasojë e shpërfilljes së rregullave të shqipes standard, por është rezultat i një politike gjuhësore më liberale ndaj formave alternative ndaj standardit; çka don të thotë edhe se liria gjuhësore, brenda ligjërimit publik, do kuptuar si liri për të zgjedhur mes varianteve letrare të konsoliduara, jo si autorizim për të përdorur në publik, me gojë dhe me shkrim, të folmen e katundit tënd.

 

Cilido qoftë standardi gjuhësor, sot dhe nesër, me ndryshime ose pa ndryshime, ai do të kërkojë miratimin dhe mbështetjen aktive të përdoruesve për të funksionuar si duhet, së bashku me angazhimin e institucioneve që merren me mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e ligjërimit publik.

Prandaj edhe zbatimi sistematik i standardit në ligjërimin e shkruar publik dhe nevoja për rishikim të standardit ekzistues të shqipes janë dy çështje të ndryshme. E vetmja lidhje mes tyre, po ta kërkonim, do të kishte të bënte me atë që nisma komplekse për rishikimin e standardit do të mund të ndërmerret me sukses vetëm nga institucione të cilat e shohin ligjërimin e shkruar të shqipes para së gjithash si pasuri publike, të rrënjosur në traditën tonë kulturore të përbashkët mbarëshqiptare dhe të vyer për të gjithë përdoruesit.

 

Përmbledhje

Ligjërimi publik i shqipes, veçanërisht i shqipes së lëvruar në mediat e shkruara, sot lë për të dëshiruar. Përdoruesit shpesh nuk e zotërojnë standardin gjuhësor, as janë në gjendje të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ai ofron e jo më të ndihmojnë për pasurimin e tij.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx