Kulturë
Dy poezi nga Agim Bajrami
E merkure, 17.11.2010, 08:57 PM
Agim Bajrami
KITARA E VRARË
Ata urdhëruan ta vrisnin kitarën
Dhe telat ia ngjynë me gjak.
Tingujt si zogj të ngrirë
U përpëlitën në ajër
Dhe bota ndaloi pak.
Ata buzëqeshën
Dhe shkuan me dashnoret
në ballo:
-Ç’iu desh kësaj idioteje
Që të na shkelte në kallo?
-Kitarave rebele
S’u fal kush përkëdhelje-
Tha zëdhënësi në tryezë.
Dhe shkoi të përgatiste
Kronikën e zezë.
Kështu ka ndodhur
Që nga neoliti
Kështu do të ndodhte vazhdimisht
Vit pas viti.
E mora kitarën
Që t’ua çoja te sheshi
Heronjve që ajo aq shumë
I deshi.
Atyre që me këngë
Ajo i kish nisur,
Në luftë me liliputët e krisur.
Por, ah, heronjtë,
Kolltuqe kishin marrë
Dhe zyra që pikojnë dollar.
Në këtë botë, ku llogaritë
Janë të ndara,
Askush nuk kujtohet
Për ca kitara të vrara.
Askush s’mori mundin
Që t’i vërë një tufë lule
Asaj që i bëri me tule.
Askush nuk më priti
Ndaj thashë të largohem,
ku gjeta dhe unë të ankohem!
E mora kitarën
Dhe dola në prag
Të gjithë pëshpërisnin
Nën zë, ç’torollak!
Nga qielli i shtatorit,
Prej reve rënduar,
Një lot i kristaltë
Seç m’u këput përmbi duar.
ADOLESHENTE
Me një bisk ëndrre në buzë,
Belin tundin gjithë lezete,
Djemve trutë ua bëjnë tërkuzë,
I bëjnë të flasin me vete.
Çantat hedhur përmbi supe
Drojtjen flakur s’di se ku
Udhët mbushin grupe – grupe,
Ajrin me pikëpyetje blu.
Lozin, flasin me shikime
Shumëkujt gazi nuk i mbahet.
Për to, jeta, s’ka trishtime
Për to çka fluturon hahet.
Pa teklif mbrëmjesh vërtiten,
Porsi limfa në lastarë,
Ndonëse gjokset po u rriten,
Ndonëse s’ndihen si më parë.
Ndonëse llaf i një çapkëni,
Mbrëmë pa fjetur i kanë lënë
Ato prapë qeshin të bukura,
Si mimozat nën hënë.
Me bisk ëndrre në buzë,
Mosh’ e krisur ç’u ka hije.
Bota është një qiell i bruztë,
Dhe ato, zogj dashurie.