E enjte, 08.05.2025, 11:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Vjersha për fëmijë

E merkure, 17.11.2010, 08:37 PM


(Vjersha për fëmijë)

 

Skënder R. HOXHA

 

 

SHTATORI

 

Shtatori është i mirë

Shtatori është i urtë

Fëmijët e çdo ngjyre –

Nëpër mësonjëtore i fut.

 

Shtatori është i ëmbël

Si ninulla e nënës

Është këngë e zjarrtë

Me bukuri të hënës.

 

Me bukuri shtatori

Stoliset gjithë natyra

Gëzohen tash edhe çantat

Që i bartin fëmija.

 

Këtë fëmijë të dashur

Ua them pa mahi

Shtatori ju do shumë –

Është mik për çdo shtëpi.

 

 

SHOKU I MIRË

 

Shok i mirë është

Ai që mëson

Të nderojë të tjerët

Kurrë nuk ngurron.

 

Në shkollë e në shëti

Të thërret me dëshirë

Sjellje për lakmi

Ka shoku i mirë.

 

I mirë është ai shok

Që nuk mashtron

Kudo të ndihmojë

Nuk heziton.

                   

 

FËMIJËT DHE YLBERI

 

  Në pranverat

  me lule plot

  me shokë e shoqe

  fëmijët lozin tok

 

  Gjatë një dite të ëmbël

  Në lëndina e në livadhe

  të gëzuar heqnin valle

 

  Heqnin valle hop e hop

  disa të tjerë lozin me top

 

  Pas një shiut të vakët

  pushuan edhe pak

  Pastaj dolën nëpër ara

  panë një shokë lara-lara

  në horizont si gjysmërreth

  E shikonin me habi

  i afroheshin me kënaqësi

 

  Për atë fenomen

  që pas shiut del

  fëmijët flisnin me kënaqësi

  Por Teuta e Fjolla

  zunë të bëjnë gara

  se cila prej tyre e pa

  harkun me ngjyra e para

 

  Disave shpejt iu kujtua

  se këtë bukuri me ngjyra shumë

  Ylber - e quajmë – iu kishte thënë

  Një ditë n’shkollë mësuesi Fatlum. 

 

 

Ç’DO TË THOTË TË MËSONI

 

Të mësoni, o fëmijë,

Do të thotë shumë

Mendjen ta zgjoni

Nga i rëndi gjumë.

 

Të njiheni me DIELLIN

YJET dhe HËNËN,

LUMENJTË e DETET –

Si e trasojnë rërën.

 

Në libra të shkruar

Nga njerëz të penës,

Mësoni për lashtësinë

E GJUHËS së NËNËS.

 

Për popujt e lashtë

Kush dhe nga kanë qenë

Mos ngurro të lexosh

Se në libra i gjen.

 

Më tutje do t’mësoni

Në t’artën Gjeografi

Se toka rri mbi bosht

E jo mbi “Kaun e Zi”.

 

E pastaj Historisë

Si iu sillka rrota

N’libra e ke t’shkruar

Sa njerëz ka gjithë bota.

 

Trupat, ligjet, gravitetin

- ua mëson Fizika,

me ybsilona, iksa e thyesa

- u kënaq Matematika.

 

Dale, dale edhe pak

Mos e humbni durimin,

Se është punë e madhe

Ta keni t’bukur shkrimin.

 

Po, po, dijetarët e moçëm

Kanë lënë shumë porosi,

Mos ta harroni atë se:

PUNA të bën NJERI.

 

Andaj këto pak këshilla

Çdo fëmijë i merr si nder

T’gjithëve ua do t’MIRËN

Xhaxhi JUAJ Skënder.

 

 

DY GJYSHET E MIA

 

Dy gjyshe kam pasur

Kur kam qenë fëmijë

Gjykë quhej nënë e babit

E nënë e nënës – Hajri.

 

Gjyka ishte shtatvogël

Porsi një mollë

Kur bënte mot i lig

Më çonte deri në shkollë.

 

Kurse gjyshja Hajri

Dinte dhe shumë mahi

Kur ia thoja ndonjë vjershë

Më premtonte gurabi.



(Vota: 22 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx