E enjte, 08.05.2025, 11:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Bajazit Cahani

E merkure, 17.11.2010, 10:26 PM


Bajazit Cahani u lind në Has. Ka punuar si gazetar në organet e shtypit dhe mësues i gjuhës e letërsisë në shumë shkolla të rrethit të Kukësit. Nga viti 1993 deri më 2006 ka punuar si gazetar dhe kryeredaktor në Radio Kukësi. Tani jeton në Tiranë. Ka botuar librat:

“Në pritje” , poezi, 1972

“Rrjedh një lumë”, poezi, 1981

“Dhe mbeta flaka në udhëtim”, poezi, 1998

“Nada, Nada dhe poema të tjera”, 2009

‘Nëpër kohë”, poezi të zgjedhura, 2009

 

Heshtja pikon

Pikë…Pikë…Pikë

Heshtja në koridorin e errët pikon

 

“Ik”- nuk të iket

“Të iki” nuk më iket

 

Pikë…Pikë…Pikë

Vetëm heshtja në koridorin e errët pikon

 

Ndoshta njëri-tjetrit  ende I duhemi,

heshtja na kujton…

 

 

 

Buzëmbrëmje prilli

 

Kaloj kësaj buzëmbrëmjë prilli

Përmes reflekseve të dritave

                        Nëpër rrugët e asfaltuara

 

Në parkun “Rinia”

Dashuritë janë mbuluar me mushtin rinor

Dhe murmurisin fjalë të përgjysmuara

që kaq herë u thanë

kaq herë s’u thanë

 

Si retë e dendura pranverore me shi

I ngarkuar jam edhe unë kësaj mbrëmje

Me ëndrra dashurie…

Ku t’i zbraz

Kujt t’ia them?

Ti mungon sykaltra ime

 

Mimozat aromëkëndshme të verdha heshtin

Eukaliptet si flokë të gjatë, degëzat I kanë varur

Dhe heshtin, heshtin…

Ti sonte mungon,

                        Flokëleshuara, sykaltra ime!

Vështrimet e ëmbla të cifteve

Me dashamirësi sikur më thonë:

“Tani ke radhën për të mbrojtur dashurinë,

Ndaj takimin lëre në ditët që vijnë”

 

 

 

Duke parë kostarët në Bjeshkën e Pashtrikut

 

Kështu ka vringëlluar nëpër mugëtirën e shekujve

Kosa e fisit tim

Në teh të saj varfëria,

Në teh të saj thinjej dashuria,

Në teh  të saj pikonte gjaku i hasmit të vrarë

Në teh të saj lotët e motrës për vëllanë

Se nuk të linin të jetoje në hallin tënd, fisi im,

Ndaj kosa si barin e bjeshkës I ka prerë me tërbim!

 

Kosa e fisit tim…

Ke prerë edhe veten,

Me dashurinë tënde ke përgjakur dhe pranverën.

 

Unë e di,fisi im, e di

Ish koha që t’ka shtyrë

Të shtynte Kanuni i Lekës

Dhe ti nuk kishe çfarë t’i bëje

E ktheheshe i bije me kosë vetes…

 

Pastaj…

Bëje këngë,

Sa tresje edhe gurin për dashurinë.

O shpirt i madh,

Që me kosë në dorë kërkoje lirinë.

 

 

 

 

 

 

 

Po të më shihni rrugëve…

 

Po të më shihni ndonjëherë rrugëve,

 të ashpër, të paqetë, dijeni

Diellin tim ma shanë;

Dhe po të shihni se diellin tim,

retë e kanë zënë,

Kërkomëni mua,

Dhe po s’më gjetët, dijeni,

Për diellin tim diku kam rënë…

 

 

 

 

Hoj, Dada, Hoj

            Motiv i hershwm popullor

 

Kjo pranvera zemrat na i ka brejt,

Po vjen vjeshta e na merr krejt,

Hoj, Dada, Hoj…

 

Në pranverë, zemrën ia dhashë kuj,

Po kjo vjeshta po na çon në derë të huej,

Hoj, Dada, Hoj…

 

Në m’paç dashtë, djalo, dil e më merr,

Mos më le të shkoj në tjetër derë,

Hoj, Dada, Hoj…

 

Për ty dada jam rritë si molla në degë,

E veç rrezja e diellit më ka prekë,

Hoj, Dada, Hoj…

 

Vec rrezja e diellit më ka kuqlue,

E rrezja e hënës më ka freskue,

Hoj, Dada, Hoj…

Hoj, Dada, Hoj…

 

M’është ça zemra si kokrra e shegës,

Tue t’prit dada në majë të bjeshkës,

Hoj, Dada, Hoj…

 

Dritën e hënës do ta vë në vend të vellos,

Po më dole, dadë, djalë I besës

Hoj, Dada, Hoj…

 

Po më dole, djalo, trim i besës,

Po më more, djalo, para së dielës,

Hoj, Dada, Hoj…

 

Kjo pranvera zemrat na i ka brejt,

Hoj, Dada, Hoj,

Hoj, Dada, Hoj…

Po vjen vjeshta e na merr krejt,

Hoj, Dada, Hoj!…

Hoj, Dada, Hoj!…

 

 

Largimi

 

 Sytë e shqetësimit

Të mbetën në largimin tim.

 

E Unë,

Me ëndrrën tënde,

Me zërin tënd,

            Kudo në udhë

Si ti,

            Me kohën sy ndër sy…

 

 

HAS-HOMERI IM!

 

 

 

 

Kujdes  Det

 

Det,

Po gabon e lahesh në lotin tim

Po të flas me zemër në dorë,

Po gabon se,

Për besë,

            Po hyre,

Në lotin tim të trishtuar

                        U mbyte

E për ty nuk ka më shpëtim

 

 

Varrin e kam në Majën e Pashtrikut

 

HAS i dhëmbshur,

Më dhe djepin,

Unë fjalën ta ruajta,

Varrin, pse s’ma jep?

 

Dije, pra,

Varrin tim pellazgjik

Në Majën e Pashtrikut e kam

Aty, në një rrafshnaltë,

                        Në një lëndinë

Aty kuvendoj me Sharrin, Korabin e Tomorrin,

Aty,

            Në qetësinë e përjetshme,

Unë kuvendoj lirshëm vetëm me Perëndinë…

Aty,

        Ku BOGDANI i madh foli shqip

                        “Veshë me diell

                        Mbath me hanë”

 

 

Frut i dashurisë time

 

Natë gushti

Juga ka hedhur mbi supe pelerinën qiellore

                                      të pikluar me yje…

 

Unë, bir i veriut,

Jam dhëndërr i kësaj nate jugore.

 

Frut i dashurisë time,

Do të mbaj emrin e kësaj toke bregdetare

                                                ILYRI (Iliri)!

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx