E premte, 09.05.2025, 01:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Bedri Dedja, në kujtesën tonë...

E merkure, 17.11.2010, 10:58 PM


Në 80-vjetorin e lindjes:

 

“RILINDJA” E NJË PERSONALITETI TË SHQUAR,

PËRMES  LIBRIT “BEDRI DEJA, NË KUJTESËN TONË...”

 

Nga: Prof.as.Dr.Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

Doli nga shtypi libri i ri “Bedri Dedja, në kujtesën tonë...”, publikuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Prof.Bedri Dedjes-Akademik dhe “Mjeshtër i madh”. Është një vepër kolektive, pra përmbledhje me shkrime e kujtime të ish-studentëve, kolegëve, miqve e dashamirëve të tij të panumërt. Pata nderin e kënaqësinë që këtë përmbledhje ta përgatisja unë për botim.

Edhe tani, kur i shkjruaj këto radhë, vetëtimthi,  në mendje risjell vitet e shumta të njohjes sime me Prof.Bedri Dedjen. E them pa mëdyshje, se ka qenë pedagogu e psikologu, publicisti, shkencëtari e shkrimtari, me të cilin kam pasur lidhje më të veçanta dhe më  të pashkëputura,  gjatë një periudhe mbi 45-vjeçare të jetës sime.

Autorët e këtij libri, me shkrimet e kujtimet e tyre, janë nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe nga fusha të ndryshme të jetës, të cilët iu bashkuan kësaj nisme. Ata janë nga: Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Shkodra e Lezha, nga Tropoja, Kukësi e Dibra. Të gjithë treguan gatishmëri shembullore, duke iu përgjigjur menjëherë kërkesës për t’i shkruar kujtimet dhe shënimet e tyre. Veçanërisht,  përshëndes autorët, që i dërguan shkrimet e tyre nga Republika e Kosovës dhe nga Diaspora shqiptare. Ata janë nga Gjakova e Prishtina dhe te tjerë me banim në Nju Jork, Londër, Bruksel, Zvicër, Francë, Rumani, Itali   ose Suedi. Prandaj, gjej rastin që të gjithë t’i falënderoj nga zemra, duke e ditur mirë se edhe ata i ndajnë me mua kënaqësitë për botimin e këtij libri përkujtimor.

Siç do ta shohin lexuesit gjatë shfletimit të këtij libri, bashkautorë në këtë libër voluminoz janë: 48 Akademikë e Profesorë, “Mësues të Popullit” e “Mësues të merituar”, shkrimtarë e publicistë, personalitete të arsimit, kulturës, letërsisë dhe shkencës sonë kombëtare. Ndiejmë kënaqësi, kur vërejmë se 8 prej tyre, janë  kolege tonat, pra shoqe. Të gjithë kanë shkruar me dashuri e ndjenjë: me raspekt, mirënjohje e  nderim të veçantë për jetën, veprimtarinë dhe krijimtarinë e begatë e të gjithanshme të Prof.Dedri Dedjes, autor i shquar i Shekullit të 20-të.

Sigurisht, jam plotësisht i ndërgjegjshëm se ka edhe sa e sa pedagogë, shkencëtarë, shkrimtarë e publicistë, ish-studentë e miq të panumërt të Prof. Bedri Dedjes, brenda e jashtë vendit tonë, të cilët ruajnë kujtime të çmuara për ‘të dhe që do të dëshironin t’i shkruanin dhe t’i publikonin  ato, në këtë libër. Por, është e kuptueshme se kjo nuk është e mundur që të realizohet, me botimin e një përmbledhjeje të tillë. Prandaj dhe u kërkoj ndjesë atyre, për këtë gjë.

Pavarësisht se sa ia kam arritur qëllimit me librin e ri, “Bedri Dedja, në kujtesën tonë...”, tani ndjehem më i qetë, se kjo ishte edhe një dëshirë shumë e madhe e bashkëshortes së tij të nderuar, Pandora Dedja  (Papuçiu). Pas ndarjes përgjithnjë nga jeta të Prof. Bedriut, duke e vazhduar miqësinë e mirë me familjen Dedja, ajo më thoshte plot emocione: “Ja, në këtë dosje kam disa kujtime të shokëve e miqëve për Bedron. Duhen mbledhur edhe të tjera dhe kam dëshirë që ato të publikohen sa më shpejt”.

Lexuesi i këtij libri do të gjejë në faqet e tij  kujtime, dëshmi e fakte të shumta, emocionuese e frymëzuese në punën e përditëshme. Ai do të njihet me aspekte të ndryshme nga jeta dhe puna e palodhur dhe e spikatur e këtij pedagogu e psikologu, shkencëtari, publicisti  e shkrimtari shumëplanësh. Besoj, pa e tepruar, dëshiroj të  nënvizoj se me këtë tufë shkrimesh në këtë libër (publikuar sipas rendit alfabetik të autorëve), figura e Prof.Bedri Dedjes “rilind” edhe një herë, para kujtesës së brezit tonë të shek.XX. Por është edhe një ndihmesë e thjeshtë, që brezi i  ri i sotëm dhe ai që do të vijë nesër, ta njohë këtë kolos të letrave shqipe edhe më mirë edhe më në gjerësi e thellësi.

Nga të gjithë shkrimet e publikuar në këtë libër, dëshiroj të veçoj letrën e frymëzuar dhe plot mall e dashuri të së bijës, Edlira Dedja, drejtuar tani të jatit të paharruar. Kjo letër shoqërohet me “Ditarin e Babës”, shënime që Prof.Bedri Dedja ka mbajtur,  që në lindjen e saj dhe në vitet e para të jetës. Megjithëse “Ditari” nuk është i plotë, e vlerësoj atë një “traktat pedagogjik e psikologjik”, që na ka lënë Prof.Bedri Dedja. Ai ka vlera mjaft të çmuara, teorike e praktike, si për nënat e reja dhe edukatoret, për mësuesit e prindërit. Mendoj se ky “Ditar” i plotë, është mjaft i dobishëm që të përgatitet e të botohet, në ta ardhmen dhe me një tirazh të madh.

Në fund, sigurisht duke shprehur edhe nga të gjithë bashkëpunëtorët, ndjenjat e pastra dhe mendimet e pasqyruara në këto kujtime e shënime, në librin që publikohet këto ditë, tani bashkësisht përulemi me nderim e respekt  të thellë para kujtimit mbresëlënës, punës së begatë dhe jetës së përkushtuar e të pakursyer të Prof.Bedri Dedjes-Akademik dhe “Mjeshtër i Madh”, në  dobi    Atdheut, arsimit e kulturës, publicistikës, shkencës dhe letërsisë sonë kombëtare!

 

Tiranë, 17 nëntor 2010



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx