Kulturë
Bilall Maliqi: Burbuqe A. Agushi “Presheva me rrethinë në zhvillimin arkitektonik urbanistik”
E enjte, 18.11.2010, 09:36 PM
MONOGRAFI QË SHPALOS ZHVILLIMIN ARKITEKTONIK URBANISTIK TË PRESHEVËS ME RRETHINË
(Burbuqe A. Agushi “Presheva me rrethinë në zhvillimin arkitektonik urbanistik” (Monografi), Prishtinë, 2009, faqe 235).
Bilall Maliqi
Vitin që e lam pas komunës së Preshevës, bibliotekave të Kosovës Lindore dhe më gjërë si dhe lexuesve të kësaj ane iu shtua një botim i veçantë i karakterit monografik që deri më tani ky lloj botimi i ka munguar komunës sonë, është fjala për librin “Presheva në zhvillimin arkitektonik urbanistik” i autores me prejardhje nga Presheva Burbuqe A. Agushi, në të cilin ka bërë shtjellime të temave të ndryshme që nga lashtësia e Preshevës duke rrugëtuar kështu nëpër tituj interesant për lexuesin, pra libri ka një gamë të gjërë të temave të paraqitura brenda kopertinave të tij…
Udhëtimi nëpër Preshevë
Libri monografik të cilin po e shtjellojmë fillon me lashtësinë e kësaj pjese të shkëputur nga trungu shqiptar e që quhet Presheva. Libri nis me të dhënat lidhur me karakteristikat gjeomorfologjike të komunës, shtrirjes së vendbanimeve, flitet rreth vendbanimit të Preshevës nëpër kohë dhe situata të ndryshme.
Më pas gjatë leximit të librit autorja jep të dhëna nga pozita gjeografike e Preshevës , shtrirja e saj, për të vazhduar kështu me veçoritë gjeogarfike që e shoqërojnë komunën tonë, të cilat i ka ndarë në nëntituj e që janë evidente në libër duke folur kështu shkurtimisht por thukt për këto karakteristika si:karakteristikat gjeologjike, vetitë pedologjike, hidrografinë, karakteristikat klimatike etj., etj., për të vazhduar kështu udhëtimin nëpër Preshevë me vendbanimet që e rrethojnë komunën tonë, duke i përmendur të gjitha vendbanimet përreth Preshevës por edhe katundet e Karadakut të Preshevës, shtrirjen e vendbanimeve me të dhëna kadastrale të sakta nga autorja të shoqëruara me fotografi të ndryshme nga vendbanime malore dhe fushore…
Presheva nga e kaluara
Në këtë cikël tematik të këtij libri lexuesi gjatë leximit do të has në lashtësinë e vendbanimeve të Preshevës duke paraqitur kështu në mënyrë skematike peshoren piramidale të fotografuar dhe me teknikë të pikësimit, varrezat e jashtme të tyrbes, duke vazhduar në vendbanime fortifikatë , Kalajën e Preshevës të fotografuar më vitin 1997, e cila dominon në heshtje mbi lartësinë e qytetit e cila për fat të keq dita-ditës po rrënohet vetvetiu dhe ende nuk gjen përkujdesje institucionale për konzervimin dhe ruajtjen e kësaj trashëgimie kulturore me rëndësi për komunën tonë. Muri i paraqitur në foto tani ka mbetur vetëm si gërmadhë dhe është i pambrojtur. Fotot në vazhdim të shoqëruara me tekst dhe me sqarime nga autorja japin qartë punën e saj të frytshme jo vetëm në profesionin që e ushtron por krijohet përshtypja se autorja ka një rezon më të gjërë të njohurive edhe në fusha të tjera kjo dëshmohet gjatë leximit të këtij libri me rëndësi për komunën tonë.
Kur jemi te Presheva nga e kaluara e saj para nesh paraqiten vendbanimet në dokumentacion të shkruar si: Presheva në kohën e sundimit turk, organizimi administrativ, Kazaja e Preshevës, tiparet orientale të qytetit dhe ndarja në mëhallë. Këto mëhallë autroja i ka parqitur edhe në mënyrë skematike të hartuara me mjeshtri, jep sqarim me anë të ngjyrave vendbanimet të hartuara për të kaluar kështu edhe në fotot e mëhallëve dhe lagjeve të komunës sonë . Ky libër është i shoqëruar edhe me foto të vjetra ku për një çast lexuesit i kthen edhe në Preshevën e hershme të vitit 1939, të vitit 1960, detaj i ndriçmit të qendrës me fenerë etj.
Gjithashtu lexuesi në vazhdim të leximit të librit has në kapitullin tjetër të titulluar “Të ndërtuarit e banesave në Preshevë e rrethinë”, jep shënime të thukta për pozitën e banesës ndaj ngastrës për të kaluar në banesat e vjetra duke dhënë kështu skica të ndryshme dhe fotografi të shtëpive të vjetra me tiparet e tyre karakteristike të cilat dita-ditës po rënohen dhe këto “dizajne” tërheqëse dhe interesante do të mbeten vetëm në fotografi. Autorja paraqet shtëpinë e ndërtuar para 130 vjetësh, e cila tani është e rrënuar dhe e padokumentuar…
Arkitektura
Monografinë në fjalë e përcjell edhe kapitulli tjetër me rëndësi Arkitektura, arkitekti dhe qytetarët. Për të ndërtuar shtëpi, arkitekti është kompetentë për hartimin e planit dhe dokumentacionit teknik. Për t’i arritur këto të gjitha autorja paraqet qëndrimet e arkitektit në projektimin e veprave të tyre e që janë shtatë qëndrime sosh. Më pas autorja prezanton foto shtëpitë në pjesë të urbanizuara të qytetit tonë dhe albumin me shtëpi nga vende të ndryshme.
Objektet shoqërore
Kaptinën tjetër autorja e përcjell me: objektet me rëndësi shoqërore, në mënyrë illustrative me fotografi paraqet objektet me rëndësi si: objektet e arsimit në Preshevë dhe rrethinë, shtëpinë e shëndetit, objektin administrativ, kuvendin komunal, gjykatën komunale të gjitha këto me dispozita të ngastrës. Pjesë e këtij kapitulli janë edhe ekstraktet detajizuese nga plani kadastral 1963.
Përpos këtyre që i përmendëm më lart autorja prezanton edhe ndërmarrjet si:Ndërmarrja publike për veprimtari komunale banesore “Moravica”, tregëtinë dhe zejtarinë, për të kaluar kështu edhe në obkjekte industriale të cilat dikur ishin shumë produktive në prodhimtari përkatëse e që tani janë shumica dërmuese e tyre të falimentuara e të likviduara, por edhe ndërmarrjet e tjera private të cilat punojnë edhe tani, pastaj objektet hotelierike, objektet fetare, rrugët e sotme të Preshevës dhe komunikacionin e qytetit tonë. Në objektet fshatare autorja paraqet vjetërsitë e vendbanimeve të parqitura në libër, objektet fetare, shkollat nëpër fshatra si dhe shpellën e Arushës të fshatit Tërnavë etj., etj.
Plani urbanistik
Librin e përmbyll kapituilli / Përfshirja me plane urbanistike/, ku autorja paraqet nëntitujt me radhë duke dhënë shpjegime për secilin nëntitull në vazhdim si:/Planifikimi dhe rregullimi i hapësirave/, /Fillimi i hartimit të planeve urbanistike/, /Planet urbanistike aktuale/, /Zgjerimi i mundshëm i vendbanimit të Preshevës/, /Mos respektimi i planeve urbanistike/, /Rëndësia e kushteve të mjedisit fizik/, / Rregullimet dhe rikonstruktimet e lokaliteteve, të cilat i ka shoqëruar edhe me pamje nga aero-fotografimi i vitit 1969, pamje të tjera të ndryshme si ekstrakt nga plani general urbanistik i vitit 1982 etj.
Prej gjithë kësaj që u tha deri më tani dhe besoj që ka mbetur ende shumëçka pa u thënë mund të themi lirisht se libri me karakter monografik “Presheva me rrethinë në zhvillimin arkitektonik urbanistik” i autores Burbuqe A. Agushi ka një vlerë të lartë si në aspektin profesional të autores ashtu edhe në aspektin teknik dhe grafik. Kujtojmë se ky libër monografik shumëpërfshirës ka një rëndësi të madhe për komunën tonë dhe për lexuesit në përgjithësi. Gjithashtu ky libër i veçantë do t’u shërbej në të ardhmen shumëkujt si model se si duhet shkruar një monografi me aq profesionalizëm dhe vlerë, por edhe për ndonjë studim të mundshëm…
Pak biografi
Burbuqe Agushi (Mehmedi), lindi më 1960 në fshatin Rahovicë të komunës së Preshevës. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Preshevë. Fakultetin e Arkitekturës e kreu në Prishtinë. Në Drejtorinë e Urbanizmit në Kuvendin Komunal të Preshevës punoi për 13 vite. Gjatë kësaj kohe u mor me hartimin e Planit Gjeneral Urbanistik, Planit Detal të Preshevës si dhe disa Projekteve Urbanistike.
Aktualisht punon në Drejtorinë e Urbanizmit , Kadastrit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, si dhe koordinatore në hartimin e Planeve Rregulluese të Prishtinës si dhe zbatimin e procedurave për realizimin e tyre.
Botuar në gazetën “Fakti Ditor”