Kulturë
Besim Muhadri: Roman me skena rrëqethëse mbi zhvillimet politike në Kosovën e pasluftës
E diele, 21.11.2010, 08:56 PM
Roman me skena rrëqethëse mbi
zhvillimet politike në Kosovën
e pasluftës
Pal Ndrecaj, “Lista e zezë”, botoi KL “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2010
Romani “Lista e zezë” është një prozë e shkruar ndryshe nga ajo që jemi mësuar të lexojmë deri më tani. Dalja në dritë e këtij romani, tingëllon si një thyerje “konvencionale” e tabuve dhe shablloneve tematike. Ai është një libër për shumëçka ndryshe dhe si i tillë, me interes për letërsinë shqiptare, qoftë të asaj që zvhillohet në Kosovë, qoftë të asaj që zhvillohet në Shqipëri apo edhe gjetiu ku jetojnë, veprojnë dhe shkruajnë shqiptarët.
Nga Mr. Besim Muhadri
Pal Ndrecaj është autor i dy vëllimeve poetike, “Lule mbi plagë” dhe “Akti i krijimit”, ndërsa para lexuesit ai këtë vit doli me librin e tij të tretë, por tani në fushën e prozës. “Lista e zezë” është titulli i romanit të tij, të cilin ditë më parë e botoi Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazi” i Gjakovës. Redaktor i librit është poeti ynë i shquar Din Mehmeti, i cili para pak ditësh ndërroi jetë.
Përderisa në poezi Pal Ndrecaj është një poet i përjetimeve dhe i shqetësimeve të thella, i cili përmes vargut të disiplinuar mirë artistikisht arrin të depërtojë në psikologjinë e individit dhe të kolektivitetit, edhe në prozë ai vazhdon po këtë rrugë, duke trajtuar tema aktuale dhe shumë të guximshme, ndoshta të patrajtuara më parë nga krijuesit tanë. Me këtë roman që ka një titull sa provokativ, aq edhe real, autori na del si një krijues tashmë i formuar dhe me një fizionomi të qartë, një talent që di të zgjedhë dhe të shtjellojë temën e preferuar, e cila para se të hidhet në letër me siguri që është “zier”, është “gatuar” dhe së fundi edhe është pjekur për t’u servuar në “sofrën” e madhe të lexuesit. Romani i Pal Ndrecajt, “Lista e zezë”, është një roman mbi zhvillimet aktuale politike në Kosovën e pasluftës, ku gara për pushtet del jashtë konturave të veprimit politik, duke mos kursyer mjete ekstreme, të cilat marrin jetë njerëzish. Një roman me plot skena rrëqethëse, që zënë fill në tavolinat e zyrave të partive politike dhe përfundojnë në rrugë, nën tyta pushkësh vëllavrasëse. Prapaskenat, intrigat, shantazhi politik, krimi dhe përpjekja për ta fshehur atë e për t`ia hedhur rivalit politik, përmbajnë fabulën e këtij romani, që është një fabulë e zgjedhur me mjeshtëri, e cila e mban lexuesin pranë vetes gjatë gjithë kohës dhe i mbetet në kujtesë si një ngjarje e përjetuar.
Ngjarja e romanit zhvillohet në Gjakovë, në qytetin më të goditur gjatë kohës së luftës, ku soldateska serbe e krimit dogji qytetin dhe vrau e masakroi me qindra shqiptarë. Mirëpo, në këtë rast tema e luftës nuk është në fokus të interesimit të autorit. Në prozën e Ndrecajt trajtohet tema e vrasjeve politike në një kohë kur vendi po përballej me ngjarje dhe situata të rënda të daljes nga lufta, pasojat e së cilës ishin të rënda. Vrasja enigmatike e avokatit gjakovar Artur Krutani, i cili ishte në fund të procesit të zbardhjes së një vrasje tjetër të një biznismeni kosovar, është strumbullari tematik i romanit, përmes të cilës vrasje mëtohet të bëhet zbërthimi i fenomenit të vrasjeve serike, enigmatike të viteve të pasluftës, të cilat në të shumtën e rasteve janë cilësuar si vrasje me konotacione politike.
Duke shkruar në stilin hulumtues dhe të përpjekjeve të një gazetari, në këtë rast të personazhit Priam Hasi, Pal Ndrecaj, i cili edhe vet për një kohë të gjatë ka punuar gazetar në gazeta prestigjioze të Kosovës, është i pari autor që trajton, por edhe shtjellon në mënyrë tejet profesionale temën e vrasjeve të pazbuluara, të cilat kanë mbetur enigmë. Vrasja e avokatit gjakovar, Artur Krutanit, në një moment kritik kur ai po i jepte fundit dosjes së vrasjes së biznismenit Liri Albaniku, është pista e “hulumtimit” të autorit, i cili arrin të hyjë thellë edhe në analizat hulumtuese rreth këtyre vrasjeve që kurrë s’u zbuluan. Madje autori shkon edhe më larg, sa që herë pas here të thyejë edhe rregullat e gazetarit, i cili nuk përfill as kërcënimet e policisë, por edhe të telefonatave anonime që i vijnë nga persona që mendohet se e kanë bërë vrasjen. Duke trajtuar temën e vrasjeve enigmatike në Kosovën e pasluftës, Ndrecaj prek një temë të guximshme, e cila koinçidon me situta dhe ngjarje aktuale jo vetëm të asaj kohe. Intrigat e vrastarëve të paguar, kërcënimet, pazaret dhe marifetet e tjera që çojnë deri te këto akte, që romanin “Lista e zezë” të Pal Ndrecajt e bëjnë një roman që të bën kurioz gjatë tërë kohës se çdo të ndodhë në këtë apo atë faqe.
Duke trajtuar temën e krimit të organizuar, siç janë vrasjet e paguara për qëllime politike, por edhe të tjera, autori i romanit arrin të godet aty ku duhet. Vrasja e Uran Krutanit, ajo e biznismenit Liri Albanikut, por edhe e personaliteteve të tjera të jetës politike dhe publike në përgjithësi në Kosovë, që përmenden në këtë roman, sado që kanë “erën” e vrasjeve politike, megjithatë mbetën të pazbuluara dhe në mjegullën e situatave të ndera në Kosovën e administruar nga ndërkombëtarët. Ashtu edhe në roman ato mbeten të paqarta. Pista e dyshimeve është e mjegullt, e komplikuar dhe këmbëngulja për të zbuluar ato paraqet rrezikshmëri të lartë. Kjo këmbëngulje i kushtoi me jetë avokatit, ndërsa gazetarit hulumtues largim nga atdheu.
Me këtë autori ka prekur jo vetëm temën e vrasjeve enigmatike, por edhe temën e pasigurisë së njerëzve të ndershëm, që mundohen të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale por që pengohen dhe madje edhe eleminohen. Ata janë të rrezikuar nga krimi që duket kudo. Pasiguria e avokatëve dhe e gazetarëve hulumtues, por edhe zhvillimit të veprimtarive biznesore që trajtohen në brumin romanor të Ndrecajt, janë një shqetësim përmanent dhe një trokitje në ndërgjegjën e pushtetarëve. Ndrecaj në romanin e tij ka arritur të kapë këtë temë interesante dhe atë arrin ta trajtojë me një guxim profesional. Ndonëse po del për herë të parë me një libër në prozë, Pal Ndrecaj me këtë dëshmon se është një autor serioz, një krijues më kulturë të formuar shkrimi. Proza e tij është e shkruar me një stil të rrjedhshëm, të qartë dhe përvetësues. Konciziteti në fjalë dhe fjali, sintaksa perfekte, por edhe shtjellimi tematik e motivor, janë dhunti e autorit, por edhe e kulturës së tij tashmë të arritur në nivelin më të dëshiruar të shkrimit, që do t’ia kishte lakmi çdo krijues.
Me romanin e tij “Lista e zezë” Pal Ndrecaj, mëton dhe ia arrin që të “godasë” aty ku duhet dhe si duhet. Prandaj, pa dyshim se romani në fjalë do të hasë në lexueshmëri, qoftë nga kritika, qoftë edhe nga lexuesit ordinerë, të cilët kanë çka të lexojnë dhe të përfitojnë nga ky lexim. Romani në fjalë është një prozë e shkruar ndryshe nga ajo që jemi mësuar të lexojmë deri më tani. Dalja në dritë e këtij romani është një sihariq i mirë për prozën tonë, sidomos të asaj që shkruhet në Kosovë, që tingëllon si një thyerje “konvencionale” e tabuve dhe shablloneve tematike. Ai është një libër për shumëçka ndryshe dhe si i tillë, me interes për letërsinë shqiptare, qoftë të asaj që zhvillohet në Kosovë, qoftë të asaj që zhvillohet në Shqipëri apo edhe gjetiu ku jetojnë, veprojnë dhe shkruajnë shqiptarët.
Pal Ndrecaj që nga viti 2004 jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa më parë ka punuar profesor në Gjakovë dhe gazetar në të përditshmet “Zëri” dhe “Koha ditore”.