E enjte, 08.05.2025, 10:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Luigj Shkodrani: Poezia ime, si mushka xanxare

E hene, 22.11.2010, 10:56 PM


POEZIA IME, SI MUSHKA XANXARE

 

(Fragment nga libri Porta e shpirtit, që këto ditë e sheh dritën e botimit në Bukuresht)

 

Luigj Shkodrani

 

Është vonë, tepër vonë. Në dhomë nuk piptin asgjë. Vetëm të trokiturat e gishtërinjve mbi tastierën e kompiuterit dëgjon. Sikur ai çekani në dorën e hekurkthyesit, tek punon në kovaçhane. Ashtu dhe unë trokas në poezinë si time si me  mushkën e xanxare. Më lodh shumë, sepse nuk di ta ngas aq mirë. Don të më ikë por nuk e lë dot. Dua ta ngas se s`bën. Më lodh shumë, më dërmon, por përseri e ngas e ashtu ngadalë, duke e marrë për dore si fëmijën dhe eci mes rrugëve të jetës, përmes kujtimeve të vegjëlisë, të rinisë e ja tani edhe në prag të pleqërisë. E ato kujtime, aq të bukura, vinë si nota në pentagram dhe me to thurr poezinë e vendit tim, dashurinë për jetën, për njerëzit, dhe ashtu e ngas ngadalë dhe pa u vënë re nga askush. Po, po, nga askush, ngase nuk dua të jem ai poeti që të më tregojnë me gisht. 

         Dua të ndjehem i thjeshtë, aq i thjeshtë, sa të ulem këmbëkryq në odën e madhe të burrave të motit, e të kuvendoj shtruar me ta. Të tregojmë legjendat e historitë e të parëve tanë. Luftërat në trojet tona, dhe lirinë që një ditë trokiti edhe në portat tona, dhe ajo, liria, i gjeti të hapura. Dhe erdhën nënat, baballarët, dhe u ulën shtruar, dhe folën shqip, po, shqip. Dhe këto momente përjetuam, dhe ne, së bashku me të tjetrët,  dhe zemrat tona gufuan, për ditë më të mira, për një jetë më të begatë në vatrat tona... Dhe ashtu ngadalë, me mushkën xanxare shëtis rrugëve të lira, duke mbledhur nektarin si ajo bleta punëtore, dhe me të të thurr poezinë, për ditët e rënda dhe jetën e lumtur, për njerëzit që duan të jetojnë, edhe pse në vetminë e pafund, shpirti i tyre qesh dhe gëzon, gëzon dhe shpreson se një dite do të jetë më mirë.

       Se një ditë dhe unë do ta ngas më mirë poezinë time si mushkë xanxare, dhe do eci rrugës i gëzuar që qenjen time, duke pandehur se bëra diçka të mirë për nesër, duke shpresuar se dikush do ta lexojë, dhe ashtu në heshtje do të më kujtojë, por dhe do të mësoje për vete, duke e gjetru vetveten në vargjet e mia, tashmë të shtruara në këto fletë të bardha. Aty, në çdo rrjesht është një dëshirë, është një jetë shkrirë dhe e shtrirë si në pentagram. Dhe kompozitori një ditë do ta marrë  poezinë time, dhe me ato rrjeshta do të komponojë këngën e pavdekësisë. Ate këngë që brezat do ta përcjellin brez pas brezi, duke shpresuar se do mbetet diçka që do të ketë vlerë, e pastaj, unë mushkën xanxare do ta ngas, dhe do të ecë gjithnjë e më mirë...

 

 

Flamuri ynë

 

O flamuri ynë kombëtar

Ti gjithmonë prin i parë,

Në ballë të luftës për liri

Dhe në dasma e shtëpi.

 

Është flamur i Kastriotit

Dhe i Plakut të Vlorës,

Është fama e Shqipërisë

Dhe e mbarë shqiptarisë.

 

E qëndisi Marigona

Erdhi deri në ditët tona,

Është për nder e krenari

Që ta ruajmë me dashuri.

 

E ju kërma me shpirt’ të zi

Që m’përgjakët n’ Dardani,

Nuk ka vdekë populli shqiptar,

Ne gjithmone prijmë të parë

Me flamurin kombëtar.

 

 

Jetojmë në trojet tona

 

Ne vetmi kur unë rri

Kam dëshirë te bëj poezi

Dhe të shkruaj për shqiptari

Për burrëri dhe besnikëri

Që shqiptarit i kanë hije,

Që ta dijë gjith’ bota mbarë

Se këtu jetojnë engjëjt e parë

Më të vjetrit në Ballkan

Që s’u bën kurrë syri bam.

Kam dëshirë shumë të shkruaj

Por s’ka fletë të ma përshkruaj’,

Aq shumë jemi në histori,

Që me kohë, në Iliri,

Me stërgjyshërit tanë të parë,

E më vonë në principata,

Në luftrat tona shum’ të gjata,

Qindra vjet luftuam me shpata,

E ky popull s’u ndal kurrë,

Me Gjergj Krujën trim me fletë,

Shumë beteja i fituam,

Edhe turkun e dëbuam,

E më vonë vjen Rilindja,

 Me Naimin e shokët e tij,

Që u shkrinë për Shqiptari

Gjuhën shqipe me na e shti në gji.

 

Edhe luftrat kështu vazhduan

Dhe flamurin e fituam,

Shtetin tonë e ndërtuam.

Plaku i urtë Ismail Qemali,

Ngriti flamurin në Vlorë

Dhe i tha botës mbarë,

Se këtu ka edhe shqiptarë

Që luftojnë në troje të veta,

Por Evropa, kjo e shkreta

Për habi e për çudi,

Lejoi në Londër një tragjedi:

U nda trungu shqipëtar,

U nda mbarë shqiptaria,

Nën Serbi e nën Greqi,

U bëmë rob të djallit të zi.

 

100 vjet nën shtypje të tij,

I lau duart me gjakun tonë

E mbushi tokën plot me varre,

Desh të na zhdukte si komb fare.

Nuk durohej më ky qen,

Gjakun tonë duke na e pirë,

Ndaj në ballë të shqiptarisë,

Prin një trim i vegjëlisë,

Bac Ademi legjendar,

Që i thoshte zullumqarit,

Bir i kurvës, faqezi,

Boll ti luajte me njërëzit e mij,

Këtu e ke fundin ti,

Se shqiptari më s`duron

Pushkën krahut ai shtërgon,

Derisa këmba e djallit të zi,

Të mos shihet më në shqiptari,

Se shqiptari në trojet t`veta,

Don të jetojë në liri,

Të ketë shkollën edhe gjuhën,

Dhe flamurin e këngën e tij,

Sepse këtu i thonë shqiptari,

E s`ka çka lypë ma djalli i zi.

Kështu do ecim me forcat tona

Dhe të ushtojë gjithmonë jehona,

Se jetojmë në trojet tona.

 

 

Oj Vitore, moj shqipe mali

 

Këtë poezi Ty ta kushtoj

Për Ty zanë zemërmadhe

Unë sonte të këndoj

Herë me rimë e herë pa rimë,

O moj shqipe mali

Që digjesh për Arbërinë.

 

Është Berati që e lindi

Dashurinë tënde me flatra

Detra e oqeane që pushton

O moj bijë e tokës trime

Në prehrin tënd të ngrohtë

Prehet edhe shpirtim im.

 

O j Vitore moj shqipe mali

Je humaniste e vertetë,

Aty ku është shqiptari

Atje është dhe shpirti yt.

Nëna e  bijtë të kërkojnë

Edhepse dergjesh e sëmurë

Zëri i tyre të ngre në këmbë.

 

Zemra Yte e zjarrtë është kudo

Në çdo vatër shqiptare,

Qan e qesh me perënditë

Dhe je shpresa e fukarasë.

 

Oj Vitore, shpirt i bujarisë

Simbol i gjallë i humaniznit,

Krenari e Shqipërisë

Nder i gjithë njerëzisë.

 

Oj Vitore, moj shqipe mali

Lum Berati që të lindi,

Lum diaspora që të ka

Paç jetë të gjatë sa një kala.

 

E të kemi dhe për shumë vjet

Sepse je nëna e vertetë,

Je frymëzimi e shpresa  jonë

Admirimi ynë, përgjithmonë.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx