E merkure, 07.05.2025, 06:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Minguli: Një roman ëndërr brenda ëndrrës

E enjte, 25.11.2010, 09:44 PM


Një roman ëndërr brenda ëndrrës

 

(Shënime kritike për romanin “Rebelimi i ndjenjave” të Miradie Maliqit)

 

Atje një dritë llambe drithëron,

Dhomën e sime zonje ajo ndriçon,

përse vallë shkëlqen dhoma e hyrisë,

në këtë orë mesnate të vetmisë.

Baladë e vjetër skoceze

 

Nga Fatmir Minguli

 

Është romani i parë që i lexoj autores Miradie Maliqi. Në lexim të parë merr impresione të shumta dhe nga faqja në faqe ndjen një lloj hutimi. Ky hutim, gjithsesi me kahje pozitive, është i shkaktuar nga stili, apo teknika krejt e veçantë se si e ka strukturuar romanin.

Që në fillim dua të bëj paralelizmin e çuditshëm që ndeshet në romanin “Rebelimi i ndjenjave” me romanin “Sikur të isha djalë” të shkrimtarit Haki Stërmilli. Kanë kaluar mbi tetë dekada kur shkrimtari dibran tronditi botën shqiptare, me historinë e Dijes dhe të Shpendit. Ndonëse nga kritikët e rëndomtë është quajtur “një roman i zakonshëm”, ai përkundrazi është foleja e një sërë veprave psikoanalitike që do dilnin më vonë. Dhe ja sot nga Miradija kemi rebelimin e ndjenjave të femrës shqiptare, intelektuale e kohës sonë. Haki Stërmilli ishta nga Dibra dhe Miradija po kështu, e paralelizmi vazhdon e thellohet duke na zbuluar thesare të botës së gruas shqiptare.

Romani i Miradije Maliqit është shkruar në formën e monologut. Mënyra e rrëfimit është tipike e stilit të “përroit të ndërgjegjes” d.m.th vërshimit pa ndal të ndjenjave të brendshme të vërtetë apo të pa vërtetë, veçse krejtësisht ekzistencialë.

Stili i të treguarit është i çuditshëm. Është pa subjekt por subjekti është tepër i kuptueshëm. Është me një protagoniste me emrin Sose, rrëfyesja, dhe me 2-3 personazhe të tjerë por pa emra, e megjithatë ata shndrisin si aktorë në teatrin e vogël dhe të madh të romanit. Përsiatjet e gruas që i shërben burrit të saj dhe marrdhëniet faktike që përshkohen gjatë gjithë romanit  revoltojnë lexuesin qoftë femër apo mashkull. Vetëm faqja 123 e romanit na dëfton se Sosja, rrëfyesja pra, ishte në ëndërr. E ajo nuk ishte thjesht ëndërr por një ëndërr e thellë, inteligjente, një ëndërr brenda ëndrrës. Është një subjekt ëndërr që e ndeshin femrat shqiptare që nga koha e Dijes së Haki Stërmillit. Është ëndrra e gjithë grave shqiptare që kanë pësuar fate me shtypje të shumëfishta. Këtu e kam fjalën për gjithë gratë e kombit shqiptar, ku tradita shqiptare ka shoqëruar gjithmonë jetën tonë si në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e në shtetet e tjera ku janë ngulur shqiptarët. Duke qënë një autore krejt e veçantë, Miradija zbërthen botën e gruas, krejt ndryshe nga autoret femra shqiptare andej këndej. Duke qenë e mbështetur fuqimisht në teoritë e Zigmund Frojdit dhe të Jungut ajo i përdor shpërthimet e saj krijuese jo si fishekzjarre por si tendencë për të formuar nënkresën e gjërave, analizën e plotë psiqike dhe shoqërore.

Një vlerë të posaçme në libër marin marrdhëniet baba-vajzë, diçka që Miradia e ka trajtuar dhe në një roman tjetër. Por në “Rebelimin e ndjenjave” ky raport është tejet i shkoqitur, duke argumentuar me arsye normale gjithçka ndodh në subjektin e romanit. Ndoshta këtu shprehet dhe ideja që mundon sot e kësaj dite botën intelektuale e që shprehet simbolikisht në portretin e Mona Lizës ku “brenda Mona Lizës është Leonardo Da Vinçi”. Pikërisht interferimet psikologjike (dhe jo të seksit) përshkruhen me aq modernizëm në romanin e Miradies. Aty gjejmë botën e madhe të gruas që fal, vuan, admiron, punon intelektualisht, ngazëllehet e prap vuan, fal, punon … .

Ndonëse në roman ka momente që përsëriten disa gjëra, nuk ndihet ky difekt se është frymëzimi artistik që detyron lexuesin t’a anashkalojë atë. Dashje pa dashje tek e studion romanin “Rebelimi i ndjenjave” të lind ideja e krahasimit të subjektit me romanin e Artur Schnitzler “Ëndërr e dyfishtë” shkruar dhe ky rreth viteve 1920-1930.

Pra autorja jonë navigon midis personazheve të Haki Stërmillit dhe vjenezit Schnitzler e vjen e sigurtë në limanet e botës së sotme të femrës shqiptare. Dhe ajo duke kaluar andrallat e ndryshme të jetës konkludon: “Gratë e ndryshuara do të kenë mundësinë që të ndryshojnë edhe botën mashkullore”. Është llogjikë më e pastër se sa ajo e organizatave të ndryshme feministike, cka dhe autorja s’para i ka qejf.

Simbolet s’kanë fund në tabllotë e ëndrrës së personazhes Sose, por më i bukuri simbol është vetura Alfa Romeo, dhuratë e të jatit. E simboli merr krahë duke u kthyer në një metaforë lëvizëse nëpërmjet shfaqjes së veturës BMV të të shoqit. Janë pikërisht simbolet ato që e bëjnë librin të veçantë, jo vetëm për kompozicionin e tij. Vetë emri Sose, i protagonistes, është simbol shumëkuptimësh, gjë që duhet të trajtohet në një shkrim të veçantë.

Ajo që Miradia kalon shkarazi në ëndërrimet rrëfenjë të Soses është dhe qëndrimi kritik midis dy periudhave komuniste dhe pas komuniste. Zhdërvjelltësia e saj i tejkalon caqet e ëndrrës dhe del në shesh të hapur. Nëpërmjet mekanizmit të studimit subkoshient, Miradie Maliqi na ka dhënë përfundimisht një roman ndryshe, roman që këlthet me qytetarinë e një intelektualeje të sotme shqiptare.

 

Durrës 19/10/2010



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx