E merkure, 07.05.2025, 08:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Istref Haxhillari: E ndaluara

E merkure, 24.11.2010, 10:00 PM


Istref Haxhillari

 

E ndaluara

 

(Tregim)

 

Mëngjesit të purpurt ditën e fundit të shkurtit, Tirana gumëzhinte mbytur. Qelqnajës së pallateve dielli i madh i zbardhëllyer copëzohej në mijëra bij të vegjël. Mimozat mbushnin hapësirën me aromë ngacmuese, njerëzit deheshin. Gratë zbulonin gjokset e angështuara prej dimrit, që tkurrej me zor. Në peizazhin e stinës hiri i tokës dhe bluja e qiellit kapërtheheshin në një lojë djallëzore pambaruar kurrë.

Iliri nuk ngopej me pamjen magjike të qytetit. Ndaloi pranë fast foodit në fund të rrugës së Elbasanit.

- Sanduiç pa salcë, - i tha shitëses bullafiqe me fytyrë të kuqërremtë si petull.

            Ndërsa nxirte lekët prej tufës së kartmonedhave, portofoli i ra nga duart. Një vajzë e re me vështrim të vrarë e ndihmoi të mblidhte katmonedhat e shpërndara. Pak më parë ia zunë sytë trotuarit në krah të fast foodit.

            - Urdhëro, - i tërhoqi vëmendjen gruaja obeze dhe shikoi me përçmim vajzën e trotuarit.

-Largohu, - i tha e bezdisur.

Ajo nuk lëvizi, ktheu kokën nga ana tjetër dhe foli vrazhdë, pa ndonjë shenjë zemërimi fytyrës së pashme.

-Shko pirdhu!

Iliri u habit. Iu duk e pamundur të dilnin ato fjalë nga goja e vogël dhe buzët delikate të zonjushes së nurshme.

-Bën mirë të mos merresh me atë, - i tha shitësja.

            Femër më të hijshme vështirë se gjeje. Qëndronte në pozicion disi të çuditshëm, pa vrarë mendjen për shikimet kureshtare. Bluza e  hapur zbulonte gjysmën e gjinjve të mrekullueshëm, kërcyer rmbi sutjena. Ngriti paksa këmbën mbi bordurën e trotuarit, nën fustanin e shkurtër u dukën mbathjet e ngushta në ngjyrën e detit.

            Teksa kafshonte sanduiçin, Iliri u rrek t’i fliste, po ngurroi. Vinte nga një qytet i vogël jugor, pothuaj nuk e njihte mënyrën e re të jetës vërshuar në Tiranë. I druhej edhe shitëses së ngjallur noprane, që herë pas here e shikonte shtrembër sikur donte t’i thoshte:

            “Akoma me atë kuçkë ti”.

Vajza vështronte tinëz, buzëqeshte me nënkuptim. Lëvizte pareshtur trupin sikur e shponte ndonjë karficë në shpinë. Herë pas here kafshonte buzën,  hunda e vogël majëpërpjetë i dridhej. Preku pulpën e këmbës me gishtin tregues dhe qeshi me zë të lartë. Njeriu i vëmendshëm dallonte nuanca të pazakonta melankolie në sytë e mëdhenj të zinj si qymyr, ku dallgëzonin hije të padukshme, të turbullta. Ilirit i mbetën sytë te linjat e rregullta, leshrat e zeza të shkëlqyera, kofshët e lëmyshkura.

            -Trashaluqja ka inat, s’më sheh dot me sy - vajza tregoi me dorë gruan e shëndoshë të fast-foodit.

Rrotullohej kot, nënqeshte pa ndonjë shkak të dukshëm, nuk rrinte një çast e qetë. Luante me celularin, e përdridhte si lodër fëmijësh. Pas pak e hapi me ngut.

-Mirë, mirë, - i foli dikujt.

Si e mbylli telefonin u ngërdhesh shëmtuar.

-Pederast i mutit!

-Prostitutë, - mendoi Iliri pa pikë dyshimi, - kaq e bukur, e shthurur?!

Nuk dukej për të ardhur keq. E lirshme, pa kurrfarë droje u vërviste shikime çapkëne meshkujve të rrugës. Në shpirt i vlonte dëshira të merrte vesh të vërtetën.

            Mboshti dyzimin, u prezantua me mirësjellje.

            - Më quajnë Ilir.

Ajo i hodhi vështrimin e errët të vrarë me sy gjysmë të pulitur dhe tundi plot elegancë vithet e hatashme. Shikimi i turbullt në vend ta largonte, çuditërisht e joshi më shumë.

            - Xhoana ose Xhoi, si të ma duash, - u përgjigj zëngjirur.

Ai u skuq, shikoi përreth. Lumi i makinave dallgëzonte pa pushuar ndërsa këmbësorët e rrallë hidhnin sytë kalimthi, nxitonin në punët e veta. Pak më tej një djalosh tullac shumë i gjatë, ulur mbi pllakat e bordurës, pinte duhan dhe sodiste me nge diku nga ana tjetër e rrugës. Vajza u mërzit së këqyrur burrat e panjohur. Me takat e gjata zuri të vizatojë rrathë në pluhurin e rrugës duke rrotulluar trupin bashkë me këpucën. Kur arrinte të përfundonte figurën pa shkëputur majën e hollë lëshonte piskama habie.

“ Pse të mos e ftoj për kafe, arsyetoi Iliri.”

Mirëpo ajo dukej e lëshuar, fare pa edukatë me fjalor të pështirë. Herë pas here si rastësisht shitësja vërente shtrembër. Këmbët nuk i bindeshin të largohej. Vajza rrezëllinte fare pranë. Dëshira përvëluese ta prekte me dorë, ta puthte bëhej gjithnjë më e parezistueshme.

Xhoana sodiste me nge. Rrotull njëzet vjeç, zeshkane e shkurtër me flokë të zes të shkëlqyer, ndarë në mes, zënë gërsheta të dendura prapa, kishte pamje këndellëse seksi. Sytë e shndritshëm gati kërcënues i vetëtinin.

-Dalim bashkë? - Iliri e shikoi me dyshim.

-Mirë - i tha ajo pa ndonjë ngutje apo dëshirë të spikatur.

Morën rrugën përgjatë Lanës në krah të Kuvendit. E tërhoqi në stolin mes tufës së dendur të ligustrave, i shtrëngoi llërën e zbuluar. Ajo i hodhi duart në qafë.  Kokën e mbante nga rruga përmbi parkun e vogël. Iliri e afroi nga vetja. Dora, vendosur mbi kofshë, synoi lart drejt mbathjeve kaltëroshe të vogla.

            -Kujdes, na pikasin, - u zgërdhi Xhoi, - shkojmë në motel.

Djali vështroi rrotull. Vuri re një mercedez me ngjyrë të verdhë. Iu bë se diku e kishte parë drejtuesin e makinës, po atij çasti nuk i kujtohej.

Shoferi indiferent hapi derën pa shikuar drejt. Iliri mendoi se natyra e punës e shtrëngonte të sillej në atë mënyrë të ftohtë. Sikur të kuturiste në qytetin e tij do të habiste njerëzit.

 “Këtu nuk pyesin nga vete e me kë shkon, mendoi i lehtësuar”

Moteli zinte një godinë të thjeshtë te Brryli mes pallateve në cep të urës. Përpara shtrihej bahçja e zakonshme tiranase me fiq e hurma. Rrotull gjallonin ende dy-tre shtëpi të vogla qerpiçi, në kontrast të thellë me pallatet shumëkatshe që mbulonin horizontin nga të gjitha anët. Pronarja, grua e vjetër mbi të pesëdhjetat, dremiste në hyrje. Vite të tëra me atë punë, nuk e habiste asgjë. Kërkoi parapagim, i vuri në pëllëmbë çelsat.

 -Dhoma e dytë në të djathtë, - tha me gjysmë zëri.

Ilirit i bëri përshtypje mospërfillja e gruas. Siç dukej partnerja e tij vinte shpesh në motel.

Xhoi hodhi çantën mbi krevatin dopjo, u shtri gati e përgjumur. Në sytë e bukur katran të zinj ndihej lodhja. Mollëzat pak të dala i jepnin sensualitet mahnitës.

-Më dhemb koka, - tha, - gjithnjë zukasin mizat, - vështroi nga dritarja një flutur pikaloshe që rrekej të hynte nëpër xham.

Flokët e zinj si mëndafsh luhateshin me ritmin e lëkundjes së trupit. E heshtur me sytë ulur, lëvizjet e kursyera të njëllojta dukej shpirt i ndaluar brenda formash të ngushta, bezdisëse.

- Gjithçka vjen nga ndjesia që më jep, - përpiqej t’i mbushte mendjen vetes Iliri, po tinëzisht shqetësimi nuk i ndahej.

Xhoit i pëlqente pija. Rrëkëlleu njërën pas tjetrës gotat me liker arrash në ngjyrë kafe të errët. E zgjodhi vetë apo ia sollën, ai s’e kuptoi mirë. Vajti disa herë në banjë. Qëllonte të kthehej përsëri në gjysmë të rrugës.

-Se ç’dreqin kam këtu, - vuri dorën në fund të barkut, - s’e mbaj dot shurrën, nganjëherë e bëj në brekë, - dhe qeshi mbytur.

 Sa herë kthehej nga tualeti ulej pranë tij, Iliri ndjente një farë krenarie. Nuk i besohej se kishte zënë vajzën e bukur të Tiranës. Asnjëherë s’pati rast të shkonte me një femër të tillë, për të pirë në kupë. Punë e madhe në qe e shthurur, lloji i zanatit.

I shkoi dorën rreth belit, e puthi vrulltas në buzët e tulta si qershi.

            -Të dukem e mirë? - e pyeti Xhoi.

-Më pëlqen, - u përgjigj me sinqeritet.

Përkëdheli gjinjtë e vegjël, zbërtheu sytjenat, kapi me majën e dhëmbëve thithkën. Ajo u shkëput disi e bezdisur.

-Të gjithë më shajnë, - u ankua.

            -Ngaqë merresh me këtë punë, - i tha për ta qetësuar.

Njerëzit e urrejnë zanatin më të vjetër të botës, i shpërfillin kurvat njëlloj si kriminelët. Nuk i dukej aspak e drejtë. Mos është krim të bësh seks?

U orvat sërish ta puthte. Ajo u ngrit shkoi në dritare. Vuri kokën mes duarve, pinte me sy trishtimin e ëmbël të ditës dhe merrte frymë thellë. Ndryshe nga sjellja në rrugë tani e largonte me lloj lloj sajesash. Pa përvojë në kësi punësh, Iliri u mërzit, nuk dinte si të vepronte. Djalë i qetë, i edukuar, dhunën e përbuzte. Ajo e vuri re. 

-Do ta bëjmë, për atë punë erdhëm, - i tha dhe qeshi në mënyrë të pakuptimtë me zërin e ngjirur - prit të freskohem pak.

Shkoi sërish në banjë. Doli pas pak e mrekullueshme, krejtësisht e zhveshur. Flokët e shpleksur, të gjatë i shkëlqenin. U fut nën çarçafë. Trupi i drejtë me lëkurë të lëmuar, format e rregullta i futën drithmat djalit të druajtur.

- Pa kulturë, kushedi si i ka vajtur filli,- mendoi Iliri, - pastaj në këtë punë s’mund të sillet ndryshe.

-Afrohu pallë, - urdhëroi Xhoi, - pa ta shohim, ke gjë apo hiç fare.

 Puthte ftohtë pa dëshirë, sikur provonte shijen e thartë të buzëve. Iliri i la duart të përshkonin trupin e femrës. Hyri i eksituar mes këmbëve të saj. E ngrohtë, e vogël. “Si është e mundur, mendoi, një prostitutë!”. Lëvizi ngadalë, duke dashur ta zgjaste, të shijonte hijeshinë përcëlluese të femrës. Xhoi mospërfillëse kundronte gjithë kohës nga dritarja e hapur. Futi gishtin në hundë e krojti duke u shtrembuar nga kënaqësia.

-Hiqe gishtin, - i tha me inat.

-Shko qihu, - ia ktheu ajo me lehtësi, sikur ta ledhatonte me atë fjalë.

As i shkonte ndërmend se ai mund të fyhej. Dorën e mbajti te hunda. Qurrat përzier me gjak kullonin buzës së sipërme. Sytë e mjegulluar, lëvizjet e pakontrolluara e çmeritën Ilirin. Tani që mbaroi punë i kalli krupën, e neveriti me spërdredhjet idiote. I erdhi për të vjellë. U vesh, nxori nga xhepi tufën e kartmonedhave.

-Sa? - e pyeti.

-Të gjitha, - nxitoi të përgjigjej dhe bebëzat e skuqura, të errësuara lëshuan xixa të frikshme.

Ai e këqyri i habitur, i zhgënjyer.

-Qënke budallaqe?

-Gomar, - ia ktheu ajo dhe qeshi pafajësisht.

Iliri kujtoi këshillën e shitëses së fast-foodit. U ndje i brengosur, dëshmitar i së ndaluarës apo më keq, i mpleksur me të.

-Ngreu të ikim, ja paga jote, - i tha me të mirë.

-Rrimë pak, - u lut Xhoi e ndryshuar përnjëherë.

Dorën e fshiu me cepin e çarçafit, ku mbeti njolla bezhë e qurrave. Iu afrua ta përkëdhelte, ai e largoi me neveri. Dashuri me një të mangët! Nuk e pati shkuar kurrë nëpër mend. E pushtoi trishtimi për vajzën e çekuilibruar, veten dhe gjithçka ndodhi atë ditë.

-Mjaft, dalim tani, - tha i tronditur.

Ajo mbushi sytë me lot, e përkequr u mblodh grusht në qosh të shtratit. Vërejti nga dritarja e frikësuar. Qante dhe qeshte në mënyrë të papërcaktuar. Kur e zuri për krahu ta ngrinte, Xhoi u mbajt në hekurat e krevatit.

-Të lutem mos më përzë, - lotët rridhnin qetësisht fytyrës tejet të bukur.

Ilirit i erdhi keq. Për një çast kujtoj engjëllin e lotuar në gravurën ballore të kishës së qytetit. Vajza e shkretë e jepte veten pa e kuptuar. Në të njëjtën kohë kapërcente pas, në vende të egra, të panjohura, në kohë të tymta. Për meshkujt funksiononte thjesht femër seksi, nuk shqetësoheshin nëse qe e çmendur. Xhoi mendonte turbull, po shpirti i saj e ndjente kur njerëzit lëndoheshin, i dhimbte zemra për ta. Ligësia arratisej lehtësisht prej qenies së brishtë, fshehur thellë fatkeqes me bukuri të rrallë.

Iliri përkëdheli leshrat e dendur dhe faqet e zeshkëta si pjeshkë. Përmes dritares së hapur drithmonte ajri i kulluar, depërtonin cicërimat e zogjve qe popullonin pemët e vjetra të kopështit.

-Nuk mund të rri, - i tha butësisht.

-Mua këtu do të më lesh?

-Te fast foodi, - e ledhatoi me keqardhje, - të çoj unë.

 E bukur sa t’i këpusje kokën, qante në heshtje, rrëkeza ujëvarash takoheshin nën mjekër. Jetonte ekstremet e arsyes pa gjendje të ndërmjetme. Si çdo qenie e gjallë reagonte në mënyrën e vet ndaj ngacmuesve të jashtëm, po kundërveprimi i saj ndryshonte nga ai i njerëzve të tjerë.

- Nuk janë të githë kaq të mirë, - pëshpëriti mes ngashërimit, - ai do të më gjejë tjetër.

-Kush?

-Nakua.

-Cili Nako?

-I dashuri im, - Xhoi tregoi me dorë kopështin.

Iliri u afrua te dritarja. Makina e verdhë qëndronte te hyrja e motelit ndërsa shoferi tullac, ulur në tavolinën rrëzë fikut, pinte birrë.

 

Pogradec, e shtunë 20 nëntor 2010



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx